back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Pa një ditë të vetme lirie… nga Luftar Pepmarku

Gazeta

Ramiz Mena
Ramiz Mena

Pa një ditë të vetme lirie…

Homazh në nderim te jetës dhe veprës së Ramiz Menës

nga Luftar Pepmarku

Me datën 24 korrik 2015 ditën e premte (e xhuma) ora 13 e 30 minuta, u nda nga jeta njëri nga bijt e familjes së nderuar të fisit Mena të Lurës, Ramizi.
Si njëri nga vazhduesit e denjë të traditave më të shkëlqyera të kombit, mbështetur në përvojën e paraardhësve të familjes së tij, e mbylli faqen e fundit të librit të madh të jetës, me plot dinjitet.
Pa shkuar larg në historinë e tij dhe familjes së Menëve, s’mund të lë pa përmendur, edhe ndonjë shembull që mendoj se ka qënë busulla orientuese e gjithë qëndrimeve të Ramizit, në jetën e tij plot tallaze e dallgë të stuhishme.
Gjyshi i tij Ali Mena, ishte përfaqësues i krahinës së tij, në “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”. Në vazhdën e qëndrimeve të tija atdhetare, kur trupat e ushtrisë malazese që kishin pushtuar Shkodrën dhe po marshonin në drejtim të Lezhës, ai vritet në ballë të luftimeve, bashkë me nipin e tij Isuf Mena në Malin e Kakarriqit, në vitin 1912.
Forcat e Bajrakut të Lurës, nën udhëheqjen e Ali Menës, përbënin formacionin e parë të luftimeve të inkuadruara nën drejtimin e të riut 17 vjeçar Ahmet Zogu. Baba dhe axha i tij, përkatësisht Hakiku dhe Selmani e vazhduan rrugën e Aliut në të gjitha ngjarjet pasardhëse, që u zhvilluan në gjysmën e parë të shekullit XX-të.

Bajraktari i Lurës Hakik Ali Mena (1890-1942)
Bajraktari i Lurës Hakik Ali Mena (1890-1942)

Ata do të shihen në mbështetje të Ahmet Zogut, në shpalljen e pavarësisë, në mbrojtje të trojeve amëtare gjatë Luftës së Parë Botërore, në Kongresin e Lushnjes, në vendosjen e rendit dhe krijimin e stabilitetit, deri në 7 prillin e zi të pushtimit të vendit tonë nga fashistët italianë. Edhe në këtë rast, ata me gjithë djemtë e tyre, do të ishin në qendër të dhunës së kësaj force pushtuese, mbi 40 herë më e madhe se Shqipëria, me potencial të madh armatimi dhe nga më modernët e kohës.
Baba i Ramizit, Hakiku, i shpallur si kundërshtar i forcës pushtuese, arrestohet dhe e çojnë në pikën e grumbullimit në qytetin e Beratit, prej nga ku do t’i nisnin në ishujt e Italisë. Mosha e vjetër dhe rëndimi i gjendjes shëndetësore, i detyruan autoritetet pushtuese t’ia dorëzojnë familjes, për ta kthyer në Lurën e tij të dashur. Këtu i mbylli sytë përgjithmonë edhe ky luftëtar i vendosur i familjes Mena, kariera e të cilit kishte filluar në vitet e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, me mbarimin e shkollës ushtarake në kryeqytetin e perendorisë, në Stamboll.
Në këtë kohë, gjimnazisti i viteve të para, Ramiz Mena, u bashkohet protestave dhe demostratave antifashiste, ku ishte angazhuar rinia e kohës. Rrjedha e ngjarjeve e vuri familjen e tij në llogoren e një lufte të re, me rrëmbyesit e flamurit të fitores së luftës, kur lufta me pushtuesit kishte mbaruar dhe nuk do të kishte të mbaruar, ajo mes shqiptarëve. Ramizi edhe në këtë luftë, do të ishte krah vëllezërve dhe axhës së tij me djem, nga të cilët 9 u vranë maleve të Shqipërisë, nga forcat e diktaturës. Gjatë viteve të burgut jetoi me dinjitet mes vëllezërve Ali, Isa, nipit Mexhit Mena. Mes miqve e shokëve Sami Kupi, Xhaferr Kurti, Zini Dervishi, Akil Basha, Enver Hasa e mjaft personalitetesh të tjera me emër, në historinë e qëndresës antikomuniste shqiptare. Ai nuk u dëgjua të fliste ndonjëherë për vuajtjet e tija në mal, gjatë viteve të arratisë, në burg gjatë viteve të vuajtjes së dënimit, në internim ku e kaloi jetën bashkë me familjen e tij, deri në vitin nëntëdhjetë, të shekullit XX-të.

Stema Mbretnore - Perkushtimi i Meneve
Stema Mbretnore – Perkushtimi i Meneve

Ndonëse kujtonte me dhimbje dhe tregonte rrjedhshëm e deri në detaje, për qëndresën dhe vuajtjet e shokëve në burgjet dhe kampet e internimeve. Skena të tmerrshme nga qelitë e burgjeve, Këneta e Maliqit, Kampi i Bedenit e deri te mbathja e nallçeve, në shputat e këmbëve me gozhdë në Kalanë e Gjirokastrës, janë disa nga skenat rrënqethëse që nuk të shqiten nga mendja. Ai do të shprehej me respekt e konsideratë të lartë mes të tjerësh, për Ibrahim Sokolin, Dom Mikel Koliqin, Ahmet Kolgjinin, Ded Gjonmarkajn, Angjelin Martinajn e shumë të tjerë. Nuk ishte në natyrën e tij, të përgojonte e të fliste keq edhe për ndonjë, që vuajtjet dhe turturat mund ta kishin përkulur. Pas vitit nëntëdhjetë, do të shfaqej madhërisht mes një grupi idealistësh siç ishin, Ibrahim Sokoli, Sami Kupi, Ahmet Kolgjini, Lin Martini, Akil Basha, Skënder Kalaja (Zogolli), Gjon Përjaku e shumë të tjerë, që do të duhej një listë e gjatë për t’i përmendur të gjithë. Ramizi shquhej midis tyre, për një përkushtim të jashtëzakonshëm, një maturi dhe durimi të admirueshëm, gjithnjë modest në qëndrimet e tija, larg bujës e të dukurit në rreshtat e parë apo tribunave të kohës. Me këto vlera që posedonte, do të fitonte shumë shpejt simpatinë dhe respektin e NMT Lekës I, Mbreti i Shqiptarëve, Nipit të Mbretit Zog ing. Skënder Zogut, nipit tjetër të mbretit Princ Tatit, Fuat Myftisë, Hysen Mulosmanit e shumë të tjerëve nga diaspora shqiptare. Gjithnjë konseguent në qëndrimet e veprimet e tija, mes legalistëve, bashkëvuajtësve, rrethit shoqëror e miqësor. Për ilustrim të modestisë së tij, po sjellë në kujtesë një episod në njërin prej takimeve të viteve të para, pas legalizimit të PLL.

Vellezer... dhe bashkvuejtes te perjetshem Ramiz dhe Men Mena
Vellezer… e bashkvuejtes te perjetshem Ramiz e Men Mena

Ishim në vendlindjen e Mbretit Zog I, në fshatin Burgajet të Matit. Shumë veta ngjisheshin pas stomit ku do të flisnin oratorë të ndryshëm. Mbaj mend në këtë takim veç të tjerësh ishte edhe doktor Fuat Myftia. Aty rreth tij u vu re një lëvizje njerëzish. Dikush tha: Po kërkojnë z. Mena për ta pas në krah në vendin nga ku do të mbaheshin fjalimet. Kur e shohin diku nga cepi i turmës me vështrimin matanë kodrave të Burgajetit, në drejtim të Klosit. E thirrën dhe erdh e u bashkua me shokët, në krah të Fuat Myftisë.
Më vonë dikush e pyeti: -Përse e bëre këte shmangie atë ditë në Burgajet?
Ai u përgjigj: -Kisha vite pa ardhur këtyre anëve, se e kishim të kufizuar lëvizjen. Merre me mend, deri në vitin 90-të, në mal, në burg dhe në internim, pa e patur një ditë të vetme lirie. E shpeshherë, më duket sikur dëgjoj zërat e vëllezërve të vrarë dhe të axhës Selman. Mjerë kush mbetet i fundit, për t’i kujtuar tmerret e viteve të diktaturës. Isha përqëndruar me vështrim nga pylli i fshatit Mallunxë. Atje u rrethuam befasisht dhe mbetën të vrarë nga familja jonë, Mixha Selman me tre nga djemtë e tij. Asnjë nga ne që shpëtuam, nuk doli pa plagë në trup, nga ai rrethim. E çfarë të kujtosh më parë nga jeta e tij. Bashkëvujtësit e tij, shumica janë larguar nga kjo botë me kohë. Natën e parë të buajtjes së trupit pa jetë të Ramizit në shtëpinë e tij, ishin pasardhës të bashkëvuajtësve të tij. Ata e ngrysën natën pa mbyll sy, duke kujtuar episode nga jeta e Ramizit.
Vdekja është njëri nga ligjet e natyrës. Asaj nuk i shpëtojnë as shenjtorët, as mbretërit e perandorët. Por e rëndësishme është kur njeriu le pas vetes, pasardhës dinjitoz. Vdes me faqe të bardhë dhe kanë se çfarë të kujtojnë për mirë të gjallët pas tij.
Kujtime këto që shpresoj t’ua lehtësojnë dhimbjen fëmijëve, vëllait, motrave, nipave e mbesave, miqve e shokëve, të gjithë atyre që e deshën dhe i deshi aq shumë në jetë. Sado të shkruaj, është e pamundur të përshkruhen të gjitha ngjarjet e një jete kaq të mbushur me vuajtje e sakrifica të përballuara me dinjitet e ndershmëri. Në jetën e Ramizit prej gati 90 vitesh, shkëlqyen mrekullisht vitytet dhe thjeshtësia.
Po e mbyll këtë shkrim duke uruar që t’i kenë jetë pasardhësit dhe qoftë i paharruar kujtimi i tij.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Me 24 korrik 2015, u largua ne paqe nji nga figurat e nderueme te qendreses. patriotizmes dhe nacionalizmes shqiptare: Ramiz Hakik Mena… Njeri i rralle me shpirt te paepur dhe me nji histori, qendrese dhe heshtje stoike prej shkembi… Keshtu qe ngushellimet e mia te sinqerta jane jo thjesht per ket Njeri po per krejt perfaqsuesit e denje te kesaj familje qe mbeten dinjitoze edhe ne sketerren e dhunes dhe ndeshkimit komunist….
    I lehte dheu per Ju Ramiz Mena dhe i perjetshem kujtimi i Juaj te pasardhesit e ketij fisniku…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.