back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Nji Trekendësh Bermude… në Lushnje! nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi (16 janar 1957)
Jozef Radi (16 janar 1957)

Nji Trekendësh Bermude… në Lushnje!

nga Jozef Radi

Një përvjetor i përbashkët
dhe heshtja e padenjë
e një kohe që s’e gjen vetvete!
 .

Gazeta "Koha Jonë" - 1 gusht 2017
Gazeta “Koha Jonë” – 1 gusht 2017
Dikur aty nga fillimvitet ’70, ose me saktë në vitet ’74-’76, në të njejtën klasë të gjimnazit të vetëm të qytetit të Lushnjes, (që asokohe quhej “20 Tetori”!), na ishin tre djem që vinin nga tre pika të ndryshme të Myzeqesë: njeri nga qyteti, tjetri nga një fshat majekodre dhe i fundit nga nji kamp internimi…
Ishin kohë të vështira, por rinia edhe në të keqen më të madhe, di ta ngjyrosë jetën me shumë dritë. Nëse guxoj t’u vë nga nji nofkë secilit prej këtyre tre personazheve gjimnazistë: të parin do ta quaja: Rrebeli; të dytin: Finoku dhe të tretin Tërrnuri!! Sigurisht, tri nofka të ngjyrosura disi negativisht për kohën, ama tipike të asaj periudhe që ata i përkasin; po nëse do të kërkoja t’i zbusja sadopak këto emërtime negative e tua përshtasja vlerave të secilit, të parin do ta quaja Pasionanti i Pashëm; të dytin i Drojturi Darsisë; e të tretin Gjatoshi i Rafinuar… Pra, ngado që ta thur e ta shthur kët fakt, Trekëndëshi i Bermudës… më del i plotë…! në Lushnje, apo ndokund tjetër, kjo pak çon peshë, rëndësi ka që jeta e këtyre tre djemve me të njejtin numër vitlindjeje mbi shpinë 57, veç vitit, kishin të përbashkët edhe qytetin: të njejtën shkollë, të njejtën klasë, e nganjëherë edhe të njejtën bangë…! Kështu, ata (veçmas dhe tok) kanë pjesë realitetesh të përbashkëta, rrugësh të përbashkëta, guximesh të përbashkëta, sakrificash të përbashkëta, tëhuajsime të përbashkëta e që sot, (ashtu si edhe dje) duke i ndjekur vetet nga lartësia e 60 viteve ku kanë mbrritur, ata me të drejtë mund të besonin se atdheu, qyteti, shkolla, shoqëria apo edhe banorët më me kulturë të atij vendi… do të kujtoheshin qoftë edhe për nji ftesë kortezie (mirësjelljeje), për t’i pasur të pranishëm në biseda mes tyre…
.
Gëzim Hajdari (25 shkurt 1957)
Gëzim Hajdari (25 shkurt 1957)
E vërtetë është, se në kët këndvështrim ata prej kohësh ndjehen: “të përjashtuar nderi” të shoqërisë shqiptare, të qytetit të Lushnjes dhe gjimnazit të tyre!
Gjithkujt mund t’i lindë pse-ja e madhe dhe të pyesë: mos të tre së bashku ishin kompllotistë të mëdhenj, o mos mediokër mendjeflladitur, o ndoshta xanxarë të pandreqshëm… Mos ndoshta ende janë të tillë…?!
Mbetem i bindur që edhe sikur të ishin të tillë, të tre veçmas po edhe së bashku mbeten përçues të dashurisë pa asnji kompromis për vendin e tyre… Secili prej të treve – ka sot nji vepër dhe një angazhim solid sa brenda aq edhe jashtë territorit të atdheut, të tre ata (veçmas dhe bashkë) janë një atdhe shetitës, dhe shoqëria shqiptare asnji sekondë s’ka jetuar jashtë trazimeve të tyre… Vepra e secilit prej tyre, (po edhe e të treve bashkë) s’është tjetër veçse dashuri sublime ndaj një gjuhe, ndaj qytetit, ndaj një vendi dhe krejt nji bote për të cilën të tre (së bashku dhe secili më vete), duhej të ishin nji krenari jo e pakët e çdo lexuesi apo dashamiri të letrave po edhe krejt asaj që quhet e përbashkëta jonë…
Sot ata jetojnë dhe ndjehen të nderuar e të respëktuar, po aq sa ndjehen edhe të përjashtuar e të shpërfillur nga vendi i tyre, dhe vepra e tyre jeton jashtë çdo komunikimi dhe vlerësimi që ata meritojnë…
Megjithatë në vetmitë e tyre të shenjta, ata ndjehen bashkë, si dëshmi të nji vullneti të epërm e të paepur, me kokfortësinë e sakrificës në rrugën e Letrave dhe në të vërtetat sublime që ata prej kohrash ndjekin…
Të tre këta djem të një atdheu që s’e gjen vetveten, të një qyteti, të një shkolle, të një klase e të një bange… prej më shumë se një çerek shekulli jetojnë paqshëm në Gadishullin e Çizmes, shkruajnë, botojnë, angazhohen vetëm për të mos qenë të shtypur, në një tjetër trekëndësh (jo Bermude sigurisht) mbasi njëri jeton maje Alpeve, tjetri buzë Tirrenit dhe i treti në brryl të Adriatikut, gjithnji në përpjekje që klithma e shpirtit të tyre, qoftë edhe si jehonë t’i mbrrijë brigjet e Shurdhësisë së Madhe…
Mbas gjithë kësaj ligjërate, që do të mbetet gjithnjë e papërfunduar, për këta tre protagonistë “të panjohur” e të veçantë, e drejtë do të qe të shfaqeshin me emrat e tyre, edhe me vepra e tyre… në mënyrë që të tejkalohen fjalët e manipulueshme nga erërat ideollogjike dhe të ktheheshim te “Scripta manent” e latinit, që besoj se do të ishte më e drejta gjë për ta.
Ata quhen: Shpend Sollaku Noè, Gëzim Hajdari dhe Jozef Radi…

.

Shpend Sollaku - Noé (3 prill 1957)
Shpend Sollaku – Noé (3 prill 1957)
 
.E mirkuptojmë, atdheun e madh të zhytur në halle të mëdha, e s’mund të merret me vogëlsira, mirë edhe qyteti i tyre gëlon prej figurash të përndritura dhe s’di kujt t’ia prishë e kujt t’ia ndreqë më parë, po ajo shkolla, ajo klasa ku këta tre djem kanë studiuar me sakrifica, dhe kanë shfaqur shenjat e para të vlerave të tyre, nuk paska aq fuqi sa ta dëshmojë vetveten e t’i ftonte këta djem. Duhej ta kishte për nder, që nga gjiri i një klase (rast jo fort i shpeshte) kanë dalë tre djem që në të mirë a në të keq, janë zëra letrarë, të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqipe; se ata kanë qenë mësues, kanë drejtuar revista dhe gazeta, kanë shkruar me dhjetra libra, në shqip e gjuhë të huaja, kanë folur publikisht në media të vendit e të huaja për çeshtjet dhe kulturën shqiptare, dhe se asnjë njollë kompromisi a korrupsioni s’mbajnë figurat e tyre…
A nuk do të qe më se e meritueshme që të tre ata, në të 60 vit të jetës së tyre, të ishin të ftuar, të vlerësuar e të dëgjuar në auditoret e së njëjtës shkollë, ku ata si nxënës me njëmijë sakrifica u ngjizën si modele lirie, si talente dhe si intelektualë jashtë pushteteve korruptive, modele të gjalla, të vërteta e të prekshme që dëshmojnë se talenti edhe pa pushtetin edhe pa partitë mundet të çajë rrugën e tij dhe ta realizojë vetveten, në shpërfillje dinjitoze të gjithë Trekëndshave Fatalë të Bermudës shqiptare

shtator 2015-korrik 2017

Shkrimi i botua në Gazetën Dielli me 28 korrik 2017, në Nju Jork, dhe me 1 gusht 2017 në gazetën “Koha Jonë” 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Jozef Radi
    Në këtë shkrim më duhet të plotësoja edhe një fakt… që është mjaft i rëndësishëm…
    Gjatë mesit të viteve ’80, të tre ne, Unë, Gëzimi dhe Shpendi, secili në mënyrën e vet, ishim në betejë për të botuar librat e parë nën realizëm socialist… Të tre librat tanë kishin doza të dukshme rrebelizmi ndaj realizmit socialist, aq sa ata libra në shtëpinë botuese u vërdallën për vite e vite me rradhë… Edhe pse librin tim “Trokitje” e pranuan si të botueshëm… (vetëm se duhej të shtoja edhe një poezi për partinë dhe një për shokun E. që asokohe qe gjallë) Më pas librit i vunë shenjën e kryqit dhe kjo punë u mbyll, kurse Shpendi dhe Gëzimi vazhduan me 1000 peripeci, duke iu shkulur dhjetra fletë nga librat, mbasi ata ishin futur në proces botimi… Më në fund librat e tyre u botuan… Ishte viti 1989… Shpendi rebelimin e tij e quajti “Mëzat e Kaltër”, kurse Gëzimi trishtimin e tij aq premtues e quajti “Antologjia e shiut”…
    Kurse titullin librit tim e pagëzoj im atë: Venia “Trokitje” – tha – se ne po u trokasim… n’e hapshin derën, mire… në s’e hapin në p… të samës u kjoftë me gjithë derën e tyne!”
    Ja ky detaj i vogël i mungon këtij shkrimi…

    Shpend Sollaku Noé
    Eh, mor Zef, histori më vete ajo e librave tanë. Kush e di nëse do të botohet ndonjëherë në Shqipëri Antologjia ime e re, që përfshin edhe vargjet e dënuara! Botuesit “e rinj” janë vendosur po në atë shtëpi botuese që na i dërgonin në karton librat.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.