Nji reflektim mbi figurën e át Vinçenc Prennushit – Martir i fesë dhe i demokracisë

Monsignor Vincenc Prennushi (1885-1949)

Monsignor Vincenc Prennushi (1885-1949)

Nji reflektim mbi figurën e át Vinçenc Prennushit

Martir i fesë dhe i demokracisë

(4.9.1885 – 19.3.1949)

Ky shkrim u mbështet i gjithi mbi shënimet
dhe krejt materialin e mbledhun me kujdes nga Profesor Robert Prennushi,
të cilin gjej rast ta falenderoj për përkushtimin
dhe besimin që më dha me thanë edhe unë pak fjalë
në nder të figurës dinjitare të Padër Vinçenc Prennushit (ofm)
jozef radi, 2016

Revista "Hylli i Dritës"

Revista “Hylli i Dritës”

Ideja e këtij shkrimi lindi nga leximi i nji artikulli të kahershëm të Prof. Aurel Plasarit mbi ligjëratën “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë” (1922) e Át Vinçenc Prennushit, e cila më përqasi edhe nji shkrim të kahershëm të tim eti, Lazër Radit, i cili shpesh na fliste për padër Vinçencin si njeri, si patriot e si poet dhe ndodhte të na recitonte edhe poezi të tija, disa prej të cilave i mbaj mend edhe sot.
Duke e rilexue shkrimin e Plasarit, disa pohime të  tij më tërhoqën, madje edhe më shtynë në reflektime.
Ja çfarë thotë Plasari për Ligjëratën e Prennushit, mbajtë e botue gati nji shekull ma parë! “Ai (shkrimi, ligjërata) bën pjesë ndër tekstet më pak të studiuara të tij (të Prennushit), për të mos thënë të shpërfilluara, ndoshta jo pa qëllim (nënvizimi imi j.r.). Në kolokiumin e parë… më 1992… ndoshta e kam pasë shpërfillur edhe unë. – dhe vazhdon – Ligjëratën “Ndër lamije të demokracís së vërtetë” e kam cilësuar si të parin manifest të parimeve politike të demokracisë në shtetin e ri shqiptar. Të mbahet parasysh se bëhet fjalë për një shoqëri të sapodalë prej një robërie gati pesëqindvjeçare, me një jetë publike, posaçërisht politike, ende të nginjur me “frymë osmane”.
“E shpërfillur ndoshta jo pa qëllim!” – thotë Plasari. Dhe vjen e natyrshme me pyetë: Po shoqnia jonë sot a nuk asht e sapo dalë nga nji diktaturë e gjatë që e shfytyroi njeriun? E kjo më shtyu me u thellue jo vetëm në broshurën e Prennushit, po edhe në vetë figurën  shumëplanëshme të tij dhe të veprës së tij, e cila rezulton sa e vlertë aq edhe bashkëkohore. Shkurt, nji figurë që meriton me u rivlerësue dhe me u nderue ashtu si i takon nji rilindasi të madh, nji shkrimtari të njoftun, nji poeti e përkthyesi të letërsisë të periudhës mbas Pavarësisë. Sa aktuale tingllojnë fjalët e Prennushit n’at ligjëratë për Kuvendin e Shqipnisë edhe sot. Mbasi ai e çmonte demokracinë si nji nga format ma të përshtatshme për qeverisjen e popullit, dhe e theksonte se s’ka asgja përmbi vullnetit sovran të popullit, ndaj edhe i paralajmonte parlamentarët e padenjë (të krejt kohnave) se: “Në qoftëse parlamenti kthehet në një palshenik avokatësh, jurnalistash e profesionistash të pa punë, atëherë me nam! Mbasi populli asht ai që i zgjedh deputetët, – e këta e kanë në dorë fatin e popullit, – asht në dorë të popullit që të shkapullohet prej disa demagogësh, tuj lëshue fatin e vet në dorë të të tjerëve, qi të jenë ma të zott!”.
Sa mirë do të qe që n’ambientet e Kuvendit të sotëm, bashkë me portretin e tij, t’ishte dhe kjo thanie e Prennushit, që s’e pranoi zgjidhjen e tij si senator e deputet, duke e kuptue shumë ma përpara se partitë demokristiane perëndimore, se shteti duhet të jetë laik dhe se kleri ka tjetër mision!
Po le të vazhdojmë te reflektimi i Plasarit: “Me ndryshimet e rëndësishme politike të viteve ’90, u vërejt që forcat e reja politike të Shqipërisë nuk ditën ose nuk deshën ta zbatonin ligjësinë simbas të cilës, mbas traumash të rënda poltike,… venat e prera të mendimit politik të një kombi duhen lidhur aty ku u patën prerë!”.

***
Logjika e donte që, mbasi e deshëm si shumicë: “Shqipninë si gjithë Europa”, duhej që mbas ramjes së diktaturës, ta fillonim prej kohës së parapushtimit e të vazhdonim me vlerat morale dhe demokratike që kishim arrijtë me formue si shtet e si komb. Por si duket “dikujt” sërish i intersonte me e fillue gjithshka “nga e para”, njashtu siç kish ba edhe diktatura. E pasojat që ndodhën, po ndodhin e kanë me ndodhë… po i shohim me sy e po i prekim me dorë.
Ama, kur sajdisemi në vizita prej shtetarësh perëndimorë, e sidomos kur vijnë Papë në Shqipni, – gja disi e rrallë në botë, – klasës politike të radhës në fuqi, i bie ndërmend se mujtë me ba “bella figura” para tyne: njena palë, tue emnue ndonji shesh a aeroport dhe, tjetra, tue mbushë shetitore me gjigandografi fasadash… E të nesërmen me harrue, e fill me u shlye krejt ato figura të manifestueme me aq pompë pushteti, ndër ta edhe mjaft klerikë katolikë që kanë punue jo vetëm për fe e për atdhe, po kanë kontribue në mirkuptimin fetar, kanë dhanë kontribute të vyeme për krijimin e artit e të kulturës shqiptare, kanë sakrifikue edhe jetën për liri e demokraci, – e duhet të mbeten pjesë e historisë së kombit… e si të tillë duhen me u njoftë nga brezi i ri, tue fillue nga shkollat.

Po kush ishte e, çfarë përfaqson për kombin shqiptar, jeta, vepra dhe vdekja e Primatit të fesë në Shqipni, Monsignor Vinçenc Prennushi.
Si vdiq Ai, na e tregon shkrimtari Arshi Pipa, bashkëvuejetës në të njajten qelë me Prennushin: “Mbasi e burgosën e torturuen. E detyruen me bajtë trupa të randë druni… e kanë rrahë ma parë me dru, mandej e kanë lidhë për kambësh e për duersh, i kanë kallë mes tyne nji dru me nji çengel në të, mandej e kanë varë drunin në nji gozhdë të madhe në murin e nevojtores të Degës së Sigurimit, tue e lanë aty deri sa i ka ra të fikët”. (A. Pipa, “Burgu”)
Pse vdiq… ose më mirë pse e vranë, këtë e dijmë.
Me vendosjen në Shqipni të “diktaturës ma egër të Lindjes” (Papa Gjon Pali i II) u pa qartë se synimi ishte zhdukja e kulturës perëndimore dhe përfaqsuesit e saj, kulturë e cila tashmë kishte zanë rrajë në Shqipni e po lulëzonte.
Vitin që shkoi ishte 130 vjetori i lindjes së Monsinior Vinçenc Prennushit dhe asgja për t’u shënue nuk pamë në përkujtim të jetës e veprës së tij. Në at muej të përvjetorit të tij, diskutohejme shumë zajrr për fotot e diktatorit në festën e Konferencës e Pezës…!?

Gjergj Fishta, Karl Prennushi, Justin Rrota, Shtjefen Gjeçovi

Gjergj Fishta, Karl Prennushi, Justin Rrota, Shtjefen Gjeçovi

***
Edhe me 19 mars, qe nji përvjetor i vdekjes së tij. Por njerëzit e mëdhej që kanë punue me përvujtni e përkushtim ndaj popullit të vet, kanë vetëm ditlindje, mbasi për ta, flet vepra e jeta e tyne!
Në kufijtë e këtij shkrimi le ta përshkojmë jetën dhe veprën e këtij prelati dhe martiri të fesë dhe të Atdheut.
Në vitin 1911, tre vjet mbas shugurimit të tij si meshtar në Insbruch të Austrisë, Prennushi boton përmbledhjen folklorike “Kangë popullore gegnishte” – ende sot model i kritereve shkencore të mbledhjes së folklorit. Parathania e shkrueme nga vet Prennushi, tregon se sa shumë e çmonte ai rolin e folklorit, sidomos n’at moment historik ku ndodhej vendi e vetë gjuha shqipe, mbas asaj robnie të gjatë të huej. Kjo punë do të përbante edhe vëllimin e parë të veprës monumetale shumëvëllimshe “Visaret e Kombit” të studiuesve françeskanë.
Me 14 mars 1914, pas rrethimit malazez, Át Vinçenci ishte ngarkue me mbajtë fjalën e rastit në Kala të Shkodrës, me rastin e ngritjes së flamurit. Me Prennushin, do të fliste edhe një hoxhë, mik i tij. Fjalimi Prennushit u botue disa herë: “…Ah njimij  herë, po kjoftë bekue ky flamur orë-madh, që me fuqi të vet mrrijti me vllaznue për rreth vedit të gjithë  bijtë e Shqypnis Kreshnike. E din anmiku mirë prej historijet, se shka don me thanë forca shqyptare, kur kjo të jetë e lidhun me njatë besë jetike, që na kje lanë trashigim prej të Parvet…” (Nga fjalimi i mbajtun në Kalanë Rozafat)
Ky fakt edhe lidhja e vargut të dritave, në raste festash fetare e kombëtare të minares së Xhamisë me kumbonaren e Kishës, po edhe krejt jeta e tij, (për gjashtë vjet Guardian dhe tetë vjet Provincial, pra i pari i françeskanve në Shkodër), ka qenë e shenjueme nga dashnia e respekti i ndërsjelltë me popullsinë myslimane të qytetit dhe hierarkinë e tyne fetare). Pjesa muhamedane  e qytetit e quante at Vinçencin “melek”- engjull (Vehbi Bala).
Edhe kur trasferohet në Durrës (1940), gjejmë të njejtin qendrim.
Ja si dëshmon z. Shpëtim Mushketa, në nji relacion që mban në Bashkinë e Durrësit në vitin 1992: “Qytetarët e Durrësit ishin mësuar të shihnin në fundjave, të shetisnin e të bisedonin përzemërsisht së bashku, Popin, Myftinë dhe arqipeshkvin Prennushi në shetitore ose në breg të detit. Babai im, që ndau një pjesë të vuajtjve në burg bashkë me hirsinë e tij, na kishte mësuar që në vegjëli poezitë e Prennushit, që ende i mbaj mend”. (Nuk asht e rastit që vetë zoti Mushketa, i ndodhun në drejtim të seksionit të arsimit të Durrësit, mbas ramjes së diktaturës, i propozoi nji murgeshe benediktine italiane t’i vinte emnin e Vinçenc Prennushit, shkollës 9 vjeçare në Durrës.
Harmonia fetare që egziston ndër ne ka historinë e vet, ka edhe emna e mbiemna, e ajo nuk harrohet, sa njerëzit të jenë gjallë. Mandej? Memorja asht nji vlerë që duhet ushqye edhe me shembuj të së tashmes, por edhe të së shkuemes. Tue mbyllë kët parantezë të cilsive të padër Vinçencit (mbasi “padër” e quente populli edhe kur ai u ba arqipeshkëv), le të ndjekim jetën e veprën e tij.

"Gjeth e lule" - Poezi Vincenc Prennushi

“Gjeth e lule” – Poezi Vincenc Prennushi

***
Janë vitet e para mbas Shpalljes së Pavarësisë.
Në studimin “Vepra atdhetare e françeskanve në Shqypni”, historiani Át Marin Sirdani, mbasi përshkruen gjendjen e pasigurt për vetë egzistencën e Shqipnisë fill mbas Kongresit të Lushnjes, shton se: “Në kët kohë Át Gjergj Fishta e Át Vinçenc Prennushi mbajnë ligjërata publike nëpër gjytete, mbi të drejta të Shqypnís!” Në njenën prej këtyne ligjëratave Prennushi thotë: “Rrethue prej anmiqsh që mezi çpresin nji trazim të përmrendshëm… na kishim me dashtë me çue zanin tonë e me u thanë shqyptarëve, atdhetarëve të vërtetë, që mos t’rrinë ndërdyzash, por të mendojnë se, përmbi çdo vehtje, përmbi çdo parti, na do të ndjejmë detyrën e shenjtë që kemi me mbrojtë interesat e përbashkëta t’atdheut. Kjo asht çashtja e çashtjeve, për kte do të qindrojmë, me njat që diftueme ndër sa rasa tjera edhe ma kritike se kto!”. (Hylli i Dritës)
Po Prennushi mbi të gjitha ishte poet.
Poet i ambëlsisë, poet i qytetit të vet. Ai me ndërgjegje, si antar i Komisisë Letrare, kishte vendosë dhe zgjodhi me shkrue e me komunikue me Gjuhën e Elbasanit, që ishte nji përpjekje e lavdërueshme në kërkim të krijimit të nji koineje të përbashkët letrare.
Krijimtaria e Prennushit shtrihet në të gjithë harkun kohor të Pavarsisë, duke mbrritë kulmin në vitet ’20-’30, me 42 vepra të botueme, me 133 krijime në poezi, prozë, publicistikë, ekleziastike, përkthime, botue në periodikët e kohës. Vëllimi poetik “Gjethe  e lule” (1924), pati tri ribotime radhazi, duke u mirëpritë prej kritikës, e cila ravijëzoi portretin e Prennushit duke e pranvue me Fishtën.
Poezitë e Vinçenc Prennushit me vite të tana, deri në vitin 1944, ishin të pranishme në krejt antologjitë shkollore. Emnin i tij edhe sot, e kanë si zà të gjitha enciklopeditë kryesore italiane. Autoriteti i Prennushit në fushën e kulturës ndjehet edhe për faktin se në vitin 1929, mbreti Zog delegon padër Gjergj Fishtën dhe monsinjor Vinçenc Prennushin me themelue Akademinë Shqiptare. Pavarësisht problemeve dhe rrethanave pse ajo nuk u krijue, ekziston letra që padër Fishta i nis kuries gjenerale për lejen me e drejtue kët akademi së bashku me Prennushin.
“Veprat e Prennushit, janë ba nji mjet i fuqishëm, nëpër të cilin tërhiqen zemrat e kombit” - shkruente Át Shtjefën Gjeçovi.
Emna si Gaetano Petrotta, dr. në letërsi në Palermo, apo At Justin Rota, Ernest Koliqi – në nji antologji në Tiranë, prof. Eqrem Çabej – në librin “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”, i kushtojnë nji vend të veçantë  figurës së Prennushit dhe veprës së tij letrare.
“Vargu poetik i Prennushit ka një aleate  të fuqishme, muzikën e poezisë, – shkruante Konica - Ai vjen prej këngës gregoriane, plot freski e melodi, plot urtësi e patetizëm, çka përbën edhe çelësin e mistikës. Kësisoj Prennushi bëhet edukator në palestrat e qytetërimit, ku tingullin e këngëve e të valleve veriore, e kthen në varg melodioz të një poezie me forcë depertuese”, - përfundon  Faik Konica.
Prof. Dr. Ardian Marashi për balladën “Grueja shqiptare” të Prennushit  shprehet: “Ballada ka një tharm të veçantë. Asht shpirti i veçantë i popullit që ndjehet në vargje, në ritëm e në zgjedhjen e fjalëve. Asht ballada e flamurit, asht poezia e dashunisë, e ambëlsisë dhe e delikatesës: gjithë ajo mirësi që gjendet tek grueja shqiptare, shkrihet tek flamuri. Me këtë gjuhë figurative i trasmetohet gjeneratave të reja një dhunti morale e pavdekshme, që na ka lanë Prennushi…”

***
“Prennushi u shque edhe në fushën e përkthimit. Ai e solli i pari në shqip Danten, pararendësin e humanizmit evropian, përfaqesuesin e klasicizmit francez, Fenelonin, prijsin e romantizmit francez Shatobrianin, si dhe të tjerë përfaqësues të romantiçizmit në Itali, Angli, Gjermani Poloni. Pelico-n, Wiseman-in, Weber-in, Sienkiewicz-in. Përktheu vepra te tilla si “Quo Vadis”, “Fabiola – Kisha nën dhe”, “Burgjet e Mija”, këngë të eposit gjerman të Nibelungëve, etj. “Shqipërimet e tij shënuan ngjarje në bibliografinë dhe në kulturën përkthyese  me  shqipen e tij elegante e të pasur.”, shkruen Prof. Alfred Çapaliku në monografinë e tij kushtue Prennushit.
Profesor Vehbi Bala, autor i studimit “Historia e letërsisë së Pavarsisë”, përmend Nolin, Konicën e Prennushin, si përkthyesit ma të shquem të asaj periudhe. Vlerësimi i naltë si përkthyes ishte në logjikën e kësaj figure poliedrike e poliglote, mbasi ai përktheu nga latinishtja e greqishtja e vjetër, po edhe nga italishtja, gjermanishtja e frëngjishtja.
Prennushi bashkëpunoi e drejtoi për shumë vite “Hyllin e Dritës”, “Zanin e Shna Ndout” e “Lajmtarin e Zemrës së Krishtit”, gjithashtu bashkëpunoi me fletoren “Posta e Shqypnisë”, themelue prej Fishtës së Madh dhe me të përjavshmen politike, shoqnore, ekonomike e letrare “Ora e Maleve”, ku shkruente ajka e intelektuale shqiptare si Luigj Gurakuqi, Lazër Shantoja, Anton Harapi, Hil Mosi, Zef Harapi, Nush Topalli, Kolë Kamsi, Karl Gurakuqi, Ernest Koliqi, Bernardin Palaj, etj.

At Vinçenc Prennushi (1895-1949)

At Vinçenc Prennushi (1885-1949)

***
Vepra poetike e Prennushit asht e pastër, e kulluet, asht e futun thellë në shpirtin e popullit dhe e shoqnoi edhe në kohë e situata të vështira.
Edhe intelektuali Lazër Radi, që kaloi pjesën ma të madhe të jetës në burgje e internime, në kujtimet e tij, tregon se gjatë nji shfaqje të veprës së Prennushit “Grueja shqyptare”, “…në kohën kur u shpalos flamuri, spektatorët kanë shpërthye në brohoritje dhe kanë dalë në rrugë me protestue kundra pushtimit fashist!”.
E kjo ka ndodhë në Tiranë dhe në Shkodër.

Edhe kur qe e vështirë gjendja e hebrejve në Shqipni ai ishte i pranishëm. Studiuesi Shaban Sinani, flet për dokumenta autentike në Arkivin e Shtetit, ku tregohet se famullitari i Tiranës Dom Shtjefën Kurti e Át Pjetër Meshkalla i drejtohen arqipeshkvit të tyne, monsinjor Vinçenc Prennushit ku i kërkohet: “…leje për pagëzimin e hebrejve të ardhur në Tiranë… Sipas tyre ata ishin përgatitur më së miri në mësimin e fesë katolike dhe jepnin shenja të mira për konvertimin fetar. Miratimi është bërë nga imzot Prennushi, autoritet i vetëm i lejimit të sakramentit të Pagëzimit”. Përgjigja pozitive do të vinte menjiherë të nesërmen!
Kisha katolike u ba kështu pjesë e ndërgjegjes dhe e solidaritetit human të popullit, të cilit ajo i shërbente, duke mbrojtë hebrejtë që të shpëtonin e të jetonin jashtë rrezikut.
Në filmin dokumentar të gazetares së njoftun Tefta Radi, me konsulencë historike të Prof. Alfred Çapaliku, thuhet se “pas lufte, Prennushi nuk pajtohet me gjendjen e rëndë të krijuar në vend pas 29 nëntorit 1944, nga regjimi komunist dhe ndëshkimet e pashembullta ndaj fesë, në veçanti asaj katolike…!” Në maj të 1945, mbas përjashtimit të delegatit apostolik, imzot Leone Nigris, Enver Hoxha ftoi imzot Gaspër Thaçin, arqipeshkëv metropolit i Shkodrës dhe primat i kishës shqiptare dhe imzot Vinçenc Prennushin, arqipeshkëv i Durrësit. Ky fakt dëshmohet nga prifti jezuit Giacomo Gardini në librin e tij “10 vjet burg në Shqipni”. Hoxha kërkoi prej tyre ndarjen nga Vatikani, krijimin e nji kishe kombëtare dhe pranimin  pa kushte të regjimit të ri. “Si këmbim premtohej një qëndrim i paqësor dhe ndihmë materiale për mbajtjen e institucioneve fetare. Të dy prelatët e refuzuen me guxim imponimin e politikës komuniste ndaj fese. Ata e quejtën të pamundun një hap të tillë…!”.
Prennushi prangat i priti qetësisht. Në kërcitjen e tyne jehonte tashma edhe profecia e tretë e stigmatines Tereza Neumann.
Me 24 dhjetor 1947, gjykata ushtarake e Durrësit e dënoi me 20 vjet burg me punë të detyrueme. E çfarë burgu ishte ai!
Në burgun e Durrësit, imzot Prennushit i qëlloi të ishte së bashku, në nji dhomë të vogël, mes tjerëve edhe me intelektualin Arshi Pipa dhe hoxhën e Durrësit, Mustafa Varoshi. Pak ditë më vonë, sipas kujtimeve të Pipës, i vendosën në nji dhomë të veçueme prej tjerave në nji skaj të oborrit:  “…kishte mure të trasha, me tavanin në trajtë kubeje,  vetëm  me një  dritare të vogël.  Ishte ‘dhoma nr. 8′, ku vendoseshin zakonisht ‘me të rrezikshmit’. Ishin  ngushtë, rreth 30 vetë në nji hapsinë më pak se tridhetë metra katrore” (nga Burgu).
“Kush e shikon ashtu varun, nuk mund ta besojë se ka para vedit një prej prelatëve të naltë të Kishës Katolike Shqiptare, një prej shkrimtarëve e rrallë të Rilindjes, ende gjallë, një burrë që ia kushtoi gjithë jetën popullit të vet; një françeskan, që rri aty, vetëm pse ndjek besnikisht Krishtin e jo diktatorin, i cili do të dëshironte ta dëbonte Zotin nga froni e të ulej vetë në vend të tij…”, shkruen ndër tjera padër Daniel Gjecaj, duke portretizue françeskanin Prennushi.
Kur mori vesh vdekjen e Prennushit, poeti Lasgush Poradeci tha: “E vramë poetin. E vramë me heshtjen tonë!”.

***
Nji mik i nipit të Padër Vinçencit, Robertit i kish rrëfye në bisedë e siper se: “Kam provue me ba nji sondazh në shkollën time e, për fat të keq, jo vetëm studentët, por edhe mësuesit që kanë mbarue shkollën në këto dhjetë vitet e fundit nuk dijnë asgja për kët figurë madhore, ose thjesht dinin veç për emnin dhe faktin që ka qenë klerik i persekutuem!!!”
Tash lind pyetja: Kujt i intereson kjo heshtje dhe mosnjohje?! dhe sa fallse duket krejt ajo gjigandografi, e cila mbas tri ditëve u arkivue dhe u harrue. Në vend që ministrat dhe institucionet përkatse shtetnore të organizojnë kumtesa e mbramje përkujtimore për figura të këtyne përmasave – veç heshtin!?!
Kjo asht heshtje që po i rivret të vramët!! – e ndër tjerë edhe At Viçenc Prennushin!
E qëllimshme?! Sigurisht!
Të gjithë besoj se e kanë pa sa kohë “qëndroi përdhé statuja e Nanë Terezës për meremetim”… o si erdhën: “deng pa markë”, mbi nji karro, eshtnat e Dom Nikoll Kaçorrit… e plot skena të kësaj natyre
Vërtet, diktaturën tashma e kena lanë mbas, po duket se prej saj dhe metastazave që zgjaten pafundësisht, do të mbetemi pemë pa rranjë, o pemë me rrajë të cekta, që rrezikojmë gjithnji të thahemi, o të rrëzohemi edhe prej ndonji ere sado e lehtë të jetë ajo!!

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook