back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Nji deklaratë (Paloka)… nji reagim (Deliallisi)… dhe nji opinion (Cika)

Gazeta

Partia Demokratike e Shqiperise
Partia Demokratike e Shqiperise

PD: Koço Kokëdhima, zyrtarisht “Beu i Jugut”

Pas vendimit të djeshëm të Partisë Socialiste mbi krijimin e rajonit të Jugut dhe drejtimin e tij nga Koço Kokëdhima ka reaguar edhe Partia Demokratike.
Në një deklaratë për mediat, kreu i Grupit Parlamentar, Edi Paloka, tha se kryeministri Rama tashmë ka pranuar de jure Koço Kokëdhimëm si padron të Jugut të Shqipërisë.
Sipas Palokës, Kokëdhima kontrollon dhe firmos mbi çdo tender që bëhet në Jug të Shqipërisë, qoftë në nivel lokal qoftë edhe më gjerë.
“Edi Rama e pranoi zyrtarisht dhe publikisht se “Beu i Jugut” është Koço Kokëdhima.
De facto, Kokëdhima ka qene deri me sot kryeministri i të gjithë aksit Lushnje-Fier-Vlorë-Sarandë. Ai vendos për gjithçka, për çdo tender, privatizim, e punësim. Por dje ai eshte shpallur edhe “de jure” nga Edi Rama si padron i Jugut. Dje nën justifikimin e një organizimi të ri të PS, Kokëdhimës i është shtuar nën zotërim edhe qarku i Gjirokastrës.
Me këtë akt, Edi Rama pranoi se modeli i tij për rajonin e Jugut është Koço Kokëdhima, pra është; përvetësimi i pasurisë publike, i bregdetit, zhvatja e pronave, ndërtimi i paligjshëm i kështjellave buzë Jonit, mbjellja e hashashit, kapja dhe trafikimi i çdo vendi pune, afrimi në stafin e ngushtë të pedofilëve që këmbejnë vende pune me favore seksuale, promovimi i personave me precedentë të tmerrshëm kriminalë si kryetari i Qarkut Vlorë, si dhe shkelja e Kushtetutës në te pakten 150 raste të përfitimit të fondeve publike duke qënë deputet.
Në të vërtetë Koco Kokëdhima nuk përfaqëson asnjë qytetar dhe asnjë socialist të ndershëm të jugut dhe të gjithë Shqipërisë.
Ai është përfaqësues i oligarkisë që ka kapur pushtetin dhe e ushtron atë çdo ditë e çdo orë për interesat e veta financiare.
Modeli i Ramës për Jugun është modeli i ideatorit të legalizimit të drogës dhe rrëmbimit të çdo prone.
Janë me dhjetra ankesat e denoncimet e përditshme të qytetarëve për Koço Kokëdhimën.
Janë me mijëra ankesat e denoncimet të vetë socialistëve të tradhëtuar nga deputeti i tyre dhe nga mënyra se si e ushtron ai pushtetin.
E megjithatë, Edi Rama e shpalli me ceremoni dhe e kurorëzoi Koçon si “Beun e Jugut” duke e legjitimuar pushtetin e tij të paligjshëm, duke sjellë në krye modelin më të keq të abuzimit e përfitimit me pushtetin.
Por Partia Demokratike, ne besojme se qytetarët e Jugut dhe te gjithe vendit do të dinë ta refuzojnë shtypjen e poshtërimin që u bën çdo ditë Edi Rama si kryeministër i vendit”, tha Paloka në fjalën e tij.
Marre nga http://www.albeu.com

Dr. Shefqet Deliallisi
Dr. Shefqet Deliallisi

Çfarë ka PD-ja me bejlerët ?!

nga Shefqet Deliallisi

Çfarë keni me bejlerët!
Ata kanë bërë Shqipërinë.
Opozita, Partia Demokratike, doli dje në një deklaratë për shtyp. Deklarata: “Kokëdhima, modeli qeveritar i zhvatjes së pronave, shpallet nga Rama “Beu i Jugut”!
Bejlerët simbol i së keqes!
Kushdo ka jetuar kohën e diktaturës komuniste e kujton mjaft mirë famëkeqen “biografi” sipas së cilës “i mirë” konsiderohej ai në biografinë e të cilit shkruhej: “Rrjedh nga një familje e varfër që mezi siguronte bukën e gojës… rrjedh nga një familje fshatar i varfër pa tokë… ndërsa “armik” ai në biografinë e të cilit shkruhej: “rrjedh nga një familje bejlerësh, që ka shtypur e shfrytëzuar popullin…!”, “rrjedh nga një familje pasanikësh apo tregtarësh që kanë pirë gjakun e popullit…!”, “rrjedh nga një familje fshatar i pasur, kulak!”.
Nuk di nëse ka ndonjë shqiptar që Frashërllinjtë (Naimi, Samiu, Abdyli, Mit’hati) nuk i njeh si bejlerë. Ismail bej Vlorën, si themelues të shtetit shqiptar; Aqif pashë Elbasanin si një nga figurat e shquara në themelimin e shtetit shqiptar. Ahmet Zogun, Hasan bej Prishtina, Isa Begu (Boletini), Bajram Begu (Curri), Faik Bej Konica, etj, etj,… Të gjithë bejlerë…
Të krahasosh Koço Kokëdhimën me bejlerët është një gafë e rënde e opozitës (PD-së), për fat të keq e përsëritur. Nuk duhet të harrojë opozita, se pasardhësit e këtyre bejlerëve janë votues permanentë të PD-së… dhe shtyllë e rëndësishme e demokracisë!!

Gazetari Nebil Cika
Gazetari Nebil Cika

PleBej-të e PD-së

nga Nebil Çika

Një reagim në fb i një prej figurave te respektuara te PD-se në Elbasan, Shefqet Deliallisi, pinjoll i një familjeje me gjurmë në historinë tonë kombëtare, ndaj cilësimit “Bej të Jugut” të Koço Kokëdhimës nga kryetari i grupit parlamentar dhe nënkryetari i PD-së Edi Paloka, ka rihapur debatin mbi një problem sa të vjetër aq edhe aktual të PD-së: Përfaqësimin politik e elektoral të sajë. Doktor Shefqeti ka marrë mbështetje të madhe publike në reagimin e tij, gjë që tregon se ky është një fenomen e problem i identifikuar edhe nga shume të tjerë dhe përben një nga ngërçet më të mëdha politike e elektorale të partisë kryesore të opozitës, PD-së. Sigurisht, kur flasim për bejlerë e fisnikë nuk e kemi fjalën vetëm në aspektin e pasurisë, por të historisë së lavdishme dhe qëndrimeve nga brezi në brez si dhe sakrificave që kjo shtresë shoqërore mbart në të shkuarën e të tashmen.
Dr. Delallisi me të drejtë i kujton PD-së dhe krejt politikës shqiptare se ishin pikërisht këta bejlerë që bënë këtë Shqipëri që e drejtojnë sot këta politikanë që në të shumtën e arsyeve nuk kanë asnjë kontribut e meritë për ofiqet e privilegjet që mbajnë të siguruara nga Shqipëria e bërë nga bejlerët.
Është për të ardhur keq, por sigurisht një realitet i hidhur, që partia kryesore e të djathtës shqiptare përdor një fjalor enverist për shtresat fisnike shqiptare, i cili nuk më duket një “gabim” i përsëritur siç mundohet ta “zbutë” dr. Shefqeti reagimin e tij ndaj PD-së, por një qasje normale e atyre që i artikulojnë e drejtojnë sot PD-në, që siç dihet publikisht, kanë pak apo aspak lidhje me të djathtën historike e fisnike shqiptare, ndërkohë që për trashëgimi e filozofi politike as që mund të bëhet fjalë.
Në përvjetorin e 100-të Pavarësisë, botova një shkrim me titull “Kriza e përfaqësimit politik ne PD”, ku trajtoja pikërisht këtë problem që është rikthyer sot në opinion publik nga reagimi i dr. Deliallisit.
Qëllova rastësisht në shtëpinë e mikut tim të nderuar të familjes historianit të njohur Sherif Delvina, pinjoll i derës së madhe e njohur të pashallarëve të Delvinës me kontribut të shquar në historinë e Shqipërisë, disa ditë para përvjetorit të “Kongresit të Lushnjës”, një prej akteve më të rëndësishme të ekzistencës së shtetit shqiptar, kryeministër i qeverisë së të cilit ishte paraardhësi i Sherifit, Sulejman Delvina. Qe një telefonatë nga ish këshilltari i ish-kryeministrit Berisha, Ylli Asllani, që na kujtoi krizën e përfaqësimit në PD. Njëlloj si ky reagim i dr. Shefqetit me deklaratën e Palokës për Kokëdhimën. Asllani në fillim kërkoi të dinte nga Delvina nëse kishte “pension të posaçëm” dhe u befasua kur mori përgjigje negative nga historiani i shquar i kërkoi të plotësonte dokumentet dhe më pas e ftoi në emër të kryeministrit Berisha të shkonte në një përkujtimore që ai do të organizonte në Lushnjë me rastin e përvjetorit të Kongresit. Sherifi fisnik dhe me kulturë të madhe e falënderoi, por nuk mundi të shkonte për shkak se ishte shumë i sëmurë. Por ajo që me befasoi dhe më bëri të reagoja nuk ishte “ftesa” e Kryeministrit, por reagimi i Sherifit pas telefonatës. “Ç’ne që më telefononin mua nga kryeministria? Nuk ka ndodhur kurrë? Pse kujtohen tani për pensionin? E të tjera si këto… U mundova ta qetësoj duke i shpjeguar se nuk është qeveria ajo që po të fton në Lushnje, por historia. Ata nuk kane ku shkojnë, pa një Delvina, pa një Frashërlli, pa një Vlora, Sefë, Biçakçi, Vrion, Nosi, Kosturi, Markagjoni, Luli, Mitrovica, Ndreu, etj. bejlerë, kapedane, bajraktarë, klerikë e intelektuale fisnikë të Shqipërisë!!
E risolla këtë histori për të kuptuar pse PD-ja sot ka këtë qasje negative ndaj bejlerëve dhe fisnikëvë të Shqipërisë!
Në kushte normale PD-ja nuk do te kishte nevojë t’i thërriste me telefon kur kishte nevojë, pasi do të duheshin të ishin pjesë integrale e drejtuese e saja.
Por, ky nuk është i vetmi rast reagimi ndaj përfaqësimit politik të PD-së. Në zgjedhjet për sekretar të përgjithshëm të PD-së e trajtova sërish këtë problem, ku theksoja se zgjedhja e njërit prej kandidateve, Enkeled Alibeaj, ishte domosdoshmmëri politike e elektorale e PD-së, pasi ai ishte “beu i fundit” në dispozicion të sajë. Nuk ndodhi dhe nuk kishte sesi të ndodhte kur në PD dominojnë qasje të tilla si ai përcaktim i Palokës që e cilëson Kokëdhimën “bej” në kuptimin përbuzës komunist të tij. Kur cilësohet kështu Kokëdhima që për nga origjina është në fakt “plebe”, në kuptimin e plotë të fjalës, madje sipas sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Ristani, “nuk i jepnin as nuse ne Qeparo”, mendoni se çfarë qasje e konsiderate kanë për Enkeled Alibeajn që është Bej prej vërteti!!
Shkrimi mërziti disa prej drejtuesve kryesore të PD-së, të cilët e morën si “personale” përcaktim tim për ta “me origjine nga e majta historike”, disa prej të cilëve më mbajnë mëri edhe sot. Por me sa duket koha më dha të drejtë.
Sigurisht që përgjegjës për këtë nuk janë artikuluesit e kësaj gjuhe politike. Thjesht ata kështu e dinë, kështu e kane mësuar në familje e shkollë, që “bejlerët janë të këqij”. Problemi është tek filozofia politike, trashëgimia historike e PD-së, pa asnjë lidhje me të djathtën normale, e sidomos atë historike e tradicionale. Parimet kryesore të konservatorëve apo së djathtës perëndimore janë familja – prona – atdheu, gjëra që në PD me sa duket as që i mendojnë, të paktën jo si të djathtë. Pasi që t’i mendosh duhet edhe t’i kesh apo t’i kesh pasur, të kesh një lidhje shpirtërore, një mentalitet, një edukim dhe mbi të gjitha një krenari për nga vjen, një gjë shumë përcaktuese… për nga po shkon.
Personalisht nuk kam pasur kurrë mendimin së PD është një parti tipike e djathtë, por besoja se me kalimin e kohës, ndryshimin e drejtimit dhe stafeve politike, dhe sidomos integrimit të sajë në strukturat politike të së djathtës europiane, do të mund të bëhej e tillë me kohë. Nuk më shkonte mendja se situata do të shkonte më keq. Sot, vështirë se gjej tek ajo një shenjë të djathtë si në filozofi dhe në përfaqësim politik, gjë që e dëshmon edhe qasja e sajë qoftë edhe si perifrazim për bejlerët. Kisha shpresuar shumë që Basha edhe për motive politike e elektorale, por edhe për një lloj kontrasti nga Berisha, do bënte ndonjë gjysmë hapi më djathtas, gjë që konstatoj se nuk ka ndodhur ende. Me sa duket edhe ata “bejlerë” që në një mënyrë apo tjetër kanë mundur të jenë pjesë e PD-së, po largohen ose po natyralizohen në “plebej”. Më erdhi keq, por edhe turp, kur para disa ditësh ndoqa ne TV një reagim të deputetit Aldo Bumçi, nga Dhërmiu, që shkonte me apo pa dashje në mbrojtje të interesave antishqiptare greke atje. Çfarë ka ndodhur që nipi i Imzot Lugj Bumçit, arsyeja kryesore pse Aldo respektohet nga elektorati i djathtë, ulet kaq poshtë politikisht e moralisht. Të mendosh pastaj që gjyshërit dhe dajat e tij bejlerë janë vrarë e therur me grekët në Kolonjë, për Kishën dhe Shqipërinë. Por mbase ky lloj “beu” i përshtatet PD-së, prandaj ai është ende aty. Nuk di si t’i quash këta tipa! “PleBej” mund thotë e të përcaktojë diçka për ta… Ndoshta!
Si përfundim dua të ritheksoj se janë simbolet ato që përcaktojnë edhe filozofite politike. PD vazhdon të llogarisë si themel të sajë politik Gramoz Pashkon, djalin e një prej drejtuesve komunistë më të egër ish prokurorit të Enver Hoxhës, autor i dhjetra ekzekutimeve dhe dënimeve të tjera të rënda të bejlerëve, deputetëve, klerikëve, intelektualëve të djathtë e antikomunistë, gjë që edhe Basha e përsërit shumë herë me krenari. Ndërkohë që PD dhe e djathta zyrtare e fillon historinë e sajë në vitin 1991, duke vendosur një vijë demarkacioni me të djathtën historike, “bejlerët”. Shikoni me kujdes dy simbolet tek hyrja e Kuvendit te Shqipërisë ku janë vendosur simbolet e politikës shqiptare. Të majtët kanë ndërtuar në 1998, monumentin e Fan Nolit simbolit të tyre që në fakt bën një kapërcim të madh të tyre duke llogaritur që vijnë nga Enver Hoxha. PD, dhe pikërisht Basha ka ndërtuar simbolin e sajë “të djathtë” monumentin e Sabri Godos, ish komunist dhe pjesëtar i strukturave të Sigurimit të Shtetit. Ka bythë ku të rrijë kjo!?
Mund të vinin këdo Pjetër Arbënorin, Fuat Dibrën, Mid’hat Frashërin, etje , por vetëm Godon jo! A mund ta bëjë këtë një parti e politike e djathte?! Ja pra pse PD ka probleme me bejlerët.
E djathta nuk mund të bëhet dot nga “PleBejtë”…
Çfarë kuptimi ka djathta, pse duhet te ekzistojë politikisht dhe elektoralisht PD-ja pa bejlerët?!
Për plebejtë del e tepron e majta!
Marrë nga http://www.gazetaminerva.com 1 dhe 2 shtator 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.