back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Një tmerr i rrëfyer në vetë të parë…* – nga Kostandin Koliqi

Gazeta

Vlorë - Mars 1997
Vlorë – Mars 1997

Një tmerr i rrëfyer në vetë të parë…*

nga Kostandin Koliqi

E shkëputa këtë pjesë nga materiali kryesor i atyre ngjarjeve
aq të shëmtuara dhe po aq shumë kriminale…
Në kujtim të miqve dhe kolegëve,
herojve Besnik Hidri dhe Lekë Qoku,
vrarë në rrebelimin komunist në krye të detyrës
me 28 Shkurt, të vitit të zi 1997
kostandin koliqi
Shtypi i Huaj për ngjarjet e shkurtit 1997, në VlorëShtypi i Huaj për ngjarjet e shkurtit 1997, në Vlorë
Shtypi i Huaj për ngjarjet e shkurtit 1997, në Vlorë

Data 28 shkurt, ora 18.30, isha në trotuarin e godinës së grevës, lulishten afër godinës nuk mund ta shkelte askush, që nuk njihej nga rojet. Në këtë moment, në rrugë, afër godinës, ndalojnë një furgon dhe një veturë, me targa të Lushnjes. Nga vetura zbresin 4 veta. Ata shkojnë drejt shkallëve të universitetit, atje ku ishte drita më e fortë. Fillojnë të improvizojnë një grindje. Nxirret një thikë dhe bëhet sikur goditet . Tjetri që u “godit”, bie në tokë. Tre të tjerët, i hipin makinave dhe nisen në drejtim të Sh.I.K-ut. Personi që ra në tokë, ngrihet dhe bërtet, “me vranë shikasit”. “Tek Sh.I.K-u”. Unë shpejtoj për në zyrë, në Kusbaba. Lidhem me godinën, ku ishin, në shërbim, 16 veta. Lekë Qoku, m’u prezantua si përgjegjës. I them se turmat po vijnë drejt godinës, më shpjego se çfarë po bëjnë. Leka më thotë se turma po vendoste një makinë, riportabël, me kazan të ngritur, në hyrje të portës së oborrit, si duket për t’u mbrojtur nga kundërgoditja që mund të merrnin nga godina. Raportoj lart për situatën e krijuar. Nga Leka më vjen informacioni se bëhej fjalë për rreth 80 deri 100 veta të armatosur. Kishin edhe granatahedhës. Hapet zjarr kundër godinës. Nga vila e Brokajve, qëllohet me mitraloz dhe bëhet zjarr thikë. Qëllohej edhe nga një godinë tjetër, në krahun tjetër të godinës së Sh.I.K-ut, njërëzit që ishin brënda, qëllonin në ajër. Nga turma nuk u vra apo plagos asnjë që ishte aty atë natë. Nga turma qëllohej nga 20 metra larg godinës. Pyes Lekën se cfarë shihte dhe a i shihte ata që hapnin zjarr apo jo? Ai më përgjigjet “Në dhomë shoh vetëm tym e flakë, jashtë shoh vetëm gra dhe fëmijë. Ata që na qëllojnë, janë fshehur pas grave dhe fëmijëve dhe nuk mund t’i godasim dot. Shikojmë vetëm flakët e armëve të tyre… Lidhem, pak me vështirësi me pjesën tjetër të grupit që ndodheshin në Vilat e Ujit të Ftohtë. Ju kërkoj që të kthehen se shokët e tyre janë goditur dhe nëse mund t’i ndihmonin dot. Ata mundën të afrohen deri tek porta e Akademisë Detare, sepse, pjesa tjetër ishte mbushur me njerëz.

Nga porta e akademisë, deri te godina e Sh.I.K.ut, është afër 200 m. Nuk mund të jepnin asnjë ndihmë. Gjithçka villte zjarr, ishte llahtarë. Një qytet i armatosur me ç’të mundte, hapte zjarr vdekjeprurës, kundër një grupi punonjësish të shteti te tyre.
Leka më thotë: “Kosta, jam plagosur!”. Zëri i tij vinte duke u shuar. Ai shton: “Këtu është vetëm tym e flakë. Shoh afër meje dy trupa të shtrirë. Më ka hyrë një plumb në kraharor dhe më ka dalë prapa, në shpatull!”. Efektivi ishte i armatosur për të mbrojtur zyrat e tyre të punës, por nuk mund të vrisnin gra dhe fëmijë. Por edhe si organ informativ, ne asnjëherë nuk kishim detyrë për të hapur zjarr, aq më tepër kundër turmave.
Orët më të tmerrshme të jetës sime. TV-të, kishin filluar të jepnin lajmin e sulmit të turmave të armatosura kundër Sh.I.K-ut. Lajmet ishin nga më të ndryshmet dhe më të tmerrshmet. Mjet komunikimi ishte vetëm telefoni, të paktën, në ato momente. Me familjen bisedova për herë të fundit, rreth orës 22 të datës 28 shkurt, pastaj rreth fatit tim, familja dinte vetëm nga ato që thoshte televizori. Tirana kërkonte informacione të hollësishme, me ata që vriteshin dhe piqeshin të gjallë në godinë, duhej të komunikoja në çdo sekondë por isha tepër i pafuqishëm të ndihmoja.
Nga komunikimi telefonik me Tiranën, në një moment, vërej habinë e Presidentit për atë që po ndodhte, që godina e Sh.I.K-ut u sulmua me armë!! Përse kjo habi?! A mos vallë, Ai nuk i kishte marrë informacionet, të plotë dhe të saktë, gjatë gjithë muajit, të cilat, personalisht, ia bëja prezent, sipas detyrës që kisha, Ministrit të Mbrojtjes, nëpërmjet shefit tim, por edhe direkt Atij, Ministrit, dhe Ai duhej, patjetër t’ia bënte prezent Presidentit. Kjo ishte detyrë për çdo rast dhe jo më për ngjarje të tilla aq madhore!??
U binda për këtë rreth, orës 2.30 të datës 1 Mars, sepse nga eprori im kryesor, m’u kërkua që të merrja një automatik dhe të luftoja kundër një turme prej, 10-15 mijë vetësh, në shumicë, të armatosur!?!
Bindja nuk është fakt, lus Zotin që të jem i gabuar… më vonë më doli se nuk isha shumë i gabuar!!! (Nuk e di se kujt i duhej vdekja ime!!)
Dëgjoja, urdhërat e Presidentit, të cilët ishin për të mbrojtur objektet, por pa vrarë asnjëri, kundër turmave të mos qëllohej në asnjë mënyrë, dhe këto urdhra qenë të tilla nga fillimi deri në fund të detyrës së tij, ndërsa mua më urdhëronte, eprori im që të luftoja kundër turmave, duke e ditur fare mirë se detyra e shërbimeve informative është vetëm dhënia e informacionit dhe jo e të luftuarit… Nga specializimet e bëra në disa shtete perëndimore, me shërbimet e tyre informative, si edhe nga eksperienca, di se pa informacion, nuk mund të drejtohet familja dhe jo një shtet i tërë, aq më tepër një shtet si i joni, ku gënjeshtra ishta e para dhe e fundit gjatë 45 vjetësh diktatur komuniste. Si përfundim, them se nuk jam gabuar, Presidenti nuk është informuar, realisht për atë që po ndodhte dhe që situata po agravohej, atje në Vlorë. Ai në shumicën e rasteve, po mashtrohej dhe them se kur e informonin, informacioneve reale u vinin ndonje gjethe përsipër…
Ora 12.30, SHIK-u goditet me granatahedhës. Gati, tërë kati i i dytë, shëmbet! Në këtë çast ndërpritet komunikimi me telefon. Mbetën, për dijenin time, 6 të vrarë, ndërsa 10 të tjerët, shqyejnë një nga dritaret e siguruara me hekura dhe dalin duke iu kacavirur kodrës. Atje u dalin disa nga banorët vlonjatë, të cilët i strehojnë nëpër shtëpitë e tyre. Evakuimi i tyre për në Tiranë, një nga një, do të fillonte vetëm pas dhjetë ditësh. Nuk kalojnë shumë minuta dhe më vjen një tjetër telefonatë nga jashtë, që më njoftoi se Besnik Hidri ishte hedhur nga kati i dytë dhe ndodhej tek oborri i shkollës së marinës, e cila është ngjitur me ndërtesën e SHIK-ut. Në të vërtetë, Besnikun e kishte nxjerrë atje, presioni i goditjes nga granatahedhësi dhe se, kolegu ynë e kishte gjetur të shtrirë në bar. Marr në telefon komandantin e marinës, një pusht djalë, për ta ndihmuar sepse Besniku ishte i gjallë. Ai më përgjigjet se nuk mund ta ndihmonte se kishte hall se mos e vrisnin rrebelët.
Kolegu im, merr Besnikun në makinë për ta çuar atje ku i thashë unë, në spital, por rruga ishte plotësisht e bllokuar nga rrebelët e armatosur dhe se po t’i shihnin, do t’i kishin vrarë që të dy. Atëhere, e porosita që ta dërgonte në Pashaliman, ku më pas do të çoja një infermier.
.
Ngajrjet e vitit 1997 në Vlorë
Ngjarjet e vitit 1997 në Vlorë

Pas ndërtesës së SHIK-ut, u vjen rradha depove dhe reparteve, afër godinës. Goditet komanda e marinës dhe Shkolla e Marinës. Për 2 orë shkatërrohet gjithçka. Ora 2 e mëngjesit.

Rrethohem në Kusbaba. Nuk sulmohem pasi ndërhyjnë disa oficerë vlonjatë të cilët, pothuajse më marrin në mbrojtje .
Numëroj 4 herë tentativë për sulm kundër zyrave që kishim në Kusbaba. Më në fund, me makinën e një oficeri vlonjat, largohem fshehurazi në drejtim të fabrikës së çimentos , në Pallatin e Sportit dhe mbërrij tek “Kulaçi”, në Skelë.
Sapo arrij atje, më ndalon një grup i armatosur, rreth 2000 veta. Kishin ngritur një barrikadë në rrugë dhe kishin lënë vetëm një shteg të vogël si kalim. Një burrë, me një hu të madh në dorë, më urdhëron të zbres nga makina. Nga makina, duke zbritur, para sheshit te universitetit, fare afër, shikoj 4 trupa të shtrirë. Ishin të shokëve tanë.
Një grua i binte njërës prej kufomave me sopatë, duke e coptuar. Një tjetër, shumë e shëmtuar në fytyrë, ngjyente duart në trupin e Lekë Qokut. Ai po jepte shpirt. Gruaja e shkurtër, ngjyente duart në gjakun e Lekës dhe ia tregonte turmës, duke u ngërdheshur me histerizëm. Gjaku i kullonte duke i përlyer edhe krahët.
Shtanga dhe me hipi një tmerr i vërtet për atë që po shikoja, por edhe, në një farë mënyre, më ndihmoi se më largoi nga ajo frikë që në këto raste e kap njëriun duke ditur se çfarë mund të më ndodhte, kur isha i rrethuar nga njerëz të armatosur që të vrisnin për qejf…
Të pasnesërmen, më vjen lajmi se ajo grua ishte Luiza Hoxha, deputetja e sotme e Kuvendit shqiptar. Ai që kishte hurin, ndoshta në një moment dobësie, më thotë “Ikni, frikacakë” dhe na la të lirë.
Hyj në Pashaliman dhe gjej 14 oficerë dhe kapterë. Takoj aty oficerin që kishte sjellë Besnik Hidrin. Më tregon vendin se ku e kishte dërguar. Kur hyra atje, pashë që trupi i tij ishte fryrë krejtësisht, gjysmën e krahut dhe syrin e djathtë, e kishte të shpartalluar. E pyeta: “Besniku je?” Ai më përgjigjet vetëm me një lëvizje qepallash. O Zot i madh, si ishte katandisur…! Në ato kushte, ishte e pamundur për të bërë diçka për ta shpëtuar nga vdekja…
U lutem oficerëve të nxjerrin anijet nga baza në det të hapur për mos t’u pushtuar nga rebelët. Ndërsa ata më përgjigjen: “Ik që këtej se po të gjetën këtu ty, bandat e Gjinushit dhe të Brokës, do të na vrasin edhe ne!” Lajmëroj për ardhjen e një helikopteri. Mbërrin në orën 4 e 15, por për Besnikun ishte shumë vonë. Besniku, ky djalë i mrekullueshëm dhe nëpunës i shkëlqyer, vdes gjatë rrugës për në spital, të paktën, mua kështu më thanë…
Marrë nga muri i fb i Kostandin Koliqi 28 shkurt 2018
* Titulli i shkrimit redaksional Radiandradi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.