back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Pak rreshta kush është Profesor Fehmi Kelmendi (1930-2015)

Gazeta

Prof. Fehmi Kelmendi (1930-2015)
Prof. Fehmi Kelmendi (1930-2015) foto Radi

Pak rreshta kush është

Profesor Fehmi Kelmendi (1930-2015)

Profesor Fehmi Kelmendi me profesion historian, asht nji veprimtar i dalluem i çeshtjes kombëtare shqiptare. Ai rrjedh nga nji familje e njohun e Preshevës, e cila gjithmonë ka sakrifikue për çeshtjen kombëtare.
Profesor Fehmi Kelmendi prej vitit 1990, jeton dhe vepron në Bien/Biel të Zvicrës. “Bashkësia Shqiptare në Zvicër” e çmon Profesor Fehmiun si nji veprimtar të palodhun, si nji intelektual që merret me hulumtime nga lemia e historisë, nji intelektual që merret me grumbullimin dhe përpunimin e folklorit shqiptar, shkruan poezi dhe tregime. Shkrimet, komentet dhe analizat politike të Profesor Kelmendit kanë dhanë nji ndikimin shumë pozitiv në evoluimin dhe dinamizmin e mendimit dhe veprimit politiko-filozofik tek shqiptarët në diasporë. Vdiq ne Bien/Biel – Zvicër, 30 dhjetor 2015. Varrimi, simbas amanetit të tij në Preshevë, me 2 janar 2016

Fehmi Kelmendi dhe Tiberius Puiu
Fehmi Kelmendi dhe Tiberius Puiu

***
Sot, dita e parë e vitit 2016, si gjithëherë më gëzime, por nuk i shpëtuam edhe hidhërimit. Krejt në fund të lajmeve ku mbas atmosferës festive gjithëandej trojeve tona e nëpër botë, në fund mora lajmin e zi e plot dhimbje për vdekjen e mikut, shokut tonë dhe veprimtarit të denjë Prof. Fehmi Kelmendi.
Presheva jote Fehmi, Kosova dhe troje tona gjithëandej, po edhe qyteti i Zvicrës Biel-Biene ku ti jetove e veprove Fehmi, nga sot, bashkë më gëzimin e vitit të Ri do kemi edhe pikllimin e mungesës tuaj në kërtë jetë e cila së fundit të ka munduar shumë.
Ju Fehmi i ndruar dhe tjeret pas jush po vdisin dhe kështu po humb kuptimi i gjitha fotove tona në veprim, gjitha video filmimeve dhe audio incizimeve të fjalimeve tua të zjarrta para masave në protesta gjithëandej metropoleve të Europës. E ku ti lë, dhe kujt ti pasqyroj këto aktivitete profë i nderuar?
Lavdi veprës suaj, emrit dhe krenarisë suaj që kishe në aktivitete për çlirimin e vendit tonë. Për jetë e mot në kujtim emri juaj Fehmi Kelmendi.
Ngushllime Familjes Kelmendi dhe gjithë bashkëveprimtarëve të tij.
Luzern 01.01.2016
Xun Çetta info-cetta:

Provesor Fehmi Kelmendi - Bien Biel 2005
Profesor Fehmi Kelmendi – Bien Biel 2005  (foto Radi)

***
In Memoriam

për Profesor Fehmi Kelmendin

Lajmin e hidhur për vdekjen e profesorit Kelmendi, në moshën 85 vjeçare, në Biel të Zvicrës, më 30 dhjetor 2015, e mora nga nipi i tij Liburni (në fb) dhe më tronditi thellë, meqë Lugina e Preshevës dhe Lëvizja Kombëtare humbi një intelektual të mirëfilltë dhe një veprimtar të devotshëm të kauzës kombëtare shqiptare.
I ndjeri profesor Fehmi Kelmendi ishte mësimdhënës i imi në Gjimnazin “Skënderbeu” tre vjet radhazi dhe na edukonte në frymën patriotike, pa lëshuar pe dhe pa e përfillur regjimin politik të Serbisë.
Na fliste hapur për të (pa)bëmat e sistemit, pa u trembur fare nga pasojat.
Sidomos ishte i rreptë në kritikat dhe demaskimin e ish udhëheqësin e UDB-së jugosllave, Aleksandër Rankoviqit dhe mbeturinave të regjimit të tij në pushtet, si dhe spiunët e dikurshëm në popull, të cilët, për t’i humbur gjurmët nga veprimtaria antishqiptare, kishin vënë plisin dhe, shpeshherë shiteshin si “patrotë”, duke provokuar popullin për radikalizëm dhe veprime për të cilët dënoheshin me dënime drakonike, duke i vuajtur nëpër kazamatet famëkeqe në ish Jugosllavi.
Për qëndrimet e tia nacionaliste e patriotike, zotëri Fehmiu ishte i njohur edhe për regjimin e kohës.
Prandaj, u detyrua që ta lëshojë vendlindjen dhe të emigrojë në Zvicër, ku mori pjesë në të gjitha aktivitetet kombëtare, mbajti ligjërata dhe këshilla e sqarime të vlefshme për bashkatdhetarët tanë nga Lugina e Preshevës, nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.
Si intelektual i mirëfilltë dhe si veprimtar i devotshëm dhe i pakursyeshëm për çështjen tonë kombëtare, profesor Fehmiu ishte i dashur dhe i respektuar nga të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh orientimin e tyre politik.
Profesori Fehmi Kelmendi rrjedh nga një familje me tradita të mëdha patriotike dhe ka dhënë shumë për çështjen kombëtare.
Ali Aliu, vëllau i madh i tij, ishte i njohur si intelektual, si patriot dhe si njeri i madh, anekënd shqiptarisë dhe vuajti shumë nëpër kazamatet jugosllave dhe në Goli Otok. Profesor Ibrahim Kelmendi, kushëri i profesor Fehmiut, ishte intelektua, patriot dhe luftëtar i çështjes kombëtare.
Prandaj, u detyrua të emigroj në vitin 1946, me Adem Gllavicën, Luan Gashin dhe me shumë shokë për Greqi, pastaj më Gjermani, e më pas, disa për Australi dhe të tjerët për Amerikë.
Profesori Fehmi Kelmendi e deshti shumë Vendlindjen e vet Preshevën, prandaj e la amanet që aty të varroset.
I lehtë i qoftë dheu i Preshevës, të cilën aq shumë e deshti.
Lavdi e përjetëshme i qoftë jetës dhe veprimtarisë së tij patriotike!
Zoti e shpërbleftë me xhenet!
Me nderime dhe respekt,
nipi i tij, Nehat Hyseni

Fehmi Kelmendi dhe Xhelkjo Maksuti
Fehmi Kelmendi dhe Xhelkjo Maksuti

Dakoli

tregim nga Fehmi Kelmendi

E takova gand. Dukej i mërzitur. Hallet e mundonin aq sa as vetë s’dinte ç’të bënte. Puna nuk i vente mbarë, e kushtet elementare jetësore i mungonin. Jetonte mizorisht. Vetëm kujtohej, si mund ta qetësonte shpirtin e trazuar? Çoç pësonte, e përjetonte hermbashere çaste të vështira. Vuante shpirtërisht. Nga mund shetiste. Endej poshtë e lart… vente e vinte kot duke u endë sa poshtë lart.
Ndenjur diç e pengonte, e sapo ulej, ngrihej. ndjehej si mbi ferra. Këmbët i mpiheshin. Vetes vend vështirë i gjente. Veç me shpresë ngushllohej. Vallë, si mund t’u jepte zgjidhje problemeve të grumbulluara? Dertet e gajlet veç i shtoheshin. Gjatë bisedës prekej lehtë. Shpesh përdorte fjalë patetike e diskutonte rreptë. Shkurt e trup. Shprehej prerazi. Qëndresën e mbronte me pasion. Disfatistët e nervozonin. Ndaj tyre mbante qëndrim kategorik. Ata që e njihnin hollë e mirë e respektonin, e shpesh e shihnin nëpër mbledhje, tubime dhe protesta. Zhvillonte një aktivitet të dendur patriotik. Masa e çmonte. Posedonte energji të pashterrshme e falë talentit të rrallë u bë i famshëm. Pos profesionit të vet, ushtronte edhe aktivitete të tjera. Pesë gjuhë të huaja i zotëronte. Tamam poliglot. Si i tillë gëzonte autoritet të merituar. Krahas veprimtarisë së frytshme politike e patriotike merrej edhe me shkrime. Ishte autor i një sërë veprash letrare: tregimesh, novelash dhe baladash. Gjithashtu edhe i artikujve të ndryshëm, analizava, etj. Me romanin psikologjik “Pishtari i Arsimit” arriti të dekorohet. Kritikët letrarë e vlerësuan si vepër ndriçuese e llojit specifik të gjinisë së beletristikës. Protagonisti i paraqitur me pseudonim Profani, përfaqësonte tregtarin e luftës që luante rol negativ në shoqëri. Gjatë promovimit të tij kolegët i uruan për suksese të reja në të ardhmen.
Banonte në një shtëpi përdhese. Ajo kishte dy dhoma me nga dy dritare të vogla fare dhe katër sharapolle. Shtëpia gjendej rrëzë kodrës Godan, skaj lumit Miran dhe pranë fshatit Shurdhan. Themelet prej gurëve, muret e ndërtuara me qerpiçë, çatia e mbuluar me kashtë thekre, kopshti përpara, vatha përmbrapa dhe dera e hyrjes e thurur me thupra, pasqyronin stilin e veçantë të saj. Udha zik-zake, që e çonte në qytet, kalonte nëpër luginën e Vaçkës. Fshatarët duhej të kujdesoheshin, sepse bishat e malit i befasonin. Mënyra e jetesës kësisoj atij i pëlqente. Për të enkas ishte ambient adhurues. Ndonëse netëve me vonesë e zinte gjumi, në mëngjes zgjohej herët. Vazhdimisht qe në shenjestër të pushtetit. Me të shkelur në pranverën e njëzet nisën telashet dhe e përcollën tërë jetën. Bile sa vinin dhe i shtoheshin ato.
Kishte dy shokë me të cilët shoqërohej gati përditë. Ia ngjitën një bisht dhe e morën në qafë. Të kurdisun, ata e denoncuan si organizator i një grupi ilegal revolucionar. Organet e brendshme duke u bazuar në deklaratat e atyre gënjeshtarëve e arrestuan. Prokurori publik, Kusar Tufani ia ngriti padinë në gjyqin e qarkut të Vrianës. Gjatë pretencës, ai e rëndoi jashtë mase para kolegjit gjykues me një aktakuzë mjeshtërisht të formuluar. Trupi gjykues i përbërë prej pesë anëtarëve dhe tre porotëve, pa prezantimin e avokatit, me kryesuesin Butan Babaxhanin, mikun e ngushtë të prefektit të Trelanit, Tokan Tabanit, u besoi rrugaçëve dhe hiç pa faj të paditurin e dënoi në bazë të shpifjeve me dhjetë vjet heqje lirije. Viktima e dhunës dhe e terrorit shtetëror para syve të të pranishmëve e shqeu aktgjykimin si të papreçedent. I kërcëlloi dhëmbët nga të cilët u duk sikur dilnin shkëndija dhe nxitoi t’u sulej, por u durua… sepse të ngatërrohej, nuk ia vlente. Me të dalë nga burgu një mbrëmje atyre dy qepazeve u zuri pritë. Aty mëkatarët i bëri kahër…

Fehim Kelmendi, Lulzime Shemollari, Sheraf Gjebrea, Lazёr Radi, X, Hazir Shala, Koço Nini, Mexhit Kokalari - LDBSH 11 dhjetor 1993
Fehmi Kelmendi, Lulzime Shemollari, Sheraf Gjebrea, Lazёr Radi, X, Hazir Shala,
Koço Nini, Mexhit Kokalari – LDBSH 11 dhjetor 1993

Lajmi rrahu përqark: dhe çdo kriminel, spiun e horr, e kuptoi se do t’i jepte llogari atentatit. Tradhtarët po e paguajnë haraçin me jetë. Të poshtërit një ditë do ndëshkohen. Tradhtarët do të japin llogari para popullit.
Pata nderin ta njihja. Ishte një burrë me trup mesatar. Mashkull i zakonshëm. As i pashëm po as i shëmtuar. Dora e djathtë pakës i dridhej. Për atë ndjehej edhe pak i kompleksuar. Shpesh përmendte kohën rinore, e zhytej thellë në mendime. Kur i përkujtonte prindërit e vdekur rrëfente dhimbshëm: “Ime ëmë, më la në moshën tetëvjeçe, kurse im atë nja dy vjet më vonë, i mbylli edhe ai sytë përgjithmonë. Disi u rrita. Por veç unë e di se si! – thoshte i gjori. Me bukë e me dhallë. Mbeta qysh herët edhe pa disa prej shokëve moshatarë: Jakupi vdiq prej veremit, Tafa ra nga mani, Dinën e mori uji i turbullt, Demën e zuri rrota e qerres, Fata u rrokullis rrethit tatëpjetë, Zeqën e goditi rrufeja, Danin e mbyti… Eh medet!
Ky trim që në fillin të konfliktit të armatosur u gjet në vijën e parë të frontit. Fishekët i kursente që asnjë plumb mos t’i shkonte hupë. Mbas gjashtë muaj luftimesh të ashpra ra heroikisht në altarin e lirisë, mos me vdekë kurrë.
Kohë e ndryshueshme. Herë ftohtë, herë ngrohtë. Nji çast binte shi, e mbas një çasti dielli shkëlqente. Herë vranët, herë moti kthellej. Era e lehtë fryente dhe freskonte gjithçka. Gjethet e njoma shushurinin, të tharat shkundeshin. Flladi blatonte. Aroma e luleve përhapej anë e kënd dhe soste në gërmushat e Karadakut. Bari si  fije mëndafshi valëvitej porsi valët e detit. Kënga e bilbilit e joshte. Fyelli i bariut jehonte prej larg. Në majë të Tumës valonte flamuri kuq e zi. Përbri Krastës zdergjej bagëtia. Te murrizat dëgjohej këmbora e dhive. Në livadh të Sheut kecat lodronin. Ujqit përballë i vëzhgonin. Sohishtës së Sukës tinëz u afroheshin. Kur dolën në rogë gjuetari ua drejtoi çiften. Matanë Kodërdrenit shtrihej fusha e gjërë ngjyrë ylberi.
Malësorët e lodhur nën hijen e Norçës pushonin. Të rinjtë nga të gjitha anët ngarendnin. Këndshëm relaksoheshin, duke thithur ajrin e pastër dhe pinin ujin e nartë. Duke i shkëmbyer mendimet njëri me tjetrin konsulltoheshin. Menar Mani, të cilit çifti nuk i gjendej, tregoi se si gjatë luftës bëhej tregtia me gjakun e vëllezërve, motrave dhe fëmijve tanë. Dikush luftonte për liri, duke mos kursyer as jetën, dikush e shfrytëzonte rastin dhe pasurohej gjatë luftës dhe mbas saj. Ka njerëz gjithfarësh në secilën shtresë shoqërore, ndaj nuk është për t’u çuditë ia ktheu, Lali Lima. Prit, prit, e ndërpreu, Nakil Nika. Domethën, për shembull, bie fjala, a kupton a jo, a po merr vesh, vermi vesh fjalës, nuk është ashtu siç po thonë disa njerë tuhafë, më shurdhuat, ju drejtua parafolsëve, Latif Liktyri. Vazhdo se na kënaqe ja priti, Lali Lama. Gabove, shkretove, e teprove, ja nxorre fundin, i tha Shab Shabi. S’ka gjë të keqe. Mos u shqetëso Shab, foli përsëri Lali Lama… Zgjedhi fjalët, iu përgjigj Shabi. E de më, duke shiquar me përbuzje,i bërtiti Memish Hadi, Shabiut. Na shkatërrove nervat, Lalë, ndërhyri Xan Ximi. Habib Kuturi e shiqonte të gabuarin me përbuzje. Na shkatërrove nervat, na prishe disponimin, or matuf, në fund i tha. Sa kalamaj i ke, e pyeti Fahri Furkën, Lito Luta? Njëmbëdhjetë, iu përgjigj Fahriu. I paç me jetë të gjatë dhe me fat, ia priti Dalan Raka. Faleminderit, le të rrojnë bashkë me të tjerët kudo që janë në botë, kështu iu mirënjoh ai. Emrat si i kanë, ripyeti i njejti? Burimorë-kombëtarë, u përgjigj Fahriu. I gëzofshin, ndërhyri Taip Tifa. Amin. Bido Mula matej e çmatej, dikur shpërtheu: njerëzit me karakter të atrofizuar kanë idealin kombëtar të kufizuar.
Trimat tanë nuk janë as të parët, as të dytët, as të tretët, as të katërtët e as të pesëtët, po kushedi të satët në radhë, që luftuan brez pas brezi kundër pushtuesve të ndryshëm. Ç’u bë vallë me Vedat Vadin? Humbi pa shenjë e pa dukë. E lëshoi toka. Eshtë i gjallë, apo i vrarë? U interesua Ragip Rudi. Ai u çorr duke thirur në luftë për vetëmbrojtjeje, por kot, sepse shumica nuk e përfilli zërin e kushtrimit. Kam pasë nderin ta njihja atë, duke aluduar në Vedat Vadin, “Me të vërtetë ishte atdhetar i devotshëm, – tha Hasim Kacimici – Disa thonë është gjallë,do të tjerë se është vrarë. Një zot e di, kryesore është se humbi pa shenjë e pa dukë, sikur e lëshoi toka, tha Tanush Taka. Ne njerëzve të dëshmuar meritat ua njohim pasi të vdesin, ia behu Lazim Hallaçi. Gajle tjetër nuk keni? – ju bërtiti Ukë Hashani.. – Mos na ço tugën pizeveng, more vesh, – ia ktheu Nanur Duma – Pse flet jerëm, e pa lidhje. Mati fjalët, se dje mjalt, e sot helm qet nga goja, – i tha Halim Budumi. Njeriu nuk e njeh as veten e lëre më të tjerët! – pohoi Daut Paçarizi. – Më shurdhofsh, tuhaf i madh paske qenë! Edhe ti më. Na kënaqe. Përdor fjalë me peshë që të zënë vend e të mos i luaj as topi, foli me zë të ulët, që mezi dëgjohej, Nail Dumani. Nëse dikush nuk e ka zanat të flasë, më mirë i bie me heshtë. Fjalët pa shije as shiten, as blihen, – tërhoqi vërejtjen Zef Pali. Bëhu serioz. Mos u cirit e mos u zgërdhi or horr. Sharlatan që veç gafa lshon. Erozioni ta paska rrënuar trurin. Je person me xanxa. E ke vdjerrë rrugën në oborr, i tha Mezan Meçe, Ukë Hashanit. Zekthi e ngacmon, shtoi Memo Duro. Mbylle Ukë… Mbaju. Se e hëngre vetë atë që s’duhet, iu kërcënua duke belbëzuar, Ajvaz Kacabashi. I mbushur plot me vrer, Elez Lisi e pështyu në fytyrë. Mezan Meqe dhe Edip Bajra e shanë. Sado Hoti ju mat t’i mëshonte. Hiqjuni atij, mos u fëlliqni me të! – i këshilloi Nafi Naka.
Bejtarët, ambiciozët, karieristët e tekanjozët ushqehen me kritika, sulme dhe pamflete. Ata hedhin baltë në ajkën e kombit. Figurat më të shquara i denigrojnë, ndërsa veten e hipin në majë të piramidës, tregoi Rahim Ruhani. Derisa tradhtarët qëndrojnë në pushtet çështja kombëtare do të firojë, me këso shprehje e mbylli bisedën shtatëorëshe Gafur Garja!

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Me 30 dhjetor 2015,
    ndrroi jetë profesori i nderuar Fehmi Kelmendi,
    nji veprimtar i paepur i çeshtjes shqiptare
    i cili pjesën më të madhe të jetës
    e kaloi burgjeve te Jugosllavise dhe ezileve.
    Sot mbasdite, me 2 janar 2016,
    ai u varros ne vendlindjen e tij të dashur, në Preshevë!
    Gjej rast ta kujtoj me nderim e respekt jetën dhe veprën e tij,
    dhe të ngushëlloj krejt familjen dhe miqtë
    për humbjen e njeriut dhe shokut të tyre të dashur…
    Të qoftë i lehtë dheu i vendlindjes, Profesor Fehmiu!
    me respekt Jozef Radi

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.