back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Orët e fundit të kakistokracisë – nga Red Varaku

Gazeta

Red Varaku
Red Varaku

Orët e fundit të kakistokracisë*

nga Red Varaku

Tashmë është fare e qartë se pse reforma në drejtësi ishte prioriteti kryesor i Ramës. Asgjësimi i sistemit të drejtësisë është hapi më i rëndësisëm për fillimin e instalimit të një regjimi totalitar.
Nëpërmjet asgjësimit të sistemit të drejtësisë, qeveria i mohon qytetarëve të saj përdorimin e fuqisë së shtetit.
Këto vite shteti nuk ishte tjetër, veçse një instrument i pamëshirshëm në duart e njerëzve më të ulët të këtij vendi. Vendi u kthye në një kakistokraci (*nga greqishtja kakistos, që do të thotë më e keqja, dhe kratos që është sundim, sundim i më të keqes)
Tashmë gjithçka është në kolaps!
Mekanizmat që dikur garantonin demokracinë, thuajse nuk egzistojnë. Mekanizmi i zgjedhjeve kontrollohet nga grupet paramilitare, të cilat kanë një efikasitet, të cilën do t’ia kishte zili edhe vetë policia.
Media që dikur i jepte zë interesave të qytetarëve tashmë është kthyer në mbrojtëse të interesave të kastës. Manipulimi realizohet nëpërmjet gënjeshtrave dhe imazheve që imponohen dhunshëm në mendjet e masave të stërlodhura nga cirku i komunikimit publik.
Institucionet akademike që supozohet që duhet të kritikojnë dhe t’i kundërvihen çdo përpjekjeje të pushtetit janë shndërruar në shërbëtore të pushtetit.
Një armatë e madhe shërbëtorësh pa integritet hajdutë, batakçinj, gazetarë, klloun-artistë, sharlatanë, ushtarakë, oficerë policie, konspiracionistë u vunë nën shërbim të Ramës, në këmbim të parave, që buronin si lumë nga taksat e shqiptarëve. Në qendër të këtij spektakli qëndron kryeministri, i cili as që përpiqet t’i mohojë përfitimet e mëdha që burojnë nga pushteti.
I dehur nga deliri i madhështisë, nga servilët, puthadorët, nga fuqia që të jep pushteti, paranojak i sëmurë, ai shigjeton dhe hakmerret ndaj cilitdo që guxon të shfaqë qoftë edhe mospëlqimin më të vogël ndaj tij. Këtë e dinë më mirë se kushdo vetë socialistët, të cilët i poshtëron rregullisht.
.
Avni Delvina 2017 - No comment!
Avni Delvina 2017 – No comment!
Tashmë ai nuk ka më limite. Institucionet të cilat mund ta frenonin disi revanshin e tij pothuajse nuk egzistojnë më. Partia Socialiste, e cila është kthyer në një kult të Ramës, tashmë nuk mund ta ndalojë dot më marrinë e tij. Të gjithë ata që guxuan morën dënimin dhe përbuzjen e merituar.
Qëllimi i tij prej fillimit nuk ka qenë likujdimi i opozitës në kuptimin fizik të fjalës, por shndërrimi i saj në fasadë. Për këtë ai angazhoi një aparat të tërë në të gjithë Shqipërinë, që synonte intimidimin e opozitës. Ai përdori edhe një strategji tjetër, blerjen e elementëve opozitarë më të spikatur.
Korrupsioni i lartë në administratë nënkuptonte pikërisht këtë gjë. Para në funksion të asgjësimit të opozicionit. Ai e ktheu korrupsionin jo më në një anomali, por në një përbërës të rëndësishëm dhe të domosdoshëm të një demokracie të kontrolluar.
Kur narcizë dhe gangsterrë vendosen në krye të shtetit, ata sundojnë si klan, si tribu, si pasojë shteti i së drejtës pushon së funksionuari. Në një situatë të tillë e vetmja cilësi, që i tejkalon cilësitë e tjera është servilosja.
Nën sundimin e një klani të tillë të drejtat kthehen në privilegje. Faktet nuk kanë më rëndësi. Ato zëvendësohen nga opinione. Kulti i udhëheqësit zëvendëson politikën. Paranoja e grupeve armiqësore sundon retorikën politike.
Paranoja e humbjes së pushtetit shikon komplote dhe konspiracione kudo që hedh sytë. Fantazia zëvendëson realitetin. Frika zëvendëson shpresën. Dhuna dhe burgu janë e vetmja gjuhë e pushtetit.
Regjime si ky vegjetojnë në teori komplotesh, të brendshme dhe të jashtme, të cikat publikut i paraqiten si kërcënime egzistenciale në formën e shpellarëve,malokëve, katunarëve.
Komunikimi bëhet me kode mafioze. Largimet arbitrare nga puna, me një të rënë të lapsit, thjesht për kapriço të Ramës, ose për t’i dhënë një mesazh të qartë edhe antarëve të tjerë të klanit.
Njerëzit e rrethit të ngushtë të Ramës kështu e kanë të qartë që ka vetëm një mënyrë për të mbetur në pushtet dhe ajo është besnikëria e verbër që duhet të dëshmojnë ndaj udhëheqësit suprem.
Ata e kanë të qartë që vendimet e tyre, në radhë të parë duhet të kënaqin shefin, dhe shpesh vendosen në pozita qesharake nga vetë Rama, në takimet e tij.
Ndodhemi në buzë të greminës ndërkohë vërejmë që Rama, jeton në një realitet krejt tjetër. Ai as që ia ka idenë e situatës së rëndë ku ndodhet vendi. Ai vazhdon me teatrin politik me të cilin erdhi erdhi në pushtet.
Por, edhe pse e lodhur, “fushatat” e tij spektakolare, mbushur me rrogëtarë, pa përmbajtje, me ndihmën e pakursyer dhe kriminale të mediave, dominon skenën mediatike shqiptare.
.
No comment!No comment!
No comment!
Kjo llaxore-politikë në thelb është anti-politikë. Përqeshja dhe tallja me gjithçka dhe këdo është kthyer në ligjërimin politik më atraktiv. Ai shpreson që të mund të frymëzojë përsëri “të tradhtuarit”, nga politika e vjetër.
Ai shpreson se mund të përfitojë përsëri nga formula “njerëzit nuk votojnë për atë që duan, por për atë që urrejnë”. Ai harron në fakt, që është shndërruar në njeriun më të urryer në Shqipëri.
Situata është e pashpresë dhe po degradon me shpejtësi. Kudo vëren pesimizëm. Kultura e krimit dhe drogës dominon qytete, lagje dhe perferi. Lëvizjet demografike dhe emigracioni kanë prodhuar një hartë të re të situatës shoqërore. Ajo që bie më shumë në sy është që shteti kontrollon vetëm 30% të territorit, ndërkohë krimi kontrollon 70% tjetër.
Kjo ka bërë që njerëzit të ulin kokën dhe të dorëzohen para bajlozëve të krimit. Saviano shkruante se “dhuna që ushtrojnë “të fortët” mbi popullin, është më e egër se dhuna që ushtron një diktator. Ndërkohë rrënimi i familjes është në nivele alarmante, kryesisht për shkak të kushteve ekonomike shumë të rënda. Kjo është panorama e zymtë e realitetit shqiptar sot.
Ndërkohë, nga njëra anë kemi qeverinë që është e egzaltuar për arritjet e saj imagjinare dhe që as nuk do t’ia dijë për këtë situatë kritike ku ndodhet vendi.
Nga ana tjetër kemi opozitën, e cila e ka konstatuar këtë krizë të rëndë dhe ka jashtë sistemit për ta ndryshuar atë. Për këtë ajo ka ofruar një zgjidhje, e cila godet mu në zemër sistemin e kakistokracisë të ngritur prej tridhjetë vitesh në realitetin politik shqiptar.
Janë orët e fundit të kakistokracisë dhe beteja e madhe për t’i dhënë goditjen e fundit asaj po afron. Kjo betejë për ndryshimin e sistemit është ndër betejat më të rëndësishme, jo vetëm se i rikthen paratë e vjedhura dhe dinjitetin e nëpërkëmbur qytetarëve dhe ndëshkon kriminelët dhe hajdutët, por edhe sepse përcakton edhe fatin e shoqërisë tonë për 15-20 vitet e ardhshme.
Është beteja e dy Shqipërive: e Shqipërisë së frikës, nënshtrimit dhe korrupsionit me Shqipërinë e shpresës, lirisë, dinjitetit dhe demokracisë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.