back to top
14.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Nji shkrim i Ben Blushit për Kosovën dhe disa reagime ndaj shkrimit…

Gazeta

100 Vjetori - Parakalimi ne Tirane
Një grup kalorësish, duke parakaluar në Bulevardin Dëshmorët e Kombit,
nisur nga Kulla e Jasharajve në Kosovë.

Nji shkrim i Ben Blushit

për Kosovën dhe disa reagime ndaj shkrimit…

“Kosova i krijoi intelektualët që i nevojiteshin,
Shqipnia i zhbiu ata që i kishte…!”
Dr. Lazër Radi

Disa herë kam menduar se Kosova
është duke përjetuar një fazë lirie të harbuar.
Pavarësia i ka dhënë arsye dhe frymëzim popullit për të eksperimentuar.
Gjatë kohës kur jetonin në Jugosllavi,
kosovarët nuk kishin kaq shumë talente.
Muzika, letërsia, sportet, piktura dhe futbolli i tyre
ishte i prapambetur në krahasim me popujt e tjerë jugosllavë.
Nuk kishin fituar asnjë medalje të artë,
nuk kishin pothuajse asnjë futbollist të madh,
nuk kishin muzikantë, piktorë apo shkrimtarë të shquar.
Kuotat më të larta, mendimi i tyre kritik,
i arriti duke shkruar esse për poetët dhe artin e Rilindjes Shqiptare.
ben blushi

Ben Blushi & Dhimiter Shuteriqi
Ben Blushi & Dhimiter Shuteriqi

Pavarësia e Kosovës nga Shqipëria

nga Ben Blushi

Kosovarët po e shijojnë lirinë e tyre. Ata kanë hyrë në një epokë lirie që prodhon art, sa herë kombinojnë tingujt me gjuhën, trupin me ritmin dhe muskujt me mendimin.
Liria që kanë fituar po i shpërblen. Ata po e shijojnë duke krijuar, duke kënduar dhe duke vrapuar. Kosovarët kanë fituar artin për të kënaqur veten me art.
Dhe për shkak të gjuhës po na kënaqin edhe ne, megjithëse ky nuk është qëllimi i tyre i parë.
Kosova ka patur dhe ka dy pengesa për të qenë plotësisht e pavarur: njëra është politike dhe tjetra kulturore.
E para është më e thjeshtë, si një betejë diplomatike dhe juridike. Ka te bëjë me raportin e Kosovës me Serbinë.
Me ndihmën e ndërkombëtarëve, Kosova e ka fituar pavarësinë nga Serbia dhe rruga për t’u kthyer atje është më e pamundur se rruga për të shkuar në Mars. Ajo pjesë e rrugës që mbetet, është më e shkurtër se ajo që ka kaluar.
Rruga e dytë është më e vështirë. Në këtë rrugë, Kosova nuk po fiton, por po triumfon, për kënaqësinë e vet dhe për dobinë tonë.
Kjo është pavarësia kulturore nga Shqipëria.
Për arsye historike, Kosova ka qenë një koloni artistike e Shqipërisë. Arti që bëhej në Shqipëri, konsumohej në Kosovë. Por sot e kundërta po provohet e vërtetë.
Sot Shqipëria duket si një koloni artistike e Kosovës dhe me sa duket ky është vetëm fillimi.
Kosova po na dominon artistikisht dhe ky është një fat që duhet pranuar si i tillë.
Vitet e fundit, varësia nga mediat, televizionet, spektaklet, çmimet, tekstet dhe arenat e Shqipërisë, ka përbërë një joshje të madhe për kosovarët. Ata u dyndën duke performuar dhe duke formuar një modë.
Marrëdhënia e artit të Kosovës me artin e Shqipërisë është si marrëdhënia e lëngut me enën. Ata janë lëngu, ne jemi ena. Dhe me sa duket kështu do të jemi edhe për shumë kohë.
Në çdo kuptim ata na dhanë më shumë se ç’iu dhamë. Ata kanë zërin, ne kemi audion. Ata kanë figurën, ne kemi ekranin. Ata kanë golat, ne kemi fushat.
Ata ndikuan në krijimin e një mënyre të re arti që nuk e kishim njohur. Kosovarët krijuan shije, rrymë dhe stil. Pa frikë sot mund të them se ata na futën artistikisht në shekullin që jetojmë.
Para zbarkimit të tyre artistik, muzika dhe sporti shqiptar ishte tërësisht ballkanik. Me ndihmën e tyre është shumë më evropian.
Sot kosovarishtja është gjuha e muzikës shqiptare. Nuk ka këngëtar shqiptar që të mos këndojë kosovarisht. Je nga Shkodra knon. Je nga Tirana e bon. Je nga Korça, nuk do, por don.
Nëse e bën je. Nëse nuk e bën nuk je. Nëse e bën shijohesh, nëse nuk e bën nuk shikohesh.
Tregu shqiptar i muzikës dhe showbizit është i gjithi kosovar. Prej aty lind ritmi, lirika, vlimi, frymëzimi, hedhja dhe përdredhja.
Kosovarët kanë humor, kanë refren, kanë pasion dhe harmoni. Pa dyshim kanë edhe diçka që nuk e besoja që e kishin: disiplinën.
Arti dhe sporti kërkon përkushtim dhe kosovarët dinë ta bëjnë si yje edhe pse janë të vegjël.
Ne u kemi dhënë stilit të tyre një treg, ata i kanë dhënë artit tonë një shteg.
Ajo që kanë bërë me futbollin tonë, është një marrëzi që lind nga një popull me fantazi.
Edhe pa futbollistët e Kosovës, Shqipëria do kishte futboll. Por pa shkëlqim, pa qëllim dhe pa sedër.
Ata na dhanë atë që kishim humbur për disa dekada. Forcën për t’u ndjerë të barabartë me të tjerët.
Na çuan në Evropian duke i dhënë kombëtares së Shqipërisë një ritëm që raca jonë nuk e kishte njohur.
Kosovarët janë një popull që di të përdorë muskujt.
Kur shoh sot Majlinda Kelmendin që mori një medalje të artë në Olimpiadën e Rios, kur shoh Rita Orën, Dua Lipën, Bebe Rexhën, Era Istrefin, Krenare Rugovën, Luan Krasniqin, Granit Xhakën, Milot Rashicën, Adnan Januzajn, Etrit Berishën, Lorik Canën apo dhjetëra stililistë, arkitektë, aktorë, kineastë, informaticienë dhe hakera të përsosur kosovarë, kam vetëm një pyetje.
Pse kanë kosovarët kaq shumë talent? Dhe pse nuk ka Shqipëria po kaq talent?
Ka disa vite që nuk kam përgjigjen e duhur për këtë pyetje. Në fakt kam më shumë pyetje. Gjuha është njëlloj. Vuajtjet janë të ngjashme. Genet janë të afërta. Atëherë çfarë ndryshon?
Kanë investuar më shumë në art, në sport dhe në muzikë? Nuk e them dot. Kosova shpenzon për artin dhe sportin ndoshta më pak se ç’bën Shqipëria, por çështja nuk është kjo.
Çështja nuk janë paratë. Çështja është besimi.
Disa herë kam menduar se Kosova është duke përjetuar një fazë lirie të harbuar. Pavarësia i ka dhënë arsye dhe frymëzim popullit për të eksperimentuar.
Gjatë kohës kur jetonin në Jugosllavi, kosovarët nuk kishin kaq shumë talente. Muzika, letërsia, sportet, piktura dhe futbolli i tyre ishte i prapambetur në krahasim me popujt e tjerë jugosllavë.
Nuk kishin fituar asnjë medalje të artë, nuk kishin pothuajse asnjë futbollist të madh, nuk kishin muzikantë, piktorë apo shkrimtarë të shquar. Kuotat më të larta, mendimi i tyre kritik, i arriti duke shkruar esse për poetët dhe artin e Rilindjes Shqiptare.
Por sot gjërat kanë ndryshuar. Ata bëjnë art, ne e kritikojmë. Ata luajnë, ne duartrokasim. Ata këndojnë, ne kërcejmë. Ata prodhojnë, ne blejmë.
Deri dje nuk kishin Rilindjen e tyre, që duket se tani po e shpikin. Pa ndihmën tonë. Rilindja e tyre nuk është jugosllave, nuk është as shqiptare, është thjesht kosovare.
Çfarë ka ndodhur pra në dhjetë vjet?
Sipas meje ka funksionuar raporti me lirinë. Kosovarët po e shijojnë lirinë e tyre. Ata kanë hyrë në një epokë lirie që prodhon art, sa herë kombinojnë tingujt me gjuhën, trupin me ritmin dhe muskujt me mendimin. Liria që kanë fituar po i shpërblen.
Ata po e shijojnë duke krijuar, duke kënduar dhe duke vrapuar. Kosovarët kanë fituar artin për të kënaqur veten me art. Dhe për shkak të gjuhës po na kënaqin edhe ne, megjithëse ky nuk është qëllimi i tyre i parë.
Ata po shkojnë në drejtimin e tyre dhe shija që po krijojnë sot është vetëm fillimi i një rruge në të cilën, me sa duket, do na duhet t’i ndjekim.
Kosova është një kënaqësi që shijohet duke menduar se mund të mos e kesh.
Dhe vërtet. Imagjinoni sikur të mos e kishim.
Do ishim shumë më të varfër dhe shumë më të mërzitur.
Por që ta shijojmë duhet të paguajmë një çmim: duhet t’i lemë të lirë.
Marrë nga gazeta Telegraf

Vajzat e Kosoves Rita Ora - Era-Istrefi - Dua Lipa - Bebe Rexha
Vajzat e Kosoves
Rita Ora – Era-Istrefi – Dua Lipa – Bebe Rexha

Agim Morina

Beni Ecën Vetë-i-treqindti (kështu e pata qujtë me 1996) në një gazetë në Tiranë, janë përzi e ngatërru të gjitha: mosnjohja, mosmirënjohja, arroganca, zilia, sadizmi, mazohizmi, xhahilia, egocentrizmi, lajkataria, jagoizmi… Tash ka nisë m’iu shfaqë edhe pendesa, dëshira me i detyru njerëzit me e dashë, kambëngulja se s’asht aq i keq sa duket, qarramania, përqyrrnia etj. Të gjitha këto të bashkëdyzueme te një qenie e vetme, në një betejë vetëshpërthyese. Dreqi e baftë hajër…

Drita Krasniqi

Mosdija themi ne, n’mungesë t’informacionit për veprimtarinë ftytdhënëse n’lemi të ndryshme t’shqiptarëve t’Kosovës në ish Jugosllavi… me rezultate t’lakmueshme dhe të vlerësuara shumë herë jo vetëm n’Jugosllavi. Por edhe nga Evropa e atëhershme, pra nga kritikë t’artit. Për kosovarët letërsi… pikturë, teatër, aktorë kompozitor, këngtarë, sportistë të nivelit europian dhe botërorë me pjesmarrje n’Olimpiada dhe të stolisur me medalje t’arta t’argjenta e t’bronxta, etj… Dhe për momentin mendja me thotë…
Pse m’u tani Blushi shkruan kështu…?! Pse t’mos mendoj se është e qëllimshme… Shërbimet e kujt i kanë përzi gishtat këtu?!… Momenti për t’i përçarë shqiptarët Kosovës me atë t’Shqipnisë…
Kjo disave me siguri i konvenon shumë bile…

Albana Rexhepaj

Ndaj entuziazmin e Ben Blushit për arritjet dhe suksesin e kosovarëve. Por të thuash që “Kosova ka qënë koloni kulturore e Shqipërisë” më duket marrëzi (shpreh më shumë vetëperceptimin e Blushit të rritur në Big Brotherin komunist). Me aq sa e njoh Kosovën, konstatoj se ka një elitë kulturore shumë më të kulturuar e të lirë se ajo e Shqipërisë dhe, shumë më pak narciziste. Në përgjithësi: në Kosovë ka një kulturë pune të panjohur në Shqipëri. Në Kosovë njerëzit flasin pak, vetëreklamohen më pak, por dinë të punojnë e të prodhojnë – kjo edhe për shkak të emigracionit të hershëm. Ka qetësi në debate tavolinash: ata që bërtasin janë shqiptarët e Shqipërisë!

Viron Graçi

Ben Blushi për Kosovën: “…në ish Jugosllavi ka qenë shterpe për talente në të gjitha fushat.” Ai harron/relativizon studiues si I. Ajeti, R. Qosja, S. Riza, R. Ismajli, B. Bokshi, I. Rugova, S. Hamiti, etj. Po kështu artiste europianë që Shqipëria nuk i ka deri sot si Bekim Femiu… Por nuk është vetëm një panteon i ndritur me shqiptarë të Kosovës ai që mungon në “studimin” e Benit. Mungon njohja, dija, karakteri e ai vetë i zeron diku “zbulimet” e tij kur thotë: “…nuk kish Pothuajse asnjë…!”

Kombetarja 2015 - Foto Zyrtare
Kombetarja Shqiptare 2015
Shumica nga Djemte e Kosoves

Luan Lapi

Paragjykim, – konstatim komunisti ky i Ben Blusë, mos të them që ka zënë vend të mirë në shumë mendje të tjera të mykura… Vitet e para të 90’ës me kësi mendimesh i filluam marëdhëniet me vëllezërit shqiptarë të Kosovës… Por sot pas 25 vjet ndriçimi (nejse… pa drita në Shqipëri) të shqiptarëve është turp një mendim i tillë. Në kohën e ish Jugosllavisë, Shqipëria ishte e para në botë për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit. Shqipëria ishte e para që iu doli përparave dy aleancave ushtarake… NATO-s dhe Traktatit të Varshavës… e para që çante rrugën e historisë me shpatë në dorë e dokrra tjera pafund…

Rezart Palluqi

Blushi e di fort mirë, se Tirana ka 25 vite që përpiqet ta fusë botën artistike kosovare në thesin e zi enverist. Po bëhen tentativa mjaft serioze që figurat e degraduara artistike të Enver Hoxhës, të shihen në Kosovë, si idhuj dhe qenie artistike që lindin një herë në 10 trilion vjet. Për fat të mirë, megjithë makinacionet, shantazhet mediatike dhe milionat që po hidhen, Tirana po ndërgjegjësohet se Kosova do të mbetet një fuçi me 1000 vrima. Kur mbyll një vrimë, do të hapet tjetra. Ndaj, Blushi, me porosi nga Partia, do që t’i verë në gjumë kosovarët me lajka të rrezikshme. E bën këtë, sepse Tirana po e sheh se po e humb betejën për ta uzurpuar atë në totalitet. Kështu ai tani dorën që nuk e kafshoi dot Partia, bën sikur e puth, duke e ngritur Kosovën në piedestal.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.