back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Një skuadër pushkatimi për Nikaj-Mërturin – nga Pellumb Dedndreaj

Gazeta

Pellumb Dedndreaj
Pellumb Dedndreaj

Një skuadër pushkatimi për Nikaj-Mërturin

nga Pellumb Dedndreaj

 
Detaje tronditëse nga Dosja Nr. 2351 
e ish-sigurimit të shtetit pas arratisjes 
së Bub Matosh Dedndreaj në vitin 1948.
 .
Fashikull i Dosjes 2351 - Bub Matosh Dedndreaj
Fashikull i Dosjes 2351 – Bub Matosh Dedndreaj
Menjëherë pas fillimit të punës për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit famëkeq të shtetit, ju drejtova këtj autoriteti me një kërkesë, për të parë deri ku ka shkuar çmenduria e xhelatëve, si dhe, për të ditur gjendjen e paraardhësve të mi në raport me situatat e një përndjekje dhe persekutimi të vazhdueshëm për gjysëm shekulli.
Pas disa muajsh mora zyrtarisht nga Autoriteti i Dosjeve, dosjen me Nr. 2351 të deklasifikuar të gjyshit tim të ndjerë Bub Matosh Dedndreaj.
Nuk kisha asnjë dyshim për bëmat dhe tragjeditë që i ka sjellë popullit shqiptar diktatura dhe xhelatët e sigurimit me falangat e tyre, por krijova bindjen e thellë se sado i informuar të jesh, sado tragjedi dhe vuajtje ke kaluar, sado hetime, tortura, burgje e internime, prap sigurimi famëkeq i diktaturës ishte edhe më i keq sesa përshkruhet dhe mund të imagjinohet.
Kur menduam se u çliruam nga të huajt, u gabuam pasi djajt e kuq ishin pushtuesit e rinj, ata do na dhunonin dhe përdhosnin, pushkatonin, burgosnin, internonin, ata do na ndanin përfundimisht nga qytetërimi dhe vlerat perëndimore.
Edhe këtë herë, Amerika dhe fuqitë e mëdha të Europёs, Shqipërinë e kishin lënë vetëm, në dorë të komunizmit ashtu siç e lanë këtë komunitet të krishterë të varrosur për V-së shekuj nën perandorinë osmane. “Për njëzet shekuj, shqiptarët kanë qenë pasardhës të mbetur të rracës më të hershme Ariane në Europё. Me karakter, temperament dhe me zgjedhjen e tyre, ata e kanë vendin mes popujt e perëndimit dhe jo me fqinjёt e tyre sllavё të Ballkanit” – thotë Rose Wilder Lane.
Instalimi i diktaturës ishte i papranueshëm në malësi, edhe kur pjesa tjetër e vendit tashmë gjendej në kthetrat e regjimit. Malsorët fisnikё, trima dhe guximtarё nuk e kishin negociuar as dorëzuar kurrë lirinë e tyre, qysh kur u vendosen në këto male. Kishin luftuar me vendosmërinë më të madhe kundër gjithkujt që i kishte msy për t’u cënuar vatanin, lirinë, nderin dhe dinjitetin. Qëndruan kreshnik si vetë malet, duke ruajtur të pastër gjithçka shqiptare në të gjitha kohërat. Instalimi i diktaturës me ndihmën e boshtit të djallit Beograd-Moskё, ishte fatal për shqiptarët. Ose do bëheshin skllevër të bindur verbërisht, ose pasojat do të ishin të paparashikueshme as në ëndrrat më të kqija të mendjeve të sëmura. T’u përmendësh asokohe komunizmin burrave të Nikaj-Mërturit, tërboheshin njësoj si demi kur i nxjerr përpara leckën e kuqe. Ata e dinin se jeta e atyre që e donin lirinë dhe qytetërimin do të kthehej në ferr dhe torturë çnjerzore, aq sa dhe eshtrat e tyre do të gëzoheshin kur shpirti i tyre do të ndahej nga trupi.
.
Bub Matosh Dedndreaj
Bub Matosh Dedndreaj

.

I fundit që ra nën kthetrat e diktatures ishte Nikaj-Mërturi. Një popull që krenarinë e maste me lartësinë e maleve nga ku Albanët e morёn emrin e tyre të bekuar, ndaj i gjithe bota na njeh me emrin Albania. 
Një popull që hyri në mendjen dhe shpirtin e studiuesve të shumtë nga Europa dhe Amerika. Edith Durham pasi pa nga afër, pasi kuvendoi me ta, u njoh me zakonet dhe traditat e tyre shkroi në librin 
Shqipëria e Epërme ose Gegnia. “Nikaj-Mërturi, çfarë populli do kishin qënë, të kishin një qeveri për të qënë”.
Nuk ishte e thënë të ndodhte kështu. Një qeveri mizore po lidhte me shpejtësi nyjet e litarit që do vendosej në qafën e shqiptarëve.
Në Tiranë kishte mbirë tirania, një sekt mizor që po përparonte përditë duke shkelmue mbi gjakun e pafajshëm të atyre shqiptarve që s’e dorёzonin lirinë. Po zhbëhej me shpejtësi gjithçka që shqiptarët ishin munduar të ruanin nga shekujt e mundimshëm të robërisë.
Burrat dhe gratё e kësaj krahine bënë rezistencë sa munden dhe ashtu siç ditën, por, e keqja ju zuri derën. Atë që se bëri Turku për pesëqind vjet, po e bënin vëllezërit e tyre shqiptarë që ja kishin shitur shpirtin shejtanit dhe ishin shndërruar në barbarë.
Sa vinte e rrethi i atyre që nuk nënshtroheshin po ngushtohej, pasi Tirani i Tiranës kishte nisë forca të shumta të armatosura për nënshtrimin e kësaj krahine. 
Si do nënshtrohej Nikaj-Mërturi, pasi nuk ishte nënshtruar kurrë?
Sigurisht, vetëm me breshëritë e plumbave të kallashnikovit mbi burrat e kësaj ane. Vrasjet kishin fillue. Shpend Sadiku njëri prej burrave më të mirë jo vetëm të Nikaj-Mërturit por edhe ndër malet e Malësisë vritet nga forcat e ndjekjes. Ditën kur Nikaj-Mërtursit dhe mbarë njerёzimi luste Shën Mhillin, xhelatët e regjimit pushkatuan ne sy të gjithë popullit Fet Sadikun dhe Ukë Qunin. Ishin prova të qarta se edhe Shën Mhilli ishte i paaftë në betejën me djallin e Tiranës, edhe vetë zoti ishte i pafuqishëm ndaj djallit që kërkonte gjakun e Nikaj-Mërtursëve. Ata, nuk mund të pranonin të bëheshin kufoma të regjimit e të dergjeshin kodrave nga bataret e pushkëve, pasi kishin ruajtur si kristali ndër shekuj kodin e nderit, të vdekjes dhe të familjes. Në çdo mbledhje thirreshin të gjithë burrat, dhe pritej që dikush të pushkatohej. Ka ndodhur që kur thirrej emri i dikujt, të ngrihen njëherësh në këmbë katër vëllezër, unë jam, jo jam unë, ja priste tjetri vëlla, jam unë, më pushkatoni mua thoshte vëllau tjetër. Një krahinë me gjak të pastër, me dy fise që kurrë nuk e kanë njohur martesën brenda fisit edhe pse kanë kaluar dhjetra e dhjetra breza, edhe pse janë shpërndarë anekënd trojeve shqiptare. Ndaj, duke parë situatën, shumë burra ishin të vendosur për të mos u pajtuar kurrë me të keqen, me diktaturën çnjerzore që po instalohej. Nuk kishin asnjë mundësi tjetër t’i shpëtonin torturave dhe plumbave të djajve të kuq, veçse të largoheshin nga vendi me zemër të plasur, por me njëfare shprese të vakët se, Europa nuk do ta lejonte gjatë këtë rregjim gjakatar në mesin e saj.
Rrethana të tilla nuk të ofronin shumë zgjedhje, vdekja ishte larg sepse kalvari i torturave ishte mënyra e preferuar e xhelatëve. “Vdekja është kapak florini” thonë malsorët.
U organizuan, u bënë bashkë me burrat e Dukagjinit dhe morën rrugën e arratisë. Ishte një çetë e madhe që ecte përpara me kokën mbrapa, duke parë me sytë e dhimbjes vendin e tyre që po lënë pas. Po largoheshin vetëm trupat, duke lënë përgjithmonë në tokën shqiptare zemrën dhe shpirtin. Po linin mbrapa, një vend të vogël që historia ishte tregue e pamëshirshme si me asnjë popull tjetër mbi tokë.
Ishte gjamë e madhe për malet dhe malsinë. Ata, që kurrë s’kishin bërë hap mbrapa, sot do braktisnin vendin e tyre.
Kishte ardhë sahati i ligë!
Tirana dhe Tirani u alarmuan! Tirani u ndie i fyer dhe i pa fuqishëm për t’i skllavëruar, torturuar dhe pushkatuar krerët e maleve dhe nisën inkuizicionin.
Arratisja e tridhjetë e tre burrave dhe grave, dhe e mijëra të tjerëve, ishte shenjë e qartë se, liria në këto anë ka çmim tjetër, se çmenduria kishte marrë dhenë. Arratisja e tyre, ishte një këmbanë alarmi për t’i treguar Europёs se çfarë po ndodhe me shqiptarët nga komunistët njësoj si:
Promemoria e Don Shtjefën Kurtit, Don Gjon Bisakut, Dom Luigj Gashit drejtuar Lidhjes se Kombeve ne Gjenevë, për apartedin ndaj shqiptarëve nën Jugosllavi
Si në të gjitha rastet, Europa mbylli sytë dhe i la vetëm shqiptarët në fatin e keq të tyre.
Ashtu siç dhe fillon Dosja 2351 Bub Matosh Dedndreaj, nis dhe terrori i familjeve të të arratisurve, i gjithë rrethit familjar, shoqëror dhe miqësor.
Skedohen një për një dhe vihen nën mbikqyrje të rreptë si armiq nga sigurimi dhe veglat e tij.
Inventarizohet dhe me pas konfiskohet pasuria e tyre në bjeshkë e vrri, terrori arrin nivele të reja duke konfiskuar gjithçka, dhe bazën ushqimore të njerëzve e gjësë së gjallë. Pjesa e familjarëve të mbetur, internohej dhe trajtohej barbarisht duke i kosideruar armiq.
Diktaturat lindin, rriten dhe mbahen vetëm me gjak.
Sipas dokumenteve të kësaj dosje, organet e partisë dhe të sigurimit të shtetit do të shfryjnë gjithë tërbimin në krahinën e Nikaj-Mërturit, ajo do paguante çmimin më të lartë për t’u bërë shembull në sytë e atyre që nuk pajtoheshin me regjimin.
Nё vjeshtë tё vitit 1948, përpilohet një Raport ogurzi! 
Raporti mban firmën e Shefit të Seksjonit P. të Mbrendshme
Kapiteni II të Hasan Haxhija.
 .

Flete nga Fashikulli i Dosjes 2351
Flete nga Fashikulli i Dosjes 2351
Raport
Mbi bandat e armatosura në rrethin e Tropojes, mbi veprimtarinë kriminale që kanë zhvilluar gjat muajit Gusht 48, për të gjitha këto po ju njoftojmë sa ma poshtë:
Haxhija, e paraqet pa probleme gjëndjen kudo në Tropojё, përveçse në krahinën e Nikaj-Mërturit në këtë raport.
Haxhija thote se, punët e partisë kanë shkuar mirë dhe se elementi raksionar nuk ka mundur të përfitojë nga parullat e tij për të shqetësuar masën, pasi masa është sqaruar nga shokët e partisë. Elementi kundërshtar, është demaskuar dhe nuk ka mundur të bëjë pengesa përveç në krahinën e Nikaj-Mërturit, ku është i mbushur me banda. Më pas vijon:
a)Përsa i përket veprimtarisë kriminale të kryera prej bandave të armatosura në Nikaj-Mërtur:
Krimineli Mark Tunxhi me datën 28 gusht 1948, në shtëpinë e Talush Palit nga Shëngjergji, lagjia Markaj, ka vrarë dy policë dhe ka plagosur rëndë një kapterr të mbrojtjes së popullit së bashku me Talush Palin dhe janë arratisë dhe janë bashkuar me kriminelin Nik Sokoli.
Gjatë këtij muaji në krahinën e Nikaj-Mërturit janë arratisë gjashtë kriminelë dhe po ju rradhitim emrat: Bub Matoshi, Pal Ceka, Mirash Uka, Gjon Bala, Marash Tushi, Zef Delia nga Salca
b)Përsa i përket efekteve politike të këtyre bandave, në krahinën 
Nikaj-Mërtur efektet politike të këtyre bandave kanë qënë të favorshme për ta.
Në këtë krahinë kriminelёt kanё bërë që të favorizohen dhe të qëndrojnë vazhdimisht në këtë krahinë. Elementi kundërshtar, është bërë gati dhe pret ndryshimin e situatёs nga dita në ditë dhe nuk pyesin fare në ka qeveri. Përsa i përket masave të marra në këtë krahinë në përgjithësi, komiteti i partise ka dërguar shokët më të mirë për t’i sqaruar masat e popullit, por në këtë krahinë, nuk është bërë as edhe një efekt: arsyet kanë qënë se populli nuk merr pjesë në konferenca. Ka arritur që dhe anëtarët e partisë të asaj krahine, të jenë lëkundur nga tronditjet e rraksionit. 
 
-Për të gjitha këto që janë konstatuar në këtë krahinë, neve kemi vënë në dijeni shokët e pushtetit për t’i vënë rëndsinë sa më të madhe kësaj krahine, por deri më sot nuk nuk ka bërë asnjë efekt politik fare. Në atë krahinë nuk shkojnë më planet e pushtetit.
Neve mendojmë se:
Ne krahinën e Nikaj-Mërturit të vijë një forcë operuese dhe t’i jepet liri të bëjë një operacion të rreptё për të qëruar të gjithë elementët e dyshimtё të asaj krahine dhe për të prishur qendrat e bandave kriminale të kësaj krahine.
Përveç këtij mendimi, ne nuk kemi mendim tjetër mbasi kjo krahinë nuk shtrohet ndryshe.
Firma dhe vula
Bub Matosh Dedndreaj
Bub Matosh Dedndreaj

Pra, Haxhija kërkonte skuadër pushkatimi për krahinën e Nikaj-Mërturit.
Kërkonte xhelatё të tipit Xhemal Selimi, i cili pasi i pushkatonte njerëzit krejt të pafajshëm, akoma pa dhënë shpirt, pa u shuar oshëtima e breshërive, thyente arra në kondakun e automatikut dhe i hante duke u zgërdhirë teksa shikonte gjakun të shkonte vadë për tokë. 
Pas leximit të këtij raporti tepër sekret, lindin disa pyetje.
-A ishte shtruar dhe pajtuar Malësia e Gjakovës me diktaturën përveç krahinës se Nikaj-Mërturit?
Vetëm një mendje djallëzore mund të mendojë se ishte kështu.
-Përse Haxhija, kërkon të derdhë gjakun e Nikaj Mërtursve në emёr të diktaturës dhe i quan ata bashkëpuntorë të Jugosllaveve, kur partia e tij dhe tirania ishte themeluar dhe ideuar pikërisht nga Jugosllavët?
-A ishin Miladini e Dushani themeluesit e partisë së punës?
Sigurisht që po!
-Sepse ishin të krishterë gjaku i tyre nuk vlente dhe duhej të shkonte lumë?
-Kërkonte të ndërtonte karrierën dhe të fitonte simpatinë e partisë, duke masakruar burrat e një krahine që kishin ruajtur në shekuj identitetin kundrejt gjithfarë represioni, kurthi dhe bllokimi te osmanllive dhe nuk ishin bërë milet e Haxhi, si Haxhija?
-A ishte Hasan Haxhija që kërkonte të fajsonte te Enveri, Nikaj-Mërturin si Rexhep Agai i Hyacinthe Hecquard, që grumbulloi një sasi të madhe pjesësh të trupave të njeriut, i leu me kripë, mbushi thasët dhe u nis për Stamoll për të fajsuar Kelmendasit te Sulltani?
-A e dinte Haxhija se, për qindra vjet kishin luftuar bashkë si vëllezër kundër çdo pushtuesi të trojeve shqiptare?
-A e dinte Haxhija se, krahina e Nikaj-Mërturit kishte përballue sulmet e dyfishta, edhe të osmanllive dhe të Haxhijve që krijuan osmanët duke ju ndërrue kokat, por jo trupin, që deri vonë kishim gjithçka njësoj, edhe kulturë, edhe zakone, edhe tradita edhe besimin në zot, dhe sot po shfaq gjithë tërbimin?
Krimet monstruaoze të diktaturës nuk kanë njohur kufij.
Ç’shembuj të tmerrshëm do të mund t’ju jepja nga vete familja ime si dhe nga familjet e tjera në Malësi, sikur dhimja prej kujtimeve të tilla të mos ma mbyllte gojën.
Unë jam rritë duke ndie emrin e këtij xhelati si dhe shumë e shumë të tjerëve. Kam provue në lëkurë terrorin, dhimjen, përbuzjen dhe vuajtjen.
Nikaj-Mërturi, familja ime dhe shumë familje shqiptare pagoi çmim tepër të lartë, por, duke parë këtë raport si dhe dokumente të tjera të zyrtarëve të ish-sigurimit dhe spiunëve të shpërftyruar, gjërat mund të shkonin shumë më keq.Të gjithë dokumentat që ish-sigurimi i shtetit ka depozitue në adresë të pjestarëve të familjes time në një betejë gjysëm shekullore brenda dhe jashtë Shqipërisë, më bëjnë të ndihem krenar dhe ballëlartë. Një betejë tejet e vështirë dhe e dhimshme por faqebardhë, qëndrim të kristaltë si drita e diellit. 
Diktatura shkatërroi gjithçka të mirë që kishim ruajtur me aq mund nga V-së shekuj pushtim, dhe mbolli farën e urrejtjes që ka mbirë kudo në tokën e zhuritur të shqiponjave dhe që e ka ndarë këtë popull përgjithmonë për të mos u bashkuar më kurrë.
Shqiptarët janë sot, ashtu si i don hasmi.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.