back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Një vështrim mbi risitë e artit të Avni Delvinës refleksion nga Jozef Radi

Gazeta

Avni Delvina - Ekspozita “The Donald”
Avni Delvina – Ekspozita “The Donald”

Një vështrim mbi risitë e artit të Avni Delvinës

refleksion nga Jozef Radi

Ekspozita “The Donald” Tirane (17-23 shkurt 2019)

Avni Delvina - Mendimtari
Avni Delvina – Mendimtari
Avni Delvina është prej atyre artistëve që s’lodhet së kërkuari mjete shprehëse dhe forma të reja komunikimi të artit. Ekspozita e fundit, e hapur në Tiranë (17-23 shkurt 2019), e titulluar “The Donald” pasqyron më së qarti jo vetëm këtë frymë kërkimesh artistike po edhe arritjet e tij përmes këtij albumi ku teknikat artistike, mjetet shprehëse, idetë politike dhe ato sociale, riciklimet e tabllove klasike të njohura nën deformime artistike, monumentalizmi skulpturor, çvendosja e së vërtetës në kohë e hapësirë, përzgjedhja e kujdesshme e personazheve dhe maskave, si të ishte Karuzeli i Karnevaleve… e gjitha kjo nën fillin e një ironie të hollë e qësendisëse po edhe të një sarkazme të pamëshirë, të shtyn të mendosh se ai e ka braktisur penelin dhe ka marrë fuqishëm shpatën… E gjitha kjo përbën thelbin e paraqitjes më të fundit të artistit Avni Delvina, në mjedisin kryeqytetas.
Ajo çka të bie menjëherë në sy në botën artistike të Delvinës në këtë 46x46x(46) është shpirti i trazuar i njeriut të artit përballë politikës dhe njerëzve të saj, kjo 46x46x(46) është jo vetëm një gjetje artistike, por edhe një ndërthurje e së dukshmes me të padukshmen e artistit.
.
Avni Delvina - Mona Liza
Avni Delvina – Mona Liza
Avni Delvina, prej gati tri dekadash jeton mërgueshëm, diku në rrethinat e më të famshmit garues të motoçikletave, Valentino Rossit, pra ia ka rrëshqitur mendjen qoftë edhe në trajtë inkoshiente, numri 46, i djaloshit të shpejtësisë dhe spontaneitetit.
Në epiqendër të kësaj ekspozite është President i 46 i Shteteve të Bashkuara: Donald Trump, të cilin ai e ka përcjellë përmes 46 kuadrove…!! Një rastësi?! Besoj se Jo! Sepse Delvina luan artistikisht me botën; ai e ilustron dhe çilustron simbas dritëhijeve shpirtore, me një imagjinatë të pabesueshme, aq sa mbivendosjet dhe gjetjet e tij e kapërcejnë fuqinë reale të atyre kuadrove, të cilat ai i përdor si bazë për veprën e tij… Delvina nuk pretendon ta tejkalojë vlerën e veprës reale mbi të cilën niset, por simbolika e re e saj, me përmasën e kohës dhe trazimeve artistike, e tejkalon me siguri, duke mbrritur tek një shikues i kultivuar me mesazhet që përcjell artit pamik, përmes këtij përjetimi dhe përjetësimi të ri të veprës prej nga ka nisur shtysa e krijimit.
Avni Delvina  - Davidi
Avni Delvina – Davidi
Duket se Delvina krijon një raport të ri të kryeveprave me kohën. Ai u përshtat tabllove mbi të cilat mbivendoset një rikonceptim përmes frymës ironike, ai rikrijon duke deformuar, ai riformaton duke kapërcyer kohra dhe hapësira…
Trumpi, kësaj rradhe është kryepersonazhi i tij, është shtysa e krejt kësaj ekspozite…
Unë mendoj, se s’është rastësi përzgjedhja e kësaj figure, dhe plotësimi i saj përmes çorodisë së kohës dhe vendeve, është suksesi i saj. Simbolika e figurës së Trumpit, përfaqëson frymën e ndryshimit dhe kundërvënien ndaj një bote simetrike (në fakt s’është edhe aq e tillë); një arrogancë e re mbivendoset mbi arrogancën e kamufluar me njëmijë maska; duke mbrritur të njeriu që shkund botën e politikës përmes ideve dhe mbivendosjeve artistike. Trumpi për Delvinën shërben si çelës i një besimi të ri, i një ndryshimi të madh, i një të vërtete ndryshe prej fasadës së ndryshimit. Janë të shumta figurat që kanë jetuar në mendjen e autorit e që shfaqen përmes një ansambli figurash e figurinash, mbi të cilat ironia e e tij e bën më të spikatur figurën e Trumpit… Si duket të gjithë duhet të dalin për pak jashtë hullive tyre, ku Trumpi si përfaqësues i një vendi vendi të madh e të fuqishëm: përmban njiherësh edhe një shpresë të madhe. Vërtet, Delvina e trajton në trajtë monumentale, po jo aq sa të ndjehet i shtypur nënshtrimi, përkundrazi ai s’ia kursen dozën e ironisë askujt… as edhe Trumpit! Ecja e të cilit nëpër sheshin Skënderbej, përmes një vetmie të akullt e të zbrazët është më domethënësia…
Avni Delvina - Sheshi Skenderbej
Avni Delvina – Sheshi Skenderbej
Bota e kuadrove të Delvinës është e pasur. Shumë fenomene e personazhe politike të lidhura me të sotmen e vendit të tij, ai i filtron në laboratorin e tij eksperimental dhe s’lejon asnjërin t’i dalë nga kontrolli.
Nëse do të kërkonim ta kuptonim kohën në të cilën jetojmë, në një të ardhme paksa të largët, mendoj se trajtimet e Delvinës janë një shembull. Kjo ekspozitë, mbetet një kronologji mahnitëse e fuqisë këtij arti të ri…
Avni Delvina - Bekimi
Avni Delvina – Bekimi
Avni Delvina mbetet i rrallë në punët e trajtimet e tij! Duke u mbështetur në artin dhe madhështinë e të tjerëve, fut labirinthet e ideve të veta, dhe peshkon peshq të artë… Kjo e bën atë sot të pakrahasueshëm… sepse edhe sasia e korelacioneve në shumë prej kuadrove të tij është kaq e dendur sa të shtyn të qëmëtosh e të reflektosh për çdo imtësi që ai përzgjedh… e që në fund të fundit, vula e tija është kaq e dallueshme sa ti mundesh vetëm të qeshesh paksa me habi me të, e të thuash: Sa mirë i ka shkuar mendja…!
Kjo ekspozitë e hapur në një periudhë tejet të vështirë për artin, në një kohë kur e keqja e brendëshme e ka shpërqëndruar rrezikshëm qytetarin shqiptar, mendoj se është një shenjë optimiste… Unë mendoj se leximi me kujdes i mesazheve të kësaj ekspozite (përfshi edhe frymën e dashakeqsisë politike) mbetet ngushëllues, emocionues dhe shpresëdhënës…
20 shkurt 2019
Avni Delvina -Presidentet
Avni Delvina -Presidentet
.
Avni Delvina - Laookonti
Avni Delvina – Laookonti

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.