back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Nji bisedë dhe nji udhëtim në jetën dhe veprën e piktorit Zef Nacaj

Gazeta

Zef Nacaj ne Studion e tij
Zef Nacaj ne Studion e tij

Nji bisedë dhe nji udhëtim

në jetën dhe veprën e piktorit Zef Nacaj

Zef Nacaj asht nji artist i rrethanave,
mbasi shkollimi i tij nuk ka qenë arti…
e megjithatë mbas shumë vitesh eksperiencë dhe eksperimentim
ai ka mbrritë me realizue në kohë e në hapsinë nji vepër artistike
jo krejt të pavumere në qarqet artistike…
Për me lshue pak ma shumë dritë dhe me e paraqitë pak ma të plotë
figurën e tij ne kemi zhvillue nji bisedë me të…
me mendimin se kështu mund të kemi edhe nji ide pak ma të plotë
rreth profilit të tij artistik, botës në të cilën ai krijon,
rrethanave në të cilat ai ka ktijue dhe i asht dashtë me mbijetue,
gjithnji duke mbetë siç e shpreh edhe ai vet modesisht
nji piktor autodidakt me shumë dashni për të bukurën…
jozef radi

Zef Nacaj - Kalajae Rozafes (vaj)
Zef Nacaj – Kalajae Rozafes (vaj)

Nëse pikturën e konsideroni si dashni të parë, cilat janë dashnitë e tjera dhe a kanë ndonji lidhje me të parën?
Sigurisht ka. Unë kam studjue në fakultetin e Inxhinierisë së Pyjeve prej ku kam mësu shkencat ekzakte, vizatimin teknik, gjeometrinë deskriptive, planet hartat e topografinë në përgjithësi. Tuj pasë këto njohuri  të kultivueme te nji njeri që e don pikturën, krijojnë brumin ideal për një arkitekt. Arkitektura asht art mjaft tërheqës kur je i plotësuem në fushën e vizatimit teknik. Në atë kohe kemi pasë fatin të kishim pedagogë me nji frymë perëndimore te theksume. Njeni prej tyne ka kenë, ndjesë pastë edhe Alaudin Frashëri.

Zef Nacaj - Vjeshte
Zef Nacaj – Vjeshte

Sa të ka ndihmue puna e lidhun me natyrën, kryesisht me pyjet në artin e pikturës, ose sa joshëse ka qenë natyra në penelin tand…
Puna që kam ba më ka dhanë mundësi me shijue peisazhe nga ma të bukurat që krijohen në rrethana të ndryshme sipas stinëve po edhe në vartësi të kohës e ditës. Në mënyrë të veçantë mund të them se Bjeshkët e Namuna me ato brezat e naltë të bimësisë pyjore krijojnë variacione e ngjyra të gatshme me ndërtue peisazhe të bukura. Por ndërsa ka kenë mundësia e shijimit asht kenë krejt e vogël mundësia e ndalesave për me i fiksue si duhet ato. Shpesh ndonji vizatim i shpejtë ka kenë kënaqesi e vogël e atyne dëshirave që të shfaqet vetvetiu përpara pamjesh të tilla me të vërtet mahnitëse.

Zef Naçaj - Rrrugice qyteti
Zef Naçaj – Rrrugice qyteti

A ke ndonji piktor shqiptar që ka ndikue në rrugën tande, dhe cilin piktor të Madh e ke pasë si pikë orientimi, a frymzimi…
Ndër piktorët tanë që më kanë pëlqye ma shumë ka kenë Vangjush Mio, punimet e të cilit i kam vizitu edhe në galerinë e Korçës po edhe atë kombëtare. Ma vonë, kam pasë rast me e njoftë ma nga afër e kam pasë shumë tërheqje nga Smajl Lulani, që ishte jo vetëm piktor i mirë, por edhe nji njeri me shpirt të pasun artistik e nuk mbaronte kurrë dëshira e ndejtjes me të. Ai më ka nxitë ma shumë tuj më thanë se ke shumë tregues që piktorët profesionistë nuk i kanë, ndjenjën e ngjyrës, të raporteve, aftësinë e vizatimit që me pak punë mund të ecësh shumë përpara. Kurse nga piktorët e huaj, nga sa mund të bijshim në kontakt me to ishin piktorët e famshëm të Rilindjes Italiane si Mikelangelo, Leonardo Da Vinci, etj.

Zef Nacaj - Prane oxhakut
Zef Nacaj – Prane oxhakut

Ti vjen prej alpeve shqiptare, që janë të nji bukurie të rrallë, cili asht raporti i nji malsori me artin, dhe sa ndikim lejojnë malet në tanë çka mund të quhet rrugetimi yt artistik…
Ky raport asht vërtet i çuditshëm. Jo vetëm të apasionuemit mbas pikturës, por në nji masë më të madhe te krejt njerëzit e maleve, e ndjen që në takimin e parë nji lloj krenarie, shije në veshje, sjellje e deri në mënyrën e jetesës së tyne. Unë kam pasë rastin të gjendem para pamjeve madhështore, aq sa vetja më dukej si nji bubrrecë e vogël, përballë gjithë asaj bukuri. Imagjino, të jeshë në gjendje, ta përmbledhësh atë mrekulli brenda nji kanavace asht po aq e bukur sa vetë malet. Duhet  llogaritë këtu edhe interpretimin e sadopaktë gjatë punës të autorit.

Zef Nacaj - Portret Malsori
Zef Nacaj – Portret Malsori

Ke punue në tri rrethana kohe… nën diktaturë, jashtë diktature dhe jashtë vendit të diktaturës, si do ti përcillje punët e tua në ket raport me rrethanat dhe realitetet…
Me përmasat e mia diktatura nuk kishte të bante fort. Por kam vu re se shumë piktorë të tjerë e kanë vuejtë këtë shumë. Pikturat e tyne nuk viheshin! Na dukej se të gjithë ndiheshim keq. Ma e keqja ka kenë në atë kohë mungesa e theksueme e materialeve! Duhej të ishe antarë i Lidhjes me përfitue racionin! Kur e kujtoj at me bollëkun e këtushëm më vjen me qeshë. Natyrisht që censura e autocensura në at kohë duhej zbatue. Ishte si të lëvizje në shina. Megjithatë në shumë autorë shfaqeshin të kamufluara tendencat moderne që dallohen lehtësisht edhe sot. Unë kam këtu një punë që e kam ba rreth viteve ’80, por nuk e kam paraqitë asnjiherë për ekspozim. Isha tuj u kthye prej nji shërbimi nga Shoshi i Dukagjinit. Ishte ditë vjeshte. Papritmas m’u shfaq përpara nji kodrineë e vogël me nji grup pemësh që të jepnin ndjenjën e nji feste. U ndala dhe për rreth 20 minuta e vizatova me mjetet që pata po vendosa edhe do ngjyra kryesore. Qysh aty m’u duk shumë bukur. Në studio e interpretova edhe ma shumë në drejtim të idesë që më ofroi natyra dhe mbeti nji punë mjaft e dashtun për mu, që e kam marrë me veti edhe këtu ku ndodhem sot.
Këtu ku jetoj (në Florida-USA) asht gjithçka me bollëk. Unë nuk e kam pa të mujtun që të rri e të merrem me pikturë e të pretendoj që me ato fitime të përballojsha jetën. Kam gjetë rrugë të tjera tuj e përdorë artin në dizenjon në shumë punime të miat gja që më ka dhanë sodisfaksion dhe plotësue ma mirë me anën finaciare të nevojshme. Tuj i vu në raport të tri kohnat që ju pyesni, unë kisha me thanë se liria asht gjaja ma e bukur në këtë botë.

Cilët janë piktorët që vlerëson sot në pikturën shqiptare dhe pse?
Piktorët e mirë janë shumë. Duhet pranue se shkolla jonë e artit ishte e drejtueme prej kuadrosh që kishin studjue jashtë. Dua të them se piktorë të mirë ka pasë plot e ka, por unë vlerësoj sot George Palin që asht në majat e artit dhe jam i sigurt se do të xanë nji vend të nderuem në historinë e artit botnor. Punon shumë dhe ka kriju stilin e vet origjinal. Nga piktorët brenda vendit veçoj Pashk Përvathin, i cili e fut natyrën në art krejt natyrshëm dhe ti ke vetëm dëshirë të shofësh punimet e tij. Kuptohet zgjedhjet janë gjithmonë subjektive e për mu kështu asht mendoj.

Zef Nacaj - Bote abstrakte
Zef Nacaj – Bote abstrakte

A ka ndonji cak me mbrritë Zef Nacaj, apo e quen të ezauruem procesin e vet artistik?
Kur ishim ma të rinj, kishim plot andrra, për ekspozita personale, albume e dëshira tjera që më dukeshin edhe të realizueshme. Po vitet ecin. Vitet e vrullit të punës e të krijimtarisë mbeten në atdhe. Tash kur vjen nji moshë e dalin në dukje edhe probleme të ndryshme shëndetsore, kthen e shef mbrapa dhe shef me objektivizëm se s’ka shumë vend për pretendime të mëdha.
Unë kam kenë gjithmonë njeri që s’më ka dalë koha. Kam ndi tuj thanë atë shprehjen: me vra kohën! Shpresoj se në pension do të gjej ma shumë kohë me plotësu ndonji dëshirë timen apo të miqëve të mi me punime modeste. Gjithsesi momenti i krijimit për mu asht ndër ma të bukurit. Aty koha ikën pa e marr vesh dhe jeton çaste të magjishme në botën e asaj që krijon. Parimi im ka kenë gjithmonë: të baj atë që të jetë e imja e mos t’i ngjajë asnji krijuesi tjetër…

Zef Nacaj - Punime ne mozaik
Zef Nacaj – Punime ne mozaik

Bisedoi Jozef Radi shtator 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.