Njifarë poezie për nji krijesë të pupëlt etyd nga Jozef Radi

Jozef Radi 2015

Jozef Radi 2015 

Njifarë poezie për nji krijesë të pupëlt

etyd nga Jozef Radi

Asht dimën në të dalë. Dimni i këtyne anëve, ku jam banor i rishtë, me sa lehtësi i futet kësaj bote të panjoftun, po aq vështirë del prej saj… Kam nisë m’u ndje përditë pjesë e këtij dimni, ndryshe prej krejt atyne dimnave të mi të shumtë. Nji dimën kërcnues, i asaj bote aq shumë të mendueme e të zbulueme pak si vonë… (siç i ka ndodhë shumicës ndër tana kohnat) nji dimën lëbyrës që t’i merr sytë edhe mendjen e të zhytë n’at botën e vet e të shtyn m’u harrue n’të…
Jam ndalë në dritare e po kqyri vëmendshëm diçka të përralltë të këtij dimni, ku mbrendë e jashtë janë dy botë që s’përputhen fort, dhe leksioni i kësaj stine të re mësohet ditë mbas dite, dhe mjafton nji dimën ksisoji, me t’u dukë vedi si i hjedhun këtyne hapsinash pafund, e dimnat e kujtimeve t’bahen si fushë me lule…
Asht mëngjes herët. Përballë shtratit m’asht nji dritare e madhe, fort e madhe që due s’due, ma fut krejt pyllin mbrendë e ma rras edhe ndër tesha… Çohem, sillem, përsillem e mandej ndalem tue kqyrë jashtë at magji të bardhë e të ngrime të këtij dimni që s’don e s’don m’u zhgulë… Asht mugët, kur befas sytë më bajnë sikur nji krijesë të pupëlt, ma shumë bisht se trup, ma shumë hije se gjà flatron ndër dega… M’duket nji krijesë e brishtë, sajue bore o ere, ndoshta edhe halash pishe… qi vallzon njashtu pa u ndalë nji sekondë para syve t’mi… Dhe unë e kqyri, e kqyri… ai dridhet e spërdridhet degave të xhveshuna e herë m’fanitet si gjethe e çmendun që ka mujtë m’u pshtue ernave… Befas ndalet. Kqyr në njiqind drejtime njiherit, dhe veç kur pup-pup-pup, kapet, rrëshqet, flatron e bahet njish me lëkurat e ashpra të pemve: mandej prap pup-pup-pup mbi borën e freskët si t’ishte pupël magjike. Kqyr i shqetësuem çdo gja, pse rreziku ksaj krijese i vjen gjithkah, po si duket ma shumë së nalti… Befas bubrron, kcen, kqyr, ndalet, gërmon e mshefë diçka: diku ndër gjeth n’nji skutë mbetë përtokë, o ndër do gurë, o edhe nën borë, mjaft me mshefë diçka për nesër, për dikur, s’ka randsi, diçka që s’ia merr mendja askujt se çka mund të jetë, pa u shqetsue nëse mundet me e gjetë ndonjiherë njat sendin e mshehun…

Bore e mbetun neper trungje

Bore e mbetun neper trungje

Ndërkohë isha pjesë e nji vallzimi t’paimitueshëm.  Ajo krijese shfaqazhdukse, diku delte, diku kqyrte, diku ngarendte e shpejt eterohej. Mandej prap e prap… Pafundësisht e njajta gja, sikur donte me i krijue atij të posadalunit prej mamurrsisë së gjumit, iluzione me aftësitë prej magjistari, o ndoshta e kishte vërejtë se ishta bash ai vëmendja e ndokujt, dhe dukej sikur rrekej me m’ndërdyshë… Jam n’andërr a zgjuet, dhe ai s’asht veç nji fanepsje e përgjumjes sime, ende të pashkundun… Kur ja: fap-fap-fap kcen, kacavjerret, rrëshqet, flatron trungjeve si shkulm ere. Ngjitet deri n’krandet ma të holla të degëve të kristalta…. pup-pup-pup ban do kcime magjike… dhe fiuuu n’nji fluturim t’hatashëm e ti zemërngrimë pandeh mos ra ndokund njajo krijesë që mbahej n’fije të penit, n’halë të pishës, n’rremb të gjethes e n’flok të borës… Duket sikur njato fluturime ajo krijesë e pupëlt, e gjitha bisht, i ka krye veç me ta mbajtë zemrën pezull e me të dishmue ty e krejt botës, se jeta s’asht veç nji lodër n’teh t’rrezikut e asgja tjetër…!
Ndjehem i përhumbun tashma. Njat krijesë picrrake e nevrastenike e kqyri ngultas, me habi e buzqeshje, si nji fëmijë n’cirk. Ajo vazhdon m’u mshehë bukur mbas njatij bishti solemn, vazhdon me u zhdukë e me u shfaqë, e n’nji t’rrahun qepalle luen aq paqshëm e pirueton njashtu symbylltas… tue e ba dlirsinë e borës së fundit mos me t’u dukë gja e vdekun dhe e gjithpushtetshme; tue i ba pemët e xhveshuna mos m’u ndje t’braktisuna gjethesh, e tue u ndërfutë n’jetën e fjetun t’atyne pyjeve t’pafund, lshon do nota muzikore që jo gjithkush n’kët botë ngarendëse mundet m’i kapë e m’i ba t’vetat…
Parasysh tash m’rri ngulë kjo krijesë bishtbukur, njashtu e grimctë, puplore e spërdredhse, që s’i beson askujt dhe asgjaje, që mbas çdo lëvizje kqyr diku, dikah e gjithkah. Mbas çdo krisje t’lehtë gjethesh t’thame, ajo vadhon pup-pup-pup njimijë herë, ndalet m’nji stom të sigurt, i fërkon njato duer t’vocrra për turi, kqyrë edhe njiherë rrethas mos ndoj rrezik i paransyshëm mundet m’ia kërcënue harenë… Kur ja… fap-fap-fap e si me magji asht zhdukë, aq sa t’ban me dyshue n’sy tu, mos ajo çka ti e po përcjellë n’teh të shpirtit, në të zbardhun t’njasaj dite të re, s’ka ndodhë kurr’ njiherë ma parë e askurrë s’ka me ndodhë mëngjeseve tua t’vogla, gozhdue para njasaj dritareje të madhe…
Befas e gjeta vedin të ngulun e ngurtun mbas xhamit, tretë mendsh ndër pyje amerikane… dhe u shkunda veç m’e kuptue vedin n’se jam, o mos njajo që ma ka shndritë ditën, asht diçka ma shumë se nji ketër…

25 mars 2015

Ketri...

Ketri…

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Kafe letrare, Proza  Etiketat: , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook