back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Njeriu i thjeshtë dhe personaliteti i rrallë Nexhat Peshkëpia nga Anton Çefa

Gazeta

Nexhat Peshkepia
Nexhat Peshkepia

Njeriu i thjeshtë dhe personaliteti i rrallë Nexhat Peshkëpia

nga Anton Çefa

“Jam e lumtur… që Atdheu ynë i dashur ka në radhët e bijve të tij njerëz kaq të shquar si Nexhat Peshkëpia… Ai nuk i përket vetëm intelektualëve e patriotëve shqiptarë, por asaj aradhe njerëzish të mëdhenj që nuk jetojnë për vete, por për të tjerët, dhe për këtë fisnikëri janë të shpërblyer prej kujtimit të përjetshëm të mbarë njerëzimit.”, ka shkruar profesoresha e nderuar z. Violeta Qiraku.
Nexhati u lind më 1908, viti i shpresave jetëdhënëse shqiptare dhe i zhgënjimeve të mëdha xhonturke, viti i abecesë shqipe, një nga vitet e mëdha të Arbrit.
Erëra të moçme e të reja, erërat e përpjekjeve të pareshtura dhe të luftës së shqiptarëve për liri e pavarësi i vinin Nexhatit të vogël nga të gjitha anët. Vinin nga Manastiri, Stambolli, Gjirokastra, erërat e përpjekjeve të penës dhe erërat e barutit nga të gjitha malet e Shqipërisë. Po këto erëra frynin edhe në vatrën e Peshkëpive, një nga familjet e para të Gjirokastrës, e dëgjuar për shqiptarizmin e saj, e që prej dy breznish jetonte në Vlorë.
Ungji i tij plak, Mulla Azisi, kishte nënshkruar me Plakun e Vlorës dhe me burrat e të katër anëve të Shqipërisë dokumentin e pavarësisë. Që në fëmijëri i parafytyrohej Nexhatit atje te oxhaku mbi vatër kjo firmë e bërë me shkronja arabe, që rrinin me e dashuri e dashamirësi pranë shkronjave latine, e shkruar në dokumenntin e madh që e bëntë “në vehte, të lirë e të mosvarme” Shqipërinë.
I ati, Tahsim Peshkëpia qe një nga anëtarët më në shenjë të këshillit drejtues të klubit patriotiko-kulturor “Labëria”, që u formua në Vlorë më 24 korrik 1908, dhe pati mbajtur lidhje të ngushta me klubin “Drita” të Gjirokastrës. Për veprimtarinë e tij patriotike, ai u internua nga qeveria turke në Xhide, një nga portet detare të Arabisë Saudite të sotme, ku edhe vdiq.
Po vatra e Peshkëpive ishte e njohur edhe për traditën e saj të shkollimit. Babai i Nexhatit si kreu liceun Sultani Galata Saraj në gjuhën frënge, u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Stambollit. Talipi, vëllai më i vogël, kreu Fakultetin e Drejtësisë të këtij Universiteti, dhe ungj Azisi ndoq mësimet dhe u diplomua në Fakultetin e Teologjisë dhe të së Drejtës Kanonike Islame.
Një dallojë tjetër e Peshkëpive qe lidhja e ngushtë e tyre me traditën e familjes gjirokastrite në fushën e dokeve e zakoneve të lashta shqiptare, të mirëkuptimit e të harmonisë mes pjesëtarëve, të nderimit dhe të respektimit ndaj më të mëdhenjve.
Filiz i kësaj familjeje qe Nexhati, dhe ai bashkë me të vëllanë Manushin, dhe kushërinjtë e çoi më tej emrin e mirë të saj.
Ishte katër vjeç, kur Atdheu i tij u shpall shtet i pavarur. Dhe po bënte mësimet fillore në një shkollë italiane të Vlorës, kur andartët grekë bënin kërdinë mbi popullsinë myslimane në qarkun e Gjirokastrës, në disa rrethe të Korçës dhe në gjithë Çamërinë. Shumë familje iknin nga fshatrat e tyre dhe vinin në Vlorë. Ata që nuk njihnin njeri strehoheshin në ullishtat hijerënda të këtij qyteti.
Sigurisht që Nexhati i vogël i pa ata pleq të lodhur nga jeta e dhimbja, gratë e reja që përkundnin djepat me lot në sy, dhe moshatarët e tij që loznin symbyllurazi duke u mshehur mbas rrënjëve të ullinjve dhe ndjeu një dhimbje të dyfishtë, dhimbjen humane ndaj çdo njeriu që vuan e nëpërkëmbet prej të tjerëve dhe aq më tepër dhimbjen ndaj atyre njerëzve që ishin bashkatdhetarët e tij, të munduar e të poshtëruar prej grekut. Fëmijë, mësonte tek ajo shkollë italiane, po me sa dëshirë e zjarr shkonte tek ajo ndërtesa tjetër në lagjen Muradije, ku disa burra që më vonë do t’i njihte e tërë Shqipëria: Jani Minga, Thoma Papapano, Halim Xhelo e Avni Rustemi u mësonin fëmijëve shqipen, atë gjuhë të bukur, që deri vonë kishte qenë e ndaluar sa prej turkut e sa prej grekut.
Më 1920, në moshën 12-vjeçare, kur studionte shkencat ekonomike në shkollën e mesme të Institutit Briganti të Leçe-s, siç kishte qenë dëshira e ungjit Talip (avokat e tregtar në Vlorë), tash që kishte provuar në mendjen e në zemrën e tij jetën e mërgimtarit, ai me siguri kishte një vision më të qartë për Atdheun dhe e kuptonte se diç e rëndësishme po luhej me fatet e tij. Me krenari e gëzim të madh ai përjetoi në këtë kohë bëmat e popullit të vet, që iu kundërvu Evropës, e cila kërkonte ta copëtonte e ta mohonte.
Dhe fill mbas kësaj ngjarjeje, ai mësoi për evenimentet heroike të bashkatdhetarëve të tij që i hodhën në det ushtarët e këtij vendi, gjuhën e kulturën e të cilit ai po mësonte, ata ushtarë që kishin shkuar për ta robëruar qytetin e tij të dashur të lindjes, Vlorën, për të cilën atij sa e sa herë i ngushtohej shpirti nga përmallimi dhe i mbusheshin sytë me lot.
Me këto ndjenja e mendime, me dashuri shqiptare e me mësime italiane, ai shkoi në Belgjikë për të ndjekur studimet universitare. U kthye i gëzuar në Atdhe dhe u emërua mësues i matematikkës e i fizikës në shkollën Teknike të Tiranës.
Pushtimi i Shqipërisë nga Italia, më 7 prill 1939, dhe ngjarjet që ndodhën më vonë, sidomos pushtimi i Korçës e i Gjirokastrës nga Greqia më 1940, e tronditën shpirtërisht dhe sollën ndryshime në jetën dhe mentalitetin e tij. Qysh në atë kohë, Nexhati iu përkushtua kokë e këmbë luftës për shpëtimin e Atdheut.
Një dorë burrash shqiptarë që në ditët e para të atij prilli të zi kishin formuar Komitetin e Rezistencës Antiitaliane nën kryesinë e patriotit të madh Mid’hat Frashëri e ku luante një rol parësor miku i familjes së tij, Hasan Dosti. Është ky Komitet që i riorganizuar më vonë, në vjeshtën e vitit 1942, mori emrin Balli Kombëtar.
Me rastin e festës së 28 Nëntorit të këtij viti, u shpërnda për të parën herë në Tiranë “Dekalogu i Ballit”, për të cilin kishte punuar edhe Nexhati. Këtij dokumenti aq të rëndësishëm për historinë tonë kombëtare iu dha dora e fundit në një mbledhje intelektualësh në shtëpinë e Nexhatit.

Konferenca e Mukjes - (1-3 gusht 1943)
Konferenca e Mukjes – (1-3 gusht 1943)

Gjatë viteve të luftës kundër pushtuesit Italian e më vonë gjerman, dhe gjatë asaj kasaphane vëllavrasëse që ia imponuan popullit komunistët sllavofilë mbasi hodhën poshtë Marrëveshjen e Mukjes të 1 e 2 gushtit 1943, Nexhati bëri një punë të dendur axhitative me gojë dhe me shkrim. Ai qe anëtarësuar në organizatën e Ballit Kombëtar nga fundi i tetorit të vitit 1942. Si anëtar i Nënkomitetit të Shtypit të kësaj organizate, Nexhati hartoi pjesën më të madhe të trakteve, që bënin thirrje për luftë kundër okupatorëve, demaskonin shkaktarët e luftës vëllavrasëse, sqaronin popullin për platformën e Ballit, trajtonin çështjen e Kosovës e të
Çamërisë, etj.
Po qe thënë që fatet e Shqipërisë të shkonin së prapthi. Shumë patriotë shqiptarë morën rrugët e mërgimit. Me brengë të madhe në zemër u larguua nga Atdheu edhe Nexhati, duke lënë për të mos i parë më kurrë gruan Feride, vajzën Tefta, djalin Nandi dhe të vëllanë, Manushin, i cili u pushkatua në kohën që u hodh bomba në ambasadën sovjetike. Kjo qe një humbje e goditje e thellë për Nexhatin, i cili siç kanë shkruar miqtë e tij, e donte shumë Manushin. (Manushi qe poet me talent. Një pjesë e poezive të tij janë botuar në një antologji shqipe në Gjermani).
Nexhati u suall rrugëve të mërgimit (“Viktimë e një fati të pamerituar”, siç do të shprehej më vonë shoku dhe miku i tij i ngushtë Xhevat Kallajxhi), në Itali, Francë dhe SHBA, pa harruar Atdheun për asnjë moment, dhe duke punuar për të me përkushtimin e shenjtë të një atdhetari idealist.
Në vitin 1953, u bë anëtar i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Ky Komitet, në krye të të cilit qe fillimisht Mid’hat Frashëri, u formua në Paris, në vitin 1949, dhe kishte qendrën në Romë. Qëllimi i Komitetit, ku bënin pjesë personalitete të shquara të politikës shqiptare në mërgim, kishte qëllim çlirimin e Shqipërisë nga komunizmi dhe propagandimin e çështjes sonë kombëtare.
Nexhati mori pjesë aktive në fazat që përvijuan organizimin dhe riorganizimin e këtij Komiteti në vitet 1953 dhe 1956. Nga viti 1956 deri në vitin 1970, qe kryeredaktor i gazetës “Shqiptari i Lirë”, organ i Komitetit. Janë thënë e shkruar fjalët më të mira për punën krijuese dhe editoriale të tij në këtë gazetë. Buletini Katolik Shqiptar (v. 1944, f. 271) shkruan lidhur me gjuhën e “Shqiptarit të Lirë”: “Pastërtia dhe eleganca e stilit të gjuhës shqipë është meritë e kujdesit dhe e zotërimit në përsosmëri të gjuhës shqipe të të ndjerit Nexhat Peshkëpia.”
Nga Komiteti “Shqipëria e Lirë” u botuan edhe shumë artikuj studimorë dhe informative mbi Shqipërinë si edhe disa libra, ndër të cilët përmendim: “Lahuta e Malcis” e At Gjergj Fishtës, “Andrra e Pretashit” e Pater Anton Harapit, “Libri i burgut” i Arshi Pipës, etj. Sigurisht që në këtë veprimtari botuese u mishërua edhe puna e pakursyer e Nexhatit.
Veprimtaria e tij politike lidhet edhe me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Robëruara të Evropës (ACEN), ku bënte pjesë bashkë me Komitetet e Bullgarisë, Çekosllovakisë, Estonisë, Hungarisë, Lituanisë, Polonisë dhe Rumanisë edhe Komiteti “Shqipëria e Lirë”. Qëllimi kryesor i ACEN-it, themeluar më 1954, qe çlirimi i popujve të shtypur të Evropës Lindore nga sundimi sovjetik dhe regjimet komuniste, satelitë të tij.
Nexhati nuk u shqua vetëm për veprimtarinë politike e publicistike, ai qe edhe shkrimtar e studiues letërsie. Në vitin 1966, botoi në Nju Jork me ndihmën e Vatrës: “Fan Noli si poet dhe si poet-përkthyes”, një studim me vlera të mëdha njohëse në fushën e kritikës letrare dhe të historisë së letërsisë. Më 1967, botoi “Një zemër në mërgim”, një përmbledhje poezish lirike dhe prozash poetike. Kishte ndërmend të botonte edhe një libër tjetër dhe mund të punonte edhe më e më, por vdekja ia shkurtoi jetën para kohe me 8 shkurt 1970, në moshën 62-vjeçare. Vdiq me gurin e rëndë të mallit të Atdheut dhe të familjes në shpirt dhe me dhimbjen e thellë që nuk e pau të lirë Atdheun.
Bashkësia shqiptare e Amerikës dhe, tani që Shqipëria është një shtet demokratik, i gjithë populli shqiptar, mbasi të njihen me veprimtarinë e tij atdhetare, politike e letrare, do ta radhisin Nexhat Peshkëpinë krahas personaliteteve të shquara shqiptare, që gjithë jetën e tyre ia përkushtuan idealit patriotik, lirisë dhe vlerave të larta humanitare të njerëzimit dhe do t’i japë vendin që i takon në letërsinë shqipe.
I mbetën kohës së ardhshme mbledhja në një vëllim më vete e shkrimeve të tij në shtypin ilegal në Shhqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe shkrimet e botuara në shtypin e Amerikës e sidomos në “Shqiptari i Lirë”. Dhe mbi të gjitha, është detyrë kombëtare që veprat e botuara: “Një zemër në mërgim” dhe “Noli si poet dhe si poet-përkthyes” të bëhen të njohura sa më shpejt në Atdhe.
Shokët dhe miqtë, ish-nxënësit e tij të shkollë e të jetës dhe, në përgjithësi, të gjithë ata që e njohën, punuan apo patën të bëjnë me të, i kanë atribuar Nexhatit vlerat më të larta njerëzore e atdhetare. Rexhep Krasniqi, një nga personalitetet më të shquara të bashkësisë shqiptare-amerikane, që ka kryesuar për vite të tëra Komitetin “Shqipëria e Lirë”, e quan Nexhatin “një njeri të jashtëzakonshëm, një shqiptar i madh, një luftëtar i flaktë i çdo gjëje që kishte të bënte me Atdheun dhe me popullin shqiptar”.
Edhe pse interesat intelektuale dhe prirjet shpirtërore të tij anonin dukshëm nga letërsia e filozofia, ai u dallua edhe për aftësitë pedagogjike të mësimdhënies. Dalloja më rëndësore e profilit pedagogjik të tij qe ideali kombëtar, i plazmuar fuqishëm në një botë të pasur shpirtërore. “Dashuria për Atdheun qe lënda kryesore që dha Xhevati si professor i rinisë shqiptare, si në Atdhe ashtu edhe në mërgim”, ka thënë një koleg dhe mik i tij. Dhe ne mund të shtojmë: “Ai qe mësues jo vetëm i dashurisë për Atdheun, por edhe i disa lëndëve të tjera si dashuri universale, drejtësi, mirësi, etj. Me fjalë të tjera, i asaj lënde që po e quajmë fisnikëri shpirtërore.”
Me interes na paraqitet këndvështrimi filozofik i Nexhatit për jetën shoqërore. Filozofia nuk sendërtoi tek ai një sistem pikëpamjesh botëkuptimore për t’i qëndruar besnik në mënyrë dogmatike. Duke studiuar dhe duke bërë të veten atë çka më e rëndësishme pluskon në detin e tallazitur të teorisë së mendimit, që nga misticizmi i lashtë i popujve të Lindjes dhe stoicizmi i filozofit antik Epictetus, e deri tek filozofia moderne, ai u formua si intelektual, i lirë të jetojë e të veprojë sipas filozofisë së tij të jetës, gjykimi thelbësor i së cilës qe liria e njeriut, ajo liri që ai e çmonte mbi çdo të drejtë njerëzore. Ky konceptim transparent mbi lirinë mishëron personalitetin e tij deri në shfaqjet më konkrete e deri në veprimet më të thjeshta të jetës së përditshmme.
Për botëkuptimin e Nexhatit, liria njeriut i është dhuruar nga Perëndia dhe pikërisht për këtë, si atribut njerëzor me origjinë e vlerë hyjnore, nuk mund t’i mohohet, t’i nëpërkëmbet e t’i shtrajtësohet siç po ndodhte në atë qerthull gjeografik e politik, ku gjallonte populli i tij. Koncepti i tij për lirinë nuk kufizohej vetëm në ngjyrimet politike, por kishte një hapësirë të plotë njerëzore, duke përfshirë mundësinë dhe të drejtën e njeriut për t’u përsosur në të gjitha rrafshhet e qenies shoqërore, nëpërmjet gabimeve e, pse jo, edhe nëpërmjet dështimeve.
Ky njeri në këtë botë ka një atdhe, që për Nexhatin është një entitet i shenjtë, që ekziston përmbi interesat e banorëve të vet. Kështu, ndërsa lirisë i vinte një vel hyjnor, atdheut i vishte një robë të shenjtëruar. Atdheu dhe Liria që nuk mund të kuptoheshin veçmas, siç e ka përvijuar ai vetë në lirikat e tij filozofike, përbënin boshtin rreth të cilit lëvizte qenia e tij, brumosej mendimi, ekzaltohej ndjenja dhe çelnikosej forca e vullnetit të tij.
“Zemra e madhe” e këtij njeriu, e përcaktuar prej atyre që e njohën si “bontà di un santo” (mirësi e një shenjti), e mbrujtur me një logjikë të mprehtë dhe në sfondin e një kulture të gjerë, trajtësuan tek ai një personalitet të fuqishëm, që tërhoqi admirimin e të gjithë atyre që e njohën.
Autoriteti i tij bindës, profili i pastër dhe i pasur shpirtëror, filozofia e tij e jetës, kultura e gjerë; shkurt personaliteti i tij imponues, duke ushtruar një përshtypje të thellë hapën një brazdë të gjerë ndikimi në ndërgjegjen e të gjithë bashkatdhetarëve që e njohën ose që lexuan penën e tij. Ende sot mbas kaq vjetësh që vdiq, është e gjallë, e dritësuar dhe e vlertë mbresa e jetës dhe e veprimtarisë së këtij “nositi” shqiptar.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.