back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Pak rreshta për “Lyrën” dhe për Haxhiademin nga Jozef Radi

Gazeta

Et'hem Haxhiademi - Vepra poetike - Lyra 1939
Et’hem Haxhiademi – Vepra poetike – Lyra 1939

Pak rreshta për “Lyrën” dhe për Haxhiademin

nga Jozef Radi

“Lyra” e Et’hem Haxhiademit, e botueme në vitin 1939, asht pa as ma të voglin diskutim nji prej monumenteve të poezisë shqipe…
E shkrueme në nji kohë të vështirë, kur poezia shqipe ishte ende në fazë ngjizjesh dhe kërkimesh; kur Bota, e bashkë me të edhe vet Shqipnia, po i zhytesh nji tragjizmi e nji kasaphane të papame, Et’hem Haxhiademi botoi të fundmen vepër të tij: “Lyrën”, aq të dashtun. Nji libër poezish që ndoshta as u lexue, as u kuptue dhe as u respektue si dhe sa duhet, pse menjiherë mbas atij botimi do të shfaqej pushtimi dhe lufta, e bashkë me të edhe kriza ma e madhe morale e shoqnisë shqiptare, kështu që kjo vepër nuk mori as njoftjen dhe as dashuninë, e jo ma mirnjoftjen a vlersimin e kohës kur u shfaq së pari, po as edhe të krejt kohnave që erdhën ma mbas.
Praktikisht kjo vepër edhe sot e kësaj dite asht e palexueme, e pakuptueme dhe e pavlersueme… ende e pangulun në kujtesën kolektive të lexuesve, po as të elitave (po i quejmë të tilla) që e kishin pasë ma së pakut detyrë të merreshin me trajtimin, zbërthimin, vlerësimin po edhe përhapjen e saj.
Kështu pra, “Lyra” dhe bashkë me të edhe Autori i saj, mund të konsiderohen në simbiozë të pavumëre dhe ende të pambrritun ndër shqiptarë!
“Lyra” asht libërth me diku te 80 faqet dhe me gjithsej 11 poezi… as ma shumë e as ma pak!! Asnji libër poetik, me sa di unë, s’ka pasë kaq pak poezi, dhe asnji libër poetik s’të jep ma shumë mundsi me u shprehë bollshëm e ma bukur se “Lyra”. Edhe pse dy – tri prej poezive mund t’i quejmë edhe poema, fjala vjen “Nymfat e Shkuminit”, “Elegji për Naim Frashërin” apo “Nata e zezë”, prap se prap për poezinë e Haxhiademit, po edhe krejt veprën e tij duhet hapë nji kapitull i ri njohjeje, dashnie, vlersimi dhe interpretimi… përndryshe nuk bajmë asgja tjetër, veçse i mbyllim sytë përpara nji monumenti të madh që s’mund të kapërcehet ma me heshtje, prej krejt atyne që tash duhet me ju uluritë në birë të veshit, për çka kanë ba në mënyrën ma joletrare e ma çnjerzore të mundshme…
Por, kjo punë tashma mendoj dhe besoj se asht në rrugë e sipër, dhe s’ma merr mendja se flamurtarët e mëdhaj të heshtjes kanë me pasë po at sukses të dikurshëm në “lavdinë” e tyne…

Et'hem Haxhiademi (1930)
Et’hem Haxhiademi (1930)

Haxhiademi asht poet elitar, sqimatar, kryefortë, solemn dhe njerzor… Shpesh teksa lexon vargjet e tij, krijon përshtypjen se ende Ai jeton në nji realitet të epërm, e të duket sikur asht ngjitë maje nji piedestali dhe na e reciton kumbueshëm magjinë e vargjeve te veta, me shpirtin e nji gjuhe që ai e besonte hyjnore… Edhe pse ndjehet i lanun mbasdore, Ai rri midis atij sheshi të madh ku s’guxon askush me iu avitë… dhe e sheh mirë se rreth tij s’janë veç do cikrrimaxhij, do ziliqarë e do salierve skajeve, që aq fort i gëzohen atij sheshi të mbetun bosh dhe atij njeriu të mbetun vetëm… me kangën e vet! Po… Ai asht i bindun se jehu i asaj kange, në mos sot, nesër; në mos nesër… dikur, ka me u ndje si duhet… e sigurisht ka me u ndje fuqishëm…
Si duket, Haxhiademi ka dalë me koshiencë të plotë prej kohës së vet, dhe ka zgjedhë Poezinë si armë hyjnore komunikimi. Atij i ra për hise me e rindërtue at tempull të rrënuem të vetvedit, prej nga ku Ai i dha hov fjalës shqip, duke dëshmue se Gjuha e tij, s’i len asgja mangut Kangëve ma të Lashta Ballkanase, bile mbeti ma se i bindun se ajo asht bartsja ma e denjë e atyne Kangve.
Gjuha e Haxhiademit, edhe te poezia e tij, (më pëlqen ta theksoj kët gja), asht e Mesmja e Artë midis Fishtës, Koliqit dhe Camajt në njenën anë dhe Frashërit, Poradecit dhe Kutelit nga ana tjetër… veç me nji mision shumë ma ta madh, shumë ma largpamës e ma hyjnor: përbashkimin dhe njehsimin ma se të natyrshëm të gjithë prrenjve të gjuhës së letrave shqipe!
I jam në gjunjë misionit të këtij Njeriu të Madh, që edhe sot ndokush mundet me u lexue pak si jashtë kohe, po të jeni të sigurt se Haxhiademi ka me u lexue si duhet dhe ka me mbetë i të gjitha kohnave…!
Qershor-Shtator 2015
Botuar së pari te “Poeteka” Nr. 36 -2015 (e ripunuar)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.