back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Opera “Scanderbeg”, frymëzim barok nga Mr. Sabaudin Zhuta

Gazeta

Antonio Vivaldi (1678-1741)
Antonio Vivaldi (1678-1741)

Opera “Scanderbeg”, frymëzim barok

nga Mr. Sabaudin Zhuta

(Profesor Ordinar e Senator – në Universitetin Shtetëror te Shkupit)

 Kompozitori italian Antonio Vivaldi,
me porosi të njërës nga shtëpitë me me emër të asaj kohe në Firence “Teatro della Pergolla”,
shkroi operën “Scanderbeg”, e cila u realizua gjatë tërë një sezoni koncertal në vitin 1718.
Kjo opera u realizua me rastin e hapjes së sezonit koncertale dhe pas një rinovimi dyvjeçar
të këtij objekti, siç quhej teatral; dhe nga artdashësit e asaj kohe u prit me një dashamirësi të veçantë.
Në Firence të Italisë, në vitin 1718 u dha premiera e operës “Scanderbeg”
nga kompozitori italian Antonio Vivaldi.
Në vitin 1735, në Paris realizohet 35 herë me radhë opera “Scanderbeg”
e kompozitorëve francezë Francois Rebel – Fransua Francoeur.
Fatkeqësisht nga të dy këto vepra operistike, sot janë akoma në dispozicion fragmente operistike
si jo të plota, ndërkaq ajo e Vivaldit ruhet në bibliotekën kombëtare të Torinos!
 
1.
Nga një studim i hollësishëm që u realizua gjatë një qëndrimi studiues në Firence, Padovë dhe Venedik, në arkivat e këtyre qendrave akademike e kulturore, konstatohet se personaliteti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ai ishte figurë frymëzuese e shumë krijueseve letrarë, skulptorëve të ndryshëm si dhe kompozitorëve të periudhave të ndryshme, në veçanti të periudhës së barokut.
Kompozitori Italian Antonio Vivaldi, me porosi të njërës nga shtëpitë me me emër të asaj kohe në Firence “Teatro della Pergolla”, shkroi operën “Scanderbeg”, e cila u realizua gjatë tërë një sezoni koncertal në vitin 1718. Kjo opera u realizua me rastin e hapjes së sezonit koncertale dhe pas një rinovimi dyvjeçar të këtij objekti, siç quhej teatral; dhe nga artdashësit e asaj kohe u prit me një dashamirësi të veçantë.
Nga ato pak shënime të kohës mund të konstatohet portret i Gjergj Kastriotit dhe autori i libretit (tekstit) ishte Antonio Salvi, një shkrimtar që i takonte rrymës përparimtare të libretistëve Firences së asaj kohe dhe për te cilin edhe sot shumë pak dihet.
Që të mundemi ca më përafërsisht të njihemi me historikun e këtyre veprave, është e udhës te jepen ca sqarime ne kontekst të kohës kur u krijuan dhe si u krijuan këto vepra operistike që lidhen me personalitetin e Skënderbeut dhe historinë e popullit Shqiptar.
Për Skënderbeun dinte gati çdokush që sadopak ishte i lexuar. Në pika të shkurtra sa për t’u rikujtuar do t’i përshkruajmë ca momente.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte bir i familjes se njohur aristokrate shqiptare, Kastrioti. Gjon Kastrioti (babai i Skënderbeut) në dokumente të shek. të XV-të paraqitet si princ ne rajonin e Dibrës dhe ndoshta ishte edhe zot i Krujës. Në atë kohë si të nënshtruarit e perandorisë osmane Gjoni i fal tre djemtë, sulltan Muratit të I-rë; ku Gjergji ishte më i vogli (8-9 vjeç). Aty ai u rrit dhe u edukua. Gjergjin në sarajet e Sulltanit e quajtën Skënder dhe me vone merr titullin Beg, d.m. th. Skënder-beg. Pas një lufte te gjate te ashtuquajtur “ngadhënjimtare” kundër turqve (1443), të udhëhequr nga Duka i Erdelit Janjosh Hunjadi, Skënderbeu ikën nga Stambolli me një grup shokësh e kthehet në Shqipëri dhe pushton Krujën.
Fillimisht, sulltan Murati I II-të e njohu atë si princ atribut shqiptar mirëpo se shpejti Skënderbeu organizohet dhe fillon luftërat për çlirim te trojeve tjera shqiptare. Katër herë ai triumfon mbi ushtritë osmane. Më 1445, në Krujën e rrethuar vërsulet edhe vete Sultan Murati I II-të, ku edhe pse kish sjellë një ushtri numerikisht shumë të madhe (100 mijë ushtarë) aty vritet edhe vetë sulltani. Pesë vite më vonë, në pjesën e Shqipërisë jugore, në betejën e Beratit, Skënderbeu pësoi disfatë dhe përkohësisht largohet për Napoli.
Në Napoli bëhet Dukë i ushtrisë së Aragonëve kundër Anxhuinëve. Në luftën e ashpër Venediko-Turke (1466-1467), Skënderbeu edhe njëherë triumfon dhe përsëri kthehet në Krujën e tij, por së shpejti pas kësaj i rraskapitur nga beteja te shumta; vdes.
Skënderbeu, përveç se mbrojti vendin dhe popullin e vet ai u bë sinonim i mbrojtjes së qytetërimit Evropian dhe simbol i mbrojtjes se çdo gjëje fisnike nga luftërat ekspansioniste e barbare osmane që po i kërcënohej tërë Evropës.
Vivaldi - Opera Skanderbeg 1721
Vivaldi – Opera Skanderbeg 1721
2.Jehona e veprës së Marin Barletit: “Mbi jetën dhe luftërat e Skënderbeut”
Humanisti dhe historiani Shkodran Marin Barleti (“Skodrensis”) përndryshe profesor i shquar në Dubrovnik, Breshie e Padovë në vitin 1508-1510, në Romë, boton librin biografik “Mbi jetën dhe veprën e Skënderbeut” – (De vita et gestis Skanderbegi). Ky libër është botuar disa herë, ndërsa të gjithë shkrimet e mëvonshme për Skënderbeun mbështetën kryesisht në këtë burim. Në vitin 1743, Franjo Taus e përkthen në kroatisht dhe po këtë vit botohet në Zagreb.
Figura e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, bëhet frymëzim për shumë vepra artistike.
Me 1585, Baldazare Skaramelli boton librin e soneteve ku ndër të tjerat, janë edhe dy vjersha nga poema heroike e Skënderbeut: “Due canzoni del poema eroico di Scanderbeg”. Trimërisë dhe heroizmit të tij iu kushtuan edhe Ronsarini, La Martini, E. Spenseri, Bajroni e shumë letrare tjerë. Libretisti francez Antonione Houdar d’la Motte (anëtar i akademisë Franceze) shkruan tekstin “Skanderbeg”, në bazë të të cilit dy kompozitorë të njohur të operës franceze: Francois Rebel dhe Fransua Franker bashkërisht kompozuan operën me të njëjtin titull dhe ajo,(siç shkruan me një shkrim at Vinçenc Malaj), në vitin 1735, në Paris realizohet 35 herë rresht dhe me shumë sukses. At Malaj, i cili një kohe ishte në shërbim të kishës katolike në Mal të Zi aty kah vitet ’70, të shekullit të kaluar jep të dhëna se kjo opere është e ruajtur gati ne tërësi; si libreti, partiturat ashtu edhe disa nga skicat e kostumografisë shqiptare të asaj kohe.
Opera “Scanderbeg “ (1718) nga kompozitori italian Antonio Vivaldi ruhet sot në bibliotekën kombëtare të Torinos.
Njeri nga caqet e studimit të këtij punimi si dhe nxjerrja në dritë e ca të dhënave mbi vlerat muzikore dhe historike e që lidhen me personalitetet shqiptare është vepra operistike e kompozitorit të njohur italian Antonio Vivaldi, i cili shquhet si për nga numri i veprave të shkruara muzikore ashtu edhe nga mjeshtria e rrallë e mbizotërimit mbi teknikën e të kompozuarit në veçanti të muzikës instrumentale. Këto janë vepra enciklopedike kuartetet e tija si “Stinët e vitit”. Vivaldi ishte virtuoz si violinist. Ai konsiderohej si violinisti më i mirë në botë gjatë kohës së tij. Edhe pse Vivaldi shkroi rreth 50 opera, ndër më të bukurat konsiderohet të ketë qenë opera “Skenderbeg”.
Në bazë të partiturave që unë i posedoj shihet qarte se kjo operë përbëhet nga gjashtë kapitujt të ruajtur plotësisht: katër arie dhe dy recitative. Përpos aries së aktit të parë të gjitha fragmentet janë nga akti i dytë. Nga akti i tretë (opera zakonisht ka tre akte) nuk është ruajtur asgjë nga muzika.
Siç duket opera “Skenderbeg” ka një ndërthurje të shkëlqyeshme edhe të skenave ose pamjeve ku janë evidente 10, me siguri i ka pasur edhe më shumë të shpërndara në tre aktet.
Partitura origjinale e kësaj opere (me pjesë të mangëta) sot gjendet dhe ruhet ne bibliotekën kombëtare te Torinos ne koleksionin e pasur “Raccolta Mauro Fao” në vëllimin e dytë të Renzo Giordanos.
Frang ari - Monedhe shqiptare 1927
Frang ari – Monedhe shqiptare 1927

 

3.
Nuk është e rastësishme porosia nga Firence që pikërisht në një moment të ndërlikuar politik e në një kohë të tendosjeve ushtarake mes perandorisë osmane dhe shteteve të vogla të Italisë se atëhershme qe për një prezantim të denjë e që do të këtë efektet e duhura patriotike në momentet e caktuara, u zgjodh A. Vivaldi si krijues i operës kushtuar figurës së Skënderbeut. Për këtë kemi bërë fjale edhe në fillim.
Opera “Scanderbeg” u shfaq me 22 qershor të vitit 1718, me rastin e (ri) hapjes së teatrit të Firences “Teatro di via della Pergolla”. Nga shënimet e kronistëve mësohen shumë momente me interes. Kështu p.sh. nga ditari i z. F. Settimanit që si dorëshkrim ruhet ne arkivin shtetëror të Firences, thuhet se opera “Scanderbeg” u realizua nga 25 qershori e deri me 15 korrik, 18 herë dhe që nga kjo datë ajo u tërhoq. Supozohet se tërheqja e kësaj opere nga realizimet e mëtutjeshme ka të bëjë me zhvillimin e ngjarjeve politike të asaj kohe. Ndoshta ka të bëjë me momentin e nënshkrimit të paqes së favorshme të perandorit Romako-Gjerman, Karli i VI kur në Pozharevc u vendos qe lumi Sava të jetë kufiri që ndan Turqinë me pjesën e Evropës. Duhet përmendur edhe atë se me studimin e kësaj vepre operistike me një përkushtim të veçante është marrë edhe muzikologu Zagrebas Ennio Stipceviq (djali i historianit te njohur Aleksander Stipceviq). Me këtë rast në veçanti dua të faleminderoj edhe publicistin tonë Mehmet Latifi, i cili gati 25 vjet jetoi në Zarë e për çudinë time ka mjaft të dhëna lidhur me ca ngjarje nga lëmijë të ndryshme të së kaluarës sonë.
Kam për qëllim që këto fakte të shtruara në këtë studim le të jenë si bazament për studiuesit e ardhshëm kulturor e në veçanti ato muzikor. Qëndrimi im i shkurtë në këto qendra ngushtoi mundësinë për një studim më voluminoze. Si do që të jetë partiturat e kësaj opera që tani i kam në dispozicion krijojnë mundësinë reale për vendosjen e kësaj opere në repertorë edhe të operës së Shkupit, Tiranës ose të Prishtinës. Do të ishte kënaqësi e veçantë të ndëgjohen ariet e roleve kryesore të Skënderbeut, Donikës (e fejuara e Skënderbeut), sulltan Murati II (i cili këtu quhet Amurat) Akomati (një komandant turk) të fejuarës së tij Asteria (vajza e sulltan Muratit II ) etj.
.

Kompozitori Antonio Vivaldi
Kompozitori Antonio Vivaldi

Dy fjale për Antonio Vivaldin

U lind në Venedik në vitin 1678. Rrjedh nga një familje muzikantësh dhe mësimet e para i merr nga i ati. Si violinist i shquhet nga mosha 10 vjeçare ku edhe futet në orkestrën e bazilikës së Shën Markut – orkestër e cila ishte më e njohura jo vetëm në Venedik, por edhe në krejt botën muzikore të atëhershme. Më vonë si prift vihet në shërbim të muzikës në një katedrale të Venedikut. Njihej me shumë me emrin! “il prete rosso” (prifti i kuq) – për shkak të flokëve të kuqërremta. Në krijimtarinë muzikore ishte një kompozitor shumë i begatshëm – shkroi mbi 800 vepra, gati të të gjitha gjinive të periudhës së barokut. Ne vitin 1705, në Venedik boton librin: “Sonate da camera a tre…”. Më vonë boton edhe veprën: “Sonatë a violino e baso për il cembalo” op. II, të nënshkruar si D. Antonio Vivaldi, Muzico di violino e Maestro de Concerti del Pio Opsedalle della Pieto di Venezia. Me këto vepra ai shpërthen murin e anonimatit. Bëhet i njohur në tërë Italianë e më gjerë. Me studimin e veprave të Vivaldit gjatë kësaj kohe u mor edhe kompozitori gjerman Johan Sebastian Bach. Në shkrimet e tija Bahu gjithnjë e përmend si një reformator dhe mjeshtër të formësimit të veprave instrumentale shkurt thënë, udhërrëfyes të stilit barok.
Marrë nga www. Gazeta55.al e hënë, 31 janar 2011
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.