Pak fjalë rreth procesit krijues… – Anissa Markarian nё bisedë me gazetaren Fatmira Nikolli

Anissa Markarian - 15 ditë prilli - Roman

Anissa Markarian – 15 ditë prilli – Roman

Pak fjalë rreth procesit krijues…

(Anissa Markarian nё bisedë me gazetaren Fatmira Nikolli)

Fatmira Nikolli: Anisa, si u ngjiz romani “15 ditë prilli”? Anissa Markarian: Romani e ka zanafillën në dy bërthama të hershme: një novelë e shkurtër dhe një skenar filmi. Në dorëshkrimin e librit tim të parë, “Sënduku i kujtimeve” (botuar në vitin 1999 nga MÇM Çabej), bënte pjesë edhe një novelë prej 30 faqesh që titullohej: “Sipas këshillës së miqve”. Rrëfeja historinë e një shkrimtari të suksesshëm që bie në burg i tradhtuar nga shokët e tij më të ngushtë. Ngjarjet zhvilloheshin kryesisht në qelitë e gërryera brenda malit të Urthit. Meqenëse “Sënduku i kujtimeve” u ndërtua si një përmbledhje me tregime, novela në fjalë nuk u përfshi në të. Veçse tema e pabesisë më mbeti në mendje e më ngacmonte për ta zhvilluar në një vepër më vete. Më pas, rreth mesit të viteve 2000, pata shkruar një skenar filmi artistik të titulluar “Kosherja e Heronjve”. Nëpërmjet fatit të një grupi të sëmurësh të mbyllur në një institucion shëndetësor që kishte për mision të krijonte heronj, u bëhej jehonë ndryshimeve historike që ndodhnin jashtë Kosheres: përmbysja e diktaturës dhe fillimi i një periudhe të turbullt tranzicioni.
Ngjarjet e romanit zhvillohen në 15 ditë. Kjo trysni kohore ju shërbeu për t’i dhënë më shumë dinamikë historisë? Është e vërtetë që përmbledhja e ngjarjeve në një afat kohor të shkurtër i jep rrëfimit ritëm dhe forcë. Por ideja kryesore ishte të tregoja që, shpesh herë, mjaftojnë vetëm pak ditë për të ndryshuar rrënjësisht kahun e historisë dhe fatin e një kombi.
Përse muaji prill? Prilli shënon jo vetëm pikëtakimin e dy stinëve, por edhe një lloj “paqartësie” të vetë natyrës. Përkon me një periudhë kur as dimri s’ka dalë përfundimisht, as pranvera s’ka zënë vend mirë. Ka thyerje e befasi interesante. Në planin artistik, shtjellimin e ngjarjeve në muajin prill e kam shfrytëzuar si ndërlidhëse të së shkuarës me të ardhmen. Në mes qëndrojnë 15 ditët e së tashmes me pështjellimin, pasigurinë, çoroditjen dhe rebelimin që i karakterizon.
Në roman nuk gjejmë asnjë përcaktim gjeografik që të kuptojmë se në ç’vend të globit zhvillohen ngjarjet e aq më pak ndonjë të dhënë kohore për të ditur se ç’periudhe i referoheni? Zgjedhja për t’i vendosur ngjarjet në një hapësirë pa emër e pa datë nuk është e rastësishme. Nënkupton gjithëkohshmërinë e gjithëndodhshmërinë e temës që trajton romani. Njëkohësisht edhe rrezikun që, nëse ulim vigjilencën dhe humbim guximin për të denoncuar e luftuar padrejtësitë, historia tragjike mund të përsëritet.
.
Anissa Markarian - Pema e Krishtlindjeve

Anissa Markarian – Pema e Krishtlindjeve

Libri është aq i pasur në përshkrime, sa që lexuesit i krijohet përshtypja se po sheh një film. Kjo është plotësisht e vërtetë dhe ju falenderoj që e vutë në dukje. Fillimisht, çdo skenë të romanit e kam “filmuar” me mendje dhe pastaj e kam hedhur në letër. Kjo mënyrë pune më ndihmoi për ta bërë më të kuptueshme atmosferën e përveçme që rrethonte ngjarjet. Atë të fundit të një diktature. Ja përse i kam kushtuar kaq shumë vëmendje përshkrimit të rrethanave dhe analizës së gjendjes psikologjike të personazheve përballë agonisë së regjimit totalitar.
Një agoni që zgjat 15 ditë… Po. Siç e keni lexuar, reagimet e personazheve në ato “15 ditë prilli” janë nga më të larmishmet. Herë të befasojnë, herë të çorientojnë. Herë të ngjallin admirim, herë të tjera të neverisin. Ndërkohë që pushtetarëve u shket toka nën këmbë, popullit i hapen perspektiva të reja, të shumëndërruara. Të parët përpiqen të përjetësojnë ofiqet që gëzojnë duke u kapur me dhëmbë e me thonj pas zheleve të të Përndriturit; të dytët organizojnë qëndresën dhe projektojnë të ardhmen e tyre.
Megjithëse e saktësoni që “15 ditë prilli” nuk është një roman autobiografik, gjatë leximit na krijohet përshtypja se Ida Raez jeni ju vetë. Gjer në ç’masë janë të vërtetë personazhet që popullojnë librin tuaj? Personazhet e librit m’i kanë frymëzuar persona realë që kam njohur në situata të caktuara por, e risaktësoj, “15 ditë prilli” nuk është roman autobiografik e akoma më pak roman historik apo rrëfim realist. Ndonëse Ida Raez studion për Mjekësi si unë dhe mbart përjetimet e një fakti të rëndësishëm të jetës sime studentore, do të ishte tepër kufizues për personazhin po të mendonit se më përfaqëson mua. Është një figurë komplekse me kulme befasuese dhe kontraste të mprehta. Ndërkohë që sfilitet e thërmohet fizikisht, në sytë e lexuesit lartësohet papërthyeshmëria e karakteri të saj. Besoj se është personazhi më kinematografik i romanit. Nëse “15 ditë prilli” do të frymëzonte një ditë një skenar filmi, roli që do të kisha dëshirë të interpretoja do të ishte ai i Idës. Çdo aktore do ta ëndërronte t’i besohej ai rol. Si autore e romanit, Ida Raez më është njëri nga dy personazhet më të dashur.
Tjetri është Teo? Po. Pacienti që pata takuar gjatë praktikës së ortopedisë. Për t’i shpëtuar shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në moshën 18 vjeçare kishte injektuar vajguri në gjurin e vet. Me kalimin e viteve, i ishte formuar një lloj tumori dhe dalëngadalë këmba i ishte gangrenizuar plotësisht duke e bërë të pashmangshëm cungimin ortopedik. E nisur nga kjo e dhënë, Teon e përfytyrova si një personazh të akullt e oportunist; pothuajse cinik. Por përballë ngjarjeve madhore që jeton në planin personal dhe atë shoqëror, ndërgjegjësohet moralisht e bëhet më i ndjeshëm shpirtërisht. Monologu i Teos në shtrat me Bulëzën dhe roli nismëtar në grevën e të sëmurëve të Kosheres dëshmojnë për kthesën fisnike që merr personazhi i tij, çka e bën edhe më njerëzor.
Romani “gumëzhin” nga një mori e pafund personazhesh dhe skenash ku ndërthuren tragjikja me komiken, grotesku me mbinatyralen, magjia me djallëzinë, dyfytyrësia me ndershmërinë e dalë mode, ndjenjat e pastra me perversitetin… Cirku i madh i Jetës? Mund ta quajmë edhe kështu. Një Cirk ku artistët kërcejnë nën fshikullimat e kamxhikut dhe spektatorët duartrokasin me pahir, për të mos përfunduar nën thundrat e centaurëve. Për t’ia rrokur sa më mirë kuptimin alegorisë së përdorur, libri duhet lexuar në 3 plane. Plani i parë është romani i suksesshëm i Vlad Krelës, “Qiellin e ka ngrënë tenja”. Përfaqëson fazën e nënshtrimit dhe të mbylljes së banorëve brenda qytetit-bunker. Planin e dytë e përbëjnë ngjarjet e 15 ditëve që përkojnë me fazën e rebelimit dhe të shembjes së diktaturës. Plani i tretë është romani i ardhshëm i shkrimtarit, “Rrëfime nga Moskundi”, që përfaqëson fazën e denoncimit dhe të dënimit të krimeve të ish-regjimit.
Si do ta cilësonit mënyrën tuaj të të shkruarit? Mendoj se shkruaj një letërsi pamore, të rrymës së realizmit magjik.
Cilët janë shkrimtarët që kanë ndikuar në farkëtimin e stilit tuaj? Buzzati, Garcia Marquez, Kafka, Kadare, Rulfo, Allende… Filmat e disa regjisorëve si Fellini, Bergman, Spielberg, Audiard, Almodovar, Kusturica…, gjithashtu.
Ç’mesazh dëshironi t’u përcillni lexuesve më të rinj në moshë nëpërmjet romanit tuaj? Të rriten qytetarë vigjilentë e të vëmendshëm, sepse despotët mund të lindin në çdo kohë. Kur u japim tepër pushtet, kur nuk u kërkojmë llogari, kur u lejojmë ta mbajnë kolltukun për periudha të gjata kohe, kur i brohorasim apo i votojmë symbyllur.
.
Maj, 2019

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook