back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Nuk ka shkrimtar të tepërt në letërsinë shqipe… Behar Gjoka për 90 vjetorin e lindjes së Kasem Trebeshinës

Gazeta

90 Vjetori i Kasem Trebeshines
90 Vjetori i Kasem Trebeshines

Nuk ka shkrimtar të tepërt në letërsinë shqipe…

Behar Gjoka për 90 vjetorin e lindjes së Kasem Trebeshinës

nga Valeria Dedaj

Studiuesi i letërsisë shqipe, Behar Gjoka,
tregon për takimin që do të mbahet për
90-vjetorin e lindjes së Kasëm Trebeshinës.
Sipas tij, kjo është një mundësi që të sillet në vëmendje vlera letrare e këtij autori,
si dhe bëhet një përpjekje për të pasuruar
pentagramin e letërsisë bashkëkohore shqipe

Në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Kasëm Trebeshina, do të organizohet një takim rreth veprimtarisë së tij letrare në gjuhën shqipe, në Akademinë e Shkencave. Studiuesi i letërsisë, Behar Gjoka, tregon më tepër rreth këtij takimi, të cilin e konsideron një nismë për të larguar shkretëtirën letrare, që na ka kapluar prej kohësh. Sipas tij, 90-vjetori i lindjes së Trebeshinës, është shkasi për të hedhur një vështrim mbi këtë dukuri unike të letrave shqipe, në fatin e mbrapshtë, e sidomos për të zbuluar universin letrar, aq të larmishëm. Gjoka bën një analizë edhe të krijimtarisë së tij, duke e ndarë atë në tri aspekte; vepra letrare e autorit, si reagim ndaj socrealizmit, tetëdhjetë tekste dramatike, si dhe realizimi i romanit epope. Përpos Trebeshinës, studiuesi nuk lë pa përmendur edhe 450-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Pjetër Budi. Sipas tij, botimi i prozëshkrimit të këtij autori, do të ndikonte për të thelluar argumentet mbi vlerën që bart edhe kjo anë e krijimtarisë letrare të Budit.

Behar Gjoka - autor i shkrimit
Behar Gjoka

Zoti Gjoka, në këtë 90-vjetor të lindjes së shkrimtarit Kasëm Trebeshina keni menduar të organizoni një konferencë përkujtimore në nderim të tij. Një takim për një tjetër shkrimtar, i cili nuk i ka dashur jubiletë, jo sepse nuk vlerësonte njerëzit e mbledhur aty, por sepse nuk vlerësonte sinqeritetin e gjesteve publike në këtë vend, që gjatë jetës së tij i ka dhuruar më tepër vuajtje sesa gëzime. Ia vlen të ndalesh te kjo letërsi, pavarësisht një atmosfere mohuese dhe denigruese, të një mosleximi të veprës letrare, të kundërshtive dhe sulmeve biografike të bëra në media, si dhe të reagimit të autorit për këto veprimtari, apo hezitimit të institucioneve për ta pasur në vëmendje. Ka raste që pasioni e mund akullsinë e mureve të institucioneve, kinse shkencore, që kanë drojë të merren me veprën letrare të autorit. Kësaj radhe, një grup botuesish, lexuesish dhe studiuesish të krijimtarisë së Kasëm Trebeshinës, kanë menduar që në ditën e lindjes së shkrimtarit, pra në 90-vjetorin e tij, të organizohen disa veprimtari.
Veprimtaritë do të merren vetëm me ADN-në letrare, shkruar në gjuhën shqipe. Gjej rastin që të ftoj publikisht me këtë rast të gjithë personalitetet, që nga Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, ministren e Arsimit dhe atë të Kulturës, që më 8 gusht, ora 10.00 në sallën e Akademisë së Shkencave të bëhen pjesë e kësaj ditë të shënuar për autorin, si një mundësi që nuk duhet humbur. Po ashtu, është e mirëpritur prania e njerëzve të artit dhe letërsisë, për të kuptuar më në fund se asnjë artist apo shkrimtar nuk është i tepërt në vatrën e shqipes, sepse largimi i vlerave vetëm sa nxjerr në pah shkretëtirën letrare dhe artistike, që na ka kapluar prej kohësh.
Por, çfarë mund të na thoni rreth kontributit të këtij shkrimtari në letërsi? Kjo ditë ka vlerë në dy kuptime: sillet në vëmendje vlera letrare e shkrimit të autorit, si dhe bëhet një përpjekje për të vlerësuar veprën e gjerë letrare, për ta zgjeruar dhe pasuruar pentagramin e letërsisë bashkëkohore shqipe. Për vlerat e rrokshme, që ka krijimtaria e Trebeshinës e kam shkruar edhe në librin “Trebeshina-ajsbergu i letrave shqipe”, i cili ka pasur 2 botime, në 2005 në Shqipëri dhe në 2006 në Maqedoni.
Si konkluzione të idesë dhe bindjes sime janë tri aspekte: vepra letrare e autorit, sidomos proza e shkurtër, sendërton modelin letrar të surrealizmit, si reagim kundërshtues ndaj socrealizmit; realizimi i mbi tetëdhjetë teksteve dramatike, ku janë realizuar tipet më të rëndësishme të dramaturgjisë, të zhanreve dhe tipologjive, klasike dhe moderne, madje deri të teatrit absurd; si dhe realizimi i romanit epope, të gdhendur me të gjitha tiparet e veta, me tekstin “Kënga Shqiptare”, me pesë vëllime (1754 faqe).
Në Kosovë janë botuar dhjetëra libra të Trebeshinës, me poezi, prozë dhe tekste dramatike, duke mbetur sërish një numër tekstesh të konsiderueshme në dorëshkrim, pra pa komunikim me lexuesin.
90-vjetori i lindjes është shkasi për të hedhur një vështrim mbi këtë dukuri unike të letrave shqipe, në fatin e mbrapshtë, e sidomos për të zbuluar universin letrar, aq të larmë.
Më duket se rastit Trebeshina i rri për shtat një përfundim i shkrimtarit Ernesto Sabato, i cili në mes të tjerash ka shkruar: “…ai që ka lindur për të shkruar do të shkruajë, çfarëdolloj shkolle që të ndjekë, çfarëdo pengese që t’i dalë përpara. Dhe rëndësia e veprës së tij do të matet me lartësinë e pengesave”. (2015: 15, te libri “Shkrimtari dhe fantazmat e tij”). Për këtë është i mirëpritur ndihmesa e secilit, për ta integruar në panteonin e letrave shqipe.
Sipas jush, si ka qenë vëmendja ndaj këtij shkrimtari? Mendoni se vepra e tij ka arritur mjaftueshëm te brezat e rinj nëpërmjet teksteve letrare në shkolla?
Të thuash mungesë vëmendjeje është pak. Më tepër ka pasur nisma të botimeve private, ku shihet se numri më i madh i teksteve të shkrimtarit, është botuar në Prishtinë. Po hedh një hipotezë, me dy pamje, e cila mundet të testohet: Së pari, cilët libra janë të pranishëm në libraritë shqiptare? Së dyti, cilët libra kanë lexuar nxënësit apo studentët? Përgjigjja e tyre do të na krijonte një bindje për nivelin e mungesës së autorit. Integrimi i veprës letrare, të gjerë në tipe dhe zhanre, në programet shkollore, është njëra nga rrugët për të kthyer vështrimin nga krijimtaria letrare e autorit.

Kasem Trebeshina - Kenga Shqiptare - 5 vellime
Kasem Trebeshina – Kenga Shqiptare – 5 vellime

Çfarë mund të na zbuloni më tepër rreth takimit më 8 gusht? Hajdeni ta zbulojmë dhe shijojmë së bashku, një ditë me Trebeshinën. Te Akademia e Shkencave, ora 10.00 hyrja është e lirë. Pas takimit të formave të përjetimit të një dite me universin letrar të shkrimtarit.
Gjithashtu përfundoi festivali i parë “Muza poetike budiane”. Çfarë mund të na thoni rreth interesit që kishin njerëzit e letrave për të? Më 9 korrik, në kuadër të veprimtarive të ndërmarra për 450-vjetorin e lindjes së Pjetër Budit, Qendra Kulturore Mat, Klubi i Shkrimtarëve Mat, Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” Tiranë (qendra jofitimprurëse), organizuan në qytetin e Burrelit festivalin e parë “Muza Poetike Budiane”. Kjo veprimtari letrare u mbajt në Pallatin e Kulturës së qytetit. Në përfundim të festivalit, nga ana e Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, u akorduan tri çmime, për poezinë më të mirë, si dhe për kontributin e dhënë në lëvrimin e poezisë ndër vite.
Nga juria e ngritur me këtë rast u nderuan me çmim autorët: Majlinda Nana Rama, Basir Bushkashi dhe Agim Gjakova. Në lidhje me këtë veprimtari, të mbajtur në jubileun e Budit, do të doja të veçoja dy momente: së pari, nga rreth 30 autorë pjesëmarrës, gati gjysma e tyre kishin ardhur nga krahina të tjera, nga Kosova, Dibra e Madhe, Tirana, Fieri, Durrësi etj., pra festivali përmbushi përmasën e një takimi poetik kombëtar. Së dyti, pati autorë të rinj dhe poetë, që me krijimet e tyre sollën zëra të ndryshëm në këtë festival.
Përveç nismave tuaja, si drejtues i qendrës me të njëjtin emër, mendoni se është bërë mjaftueshëm për këtë 450-vjetor të lindjes së Pjetër Budit? Festivali “Muza Poetike Budiane” pason vizitën në shtëpinë e poetit në Gur të Bardhë, si dhe të mbajtjes se konferencës përkujtimore në Klos, me 23 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Librit. Po ashtu, përvjetori i lindjes së Budit, u përkujtua edhe në panairin e librit në Prishtinë, me datë 8 qershor të këtij viti. Në nëntor do të ketë një konferencë shkencore në Tiranë, ku do të jenë të ftuar të gjithë studiuesit që janë marrë me jetën dhe veprën e Pjetër Budit, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Pas konferencës do të ketë një numër special të revistës “Pasqyra e t’rrëfyemit”, ku do të botohen të gjitha kumtesat e mbajtura në kuadër të këtij përvjetori. Në aspektin përkujtimor, institucionet shtetërore dhe kulturore duhet të verifikojnë dhe të ruajnë raportet në mes periudhave dhe autorëve të rëndësishëm. Jo se do t’i bëjnë të gjitha ato, por kalendarin historik dhe letrar, duhet ta kenë mbi tryezë në secilin fillimviti.
Pavarësisht përpjekjeve tona, megjithatë, duhet mbështetje financiare për botimin e prozës së Budit, e cila shkon në rreth 170 faqe dhe që deri më tani është lexuar vetëm nga studiuesit që kanë pasur interesa kërkimore. Poezia është botuar në Prishtinë në vitin 1986 dhe u ribotua në 2006-n, me rastin e 440-vjetorit. Është momenti për t’ia nisur me botimin e prozës së autorit dhe, në një moment të afërt, të mundësohet botimi kritik i të katër librave të autorit, gjë që kërkon mbështetjen e të gjithë faktorëve, si vlerë kombëtare e njohur, si at i shqipes, i poezisë dhe i prozës shqipe.
Botimi i prozëshkrimit do të ndikonte për të thelluar argumentet mbi vlerën që bart edhe kjo anë e krijimtarisë letrare të Budit. Po ashtu, është rasti për të larguar, me argumente, mëdyshjet se Budi është më shumë përkthyes e përshtatës sesa poet, një përfundim ky që vjen nga një logjikë e leximit të veprës së autorit, vetëm si fakt gjuhësor dhe historik, apo e interpretimit në optikën antifetare dhe filobiblike, pra një lexim/moslexim i veprës letrare, duke lënë në hije shkrimin poetik dhe në prozë, që gjendet te katër librat e tij.
http://www.shekulli.com.al 17 korrik 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.