Pak poezi për ata që marrin detin… nga Jozef Radi

Libri Fletorja e Vjeshtës 2011

Libri Fletorja e Vjeshtës – 2011

 Pak poezi për ata që marrin detin…

nga Jozef Radi

Nga libri “Fletorja e Vjeshtës” 2011

Në ciklin e fundit të librit “Fletorja e Vjeshtës”, tema e emigracionit ze nji vend mjaft delikat…
Para disa ditësh nji miku im që punon kamionist, dhe që e ka lexuar librin në fjalë më kallzoi se mban atë, atje në shtratin e kamionit. Ai më telefonoi e ndër të tjera më tha se: “Kur kam pak kohë të lirë kthehem, e ndalem te libri jot dhe gjej aty diçka ngushlluese… dhe sidomos asht nji poezi e mrekullueshme… dhe ai filloi me ma recitue, poezinë “ky qytet asht i pasun prej detit/ po ndjehet i vorfën prej njerzve të krypës…” Me thanë të drejtën u ndjeva pak në vështërsi, sepse pothuej e kisha harrue… Ai jo vetëm ma bani të freskët e të gjallë, po shtoi se: “ksaj poezie ia ke lujtë zotin… asht e mrekullueshme”. Meqë isha në telefon, e mos me e vazhdue at habinë e shkula shpejt librin prej etazheri dhe u ndala pak ma gjatë te poezia në fjalë, e me at rast rrëshqita edhe ndër poezi të tjera…
E falenderova mikun tim… për leximin dhe ai me falenderoj për at shpirtin ngushllues që kishte gjetë te vargjet e mia… dhe kështu u ndamë…
Me librin në dorë, mendova se nja katër pesë poezi të këtij cikli, të gjitha të lidhuna me emigrimin pse të mos ishin me nji faqe më vete në sit… edhe sikur nji njeriu të vetëm t’i vinin në ndihmë, quhet misioni i kryem i nji poezie…
Kështu që ai ma shtini në mendje edhe për të tjerë…jr
11 shtator 2013

Ancona - Molle Vanvitelliana naten

Ancona – Molle Vanvitelliana naten

***

ne zbritëm ndër qytete me kangë majekrahu
i shkundëm blegërimat në xhepe autostradash
e vramë krejt nji pyll n’emën t’nji fyelli
e çka ruejtëm me shekuj, na mjaftoi veç nji ditë…

***

gjithçka shitet e blehet n’merkaton e dimnit;
shiten zogj dhe peshq dekorativë
blehen lule dhe gra dekorative
shiten burra të dekoruem
me hallate që u peshojnë ma shumë se hallet.
blehen lojtarë, prostituta, gjela deti
shitet shkumë shampanje me shishe, e mbushën
gota të zbrazta shpirtnash n’dolli të pakuptimta,
blehet marramendja e zjarrit të ndrrimviteve,
dhe dashnitë e mërdhime t’nji kohe ikun kahera
riciklohen ekranesh si flakë t’amshueme…

e humba e fillin n’kët rrokopujë shitblemjesh
e humba edhe at pak dashni t’mshehun ndër sqetlla
e s’di, ns’e me pare dalëboje, blehen andrra a dashni t’përdorme…

Mali dhe Riviera i Coneros - Ancona

Mali dhe Riviera i Coneros – Ancona

***

ju jeni mbrenda dhe ne jemi jashtë…
ne afrohemi ngadalë me hy mbrenda,
ju vërtik n’kambë e dilni jashtë,
na vështroni njashtu shtrembtë sikur thoni
“prap ju këtu, po ç’dreqin kërkoni!?”

ne hyjmë mbrenda ku ju mbrenda jeni
as gjuhën e fjalës as ftesën e uljes s’e gjejmë
atëherë dalim jashtë si të tepërt,  si t’huej
të ndjekun ngado me heshtje të vranët…

-Kur s’ka vend mbrenda, pse hyni mbrenda,
pse s’rrini jashtë, kur aq mirë jeni jashtë!
Mos na trazoni me dëshira braktisjesh,
na mjaftoni e ju duem vetëm si “Money gram”

***

pimë or pimë në terr të natës
shishe shprazim n’shpirtin bosh
veç nji zjarr që i friket flakës
na mbledh bashkë e na heq osh,

veç nji kangë e zvargun nate
qan nën qiell pa nji sy drite,
pimë or pimë larg tokës, vatrës
botë e mbytun, qesh ndër shishe…

***

gjithçka ndjej
e vuej
n’nji gjuhë të vetmueme
të shkrueme tejet vonë,
n’nji gjuhë pa sivllazën as simotra
n’nji gjuhë shpirtnash rrebelë
e të panënshtruem
deri n’marri…

nji dashni e madhe
mund të jetojë në lumni
edhe n’kët gjuhë të vogël
e të mbulohet me dritën e saj…

ne dolëm nga ajo gjuhë e vogël
dhe hymë të trembun
ndër gjuhët e mëdha t’kësaj bote
pa përbuzë
pa shpërfillë asgja,
e s’di pse fjal’t e dashnisë
na u banë pak ma t’ambla
ndër gjuhët e gjetuna…

tash po e kuptoj
se n’krejt gjuhët e botës
të paskam dashtë,
pse dreqin u dashka me t’përçmue
n’dialektin ma t’ashpër
të maleve të mia…

Porto Novo  dhe Conero - Ancona

Porto Novo dhe Conero – Ancona

***

ky qytet asht i pasun prej detit
po ndjehet i vorfën prej njerzve të krypës
që ia grryejnë edhe gurët e rrugës…

ky qytet flen shpejt dhe çohet herët
krehet me gishta, rruhet gjithnji e ma rrallë
e kurrë kohë me u kqyrë n’pasqyrë s’gjen,
ky qytet pa mbrapanicë
që e pi kafen n’kambë,
e n’kambë i mrrot edhe tri vaktet
e në kambë si kali flenë
e n’kambë si dhia dhitet
e për asgja n’botë s’koritet.

ky qytet me nji kodër kësulash guri
u asht ba shtrojë lodhjeve tona,
dhe sa herë në nevojë i lypim diçka
ai na kallzon brrylin* dhe detin pafund…

(*ancon – në gjuhë dore i thonë brryl)

***

kthehen peshkatarët e lodhun prej peshkut

në sy thellë deti u ka mbetë dhe era ndër flokë të pakrehun
e bregu iu fanitet si trup i etun i nji grueje

kodrat në muzg si gjinjtë e stamirës u duken
kur kthehen peshkatarët e lodhun prej detit

A mos vallë peshkun e kanë gjuejtë me shpirt a me rrjeta?

kthehen peshkatarët të bjerrun prej qiellit
dhe muzgun e mbushin me klithma pulbardhash…

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Jozef Radi, Kafe letrare, Poezia  Etiketat: , ,
2 Përgjigje
  1. merlia Tha:

    Janë poezi shumë të bukura… Më pëlqejnë!<3

  2. Flamur Shabani Tha:

    Jam i një mendjeje me mikun tënd shofer, që poezitë e tua i mban në makinë dhe i shfleton herë pas here.
    Janë vërtet mbresëlënëse, dhe ngacmojnë ndjenjat e gjithsecilit… qe ka ndjenja. Vlerësoj mesazhet që jep, ndërtimin e goditur të vargut me një strukturë të thjeshtë sintaksore si dhe fjalorin e përzgjedhur me fjalë si gurët e rëndë që zenë vend në themelet e ndërtesës që lartësohet.
    Nuk të kisha lexuar më parë poezi kaq të embla, të ndjera e të drejpërdrejta.
    Të vlerësoj për gjithçka që na paraqet si në publicistikë edhe në krijimtari letrare. Vazhdimisht suksese, miku im!

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook