Nji dorë që s’i shërbeu ma askujt… nga Jozef Radi

Dr. Frederik Shiroka 1955

Dr. Federik Shiroka 1955

Nji dorë që s’i shërbeu ma askujt…

nga Jozef Radi

Ngjarje e rrëfyer…

Simon Shestani ishte nji mekanik i pashoq motorrash, nji njeri punës dhe sakrificash të panumërta dhe i nji urtësie proverbiale. Rrallë më kishte ndodhë që gjatë jetës ta gjeje krejt të lirë e të uleshe e të flisje me të si atë ditë marsi të vitit 1991. Ishte nji ditë e rrallë, po ma e rrallë ishte ngjarja që nisi të më tregonte, në kufijtë e së pabesueshmes. Por që pikërisht për këtë u ula dhe e shkrova menjiherë, që të mos humbja asnji detaj të saj…
Aty nga fundi i viteve ’50, ai vetë si mekanin i makinave të randa, kishte ardhë në Tiranë me ba nji ndërhymje në veshka, tek mjeku dhe kirurgu ma i njoftun i asaj kohe,  me të cilin kishin edhe njoftje familjare i famshmi shkodran, Dr. Shiroka. N’ato vite, në Tiranë kishte ardhë dhe shërbente si kirurg nji rus, nji “mjek” i quejtun Maksim Petroviç, cili para lufte kishte krye detyrën e veterinerit të lopëve, por që gjatë periudhës së luftës, për shkak të vështirësive dhe rrethanave të vështira që kishte krijue lufta dhe mungesa  mjeksore, kishte marrë përsipër me shërbye edhe si kirurg…
Disa vjet mbas lufte, Maksim Petroviç, erdhe dhe u vendos në Shqipëri, tashma si specialist i kirurgjisë, po që në të vërtetë nuk ishte asgja ma shumë se nji kasap. Bashkë me të shoqen, ata kishin marrë nji apartament në Tiranë, ku të dy shpërbleheshin me rroga të majme,  kishin në dispozicion nji veturë luksoze, dhe autoritet të mjaftueshëm diktues në krejt rrethin e mjekëve të asaj kohe. Ndërkohë që Doktor Shiroka, ose kirurgu “me nam” si thonë shkodranët, kishte një biçikletë të vetme, dhe shumë fëmijë.
Por ngjarja që i vuri vulën kirurgjisë së shokut Maksim Petroviç, ishte tragjike!
Në nji repart ushtarak të Tiranës, gjatë kohës së shërbimit, nji ushtari i shkrep pushka nga pakujdesia dhe plumbi i shpoi tejpërtej dorën e djathtë… Gjatë shërbimit të urgjencës doktor Shiroka nuk konstatoi asgja alarmante e të jashtëzakonshme dhe menjiherë u morën masa për ndërhymjen kirurgjikale dhe gjithçka po të shkonte drejt normalizimit… E ndërsa konsulta miratoi ndërhymjen që do të bante Doktor Shiroka, befas në sallën e operacionit u shfaq doktor Petroviçi, i cili me at kapadaillëkun dhe arrogancën e tij, e hodhi poshtë propozimin e Shirokës, duke thanë se gjendja e ushtarit asht shumë e randueme dhe se ndërhymja do ta bahej prej atij dhe askujt tjetër.
Doktor Shiroka, ashtu i sjellshëm dhe i edukuar siç ishte karakteristikë e tij, u përpoq ta sqaronte, por shpejt e pa se me arrogancën e veterinerit rus ishte e kotë me u marrë.
Petroviç ndërkohë me pompozitet deklaroi se dora e ushtarit tashma kishte fillue me u gangrenizue dhe se ajo kërkonte nji ndërhymje drastike. Dhe pa e zgjatë shumë, ashtu nisi të veprojë. Fjala e tij qe ligj, kështu që shqetësimi, shpjegimi dhe kundërshtimi i doktor Shirokës ra në veshë të shurdhët. Kasapi rus, mori sharrën dhe ia preu dorën ushtarit të gjorë deri në afërsi të bërrylit, duke e bërë kështu at djalosh tetëmbëdhjetë vjeçar, ulok të përjetshëm…

Lazer Radi e Simon Shestani - Saver 1989

Lazer Radi e Simon Shestani – Saver 1989

Po e keqja nuk mbaroi me kaq.
Mbas rreth nji muaji e gjysëm, kur djali me dorën e cungueme kishte kalue nga spitali në repart, u mblodhën disa reparte të garnizonit ku shërbente ai ushtar i shkretë dhe nga spitali ai e gjeti veten para nji gjyqi ushtarak: I akuzuar për “Plagosje me dashje, me synim braktisjen e shërbimit ushtarak dhe dezertim!”. Gjithçka qe përgatitur me diabolizëm deri në detaje. Trupit gjykues si provë iu vu përpara ena me formalinë me dorën e humbn të ushtarit mbrenda. Krahas dëshmitarëve të randomtë e krejt të shpikun ndriste deklarata e doktor Petroviçit, ku ndër të tjera ai u shpreh jo pa tone entuziaste se: “Kjo dorë që duhej ta mbronte atdheun, që duhej të kishte asgjësuar kushedi sa armiq të komunizmit, kjo dorë që do t’i kishte bërë shërbime pafund kauzës së madhe, sot asht  kthye në nji relike, si dëshmi e armiqësisë së këtij ushtari ndaj partisë dhe Atdheut!”
Aty u kuptua se ajo dorë qe prerë për t’u bërë shembull përpara asaj pafundësie ushtarësh të rinj, dhe doktor Maksim Petroviç kishte kontribuar fuqishëm me atë shembull ndëshkimi të nji ushtari fatkeq.
Djaloshi u dënua me tetëmbëdhjetë vite burg, dhe dënim suplementar, që mbas burgut të kthehej aty ku qe dënue të kryente edhe me dorën e edhe me rininë e humbun, ditët e pakryera të shërbimit ushtarak…
(Rrëfimi i Simon Shestanit, 23 mars 1991 -
marrë nga ditari i “Ditët dhe netët e ikjes nga terri!” i Jozef Radit)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Artikuj, Gazeta  Etiketat: , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook