Një sfidant i ri komunikimi: “facebook”-u Klodi Stralla (D.M)

Klodi Stralla

Klodi Stralla

Një sfidant i ri komunikimi – “Facebook”-u

nga Klodi Stralla (D. M)

Esse rreth një risie teknologjike.

Njeriu është qenie që komunikon me të ngjashmit e vet; ka komunikuar me tinguj dhe gjeste, në epokën e shpellave, kur lajmëronte pjestarët e kopesë për gjahun apo armikun kërcënues; ka komunikuar me fjalë të artikuluara, në epokën e grumbullimeve të para të shoqërive njerëzore; ka komunikuar me shkrim, në tabela guri, papiruse, letër shkrimi, në epokën e qytetërimeve babilonase, asiriane, egjiptiane dhe kineze; ka komunikuar me lajmëtarë, me telefon, me telegraf, me gazeta, me radio dhe se fundi me televizorë në epokën moderne. Nuk janë mbushur ende 10 vjet që kur është shfaqur një sfidant i ri komunikimi, mbretëria e të cilit nuk mund të parashikohet se sa do të zgjasë.

.

Mark Zuckerberg - (14 maj 1984)

Mark Zuckerberg – (14 maj 1984)

Ishte viti 2004 kur një pedagog i ri amerikan me origjinë hebre, i quajtur Mark Zuckerberg, Larry Rosen që punonte në Harward, projektoi në dhomën e tij universitare një ëebsite vetëm për studentet e tij. Shumë shpejt siti i tij i kaloi kufijtë universitarë dhe brenda një jave në të u abonuan mijra njerëz, duke e kthyer në një rrjet social të gjerë dhe me ndikim botëror. Kështu zuri fill ky mjet i ri komunikimi që sot ka pushtuar botën mbarë dhe që të gjithë e njohim – “Facebook”-u. Së bashku me Apple, Google dhe Amazon përbëjnë “ Katër të mëdhenjtë” apo “Katër Musketierët” e Internetit. Sipas statistikave të publikuara në tetor 2012, numri i njerëzve në Facebook kapi shifrën rekord prej 1 miliard njerëz; numri më i madh i abonentëve janë nga SHBA, e ndjekur nga Indonezia; 85 % e tyre janë të moshave nga 15 – 40 vjet dhe 45 % jane femra. Ritmi është mbresëlënës: në fazat e para, një rritje prej 200 mijë abonentësh në dite!
Rrjeti social Facebook është padyshim një instrument teknologjik shumë efikas, i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë, që na ndërmjetëson, në çast, me njerëz të njohur dhe të panjohur, që janë shumë kilometra larg nesh apo edhe shumë pranë; që na jep mundësi të shkëmbejmë njohuri dhe pikpamje, pse jo edhe të debatojmë për shqetësime dhe çështje të përbashkëta, për të cilat jemi apo jo në të njejtën mendje. Ndryshe nga gazeta apo televizioni informacioni në FB shkon nga autori tek lexuesit dhe nëpërmjet “like” apo “komenteve” i kthehet pas autorit, i cili ka mundësine të shohë nëse pëlqehet apo kundërshtohet mendimi i tij; për më tepër nëpërmjet FB mendimi hidhet në rrjet dhe aty debatohet pro o kundër tij, nga një numur shumë i madh njerëzish që s’e njohin fare njëri tjetrin; si të thuash mendimi votohet! Por që të jetë një mjet komunikimi korrekt, që t’i bashkojë dhe jo t’i ndajë njerëzit, ka nevojë për një etikë dhe kulturë komunikimi miqësore, tolerante, dashamirse, argumentuese dhe mbi të gjitha mbipersonale, përndryshe keqpërdorimi i tij, siç e ka vërtetuar koha, është shoqëruar me trauma individuale dhe sociale, të karakterit psikologjik, ligjor dhe social.
Mbi bazën e studimeve të reja të kryera nga Larry Rosen, profesor i psikologjisë në universitetin shtetëror të Kalifornisë, përdorimi tejmase i Facebook-ut mund të forcojë ndjenjën e mendjemadhësisë, të shtojë sjelljet antisociale, të krijojë emocione të forta dhe stres tek përdoruesit. Në studimin e Rosen është vërtetuar se përdoruesit e Facebook-ut, si fëmijët ashtu edhe të mëdhenjtë, janë prekur nga sëmundje psiqike, te karakterit depresiv, delirant, por edhe agresiv.
Rrjetet sociale si Facebook, në pamje të parë duket se janë ndërtuar për krijimin e një atmosfere virtuale njohëse dhe zbavitëse të njerëzve në shoqëri, por në brendësi, të gjitha këto rrjete janë në shërbim të qendrave mediatike dhe informative… shpesh okulte. Megjithëse regjistrimi në to është falas, abonenti një pjesë të madhe të informacioneve të jetës së tij private i vënë në shërbim të këtyre site-ve. Julian Asange, themeluesi i site Wikileaks thotë: “Facebook është mjeti më i urryer i spiunimit i krijuar deri tani. Çdokush që shton në këtë site informacionet e tij, të shokëve dhe të afërmve të tij, duhet ta dijë se po u shërben falas organeve informative të SHBA.” Sipas tij, Facebook është një thesar informacioni me emrat dhe të dhënat e njerëzve, të cilat abonentët, në mënyrë të pavetëdijshme, i vënë në shërbim të këtij rrjeti social, i cili shfrytëzohet nga shërbimet informative dhe agjenturore të Amerikës. Skandali i përgjimeve të Agjensise Kombëtare të Sigurisë (NSA) dhe çështja Snowden janë në mbështetje të këtij konstatimi.

Facebook - Marketing

Facebook – Marketing

Nga ana tjetër, shumë specialistë janë të mendimit se rrjetet sociale si Facebook shkaktojnë probleme të rënda për të rinjtë dhe për familjet. Kohët e fundit disa avokatë amerikanë deklaruan se Facebook ka qenë shkaktari i 1/5 së divorceve në Amerikë. Mundësitë e shumta që ofron ky site janë bërë shkak që bashkëshortët të kenë më shumë mundësi për të tradhtuar njëri tjetrin; madje gratë dhe burrat përdorin Facebook-un për të mësuar mbi tradhtitë e njëri tjetrit. Gjithashtu të rinjtë e përdorin këtë site për marrëdhënie jonormale dhe fatkeqësisht informacionet e tyre shfrytëzohen nga njerëz shantazhues, duke u dhënë një goditje të rëndë shpirtërore të rinjve.
Por ka edhe shembuj të panumurt ku Facebook shfrytëzohet për forcimin e ndjenjës së miqësisë dhe harmonisë mes njerëzve dhe për reformimin e shoqërisë. Rasti i publikimit të fotos së të riut tunizian Muhamed Bu Azizi, 26 vjeçar në Facebook, ndihmoi shumë në fillimin e protestave kundër regjimit diktatorial në Tunizi dhe të valës së zgjimit të popujve. Të rinjtë tunizianë të irrituar nga kjo foto dolën nëpër rrugë duke shprehur urrejtjen kundër regjimit të diktatorit Zejnulabedin Ben Ali; kjo ka ndodhur edhe në vendet perëndimore ku shoqëria civile ka shprehur opinionin e vet për shumë çështje me interes të theksuar publik.
Qysh kur është shpikur thika, me tehun e saj të mprehtë, prej guri, hekuri apo lazeri, bashkë me të janë përvijuar edhe të dy përdorimet: në Bibël Kaini me të vrau vëllain e vet Abelin, por me majën e mprehtë të saj u punua edhe toka, duke rritur në mënyrë të habitshme disa herë rendimentin e prodhimit; kjo vlen për çdo zbulim të mendjes njerëzore dhe padyshim Facebook nuk mund të bëjë përjashtim prej saj.
Por le të mbetemi me shpresën se mendja dhe shpirti njerëzor do të ecin paralelisht dhe do të kontribuojnë që kjo “Qenie e Dyzuar” të mos sillet si dy gjysma përjashtuse dhe kontradiktore, por si dy gjysma komplementare dhe harmonike ashtu sikundër rekomandonte Sokrati i Lashtësisë.
(Marrë nga Dashamirët e Mendimit, 14 shtator 2013)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Hapësirë Debati  Etiketat: , , , , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook