back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Një titull për një foto të Idromenos – nga Qerim Vrioni

Gazeta

Kol Idromeno - “Pendimi i një mëkatari”
Kol Idromeno – “Pendimi i një mëkatari”

Një titull për një foto të Idromenos

nga Qerim Vrioni

Fotoja bashkëngjitur paraqet një prift katolik, dy djem ndihmësa dhe një tjetër, por të veshur keq e të ulur në gjunjë para tij. Ajo ka autorësinë e piktorit dhe fotografit të njohur, Kolë Idromeno (1870-1940), është realizuar në Shkodër dhe daton fillimshekullin XX. Prej disa kohësh fotoja, e cila mendohet si një nga më të arrirat e dala nga aparati i Idromenos, gjendet brenda disa botimeve dhe artikujve për fotografinë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.
.
Fotografi Qerim Vrioni
Fotografi Qerim Vrioni

Para syve të publikut

Paraqitjen e parë në botime dhe organe shtypi, pra në imazh fizik, nga hulumtimet e deritanishme, thuhet se fotoja e ka pasur në një Manual për 20 vjetorin e Pavarësisë, të botuar më 1932 në Tiranë nga Qeveria Shqiptare. Mandej, pasi u la në harresë për disa dhjetëvjeçarë, ajo u shfaq sërish në albume dhe libra vetëm pas ndryshimit të sistemit politiko-ekonomik, në fillimvitet ’90.
Motivi i mohimit për një kohë kaq të gjatë ishte fare i qartë, paraqitja e një prifti, qoftë edhe në një foto, ishte e papranueshme. Mandej (pas vitit 1967) kur Shqipëria u bë krejtësisht ateiste (i vetmi shtet në botë), në vend nuk gjendej më këmbë asnjë fetar i gjallë me veshjen përkatëse. Edhe në monografinë kushtuar Idromenos të studiuesit Mikel Prennushi “Kolë Idromeno” të vitit 1984, nuk shihet kund fotoja (edhe sikur ta kishte vënë autori, nuk do ta lejonte redaksia e shtëpisë botuese).
Ndoshta, për herë të parë, pas rrëzimit të diktaturës komuniste, fotoja ka dalë duke shoqëruar artikullin tonë “Kolë Idromeno ka hapur kinemanë e parë në Shqipëri” në numrin e datës 2 nëntor 2007 të gazetës ”Tema”. Aty ka titullin “Falja”, por pa vitin e realizimit të saj. Me titullin “Pendimi i një mëkatari” fotoja e Idromenos u publikua edhe në faqen 88 të botimit “150 vjet fotografi shqiptare” të vitit 2009, gjithashtu në mungesë të kohës së shkrepjes. Pak më vonë, fotoja iu bashkëngjit artikullit “Skena të rëndomta që trandin dhe gurin” të gazetares së kulturës, Elsa Demo dhe u botua në gazetën “Shekulli” të 15 qershor 2011, me titullin “Pagëzimi”, tashmë edhe me vitlindjen, 1910. Po atë vit, 2011, fotoja paraqitet edhe në albumin “Shqipëria – një rrugëtim fotografik -1858-1945” të dy studiuesve francezë, Loic Chauvin dhe Cristian Roby e të botuar nga “Ecrits de Lumiere” dhe “Albimazh”. Aty fotoja ze vend në faqen 24 bashkë me emërtimin “Pagëzim”, autorin Kolë Idromeno dhe vitlindjen 1910. “Një vit më pas, më 2012, fotoja u botua edhe në librin e studiuesit Alfred Dalipi me titull “Shqipëria dhe Shqiptarët”, me foto të vjetra, ku përanash diçiturës “Pagëzimi” shënohet edhe viti i realizimit, 1910, atje ajo shpërfaqet edhe ballinën e fundit.
Kjo foto u paraqit edhe jashtë vendit, si p.sh. në albumin “Ritratto di un popolo” (“Portreti i një populli”), të publikuar në Lecce (Itali) në vitin 2007. Albumi shoqëronte ekspozitën e hapur në Lecce në maj të atij viti, me foto të Marubëve dhe të Idromenos. “Pendimi i një mëkatari”(Pentimento di un peccatore, it.) është diçitura e fotos në faqen 46 të këtij albumi, me emrin e autorit, po edhe në këtë rast pa vitlindje. Mandej, fotoja me priftin dhe djalin duket edhe në albumin “Marubi – Objekti i lëvizshëm i një Arkivi” të vitit 2015, te kreu për Kolë Idromenon, në faqen 126. Poshtë fotos shënohet thatë “Pa titull”, po sërish pa shënuar vitin e realizimit. Kështu, pa mëtuar që kërkimet tona të jenë shteruese, fotos i mbesin këto emërtime: “Falja”, “Pagëzimi” dhe “Pendimi i një mëkatari” që në thelb ndryshojnë nga njera-tjetra. Pasaktësi paraqet diçitura shoqëruese e kësaj fotoje në ekspozitën retrospektive “Kolë Idromeno”, të hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve më 27 qershor 2019. Në fletëpalosjen shoqëruese të ekspozitës shënohet: “Një frat, ka përpara ulur në gjunjë një djalë, duke u falur janë edhe dy djem të tjerë“, dhe vitin 1930, (largësi jo e vogël kohore, 20 vite midis saj dhe vitit 1910), e cila çalon edhe si formulim gjuhësor. Argumente të forta dokumentare në krah të njërit vit apo të tjetrit, ende nuk janë gjetur për të vendosur pikat mbi i për caktimin e saktë të kohës së realizimit të kësaj fotoje.
Cili do të ishte emërtimi më i saktë, ai që përshkruan më mirë veprimin që po kryen prifti me djalin e varfër, por edhe kur është realizuar fotoja?
Nga një bisedë e drejtëpërdrejtë me monsinjor George Frendo* (Tiranë, 29 korrik 2019), mësova se “fotoja nuk pasqyron pagëzim, djali ka qënë i pagëzuar me herët, mandej ka kryer veprime disi të mbrapshta dhe është përjashtuar nga kisha. Më vonë kisha e pranon djalin në gjirin e saj, duke kryer kësisoj pajtimin. Kjo ndodh të mërkurën e përhirshme me fillimin e kreshmërisë”. Kështu në foto, sipas monsinjor Frendo-s, “po kryhet riti i pajtimit të mëkatarit në kishë, rit që i ka fillimet e tij qysh në shekullin 4 p.K.”. Kështu, në mungesë të emërtimit zanafillas (deri tani) të vendosur nga vetë autori i fotos, ndoshta titulli më i pranueshëm “Pajtimi” mund të mbetet deri tani ai i sugjeruar nga përfaqësuesi i kishës.
Së pari, si është realizuar kjo foto? Hamendësimet për këtë janë të ndryshme, por grupohen kryesisht në dy mundësi. E para, nga syhedhja: një rastësi. Skena zhvillohej brenda kishës ose dioqezës dhe atypari kalon Kola me aparat në krah, hynë në kishë ndërsa prifti (frati dioqezan ose jezuit) po kryen një rit tradicional(?) me djalin këmbëzbathur dhe të gjunjëzuar. Këtë version e rrëzon passhpina e personazheve, e cila nuk është gjë tjetër veçse një nga fondalet e zakonëshme që artisti Idromeno përdorte për skena të ndryshme që do fotografonte. Pra, fotoja që po analizojmë nuk është shkrepje e rastit.
Mundësia e dytë, dhe më e besueshme, kjo është një foto, subjekti i së cilës është studiuar mirë paraprakisht, ndoshta pasi e ka shikuar dikur skenën duke u zhvilluar me të vërtetë në kishë ose është sugjeruar nga ndonjë përfaqësues i kishës. Kështu, natyrisht pas përpunimit në laboratorin krijues në mendjen e fotografit, subjekti është sendërtuar, mandej është fotografuar në studion e Idromenos me emrin e goditur “Dritëshkronja e Kolës”. Ndërkohë, duhet theksuar se ai kishte krijuar më herët edhe disa kompozime intriguese në pikturë kavaleti mbi tema të njohura fetare.
Sigurisht, ai e vendosi fratin edhe si në një rol teatror, të cilin ky e kishte luajtur kaq herë me të vërtetë në kishë, por pa praninë e fotografit dhe aparatit të tij. Më ndryshe, fotoja përngrinë në letër një çast nga zhvillimi i një mikrodrame (pendimi, pagëzimi ose krezmimi, ku të katër personazhet janë duke luajtur me seriozitet rolet e tyre të paracaktuara nga regjisori (fotografi) artist. Duke thënë kështu, rrjedhimisht, fotoja futet në gjininë e kompozimit fotografik, të lëvruar edhe nga fotografë të tjerë shqiptarë të fillimshekullit XX.
Ja vlen të përmendet se Kolë Idromeno ishte njeri me kulturë të gjerë dhe kishte lexuar mjaft edhe për teologjinë. Kështu, ai ka krijuar në fund të shekullit XIX, shumë kohë para realizimit të kësaj fotoje edhe disa kompozime piktorike me tema fetare, si p.sh. tablon e madhe alegorike “Kur hyn dreqi në shtëpi” (vaj,1899), të porositur nga kisha (Suzana Varvarica Kuka “Kolë Idromeno në pasqyrën restauruese, mjeshtrit që nxorrën në dritë veprat”, gazeta “Panorama”, 22 korrik 2019). Ndoshta edhe foton për të cilën po flasim dhe me atë subjekt të veçantë, siç u cek shkarazi më sipër, kisha katolike mund t’ia ka kërkuar Kolë Idromenës ta realizonte.
Në këtë foto, syri i shikuesit kap fillimisht imazhin e fratit të veshur me veladonin e zi, i fotografuar më këmbë, përanash dhe me qendrim prej statuje. Ai ze një pjesë të mirë të sipërfaqes së fotos. Pas figurës së priftit, natyrshëm, shikimin e tërheq paraqitja e të tre djemve, të ndarë midis tyre nga veshjet, veprimet dhe qendrimet. Dy djemtë përballë janë të veshur mirë, të krehur, më këmbë, fotografuar ballas, duke mbajtur njeri librin (ndoshta ungjillin) dhe tjetri një kupë (me ujë të bekuar-sipas monsinjor Frendo-s). Në të majtë paraqitet figura e djalit të gjunjëzuar, kapur përanash, kokulur, me flokë të pakrehur, keqveshur e zbathur e me duar të bashkuara si për të kërkuar falje a falënderim. Krejt të ndryshëm janë edhe shikimet e djemve, ata përballë shohin me krenari drejtë objektivit të aparatit me qëndrim të palëvizëshëm. Ndërsa djali plangprishës, se tek e fundit kështu duket, ndoshta edhe pa familje me duar të bashkuara dhe kokën e përkulur, shoqëron me sy lëvizjen e dorës së fratit, afrimin drejtë kokës, prekjen e saj dhe mandej tërheqjen e saj. Natyrisht, veprimeve të njeriut të perëndisë, u shtohen ndërkohë edhe fjali të thëna prej tij dhe të marra posaçërisht nga librat fetarë. Në shikimin e priftit nuk dallohet nënçmim a përbuzje për djalin, ai shikon, po nuk vëren, sepse e ka mendjen vetëm tek ato që po i thotë atij.
Po dora e priftit, po shkon drejtë kokës së djalit apo pasi ka prekur lehtë atë (sipas ritit), po tërhiqet? Më ndryshe, fotografi ynë nuk ka përngrirë pikën kulmore, prekjen e kokës nga dora e priftit si shenjë pajtimi a faljeje, por pak çaste para ose pas, duke lënë ta kuptoj shikuesi i fotos. Natyrisht, që nuk ka shumë rëndësi kapja e atij çasti; shikuesi i vëmendshëm e përfytyron prekjen e lehtë të dorës te koka e djalit. Sidoqoftë, si para ashtu edhe pas momentit të kulmit të subjektit (prekjes së kokës), fotoja përcjell dramë që e shpërfaq edhe qëndrimi dhe fytyra e priftit, i cili duket se e përjeton thellë aktin.
Pasqyrimet në artet pamore të njërit prej dy çasteve, paraardhës dhe pasardhës të pikës kulmore të një skene dramatike, ka çuar në krijimin e veprave jetëgjata në historinë e pikturës dhe skulpturës botërore. Këtë lloj kapjeje, shpesh përçojnë tek shikuesit e tyre edhe kumte shtesë, përpos atij kryesor. Kështu, mendohet se dora e priftit dhe koka e djalit përbëjnë vatrën kuptimore të fotos.
Edhe pse Idromeno i përkiste besimit ortodoks, ai e gjeti të udhës t’i japw mesazhet e tij fotografike nëpërmjet ritit katolik, çka është shprehje e frymës së tij liberale aspak fanatike. Nga ana teknike, fotoja paraqitet mjaft e arrirë, grafikisht e gjetur, kuadrimi i goditur, me kundërshti tonale të forta, aty e bardha është e pastër dhe e zeza shfaqet e plotë.
Gjithsesi, pavarësisht nga titujt e ndryshëm që i janë vënë ose mund t’i vihen fotos, ajo përcjell te shikuesit edhe një kumt shoqëror me vlerë. Ajo tejçon te ata, në mënyrë simbolike, nëpërmjet artit të fotografisë, edhe rolin e pakrahasueshëm dhe të përhershëm të fesë (në këtë rast asaj katolike), në kthimin e të gabuarve në rrugën e të mbarëve, pra në edukimin moralo-etik të njerëzve.
 
*Monsinjor George Frendo, me origjinë nga Malta, është prej disa vitesh Arqipeshkv Metropolitan i Dioqezës Tiranë-Durrës, ai flet dhe shkruan shumë mirë shqip. Në vitin 2019, ai ka botuar në Tiranë librin interesant “Bisedoj me miqtë e mi”, ku shpaloset përvoja e tij 50 vjeçare si meshtar jo vetëm në Shqipëri.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.