back to top
17.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Pak rreshta për Dr. Prof. Lazër Radin – nga Bajame Hoxha – Çeliku

Gazeta

Lazer Radi - Saver 1972
Lazer Radi – Vitore Radi – Bajame çeliku e Beba Pervizi – Saver 1972

Pak rreshta për Dr. Prof. Lazër Radin

nga Bajame Hoxha – Çeliku

Vërtet, ai kurrë nuk mori atë çka meritoi, por asnjëherë s’u trishtua për atë që nuk ndodhte…
Lazër Radi, njeriu enciklopedist, për të gjithë ne të internuarit e Savrës, ku unë kam jetuar për më shumë se 30 vite së bashku me të, mund të them pa droje, se na dha shumë nga vetja dhe pa kursim! Ai ushtroi profesionin e edukatorit si profesor ilegal për dekada të tëra, me shumë dashuri e përkushtim. Edhe pse frika ishte e madhe, askush prej ne nxënsave të tij kurrë s’e tradhëtoi mësuesin, dhe ai pa as më të voglin shpërblim, na dhuroi atë çka ia njihte më mirë vetes: Kulturën.
Nuk besoj të ketë mbetur njeri në kamp, që s’i kërkoi një mendim e s’u konsultua me atë njeri të ditur, të dashur, të papërtuar, qoftë për ndonjë problem a hall familjar, qoftë edhe për çeshtje shtetërore.
Unë, për vete i ndjehem tejet në borxh, por edhe mirënjohëse ndaj tij, sepse njëkohësisht falë atij njeriu të pazhurmshëm, po të madhërishëm, këmbëngulës po edhe babaxhan, i kujdesshëm po i paepur, e që brenda shpirtit të tij jetonte me një mendim ndryshe! Dhe ishte përplot me dritë e dashuri për njeriun e për vlerat e çdonjërit prej nesh…
Ishte ai i heshturi, që më mësoi italishten mua dhe shumë të tjerëve… sigurisht me njëmijë sakrifica dhe nën përgjimin e egër dhe të vazhdueshëm.
Duke qenë se ka kapërcyer 20 vjetorin e ndarjes nga jeta, dhe shkuarjes në përjetësi, nga thellësia e zemrës i nis një bekim:
Qofsh i buzëqeshur në parajsë!
Dr. Lazër Radin s’duhet ta braktisim, e ta lënë mbas krahëve, pikërisht tani që ka shkuar në amshim. Ne, nxënësit e tij, të paktën s’duhet ta harrojmë kurrën e kurrës atë portretin e tij që lëkundej lehtas dhe atë buzagazin e tij të sinqertë, atë njohësin e shumë gjuhëve, po edhe vlerësuesin e traditave shqiptare. Atdhetarin e shkallës së lartë, që mbasi mbaroi studimet e larta për drejtësi e letërsi në Itali, e që me aq përkushtim punoi në gazetari…. Djaloshi që u kthye i vetëdijshëm, dhe i përgatitur si mjaft prej atyre që e deshën vendin e tyre dhe u kthyen të pajisur me dije e kulturë të gjerë, vetëm që t’i shërbenin atij…
Entuziast nga natyra, për të qenë i vlefshëm e për t’i shërbyer drejtësisë në Atdhe, ai shpejt do të bëhej viktimë e padrejtësive.
Rrota e historisë në Shqipërinë komuniste, në vend të ecte përpara, mori udhën mbrapsht dhe një pjesë e madhe e intelektualëve shqiptarë i hodhi pa u kursyer në greminë… apo u caktoi nga një vend në ferr!!
Kështu e pësoi edhe Profesori ynë, ai njerëzori i paepur, i dënuar fillimisht me 30 vjet burg, e që pësoi një kalvar 46 vjeçar!
Të mos të harrojmë, se brenda atij burgu të egër, mendjen e tij të ndritur e shfrytëzuan të pagdhendurit dhe autorësinë e përkthimeve, ia përvetësuan e ia ngjishnin kushedi kujt partiaku, që dinte të punonte në favor të diktaturës, duke e mikluar atë!! Pjesën tjetër të jetës, e ngrysi nëpër kampet çnjerëzore të diktaturës, në punë krahu të detyruar, e deri në moshën e tretë, kur i kishte kapërcyer të 60-at! Arsyeja: s’i kishte plotësuar vitet e punës për pension, sepse vitet e burgut nuk ia konsideronin!
.

Lazër Radi midis të interrnuarve - Kampi i Savres 1954
Lazër Radi midis të interrnuarve –
Kampi i Savrës 1954
Sot, mund të duket si asgjë, por kampet punës së detyruar, kanë qenë tmerr! Një ferr kaluar penës së Dantes. Kur mendon se sa vjet e kohë duhet që njeriu të përgatitet aq sa Dr. Profesor Lazër Radi, e të përfitojë dije sa ai, të vjen të mbytesh në një pikë uji, kur rrugët ishin të mbyllura nga censura!
Kam menduar gjithnjë, edhe kur isha fare e re: një mendje aq të ndritur si mund ta izoloje, si mund ta dënoje, si mund ta robëroje, si mund ta ndrydhje për mos të shpërndarë shkëndija drite dhe kulture, kur ai kishte për të nxjerrë plot të tjerë si vetja e tij, talente e të përkushtuar, dhe jeta do evoluonte përmes diturisë dhe paqes.
Por ja, lindja e largët ruse na ofroi një kohë mynxyre, ku nuk nevojitej mençuria, po veç të hapej e të mbushej me viktima të përndritura gulagu shqiptar. Shumica e popullsisë duhej të mbetej anadollake dhe e çorientuar: të mësonte vetëm vijën e partisë e ta donte atë mbi atdheun dhe familjen.
Për iluministin tonë, “e quaj tonin”, sepse vërtet mbeti vetëm yni, pasi historia hipokrite e Enver Hoxhës kërkon ta varrosë me heshtje heroin tonë, që qëndron ballëlartë midis heronjve iluministë të shek. XX, e që unë besoj se çdo njeri i ndershëm do ta kujtojë me respekt dhe nderim.
.
Lazër Radi, Lekani e Spiro Gjoka (Savër 1984,)
Lazër Radi, Lekani e Spiro Gjoka (Savër 1984)
Ndaj unë di ta kujtoj profesorin ilegal edhe pas largimit të tij në amshim. Ai ndihmoi edhe jashtë punës së rëndë, të gjithë ata që dëshironin të mësonin e të studionin në fusha të ndryshme, dhe si një mjeshtër i vërtetë e i pa lodhur, s’u kursye asnjiherë, edhe pse n’ato kohra, dija jashtë propagandës së partisë kishte “kosto të lartë”… Profesorit bujar, s’i mungoi asnjëherë guximi, që Savra e internimeve të mos e ndrydhte rininë, prandaj jepte shumë më të mirën nga vetja, i shpërndante pa rezerva dijet, na i jepte ne “të pa ngopurve” për kulturë.
Natyrisht, që në ato kohra e kemi vlerësuar dhe admiruar të gjithë, pse ishte përhapës i dinjitetit, i kulturës dhe arsimit, ishte njeriu që punonte e luftonte pa u lodhur për përparimin dhe zhvillimin e një shoqërie të izoluar, në betejë me errësirën dhe prapambetjen brenda telave të izolimit. Prandaj, e them me kurajo se gazetari, mendimtari, shkrimtari dhe poeti, Lazër Radi, s’duhet të harrohet, s’mund të harrohet!
I vonuar shumë është për t’u dëgjuar që emri i tij, kontributi i tij të jetë i derdhur në bronz. Ishte ai, që punoi në ilegalitet të plotë për një zhvillim shoqëror ndryshe, edhe pse tërë jetën e kaloi në internim punoi me këmbëngulje e zell të palëkundur. Edhe në moshë të shtyrë, ai buzagazi i tij na vinte si një fllad pranvere, e ndjeja se do të mbetej legjendë e pathyeshme ndër shekuj.
Zhytem ndër ato vite dhe më duket se ende kemi nevojë për praninë e tij, për fjalën e profesorit për kulturën dhe qetësinë e tij, në një kohë kur vendin tonë i mungojnë gjithnjë e më shumë personalitete të atij niveli.
Por, fisnikëria mbeti fisnikëri në shpirtin e tij, aq sa s’e mposhtën dot as ortekët e luftës së klasave, nëpër vitet e atij persekutimi barbar 46 vjeçar, kurdoherë atë e gjeje mes nesh, dhe ashtu mbeti përgjithmonë: udhërrëfyesi ynë nëpër terrin e diktaturës…
.
Shkrimi është botuar në gazetën Dielli, më 1 tetor 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.