Nji frymë të re opozite, për mosvenitjen e shpresës refleksion nga Jozef Radi

Jozef Radi 2015

Jozef Radi 2015

Nji frymë të re opozite, për mosvenitjen e shpresës

refleksion nga Jozef Radi

(nga cikli “Nyja gordiane e zgjidhjeve shqiptare!”)

Nji nga pyetjet më trazuese dhe më të vështira, që e mban peng krejt shoqërinë shqiptare dhe nji nga dilemat më të mëdha ku ajo ndjehet e ngërçosur keqas e turfullon pa gjetur ndonjë rrugdalje është kjo: “A mund të largohet nga skena krejt një politikë e cila në mënyrë konstante dhe cinike s’ka arritur të prodhojë as stabilitet ekonomik, as drejtësi ligjore, as kohezion social, as ekuilibre të brendshme, as largpamësi dipllomatike, as ta ndalë ikjen e dëshpëruar të qytetarëve, as prespektivë gjeneratave që vijnë dhe as hapësirë ndaj ideve të reja…
Sot, nji shumicë që rritet progresivisht pyet: A është e mundur që nëpërmjet mekanizmave të votës së lirë, nëpërmjet manifestimit të revoltës sociale, nëpërmjet ekspozimit të programeve politike, dhe shfaqjes së figurave të reja pa ndonjë lidhje me klanet e politikës të djeshme e të sotme, ta ndryshojë kjo status quo, e të mbrrihet te beteja dinjitoze në nji tjetër aulë parlamentare, ku të mund të shfronëzohen ose më mirë të mund të largohen nga skena politike krejt ata individë që përbëjnë pilastrat e këtij pushteti jo vetëm të vjetëruar e të korruptuar politikisht, po edhe me krejt reminishencat dëshpëruese postkomuniste të nji të shkuare jo fort të largët, që po rrezikon përsëritjen e një tragjedie jo të largët, e ku ende janë të shumtë ata që e pësuan prej saj, dhe të luftohet për t’i hapur rrugë nji fryme të re gjithpërfshirëse në krejt jetën politike, ekonomike dhe shoqërore shqiptare?!?!?
Sigurisht, në tehun e nji gjykimi të drejtpërdrejt e realist të gjendjes në të cilën ndodhen gjërat, përgjigja e parë do të qe: Jo! Kjo s’është mundur…!

Pushtet dhe Opozite

Pushtet dhe Opozite

Por, duke e u ndalur dhe duke e parë me qetësi dhe gjakftohtësi gjithçka, duke i vështruar dhe gjykuar nga shumë pamje krejt faktorët dhe shkaktarët e kësaj krizë që përthellohet përditë, e të shtosh se prej kohësh shetit në shumë media kërcënimi publik i Pushtetit, me shprehjen: “S’keni parë gjë akoma!!”, e gjitha kjo të lejon jo vetëm të mendosh e të besosh, por edhe të këmbëngulësh se përballë nji të keqeje që sa vjen e ntrashet kërkohet me deomos nji solidaritet i gjerë shoqëror, i shumë prej shtresave të kërcënuara, nji soliditet historik i forcave shpesh inaktive dhe nji bashkim sa më i madh e më i gjerë i energjive, ideve, idealizmit dhe figurave…
Politika e sotme shqiptare, në pikpamjen teknike është e blinduar. Pra, raportet e politikës me pushtetin, me drejtësinë dhe financat janë solide dhe s’ka asnji probabilitet t’u merret pushteti tri forcave themeltare të politike që tashmë alternohen simbas nji klisheje perfekte. Të tria partitë e mëdha sot nuk përfaqësojnë realisht as linja të majta, as të djathta dhe as interesa shtresash shoqërore po thjesht grupe të vogla të fuqishme interesash të mëdha.
Në statusin e sotëm të pluralizmit politik, ku partitë e miratuara afrohen diku te 80 të tilla, tri partitë e mëdha politike përfaqsojnë edhe pushtetin edhe opozitën… kurse krejt të tjerat, simbas ofertës herë ngysen opozitare e herë gdhihen pushtetuese, në vartësi të gotës së birrës që u ofrohet nga Pushteti… Partia e Qendrës, (po e quajmë të tillë, nisur nga spostimet e herpasheshme të saj sa majtas djathtas sallës së parlamentit) kalon me lehtësi marramendëse sa nga njeri grupim i madh tek tjetri duke u shfaqur praktikisht më e fuqishmja në konsensus, mjaft që në fund të çdo sezoni të kënaqet dukshëm humori i kryetarit, fati i të cilit është të jetë pushtetar i përjetshëm! Kjo përbën thelbin i asaj çka mendoj se alternativat për ndryshime thelbësore në politikën shqiptare janë pothuajse zero, dhe ndryshimi i kësaj gjendje bëhet pothuaj i pamundur! E megjithatë le të arsyetojmë pak më konkretisht:
Kemi tri parti të mëdha: partitë A; B dhe C … dhe se krejt pushteti i sotëm varet nga raporti “i paqmë o konfliktual” mes tyre: pra nëse A+B = përbëjnë Pushtetin, C është detyrimisht Opozita; dhe nëse C+B = realizojnë aleancë mes tyre Pushteti u takon atyre dhe A kthehet në Opozitë. Kjo parti politike e quajtur B, gëzon atributin e të qenit përjetsisht e pushtetshme me tendenca zgjerimi dhe rritje konsensusi, pikërisht si parti pushteti; po njiherësh ajo nuk e lejon as Pushtetin të rinovohet dhe as Opozitën të përtërihet e të bëhet Opozitë e vërtetë dhe reale!… Kështu që formatimi i kësaj skeme sot, e ka kompromentuar krejt klasën politike, dhe i ka bërë këto tri parti në sytë e nji shumice shqiptarësh po edhe ndërkombëtarësh, të jenë të pacënueshme dhe të paafta për reforma: dhe kur bëhet fjalë për çeshtje interesash të mëdha, të tria ato janë pothuaj bashkë, përjashto aferat kur cënojnë apo përplasen për interesat e tyre me njera tjetrën.

Beteja deri ne vote te fundit (Bujar Kapexhiu)

Beteja deri ne vote te fundit (Bujar Kapexhiu)

Përsa u përket  80 partizave të tjera, ato më shumë u ngjajnë letrave shumngjyrëshe të festave dhe shfaqen çdo katër vjet thjesht si garnitura të fiktivitetit pluralist, vetëm për t’ju dhënë hisen e bukës dhe ndonjë privilegj shterp ca kryetarëve mediokër, të cilët siç ka treguar shpesh edhe thesi i farsave zgjedhore, s’i ka votuar as familja e tyre!
Përballë nji situate të tillë të tendosur, një krize të tillë morale të prekshme, dhe nji rrënimi ekonomik ku po zhytet shoqëria shqiptare, ajo çka kërkohet sot me urgjencë, mbas 25 vitesh postdiktaturë (që ndokujt i pëlqen ta quajë edhe demokraci), është ringritja sa më e shpejtë e nji opozite shpresëdhënëse, pra e nji force të re politike që po e quajmë, Partia D me program të qartë dhe specifik, me figura të provuara dhe të besueshme, ku krahas tjerave të ketë edhe misionin e madh t’i shtyjë edhe tri partitë (tashma të traditës) të përfshihen në një frymë përtëritëse (mjaft më me slloganet e dalaboje), mbasi të tria këto parti, janë aq të paragjykuara në opinion sa shpesh ekziston bindja se funksionojnë sëbashku, dhe se në nji formë a në nji tjetër, ato bashkarisht përfaqësojnë pushtetin, vetëm pushtetin dhe interesa të lidhura ngushtësisht me pushtetin.
Pyetja shtrohet përsëri: A mundet të ndodhë kjo…?! Dhe përsëri përgjigja mbetet: E vështirë…!! E megjithatë, asgjë nuk është e pamundur! Edhe pse shanset në horizont mbeten tejet të vakta e dëshpëruese… duhet thënë gjithnjë shpresa vdes e fundit!
Sepse e vërteta është, se sot nuk ndjehet në qarkullim nji shoqëri civile aktive, nuk ka askund frymë idealiste, asnji përbashkim forcash dhe energjish, asnji mbështetje reale financiare, asnji ballafaqim figurash dhe ideshë dhe asnji debat apo selektim alternativash prespektive. Edhe pse si numër, 80 partitë e listave e e plotësojnë për mrekulli krejt puzzllen e pluralizmit, asnjë prej tyre nuk përfaqson sot ndonjë frymë të re, ndonjë figurë nyjëtuese, apo frymë përbashkuese që të mund t’i tërhiqë turmat që mërmërisin ndër dhëmbë, e flasin me vete…
Mbas 25 vitesh pluralizëm, duhet të ishte pak më e lehtë një gjë e tillë, e ca më rrebele fryma e organizimit dhe e protestës, por derisa një gjë e tillë sot nuk është, kërkohet me ngut të shfaqet nji frymë e tillë, sepse duhet edhe koha për maturim, për të qenë bindëse e për t’u shfaqur si forcë serioze e prespektivës që ta tërheqë elektoratin drejt kutive të votimit, dhe jo turmat drejt shkatërrimit… që të besojë secili mbështetës i kësaj Force të re, që në zgjedhjet më të afërta, Ajo do të jetë pretenduese, dhe do t’u prijë përplasjeve serioze dhe betejave parlamentare tashmë të harruara, një opozite kryeneçe që as mashtrohet as manipulohet lehtë, me një program gjithnji e më konvergues drejt prespektivës së pushtetit.
Çdo forcë e re politike, çdo projekt i ri politik synon me të drejtë pushtetin, dhe sendërtimin e një projekti të paraqitur para elektoratit dhe të mbështetur prej tij, por para së gjithash ksaj force i kërkohet ta emancipojë arrogancën e pushtetit dhe klaneve të tij, të bëjë sa kundërshtarin leal aq edhe opozitën rrebele, të nxisë luftën antikorrupsion dhe ndëshkimin e abuzimeve me pushtetin, të nxisë tendencat përbashkuese ndërshqiptare dhe marrjen fund njiherë e mirë të reminishencave të së shkuarës, ta mbajë gjallë frymën mospajtuese me të keqen, shkaktuar prej kësaj politike postkomuniste e postdiktatoriale, e cila praktikisht i ka zvetnuar prespektivat dhe shpresat këtij vendi, dhe që sot e gjithë ditën e ka bërë braktisjen e qytetarëve, të vetmen alternativë shpëtimi të tyre…!

Lamtumira... (Bujar Kapexhiu)

Lamtumira… (Bujar Kapexhiu)

Dhjetor 2015
(Pjesa e parë e tri refleksioneve mbi temën “Nyja gordiane e zgjidhjeve shqiptare!”)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Artikuj, Gazeta, Hapësirë Debati  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook