back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Nuk jepet me qira atdheu! – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Autori Gëzim Zilja
Gëzim Zilja

Nuk jepet me qira atdheu!

nga Gëzim Zilja

Konferenca e ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912-1913 ishte një takim i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Më 29 korrik 1913, ambasadorët vendosën formalisht për të njohur Shqipërinë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane. Konferenca mori vendime që prekën gjysmën e territorit, të banuar nga shqiptarë etnikë dhe rreth 40% e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të Shqipërisë. Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë dhe Çamëria, Greqisë. Kur qeveria shqiptare u njoh me vendimet e Konferencës së Londrës, ministrat e qeverisë dhe të tjerë patriotë u mbodhën rreth Ismail Qemalit, me lutje e thirrma të forta, kërkuan që të kundërshtohej vendimi dhe të vazhdonin luftën për Kosovë e Çamëri. Plaku i urtë iu përgjigj: “Bijtë e mi! Në kushtet kur vetëm një pjesë e vogël e vatanit është nën qeverisjen tonë dhe në Jug ka pllakosur greku e në Veri sërbi ka mundësi të humbim edhe më shumë nga ajo që na kanë caktuar. Brezat që do të vijnë pas nesh në mos e zmadhofshin dot Shqipërinë le të mbajnë këtë që do tu lemë ne të njohur nga Fuqitë e Mëdha.”
Njëqindedhjetë vjet më vonë Shqipëria është më në rrezik se kurrë, për copëtimin, shkatërrimin, dhënien me qira dhe humbjen e kontrollit mbi 28.000 km2 e saj. Shqipëria rrezikon të humbas një pjesë të sipërfaqes detare me Greqinë. KM-ja ynë, ky piktor aventurier dhe antishqiptar si politikan i “madh” hedh në koshin e plehrave Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe e çon çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, pa ia kërkuar kurrkush. Me një servilizëm të paparë dhurohen hektarë të tërë lëndinash e fushash me bukuri mahnitëse në Këlcyrë e Përmet për varrezat e ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Një absurd i madh po ndodh me Portin i Durrësit, nga pasuritë më të mëdha e me karakter strategjik të Shqipërisë në zemër të bregdetit Adriatik. Me vendimin e Belinda Ballukut e të KM-së, pa asnjë diskutim në komunitet e parlament miratohet dhënia falas e Portit të Durrrësit, arabëve të Emirateve të Bashkuara. Janë 80 ha tokë dhe e 60 ha det që u dhurohet arabëve. Po projektohet që t’u dhurohen toka e lëndina në Përmet për ndërtime e rezidenca. Porto Romano një pjesë u është dhuruar oligarkëve shqiptarë prapa të cilëve fshihen shoqëri të huaja mafioze, që kanë ndërtuar rezervuarë nafte jashtë çdo rregulli e kriteri. Një pjesë do t’u jepet hollandezëve për të ndërtuar Portin e Ri të mallrave, dhe po në Porto Romano, KM-ja po u lutetet amerikanëve për të ndërtuar një bazë detare të NATO-s sikur Porto Romano të jetë sa Gjiri i Meksikës. Amerikanët kanë marrë ca dhjetëra ha në Kuçovë, kanë ndërtuar një qytezë disa hektarëshe për muxhahidinët iranianë, po dhe vende të tjera të pashpallura. Kjo është e tepërt për një vend me sipërfaqe kaq të vogël si Shqipëria. Porti i Vlorës me 5 ha tokë e 5.5 ha akuarium, me dy kalata 339 m dhe 322 m, jepet me koncesion për 35 vjet, për pallate buzë ujit, që ligji nuk e lejon. Ish Bazat Ushtarake Detare dhe bregdeti, nga Liqeni i Shkodrës deri në Sarandë, minierat, fushat naftëmbajëse, Butrinti, Syri i Kaltër, kështjellat, pyjet, ujëmbledhësit, dhe dhjetëra koncesione miliardëshe u janë dhënë e po u jepen investitorëve strategjikë, d.m.th pushtetarëve, miqve, kushërinjve, nuseve e dhëndurëve të Rilindjes, pa asnjë kriter ekonomike me kontrata skllavëruese. Prapa këtyre “investitorëve strategjikë” të emëruar nga KM-ja ku nuk mungojnë as gaztorët e estradave e njerëz me nga 100.000 lekë në banka, fshihen emra të tjerë të mafies kombëtare dhe asaj ndërkombëtare. Tani do të jepet me koncesion dhe Pallati i Brigadave dhe ç’të ketë tepruar. KM-së nuk i shkon mendja që tokat shtetërore t’u jepen si kompensim ish pronarëve e të bëhej një lloj drejtësie me pronat. Edhe sikur një ditë të vijë në pushtet një qeveri e drejtë, shqiptarët do të mbeten skllevër të etërve, bijëve, larove të diktaturës dhe peshkaqenëve të mafies së huaj me të cilët bashkëpunojnë mbi dhè nën dhè. Nuk është çudi, që Zaho Edvin Rama, pas njëzet-tridhjetë vjetësh jo vetëm të jetë kryeministër i Shqipërisë por edhe pronar legjitim i Pallatit Mbretëror prej 36 hektarësh. Kush do ta ndalojë? Qeveritarët dhe deputetët e PS-së për turpin e përjetshëm të tyre firmosin e vulosin me një unitet absurd gjithçka, mjafton që soji dhe sorollopi i tyre të majmen e mos t’u hyjë gjemb në këmbë. Në këtë Shqipëri të Rilindjes, 90% e shqiptarëve ndihen të huaj dhe pa asnjë shpresë për të ardhmen. Nëse populli nuk ngrihet në protesta për të ndalur grabitjet e mëtejshme, e rrëzuar këtë qeveri thellësisht antishqiptare, në 28 mijë km2, në vendin e shqiponjave, pas dhjetë-njëzet vitesh, me shumë gjasa gjuha shqipe do të kalojë si gjuhë e tretë pas anglishtes dhe arabishtes. Dhe ky do të jetë fundi i Shqipërisë.

Ps. Militantët e rilindjes do të thonë se pa investime të huaja nuk ka zhvillim. Plotësisht e vërtetë. Por jo me kontrata skllavëruese ku shteti në vend të marrë, vetëm u jep para koncesionarëve. Mjafton të përmendin fushat naftëmbajtëse dhe minierat e kromit, qe dikur mbanin me “bukë” gjithë Shqipërinë. Sot, veçse kanë shkatërruar florën e faunën përreth, paguajnë rroga mjerane për punëtorët dhe Zero taksa shtetit me pretendimin absurd se nuk janë shlyer ende (20-30 vjet) investimet që kanë bërë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.