back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Nji tjetër Puthje e Shenjtë, për Tokën Arbnore… Jozef Radi

Gazeta

Papa Françesku i Parë - Tiranë, 21 shtator 20142014
Papa Françesku i Parë – Tiranë, 21 shtator 2014

Nji tjetër Puthje e Shenjtë, për Tokën Arbnore…

refleksion nga Jozef Radi

Mbi vizitën e Papa Françeskut të Parë, me 21 shtator 2014

Në ma pak se 22 vite, mbas puthjes së Papës “legjendë”, Gjon Pali i Dytë, asht Papa Françesku i Parë, i dyti Papë që puth tokën shqiptare, dhe prej atherë shumë gjana kanë ndryshue për mirë ndër shqiptarë…
Sigurisht, kjo ngjarje historike që po afron në kohë të vështira, e ka nji mesazh të randsishëm që do lexue me kujdes, (jo veç prej atyne që besojnë në Zot), e do përcjellë me shpirtgjanësi, duke pasë gjithnji parasysh se Papa asht Bariu Shpirtnor i ma shumë se nji miliard e 200 milion njerzve të shpërndamë në mbarë Botën, pra i ma shumë se nji të pestës së saj… Edhe pse Shqipnia s’asht vend i nji shumice katolike, po asht nji udhkryq i feve dhe besimeve fetare, nji vend ku ende ruhen të gjalla si gjurmat ma të hershme të paganizmit, po edhe kthetrat ma të egra të ateizmit; si shpirti madhështor i Martirëve të Fesë e të Gjuhës Shqipe po edhe barbaria e pashembullt e pushtuesve; si mirkuptimi dhe harmonia fetare ndër njerëz po edhe fryma që nxit përçamje e politikave… të gjitha këto në shpirtin e këtij populli, në dukje i vogël, i tkurrun e pambrojë, po i madh në mbijetesë, në shpirtmadhsi e me shembujt ma të naltë të humanizmit dhe sakrifikimit.

Papa Gjon Pali i II - Tirane 25.pril '93
Puthja e tokes shqiptare, Papa Gjon Pali i II prill ’93

Ardhja e Bariut të Shenjtë, Simbolit të fesë Katolike, në kët kohë të vështirë konfliktesh dhe kërcënimesh për mbarë botën, sigurisht sjell me vedi mesazhe të qarta, pra ka tekst të lexueshëm të plotë e të kthjellët për gjithkend, po njiherit ka shumë edhe nëntekst, edhe shikim në prespektivë, besoj edhe shumë vëmendje, mos me e lanë kët Botë me rrëshqitë edhe ma poshtë në theqafjet tragjike të historisë dhe konflikteve…
Puthja e tokës së Arbërit, prej nji Ati të Shenjtë, nuk asht thjesht nderim për kët vend, po ngrihet si nji vlersim që i bahet krejt historisë dhe traditave të këtij vendi, asht vlerësim për krejt komunitetet e besimeve të tjera në Shqipni, të cilat deri sot e kanë gjetë gjuhën e përbashkët të dashnisë e mirkuptimit të ndërsjelltë, po që duhet ta dëshmojnë edhe ma tej, jo veç në solidaritet me ardhjen e Papa Françeskut të Parë, por duhet që atë çka vetë populli shqiptar e ka kultivue ndër shekuj, e që sot quhet pasuni e njerzimit e shembull harmonie midis feve, t’u lihet e pacënueme brezave që vijnë, dhe jo vetëm atyne, po edhe mbarë botës si nji dëshmi kulmore: se harmonia dhe respektimi i njerzve edhe me besime edhe mbrenda nji familje asht e mundun… e pra ne shqiptarët deri sot e kemi… dhe pa frikë duhet me e quejtë si vlerë e madhe e humanizmi!
S’asht i paqëllimtë fakti pse Papa ka zgjedhë Shqipninë, me përcjellë kët mesazh të vlerave morale, në nji kohë të egër kjo e sotmja, në të cilën po bjerren me shpejtësi vlera njerzore dhe qytetnime. Njeriu i sotëm po shfaqet gjithnji e ma shpesh i pangopun prej fitimit e gryksisë; prej qejfeve e luksit të shfrenuem; prej pushtetit e mashtrimit; prej asgjasë që sa hap e mbyll sytë bahet gjithçka… Kjo e ka vu në dilemë Njeriun, Familjen, Shoqninë, Shtetet, Fetë… Botën Mbarë! E shqiptarët janë të sapodalun prej nji shtypje të pashembullt njerzore dhe fetare; prej nji dhunimi të paprecedent historik dhe ideollogjik; prej padrejtësish cinike të jashtme dhe krimesh të mbrendshme të pandëshkueme kërrkund me ligj; e kur në të njejtën kohë ata i jepnin botës nji Nanë Terezë; e kishin lanë vedin nën kthetrat e nji Diktatori nga ma të egrit e Botës. Në kët çerek shekulli liri, toka e shqiptarëve asht në përpjekje titanike me u çue në kambë e me e gjetë vedin atje ku i takon: midis Qytetnimit.
Sot asht edhe nji Shqipni tjetër, nji Shqipni e shpërndane në krejt botën, e që asht pjesë e Qytetnimi të Madh, sigurisht me vlerat dhe difektet që përcjellin ata njerëz që ikën natën prej Shtypjes ma të Egër… Ata janë pjesë integrale e Botës që ecën përpara, në përpjekje me e kapë kohën e humbun dhe ritmet që Botës i erdhën natyrshëm… Po asht edhe ajo nji Shqipni që ndjen e që vuen, që vuen ndoshta edhe ma shumë at zhgënjim që sjellin politikat që mendojnë veç Pushtetin dhe sundimin dhe aspak Njeriun e humanizmin…

Papa Françesku i Parë
Papa Françesku i Parë

Sigurisht, mikpritse e Papa Françeskut të Parë asht politika e sotme shqiptare, (ajo që ndokush e quen edhe vazhduese e së djeshmes), e cila do të përpiqet me e shfrytëzue imazhin e kësaj vizite të përcjellun nga mbarë bota, me sistemue disi tualetin e saj, e me i dhanë siguri vedit për gjithçka ndodh… Unë mbetem i sigurt, se pakon e vlerave morale që Papa Françesku ka me e dëshmue haptas, ma së pari ka me e shkelë në thù krejt ato politika, që po e shtojnë në progres gjeometrik vorfninë dhe keqtrajtimin e Njeriut në mbarë Botën dhe bashkë me vorfninë ata po ndikojnë dukshëm edhe në bjerrjen e vlerave morale e humane! E politika shqiptare e derisotme s’mundet kurrsesi me i bishtnue këtij mesazhi!!!
Edhe komuniteti katolik shqiptar, i cili flamurin e kuq me shqipe e ka të gdhendun në shpirt me shembuj e histori, përgjat rrugës së vet të lavdishme ka dëshmue jo vetëm tolerancë dhe dashuni, po me vetëdije asht flijue në altarin e atdheut duke shndërrue binomin “fe e atdhe” nji fjalë të vetme, duke u murosë me dinjitet e lavdi në themelet e historisë së shtetit shqiptar si garant i bashkjetesës dhe harmonisë, që mbetet çelsi i lavdisë së këtij vendi.
Prandej, Mirseardhja e Papa Françeskut të Parë, s’duhet të jetë thjesht falenderuese e protokollare, po e ndjeme thellë, ajo do të mbesë si nji dëshmi që çdo shqiptar duhet ta mbajë me vedi, pse i përkasim nji qytetnimi të lashtë e fisnik, dhe se asgja barbare as e ka sundue dhe as ka për ta sundue shpirtin tonë, edhe pse pësimet ma tragjike të historisë, ende randojnë mbi ne…
Ardhsh i Bardhë…!
Veç ne shqiptarët e përdorim kët shprehje Papa Françesk, dhe s’e themi thjesht për ardhjen tande si simbol bardhësie, po asht e thanun prej kur s’mbahet mend, qyshse Miku i largët e ka msy ma së pari portën tonë… e sot në kët ditë të Madhe kjo shprehje s’i përket askujt ma shumë se Ju!
Ardhsh i Bardhë, Papa Françesk në tokën e Arbërve të Lashtë!
17 shtator 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.