back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Numri më i ri i revistës Letrare “Jeta e re” 3 – Esad Mekuli – 100 Vjetori i Lindjes

Gazeta

Revista "Jeta e Re" 3
Revista “Jeta e Re” 3 – Prishtine 2016

Numri më i ri i revistës Letrare “Jeta e re” 3

me rreth 500 faqe, me këtë përmbajtje:

Esad Mekuli – 100 Vjetori i Lindjes

 
Agron Y. Gashi: Esad Mekuli, Jeta e Re dhe ne
Esad Mekuli: Mbi krijimtarinë letrare
Esad Mekuli: Poezi
Esad Mekuli: Kujtime
Sabri Hamiti: Poezia e Esad Mekulit
Fadil Grajçevci: Pikëpamjet estetiko-letrare të Esad Mekulit
Hasan Hasani: Besën kullat ruajnë (Esad Mekulit)

Prozë

Gabriel Garcia Marquez: Berlini është një çmenduri
Etgar Keret: Gjurmëve të babait tim
Stefano Benni: Bari nën det
Gëzim Aliu: Pluskimi
Mensur Raifi: Befasia
Ramiz Gjini: Një vend i qetë dhe i sigurt
Meri Lalaj: “Ambasadori i nonës”
Katharina Bendixen: Në pyje
Miftar Kurti: Dyzash në kohë perverse
Rigel Rizaj: Xixëllonjat
Bob Dylan (24 maj 1941)
Bob Dylan (24 maj 1941)

Poezi

Bob Dylan: Në kullën e vrojtimit
Adonis: Ta prekësh dritën
Rod McKuen: Njeriu i vetmuar
Massimo Gezzi: Mana
Xhavit Beqiri: Molla e jetës
Ndue Ukaj: Sipërfaqja e vërtetë
Demë Topalli: Është një hapësirë
Jozef Radi: Shkallarja e teposhtës
Rudian Zekthi: Fletorja e parë
Gazmend Krasniqi: (Mund të qe) palimpsesti i poetit
Skënder R. Hoxha: Dialektikë

Intervista

Bob Dylan: Poetët mbyten në liqene (Intervistë)

Nicanor Parra
Nicanor Parra

Dossier

Nicanor Parra: Antitregimi paraardhës i antipoemave
Nicanor Parra: Maçoku në rrugë
N. Parra: Taoizëm, poezi dhe çorbë mendimesh (Intervistë)
Nicanor Parra: Agnus dei (poezi)

Kritika

Gérard Genette: Figurat
Jacques Derrida: Ligji i zhanrit
Richard Shusterman: Filozofia si letërsi për dhe më shumë se letërsi
Muhamet Hamiti: Shekspiri i të gjitha kohërave
Lili Sula: Letërsia e migracionit si formë kreolizimi: Rasti Gëzim Hajdari
Blerina Suta: Probleme metodologjike të interpretimit të Lahutës së Malcis’
Adil Olluri: Përqasja e totalitarizmit
Albanë Mehmetej: Kadare dhe kodet e mëdha
Orjela Stafasani: Kritika e Konicës

Panoramë e Botimeve Letrare 2016

(Prezantim i mbi tridhjetë veprave letrare zhanresh të ndryshme)
Përkthyesit që kontribuuan për këtë nr. me rreth 500 fq. janë: Fadil Bajraj, Meliza Krasniqi, Bajram Karabolli, Edlira Hoxholli, Alfred Beka, Arben Idrizi, Valon Veliqi, Fatmir Shabani, Meri Lalaj, Erion Karabolli, Agim Vinca.

Esad Mekuli, “Jeta e Re” dhe Ne
Agron Y. Gashi
Kryeredaktori Agron Y. Gashi

Esad Mekuli, “Jeta e Re” dhe Ne

Dr. Agron Gashi Kryeredaktor

 

1.Biologema

Më 17 dhjetor 2016 u bënë 100 vjet nga lindja e Esad Mekulit, poetit, themeluesit dhe kryeredaktorit të parë të revistës Jeta e Re. Mekuli u lind më 17 dhjetor të vitit 1916 në Plavë. Gjimnazin e kreu në Pejë, Mjekësinë veterinare në Beograd, ku u diplomua në fillim të vitit 1947. Specializoi parazitologjinë në Zagreb më 1947 dhe 1948 dhe u doktorua në Fakultetin e Veterinarisë të Beogradit.
Pas çlirimit emërohet kryeredaktor i parë i fletores në gjuhën shqipe e njohur ndër ne Rilindja (më vonë gazetë e përditshme). Në vitin 1949 themeloi revistën Jeta e re dhe ishte kryeredaktor i saj për gati një çerek shekulli. Botoi pesë përmbledhje poezish në gjuhën shqipe, gjashtë në gjuhën serbokroate dhe nga një në gjuhën maqedone dhe turke, si dhe më se tetëdhjetë libra përkthimesh.
Ka qenë kryetar i parë i Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i ASHAK. Vdiq në Prishtinë më 6 gusht 1993.
 

2.Projekti

Pas Luftës së Dytë e deri sot, revista letrare Jeta e re është projekti më i madh kulturor, projekt i cili mbajti gjallë frymën letrare dhe kulturore në Kosovë dhe jashtë saj. Marrë në kontekstin socio-politik, ajo ishte zëdhënësja më e mirë edhe e frymës nacionale. Kjo falë Esad Mekulit, i cili kishte vizion jo vetëm kulturor, por edhe politik: të bënte një tryezë të madhe kulturore, ku kishte vend për të gjithë që krijonin dhe interpretonin në gjuhën shqipe.
Thuhet se pagëzues i revistës ishte vetë Esadi, edhe pse në numrin e parë, si drejtues, figuron emri i Zekeria Rexhës. Emërtimin, të cilin e ruan edhe sot, është shenjë e Rilindjes evropiane. Kujtojmë këtu veprën e Dantes po me të njëjtin emër, edhe pse që në numrin e parë revista Jeta e re shenjohet si organ i Lidhjes së Shoqnive Kulturore Arsimore për Kosovë… Pra, kështu shkruhej në korrik të vitit 1949. Parathënia e këtij numri kishte statusin e programit i shkruar në frymën konvokuese, përmes së cilës u drejtohej të gjithë atyre që merreshin me letërsi dhe kulturë. Nga analiza e fjalësit dhe e diskursit, si edhe në shkrime të tjera, duket të jetë shkruar nga dora e Esad Mekulit, në të cilën theksohet statusi i saj, si:
 
1.Revistë kulturore e arsimore me tipare të thjeshta letrare, për siç thotë vetë, revistë ma së e nevojshme që u përgjigjet kërkesave të letërsisë dhe artit në përgjithësi.
2.Revistë për kah trajta kombëtare dhe për kah përmbajtja socialiste. E para e jashtëzakonshme për kohën, e dyta e natyrshme për kontekstin historik, jo vetëm të shqiptarëve në Kosovë.
3.Revistë kulturore arsimore që ka për qëllim të ngrisë kulturën sociale dhe politike të shqiptarëve, jo vetëm të Kosovës.
Por, menjëherë vihet theksi që kjo punë përvujtnie, veprimtarinë e vet duhet të shtrijë në çështje letrare e artistike, madje duke i dhënë shkas zhvillimit të gjuhës, pa lënë anash edhe kulturën tradicionale autentike, të cilën Esad Mekuli e cilësonte si një punë të dorës së parë.
Kështu, revista Jeta e re u shndërrua në udhërrëfyese për penat e reja, për të cilat më mirë se kush, Esad Mekuli dinte t’i motivonte, t’i gjente në fshat e qytet, në shkolla e mejtepe dhe t’i prezantonte para lexuesit shqiptar.
Esat Mekuli (1916-1993)
Esat Mekuli (1916-1993)

3.Trinia

Esad Mekuli shkruante me tre emra: Esad Mekuli, Esad Hoxha dhe Sat Nokshiqi. Kjo kishte një kuptim: origjinën, kulturën dhe literaturën. Por kurrë pa e lëkundur Esad Mekulin krijues, Esad Mekulin poet, Esad Mekulin mësues dhe prijës të letërsisë shqipe të pasluftës. Në tema, kur luante rolin e mësuesit, e “mësuesit letrar”, si estet, vinte emrin e parë. Në shkrimet letrare poetike vinte emrin e dytë dhe të tretë, Hoxha dhe Nokshiqi. Kjo vërehet që në numrin e parë, konkretisht në dy shkrimet eseistike: Dy poetë dhe luftëtarë të mëdhej, i nënshkruar Sat Nokshiqi dhe në përsiatjen eseistike Mbi lëtrësinë dhe punën letrare, e nënshkruar Esad Mekuli.
Te shkrimi i parë, duke qenë shkrim evokues dhe përkujtues për dy ideologë të nacionalitetit tjetër, vë mbiemrin Nokshiqi. Te shkrimi i dytë, ku i trumbeton frymës nacionale në letërsi dhe shpalon konceptet e tij teorike për letërsinë shqipe, vë mbiemrin Mekuli, një lojë kjo më shumë e ideve sesa e emrave letrarë.
Gjithashtu, nëse e marrim faqen tjetër të kësaj shenje a ikone, kjo trini ishte edhe për çështje motivimi për të tjerët; nuk donte që çdo gjë të identifikohej me “vulën” e tij krijuese. Shembull ky më parë i ndjekur nga rilindësit e deri te autorët e modernitetit shqiptar, siç ndodhte me revistën Dielli të Nolit, Albania e Konicës etj.
 

4.Numri i parë

Numri i saj i parë kishte 88 faqe. Ballina kishte ngjyrë dheu, dhe kjo jo e rastit. Grafemat e bardha, në mes qiriu dhe libri si simbol iluminar, me gjithsej dhjetë shkrime eseistike, interpretuese, pasqyruese dhe in- formative, njëzet poezi autorësh të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj, dhe një fragment proze. Si revista e parë letrare e shqiptarëve të Kosovës, e cila doli menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, për një kohë do të botojë edhe tekste jashtë fushës letrare, si letërsi popullore, tekste të muzikologjisë dhe të gjuhësisë. Më vonë i kushtohej rëndësi edhe arteve pamore. Në pjesën më të madhe vërehet dora e Mekulit, i cili shfaqej me status të katërfishtë: redaktor, eseist, poet, përkthyes.
Si redaktor a kryeredaktor, tashmë kishte politika të qarta në renditjen dhe përzgjedhjen e teksteve.
Si eseist, kishte marrë rolin e mësuesit, që të shpjegojë natyrën e letërsisë dhe rëndësinë e punës krijuese.
Si poet, zgjodhi poezinë përkushtuese në frymën ideologjike, po flasim për numrin e parë.
Si përkthyes, nuk ishte i vetëm: bashkëpërkthente me Mark Krasniqin, Nexhat Begollin, më vonë edhe me përkthyes të tjerë. Ajo që është për t’u admiruar, ishte fryma e hapur e bashkëpunimit, llojllojshmëria në rubrika nga përsiatja e thellë, deri te folklori, muzikologjia, madje e prezantuar me partiturë muzikore, siç ndodh në shkrimin e Lorenc Antonit. Që në numrin e parë, përveç pretendimeve të kritikës së mirëfilltë, pjesë e revistës ishte edhe recensioni, pastaj bibliografia e librave dhe e broshurave të botuara gjatë vitit 1949 dhe, në përmbyllje, konkursi për pjesë dramatike, novelë, poemë, ese, këngë korale. Për kohën, ky ishte koncepti i një reviste kulturore shumëdimensionale e paparë deri atëherë në letrat shqipe.
 

5.Vitet

Nga viti 1950, Jeta e re bëhet revistë dymujore, e cila doli me faqe të shtuara, për t’u bërë pas një kohe revistë tërësisht letrare.
Në vitet 60-të e 70-të, tashmë revistë e konsoliduar, e autorëve të konsoliduar në të gjitha zhanret, autorë të cilët më vonë do të dëshmohen edhe me libra autorialë dhe do të reprezentojnë letërsinë shqipe jo vetëm të Kosovës.
Në vitet 80-të, edhe pse kishte arritur në një numër prej shtatë mijë kopjesh, me mjeshtëri i kaloi zhvillimet politike e nacionale në Kosovë, duke ruajtur me çdo kusht traditën, identitetit letrar dhe kulturor të shqiptarëve të Kosovës.
Në vitet 90-të, në rrethana të okupimit serb, revista pësoi fatin e institucioneve të tjera shkencore, kulturore dhe arsimore të Kosovës. Ndonëse botimi i saj nuk u ndërpre, gjatë kësaj periudhe ajo doli me numra e faqe të reduktuara. Vetëm pas luftës së fundit, sërish ajo u rikthye në dorë të lexuesve të saj.
 

6.Autorët

Nga fillimi, përveç Esad Mekulit, me shkrime të tyre paraqiten Mark Krasniqi, Rexhep Hoxha, Enver Gjerqeku, të cilët më vonë do të shndërrohen në autorë përfaqësues të kësaj periudhe të letërsisë shqipe. Siç është thënë edhe më herët nga krijues, bashkëveprimtarë të tij, nga revista Jeta e re dolën dhe u kultivuan breza shkrimtarësh e personalitetesh të kulturës, si: Ramiz Kelmendi, Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Nazmi Rrahmani, Din Mehmeti, Anton Pashku, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Bedri Hysaj, Fahredin Gunga, Qerim Ujkani, Beqir Musliu, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Teki Dervishi, Flora Brovina, Edi Shukriu, Eqrem Basha, Hasan Hasani, Mehmet Kraja, etj.
Sot, që të gjithë janë autorë. Kush më shumë e kush më pak krijoi identitetin e vet në letërsi e kulturë, në shkencë e politikë. Prandaj, mund të themi se pjesa më e madhe e tyre janë sinxënësit e tij, Esad Mekuli prijësi dhe udhëzuesi i tyre.
 

7.Esad Mekuli, Jeta e re dhe ne të tjerët

Esad Mekuli revistën letrare Jeta e re e drejtoi për 23 vjet. Deri atëherë, jo vetëm që revista u shndërrua në ikonë, por edhe letërsia shqipe mori faqe tjetër, letërsi e provuar dhe e sprovuar në zhanre dhe forma të ndryshme, në modele e poetika, në vizione dhe vokacione të reja, të cilat i lexojmë sot, i interpretojmë sot dhe sot krenohemi me to. Më pas, detyrën e Esad Mekulit, jo vetëm si drejtues reviste, por edhe si krijues, në kushte dhe rrethana herë më të lehta, herë më të vështira e udhëhoqën:
1.Rrahman Dedaj, poet 2.Rexhep Qosja, kritik, historian i letërsisë, publicist dhe prozator 3.Ali Demë Jasiqi, kritik letrar 4.Sali Bashota, studiues, poet dhe profesor i letërsisë 4.Demë Topalli, poet. Me iniciativën e këtij të fundit, në vitin 2010, u formua një redaksi e re me kryeredaktor Ag Apollonin dhe Jeta e re filloi sërish rrugëtimin e saj, mirëpo tash me një koncept dhe fizionomi të re, me tre numra në vit, me nga 400-450 faqe, duke pasuruar gjithashtu rubrikat ekzistuese dhe nga viti 2013, duke hapur rubrika të reja. Kështu, nga viti 2010 e deri më sot, përveç autorëve shqiptarë të brezave të ndryshëm, në rubrikat e saj, si: Ligjëratë, Prozë, Poezi dhe Kritikë/ Ese, janë prezantuar mbi 100 autorë të huaj periudhash, rrymash e drejtimesh të ndryshme letrare. Është për t’u theksuar këtu posaçërisht rubrika e re Dossier, në të cilën, në një hapësirë prej 50-60 faqesh janë prezantuar autorë të zgjedhur nga letërsia botërore.
Përfundimisht, edhe autori i këtyre rreshtave, bashkë me miq krijues, janë të përkushtuar që ta ruajnë frymën identitare të saj, duke ndjekur parimin e kryeredaktorit të saj të parë, i cili ishte i hapur ndaj vlerave artistike e profesionale (jo ndaj ideologjisë), me shpresën që edhe të tjerët, pas nesh, do ta ndjekin këtë rrugë gjithnjë në hap me kohën dhe zhvillimet e reja kulturore në botë.
Ky do të ishte nderimi më i madh që do t’i bëhej Esad Mekulit sot! Ky do të ishte nderimi më i madh që do t’i bëhej Esad Mekulit nesër!
 

Bibliografia

Për ty, vjersha, Prishtinë 1955, 63, 67.
Dita e re, vjersha, Prishtinë, 1966, Shkup, 1977.
Avsha ada, vjersha, Prishtinë, 1971, 75.
Vjersha, Prishtinë, 1973.
Brigjet, vjersha, Prishtinë, 1981, 85.
Rini e kuqe, vjersha, Prishtinë, 1983.
 

Libra të botuar:

B. Qopiqi: Patrollxhija, poemë, Prizren, fundi i vitit 1944.
 

Përkthime në gjuhën shqipe:

V. Majakovski: Lexo e gjezdis Kinë e Paris, poemë (me M. Krasniqin), Prishtinë, 1948.
A. S. Pushkini: Përralla mbi gjelin e artë – me M. Krasniqin, Prishtinë, 1949.
P. Voranci: Lulet e Shëngjergjit, tregime, Prishtinë, 1951, 66.
I. A. Krillovi: Përralla, Prishtinë, 1952.
P. P. Njegoshi: Kunora e maleve – me Z. Nekajem, Prishtinë, 1952.
Xh. Londoni: I ikuri, roman, me T. Hatipin, Prishtinë, 1955.
Shkëndijat e para, zgjedhje nga poezia dhe proza në shqip, me Z. Rexhën, M. Gjevorin dhe V. Shitën, Prishtinë, 1956.
V. Filipoviqi: Oda e errët, dramë, premiera në Prishtinë, 1956.
S. Jesenini: Ana Snegina, poemë, Prishtinë, 1956. V. Nazori e
B. Qopiqi: Tregime nga lektyra shkollore – me T. Hatipin, Prishtinë, 1957.
Q. Sijariqi: Bihorasit, roman, Prishtinë 1957.
Ushtari i mirë Shvejku, dramat, sipas romanit të Hashekut, premiera në Prishtinë 1957.
I. Andriqi: Oborri i mallkuar, me T. Hatipin, Prishtinë, 1957, 75.
V. Majakovski: Tetori, vjersha, Prishtinë, 1958.
S. Jesenini: Rruga ime, vjersha, Prishtinë, 1958.
D. Kostiqi: Shpella e shurdhët, roman, Prishtinë, 1958.
I. G. Kovaçiqi: Humnera, poemë – me R. Hoxhën, Prishtinë, 1958, 78.
A. N. Ostrovski: Pylli, dramë, premiera në Prishtinë, 1962.
I. Mauzhuraniqi: Vdekja e Smail-agë Çengiqit, Prishtinë, 1963.
B. Nushiqi: Komedi të zgjedhura, me T. Hatipin, Prishtinë, 1964.
A. Shkreli: Beli karavan, roman, Prosveta, Beograd, 1963.
B. Bokshi: U očekivanju, vjersha, Bagdala, Kruševacm 1967.
J. Relja: Nita, Bagdala, Kruševac 1968.
A. Podrimja: Dozivi, vjersha, me M. Gashin, Bagdala, Kruševac, 1968.
A. Gajtani: Svetlosti u srcu, vjersha, Bagdala, Kruševac, 1968.
I. Kadare: General mrtve vojske, roman, Bagdala, Kruševac, 1968,
Disa përkthime në serbokroatishte: Bgd. 1977.
F. Gunga: Do rta dobre nade, vjersha NOLIT, Beograd, 1973.
R. Qosja: Živa sfinga, Jedinstvo, Prishtinë, 1976.
R. Qosja: Smrt vrega iz očiju, tregime, Narodna knjiga, Beograd, 1976.
A. Shkreli: Pesme-Vjersha, dvojezično, Narodna knjiga, Beograd, 1976.
E. Gjerqeku: Tragovi, vjersha (me R. Ismajlin), Novi-Sad 1978.
A. Gajtani: Ti pesmo, ti ptico daleka, vjersha, Jedinstvo, Prishtinë, 1979.
F. Hoxha: Kad proleće kasni, Partizanski dnevnik, 4 jul, Beograd, 1979
 
 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Falenderoj revistën “Jeta e Re”
    dhe kryeredaktorin e saj Agron Y. Gashin,
    që në numrin e fundit 3 të vitit 2016
    paraqitën edhe nji cikël prej dhjetë poezish
    nga libri im i fundit që po përgatis (nga faqja 250-258)
    Kjo ishte dhurata ma delikate
    e përvjetorit tim ma të mbramë!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.