Paralele të kundërta – (Jepi Çezarit ç’i takon Çezarit ) nga Agim Shehu

Shkrimtari Agim Shehu

Shkrimtari Agim Shehu

Paralele të kundërta – (Jepi Çezarit ç’i takon Çezarit )

nga Agim Shehu

Më ra në dorë libri “Rrëfim për Dinejt e Dibrës”, i shkrimtarit dhe studiuesit të nderuar Lazër Radit. Tepër i moshuar, vitet e fundit, ky autor ka përgatitur e botuar rreth 15 vepra, poezi, përkthime, studime.
Ulur nga pleqëria e internimet, gjithë e më ngadalë shpejtohet të shkarkojë në mbrëmje të moshës, çka mbledhur një jetë të tërë.
Më shtypin nga brenda, më flasin t’i nxjerr në dritë para se të shkoj vetë në errësirë. Kur më lëviznin këmbët, në të ri, s’më lanë të lëvizja veprat. Tani që “lëvizin” veprat, mezi më lëvizin këmbët”.
Dhe vë buzën në gaz…
“I lexove Dinejt? – më pyeti – Duhet mësuar e vërteta e plotë e gjërave. Me siguri dhe ju i dini ndryshe. Pa u thënë dhe një të vërtetë të mirë që kanë patur, të paktën në zemrën dhe në idetë e tyre nga të parët e vet patriotë. Këtë u mundova të bëja dhe për Dinejt e Dibrës. T’i gjykojë lexuesi. “Jepi Çezarit ç’i takon Çezarit…” Kështu bën gjithë bota!…
Në leximin e librit më mbetën sytë në fotografinë e tre të rinjve nga Dinejt: Dine, Tomorri e Sazani, dalë në Savër të Lushnjes në internim, në fillim të viteve ’50-të.
Kanë moshën time të gjimnazit. Pas tyre, misri i gjatë ku punonin, sfondi i diktaturës. Përpara fytyrat shqiptare në një bukuri iliriane, secili me një qetësi e krenari në vështrimin e tij. Drama e kombit mbi qenien e pafajshme të fytyrës së të rinjve, që kishin ardhur aty dhe në barkun e nënës. Prindët, ca nën dhe, ca në çdo skaj të dheut. Të vegjëlit, peng aty me vdekjen e ngadaltë të tyre, të shuhej ngadalë dhe emri i të parëve të tyre, që nga gjyshërit brez pas brezi, grirë si me osmanët dhe me sllavët për trojet.
Nga kjo fotografi, m’u kujtua një histori e asaj kohe. Të rinj shkonim nga Gjirokastra në Tiranë, në një mbledhje letrarësh. Na shoqëronte drejtori i gjimnazit dhe pedagog i marksizmit. E. K. (një ish fashist i thekur, kthyer në komunist të pjekur).
Kur hymë në Lushnje, foli duke treguar me dorë djathtas: “Aty, te ato baranga, Savër quhet, banojnë armiqtë e popullit. Vuajnë dënimin e partisë, i zëntë buka e partisë, thirri në fund pasionanti, dhe vështroi nga ne. I zëntë thirrëm ne, me vendosmëri, me sy nga drejtori, pastaj nga dritarja. Nuk dallonim asnjë nga “armiqtë”. I përfytyruam të fshehur si shpirtër që rrinin futur nëpër misrin, ku kallinjtë i tundnin gjethet nga frymëmarrja e tyre.
“Ju poetët, duhet të mbështetni partinë, shtoi nëndrejtori, të frymëzoheni…”
“Do të shkruajmë, shoku nëndrejtor, folëm tok ne poetët gjimnazistë!”
Kohët ecnin me këtë frymë. Në një vizitë partie në Lushnje më pas, funksionari i lartë i partisë në pushtet, Ramiz Alia, mes të tjerash tha (siç është botuar) se:
“…Ua kemi marrë shpirtin bejlerëve e agallarëve dhe mirë kemi bërë… Armiqëve kokës u kemi rënë, e kokës do t’u biem, të vjetër e të rinj…” – dhe gishti tregues i tij drejtohej nga barakat e Savrës me të internuar, ku qenë dhe të rinjtë Dine. Ata rrinin qetë mes dy gjerdhesh: përpara, gishti tregues i diktatorit, drejtuar kërcënim nga ata! Pas, kallinjtë e misrit, si gisht tregues nga Zoti, ç’po bëhet me këta të rinj të pafaj?! Në mes, buzëqeshja e qëndrueshme, me bukuri fisnike e të rinjëve.
.
Rrëfim për Dinejt e Dibrës

“Rrëfim për Dinejt e Dibrës”
Monografi dokumentare nga Lazër Radi

(Kujtojmë kur Ramiz Alia qe në “gjyqin” komik që iu bë në Tiranë për krime të rënda që iu mbuluan, djali i tij e lidhte babanë me trafikantë ndërkombëtarë në kurriz të popullit të varfër e të vjedhur prej tyre. Sipas ligjit e dokumentave, duhej thirrur të përgjigjej, të paktën. U la, duke vazhduar pasurimin në Paris!

Vazhdojmë paralelet. Ideologu i parë i diktaturës, Ramiz Alia e dënonte me gjithë strukturën e tij si tradhëtar e antishqiptar, Fiqiri Dinen, që drejtoi dhe një qeveri nën gjermanët nazistë.
I qëndrojmë mendimit tonë se bashkëpunimi apo bashkjetesa me fashizmin, në çdo formë e rrethanë, qe i dënueshëm e i dëmshëm për Shqipërinë. Pavarësisht pretendimeve të tyre për “Shqipërinë Etnike”, ata vinin si pushtues të popujve të tjerë. Thelën që të ka marrë ujku, nuk duhet ta kërkosh në thonjtë e çakallit. Veç kësaj, bashkëpunimi me ta, qe në dobi të shovenëve fqinjë, të cilët pas humbjes, Shqipërinë do ta vinin në tryezën e të mundurve e do ta rindanin, siç e kërkuan në Konferencën e Paqes.
Por faktet gjykohen më mirë, lidhur me kohën e tyre e në masën e tyre. Ngjarjet si dhe njerëzit janë rezultante e shumë segmenteve e motiveve që i shtynë dhe në gabimet historike. Ato janë të dyanëshme, shpesh kanë shtyrë e ushqyer në të kundërt njëra-tjetrën, drejt përçarjes kombëtare, në dobi të shovenëve fqinjë që dhe i kanë nxitur.
Dënimi i kolaboracionizmit nuk duhet ndarë nga dënimi i kolaboracionizmit sllavo-grek, armiqtë historik të kombit shqiptar, dëmet e të cilëve janë më të mëdhatë në histori e për një kohë shumë të gjatë, të djeshme e t ënesërme.
Vazhdojnmë nëpër kohë vijat e paraleles me dëshmi të panjohura për ne. Fiqiri Dine në korrik 1944, u caktua kryeministër.
Në detyrë ndenji diçka mbi dy muaj, e dha vetë dorëheqjen. Një nga arësyet qe, se pushtuesit nazistë, pa lejen e qeverisë së tij e kundër një fjale të dhënë, dërguan në kampin e Prishtinës, të rinjtë shqitarë që dihen.
Pas mbarimit të luftës, Fiqiri Dine u arratis nga rruga e Greqisë. Qeveria greke, e ashtuquajtura e Koalicionit, Aleatë me krahun perëndimor, shqiptarin antikomunist që arratisej nga komunizmi, e futi në internim e në burg, sepse ai nuk firmoste për Vorio-epirin që të ishte grek! I thonë planin: një ushtri greke tok me shqiptarë të arratisur, do sulmonte të rrëzonte komunizmin në Shqipëri, dhe Korça e Gjirokastra t’i jepej Greqisë!
Po të bëhej kjo, iu përgjegj shqiptari Fiqiri Dine, “…më mirë të sundojnë komunistët në Shqipëri, e Shqipëria të mos copëtohej!”
.
Katër Kolonelët e Ushtrisë Shqiptare: Dine - Pervizi - Bajraktari - Dema

Katër Kolonelët e Ushtrisë Shqiptare:
Dine – Pervizi – Bajraktari – Dema

E persekutuan, e futën në bodrume qelish me ujë gjer në brez. I duroi. Atdheun nuk e shiti. Doli i rimunduar, e vdiq në Belgjikë, mbuluar me flamurin shqiptar. (Kjo të kujton atë ndodhinë, kur në Nju Jork, para OKB-së nacionalistët e ikur shqiptarë do të protestonin para delegacionit të udhëheqjes së lartë komuniste të Tiranës. Por kur panë nga ana tjetër turmën greke kundër delegacionit shqiptar, që protestonte për Vorio-Epirin, shqiptarët lanë të parën dhe iu turrën këtyre të fundit, që donin copëtimin e kombit!).

Marrim paralelen tjetër, Ramiz Alinë për këtë analogji nga ana e tij. Ai Fiqiri Dinen me shokë i bëri agjentë të kujtdo. Romës, Athinës, Beogradit e me rradhë. Por ç’ka bërë vetë? Dërgohet si komisar Divizionit te “aleatët” sllavë për të çliruar popujt vëllezër të Jugosllavisë, (Kosovën) nga ushtria naziste në ikje. Por ç’thonë dokumentet e fundit të zbuluara? Tok me sllavët, organizoi masakrën e njohur të Tivarit, ku u vranë barbarisht mijëra kosovarë në një natë. Të dorëzuar në besë tek të pabesët me Ramiz Alinë në krye, se do t’i shpëtonin gjoja duke i futur në “shtetin amë”, i kaluan aty, pastaj i masakruan në Shkodër e në Tivar.
Ja telegrami, dërguar nga Ramiz Alia qendrës në Tiranë, publikuar dhe nga vetë shifranti i kohës, Islam Kadesha: “Sot, herët në mëngjez, një turmë e madhe disa mijëra shqiptarë të Kosovës, pasi u grumbulluan mes dy kodrave, në një luginë, u pushkatuan e u likuiduan të gjithë! Komisari i Div. V Ramiz Alia”. (Kur dorëzova telegramin, shkruan shifranti, më kërcënuan: Qepe, se e paguan keq!)
Paralelet flasin vetë, ç’bëri Fiqiri Dine për shqiptarët e dërguar në Prishtinë nga nazistët (atë që mundi), e ç’bëri Ramiz Alia me sllavët bashkë në Tivar, kundër shqiptarëve të Kosovës! (Për këtë krim, atë e kap ligji ndërkombëtar për genocid në përmasa të mëdha!)
Vazhdojmë paralelen më tej. Fiqiri Dine pranoi torturat në Greqi, e nuk firmosi shitjen e Atdheut. Ramiz Alia, gjatë rebelimit të vjetshëm, kaloi në Greqi si mesì, dhe kurohet atje më i sigurt se kudo, edhe pse i ka “sharë” aq gjatë monarkofashistët grekë dhe agjentët e tyre Fiqiri Dine me shokë! A bëhen kaq lehtë miq grekët, pa një llogari e shërbim nën dorë, së pari duke shitur atdheun tënd për pretendimet e tyre shovene?! Dihet, Ramiz Alia i hapi Shqipërisë dy tumore në shërbim të Greqisë. Së pari, tok me Ylli Bufin, ai i pari pranoi futjen e Janullatosit në Shqipëri, me premtimin grek (siç thonë të afërmit e ngjarjes), që në rast rreziku, udhën e ka hapur si askund në Greqi! Së dyti, Micotaqisin e përcolli me plotësimin e kërkesës së tij, që pas hapjes së ambasadave drejt perëndimit të hapë kufirin e jugut për refugjatët shqiptarë, që Greqia t’i shfrytëzonte, t’i kthente në grekë dhe t’i mbante peng të Athinës për presion e lëshime të vazhdueshme nga Tirana, të cilën do ta kërcënonte kurdoherë, siç po bën, me letrën e refugjatëve të mjerë, peng!
Të gjitha këto, e kanë burimin te Ramiz Alia. Ai vajti në kufi me pasaportë kontrabandisi për të kaluar në Greqi, (lirimin ia bëri Sali Berisha, pasaportën ia dha Fatos Nano). Kur e pengoi pak kufiri grek, me një telefon nga Athina, kaloi me fanfara e sigurime ku e prisnin! Është dënuar e anatemuar aq shumë Fiqiri Dine (morëm rastin e një monografie), dhe atyre nuk u hyjmë t’i analizojmë. Qeveria e tij nuk duhet të rrinte pranë ushtrisë gjermane. Po qeveria e sotme, sa të rëndë e ka krimin e tradhëtinë, që rri pranë ushtrisë greke e nën mbrojtjen e saj, të armikes më të madhe tok me atë serbe, të kombit shqiptar?! Si, dhe kur do dënohet kjo?! A mos priten më shumë të mira nga çizmja greke që ka nën vete, gjakun shqiptar dhe trojet e prera të Çamërisë?!
.
Kushërinjtë Sazan, Tomorr dhe Dine Dine (Savër 1954)

Kushërinjtë Sazan, Tomorr dhe Dine Dine (Savër 1954)

Duke pranuar fajësinë historike sa i takon për momentin, të Fiqiri Dines kryeministër, le të lexojmë dhe devizën e tij për detyrën (mënjanojmë uniformën e kohës, dëgjojmë dhe zërin e kombit që e shqetësonte duke marrë detyrën), siç e shpalli më 17 korrik 44: “mbi gjithçka, për ne qëndron ideali kombëtar, kombi shqiptar, tërësia etnike shqiptare… t’u sigurojmë vëllazënve e bijve tanë një Shqipni me kufijtë e vet etnikë, pa të cilët nuk mund të rrojmë… respektimin e nderit, të gjësë e jetës së shqiptarit… tolerancën ndaj fajtorëve, të cilët don me i sjellë në rrugën e nderit e të dinjitetit njerzor…”

Është e vërtetë, përmbajtja e këtyre mendimeve të shtrenjta për çdo shqiptar, që kanë aq shumë rezonancën e kohës, nuk u realizuan për formën edhe nga një lloj fataliteti historik për Shqipërinë. Fakti është, Shqipëria dha shumë në krah të koalicionit të madh aleat, u flijua për të. Fiqiri Dine nuk ia arriti, dhe e dënoi rëndë koha, për anën që morën. Por a mos fitoi kombi shqiptar atë që i premtuan dhe meritonte për anën që morëm nga aleatët? Kombi mbeti prapë i prerë, i fyer.
Kolaboracionizmi sllavo-komunist nuk i kushtoi më pak! Kjo do të ndodhë, nëse lidhesh me fqinjët shovenë, sllavë e grekë. Sami Frashëri la porosi profetike, mësim nga historia, që mos ta presim shërimin e një plage nga ata që na e kanë bërë! (Beogradi, Athina). Paralelet janë të hapura, le të gjykohen të dyja gjer në fund, nga rezultatet, si njërën anë, dhe tjetrën. Shkatërrimi që ka sot Shqipëria, qendrën e fijeve e ka në Beograd e Athinë, veglat e të cilave ende sot në Tiranë i elektrizojnë njëri pas tjetrit në Shqipëri.
Mendimet e Fiqiri Dines nuk i zbatoi dot, dhe e dënoi jeta. Të shohim dhe mendimet e Ramiz Alisë me udhëheqjen komuniste të tij. Citojmë diçka nga dokumentet: “Ne kurrë s’kemi pasur miq të tillë, si Jugosllavia e Mareshalli Tito”, (Bashkimi, 2.X.1947). “Shqipëria e vogël është me fat të madh, që në kufi të saj të ketë një shtet të tillë të madh demokratik, mik të sinqertë e i dashur i popullit tonë”. (Bashkimi, 8.X.1947). “Duan të ndajnë Shqipërinë nga Jugosllavia, kështu ta hajë dreqi vendin tonë” (Bashkimi, 14.X.1947). “Do të mbrojmë këtë aleancë deri në vdekje” (16.X.1947). aleanca s’u mbrojt, Ramiz Alia më shokë nuk vdiqën. “Aniversari i aleancës sonë të pathyeshme përfaqëson të kaluarën tonë të lavdishme (me sllavët A. Sh.), të ardhmen tonë të përbashkët” (13.VII.1947); sllavët popujt më përparimtarë të botës (22.VII.1947), “këta tradhëtarë spiunë të imperializmit amerikan e anglez nuk janë për bashkëpunimin politik e ekonomik mes nesh e Jugosllavisë… po janë për Planin Marshall, planin robëronjës të imperializmit”, (4.I.1948).
Komentet janë të tepërta. U prishën me Titon, dhe nisën ta shajnë si fëmijët në lodra, se ai na gënjeu na vodhi, ata janë të poshtër, e me radhë!
Thamë, Fiqiri Dine, dhe për ato mendime atdhetare që qëndrojnë u dënua. Ramiz Alia me shokë në udhëheqje, për mendimet antikombëtare që i dënoi koha me aq dëme për Shqipërin i pranuan dhe vetë më pas dhe pse qenë ortakë vetë nuk morën një gjëmb! Kombi, që nga ato rrënjë aleancash të tyre, po vazhdon shkatërrimin, dhe s’dihet kur do pushojë! Autorët të paprekur. Më thotë miku im poet P. Taçi, që ka qënë dhe në Savër, me burgje e internime. Fshehur në intimitet pyeti dikush djalin e Fiqiri Dines, pse i ati ndenji në marrëveshje me Hitlerin? Ai u përgjigj mënjanë: Po Stalini, pse bëri marrëveshje me Hitlerin, bile për të ndarë tok me Poloninë, kurse Gjermanët të paktën na premtuan Shqipërinë etnike, dhe do gënjeheshim! A e dënojnë Stalinin për këtë?! Aleati më i ngushtë i gjermanëve, në Greqi, gjenerali Ralis, u fal, u bë bile dhe kryeministër…”
Po afrohej një hije. Djali i Dines shkoi preu një kërcell të hollë misri, bëri një vegël frymore, e nisi një melodi dibrane nga malli për shtëpinë e braktisur, mbetur jetime.
Të ndjekim dhe ndonjë paralele tjetër. Të parët e Dinejve janë vrarë e djegur për Shqipërinë. Gjyshi i Ramiz Alisë, siç ka dalë në një gjyq dhe është botuar, i shërbeu si spiun serb shitjes së Rafshit të Dukagjinit, dhe iu fsheh hakmarrjes. Avokati Vangjel Qirko që mundonte Fiqiri Dinen në Greqi të firmoste për “Vorio Epirin”, njerëzit dhe farën e silogjeve i ngrohu te Ramiz Alia, si shërbyes i tij me shokë, serbë, vllahë, grekë të tipit Xoxe, Pashko, Qirko, Pituli, Marko e me radhë, armiq gjenetikë e historikë të të parëve të Dinejve kombëtarë… Gjithsesi, jepi Çezarit ç’i takon Çezarit !
Historia do shkruar e plotë dhe e saktë. Historianët e akademikët tanë përkatës, me aq Prof. Dr., e Cr., përpara emrave, të zgjohen nga gjumi bizantin e t’i vënë pikat mbi i, në historinë e kombit. Të fshijnë sidomos falsifikimet sllavo-greke në botime të kaluara, aq shumë siç do të citohen konkretisht.
Marrë nga Gazeta 55, e mërkurë 15 prill 1998

 

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook