back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Nji martesë e vizatueme si poezi… nga Jozef Radi – Lidias…

Gazeta

Ferrara di Montebaldo
Ferrara di Montebaldo

Nji martesë e vizatueme si poezi…

nga Jozef Radi

kushtuar Lidias…

Ferrara di Monte Baldo asht nji katund krejt i vogël, vendosë diku ndër shpatet e malit me të njajtin emën: Ai aq shumë i ngjan nji furriku ku jeta ka lshue vezët n’at thjeshtësinë e vet sublime; ku malet hijeranda sikur i mbajnë ndër majgishtash shtëpitë e pakta t’spërkatuna me stërkala ujnash e gjelbërim pyjesh, që diku e diku shfaqen e diku diku mshehen… sikur kërkojnë me luejtë me ty, dhe ti sa hap e mbyll sytë, del prej nji andrre dhe e gjen vedin kambësor të ksaj magjie natyre, të ktij vendi të qetësisë ma të thellë e të heshtjes ma solemne…
Bash ky vend ishte përzgjedhë prej Lidias, mbesës sime, profesoreshë e katedres së letërsisë frënge në Universitetin e Richmondit në Virxhinia… me celebrue martesën e saj me Anthonyn…

Lidia and Anthony - 29 korrik 2013
Lidia and Anthony – 29 korrik 2013

Ferrara di Monte Baldo!
Nji vend i msheftë, i paqmë, i freskët, i blertë, solemn majmalesh, ku ma i pari që t’pret asht prroni me njat kangë të përjetshme të thyemjes ndër gurë, e ta ban kët vend idilik dhe joshës, aq kuptimplotë për vendime të randsishme jete… siç asht ai i angazhimit martesor ndër kohna të sodit…
Në kët oaz qetësie mbrritëm natën… mbasi lamë mbas lakadredha t’shumta dhe u zhbiruem mes nji tuneli të errët të krijuem prej pemësh shekullore… Domethanë në t’ardhun s’pashë asgja!
Ne nesrme, pa zbardhë drita m’u desht me dalë e me i dhanë njifarë kuptim atij vendi të panjoftun ku kishim ra, dhe njasaj feste që na kishte ngjitë naltësive të maleve, ku Kisha e Shën Katerinës majkodre do t’ishte mikpritsja e t’gjithve ne, të mbrritun prej gjithkund, e ba bashkë n’at ceremoni martese…
Dola herët n’rrugë, ende pa feksë drita…
N’kësi vendesh që jetojnë n’prehën malesh, drita zbret prej naltësisë së majave si frymë e ty të duhet me e ndjekë njat fashë vezulluese që lshohet pa u ndje si shpend prej thepash derisa t’i prek edhe sytë e tu, e doradorë t’ofron shpesh panorama frymndalse, sa ti mbetesh i gozhduem fjale para tyne… dhe gjen diku nji qoshe a nji stom e ulesh me e shijue qetsisht e i patrazuem prej ndokujt njat shfaqje të pandodhun kurrë ppa u ndjer ty… Shef krejt botën dhe vedin, ndjek natyrën dhe shpirtin, prek dritën dhe ndjenjat… e jeton pezull njat festë t’pabujë: zbardhjen e ditës së re… Kohpa u ndje kur ajo ende s’e ka nisë ritmin; kur gjithçka rreth teje asht njashtu e përgjumun, sypalame, pezull, e papërlyeme me vrull të jetës, midis asaj heshtjeje aq të thellë sa vedi të duket i pabesueshëm se ti ndodhesh njaty…
Jam i ulun o ndoshta i dehun ahu mbi nji stol dryni…
Ndjehem fatlum si ma vetmitari spektator i dritës, si ma i vetmi padron i nji spektakli natyre…

Manastir ne Ferrara di Montebaldo
Manastir ne Ferrara di Montebaldo

S’nevojitet asgja! As entusiazëm, as duartrokitje, as binokol, as kamer, asgja prej gjaje… Duhet veç me qenë i mprehun mirë shqisash… me ndigjue, me kqyr, me ndje e me persiatë njiherit rreth gjithçkaje… prej zukatjes ma të imtë të do insekteve picrrakë, prej cicërimës së zogjve që ende ruejnë diçka dashnie ndër kangë; prej gugatjes e rrahjes së flatrave të ndonji kumrie; prej kangës së ndoj gjeli që ndihet si sfumaturë n’largësi të pafundme; deri te kumbonat e ndonji deleje a dhie që mbasi i ka lëshue do tinguj mehet për pak e mandej me rinis. Ti i flet njatij flladi që lehtas e pothuej pandijshëm lshon ndër hala pishash e gjethe lisash nji fërfërimë delikate e t’ambël sa s’ka violinë Stradivariusi me mujtë me e imitue… e n’delikatesë e lehtësi t’natyrshme futet e mbetet mbrenda teje… E gjitha kjo m’ka pushtue pa u ndje, ndoshta me u përcjellë në harresë, ndoshta me shkue e pavumere prej askujt, po unë jam ndalë dhe kam mbetë aty… me ja grabitë natyrës dhe me jua dhurue kujtdo që mundet me e ba t’vetën…
Pse je veç ti e kërkush tjetër rrotull… sikur m’bahet nji za!
Ndoshta unë vetë jam shndrrues n’nji statujë druni dalë prej pemëve,  o n’nji statujë guri dalun shkambinjsh, o ndoj fiskajë uji e flatrueme prej prronit, o ndoj melodi e piklueme prej gushës së ndoj zogu… Unë jam njaty, n’at vetmi magjike që s’ka nevojë për konfirmim… Jam njaty… e kaq asht e mjaftë…
Diku ma tej m’grish melodia e prronit që lshohet ndër gurë e ndër shkallë; më duket sikur ai e ka çà me aq mundim njat grykë të përbindshme mali… veç me i dhurue ndonji krijese të përhumbun (si puna jeme), simfoninë magjike të ditës dhe dritës… dhe unë çapohem i qetë me nji shkop të hollë n’dorë e nji fishkëllimë t’lehtë n’buzë, pse ndjehem dirigjent i krejt njasaj bote jashtë bote, i krejt njasaj kohe jashtë kohe, i krejt njatij vendi të pavend… ndjehem nji Adam që ndërdyshet thellë n’se duhet shkulë a jo ajo shejtan brinjë që mund me e ndryshue sërish kuptimin e botës… Dhe eci i harruem n’mëmërimë të prronit, dhe ndjehem violinë e parë e nji orkestre të padukshme, që doradorës vjen tuj u plotsue e shkrihet n’harmoni me hapat që hupen ndër ato shtigje malesh të pashkeluna… E gjitha kjo asht diçka që të ndjell, të fton, të cyt, të thrret, të josh, të deh, të tundon derisa ti t’zbresish njaty midis gursh të randë ku kanga e stërkalave tashma asht e plotë, e krejt veglat muzikore t’asaj rrjedhe vrulli janë diçka e vetme… nji simfoni bethoveniane, ku shfaqja solemne e dritës ndër ujna të denduna që rrjedhin, që shfryjnë, që derdhen e gurgullojnë gjithkah të krijon idenë sikur prej nalt po zbret nji shenjtor i argjandtë, i cili mbasi ka folë me yj e me hyj, lshue mbi krahët e dritës, asht njaty para teje me krejt kumtet e Qiejve, për krejt njata që u ka mbetë veç pak nga vetja…

E ndërkohë, që ti je harrue mes dritës dhe ujnave, jeta ka hecë për hesap të vet dhe drita asht ba pothuej e plotë… dhe ndihen gjithkah britma kafshësh e njerzish dhe ndonji makinë e rrallë tuj zhurmue njatyne grykave e prish at harmoni ku natyra jeton në paqe me vedin dhe ku njeriu edhe pse rreket me e çue në paqe me natyrën s’mundet… Befas ndjehet e palluna e nji gomari që e ban krejt luginën me jehue e me ja shumfishue gjamën asaj kafshe të nënshtrueme pune, që ndër nota baritoni beson se asht zot i asaj bote që kërkon me u çpërgjumë e me u rropatë si përhera…
Tash dita zdryp shpejt si dhi prej malesh, ndërsa ti e ndjek paundje at rreth drite që ta  derdh ndër sy njat parajsë të hjedhun pakujdes midis malesh, dhe ta kujton ty o njeri i qytetit dhe i metropolit, o i nënshtruem i zhurmave dhe dritave vezulluese, o skllav i ditës pakufi… se ke harrue se n’botë ekziston edhe diçka e tillë e paqme dhe e dlirë…

Ferrara di Montebaldo
Ferrara di Montebaldo

***
Pikërisht kët vend të prrallshëm e jashtë kohe, e kish pikasë mbesa ime Lidia, në celebrim të martesës së vet… mbas vitesh të gjata studimi, mbas sakrificash të pafundme e përkushtimesh të pamata, mbas gërmimesh e hulumtimesh të palodhuna, që tashma e kanë ngjitë në nji naltësi karriere t’admirueshme…
Me nji kujdes të veçantë ajo e ka përzgjedhë bash kët vend: midis malit, prronit, midis shkambit dhe pyllit, midis dritës dhe paqes si diçka primordiale, si nji thirrje e mbetun diku thellësive të gjakut të saj, si nji rrmim në inkonsh të genit, si nji rikthim ndër rranjë t’lashta, sikur ka dashtë me lanë nji dëshmi, se elementet simbolikë përfaqsojnë diçka të qensishme të karakterit e t’origjinës së saj…
Gjithnji e kam ndje Lidian si nji vajzë vullnetesh të epërme… nji krijesë kambngulse që s’rreshtet së projektuemi në t’arthme… përfaqsuese e denjë e nji fisi që ka udhëtue gjatë ndër kohna, ndër vende e ndër histori me nji shpirt të pashembullt mbijetese… nji hallkë e jetës njerzore  shpesh e reduktueme deri n’kufijtë e rrënimit të plotë, po njiherit asht ngjitë deri n’kufijtë e legjendës së ringjalljes… njerëz që duket sikur janë kah prekin fundin, po në t’vërtetë janë në t’përpjetën e ngjitjes… njerëz që s’u dorzohen lehtë as fatit e as rrethanave… Njerëz prej atyne që thotë latini: “frangar non flectar!”
Asht kjo nji vazhdimësi që e ndjek prej ma shumë se tre shekujsh fisin e saj, e që ndoshta pa e dijtë e ka prue edhe atë këtyne anve…
E Lidia asht nji prej vajzave të fisit Radi, këtij fisi me pak legjendë mbi shpinë, e me nji forcë të jashtzakonshme me dëshmueme kulturë, emancipim, dashni, vullnet e histori shqiptare… Plot burra e gra, djem e vajza, nipa e mbesa që s’kqyrin kurrë se ç’ka po ban ndonji vend për ta, po ç’ka ata mund t’i japin per ato vendeve ku i përplas jeta… nji fis me legjendë mbijetese të heshtun… po edhe me nji mision gjithnji të pakryem… Ndaj isha i bindun se pikërisht nji personazh si Lidia, vlen me u nënvizue… me u përmendë si n’ato t’vërtetat orale të ruejtun ndër breza këtu e treqind vite të shkueme n’mbijetesë të këtij fisi jo t’paemën…

Santa Caterina ne Ferrara di Montebaldo
Santa Caterina ne Ferrara di Montebaldo

Pjesa tjetër e ditës mandej asht gëzim dhe festë… festë e nji martese të hijshme e të ndjeme, rrethue gjithkah me mjaft dashni e respekt, njaty midis malesh të panjoftuna dhe atij fresku miqsor, në nji kontekst njerzish që shtegtojnë e përshtaten, në nji vere që kushedi s’ka me përsritë ma… si aty në Ferrara di Monte Baldo…
29 korrik 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.