back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Një pritje e tejgjatë – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Artan Kafexhiu - ne sfond "Pieta" e Mikelanxhelos
Artan Kafexhiu – ne sfond “Pieta” e Mikelanxhelos

Një pritje e tejgjatë

nga Artan Kafexhiu

Nëse në letërsinë shqiptare, në artin shqiptar, do të flitet për një letërsi, krijimtari artistike post-rilindase, post-sociarealiste, post-kadarejane, etj., do të flitet për rastin “e ardhjes në tokë” të një gjeniu (ose pse jo, të disa gjenive) letrarë shqiptarë, i cili do të ecte në një territor të pashkelur më parë. Një shkrimtar i tillë do të arrinte brilancën e vet, nëse jo vetëm do të kishte dhuntinë e një vëzhguesi të qëmtuar të shoqërisë shqiptare, por do të shihte thellë në mendjen dhe shpirtin e tij, sepse pikërisht atje, gjen gjithçka që i nevojitet, siç thotë Bernard Shoë, “gjen universin njerëzor”.
Shembullin e parë e me të moçëm, të një shkrimtari të tillë në historinë njerëzore, shqiptarët e gjejnë shumë afër vetes, tek bardi i parë indoeuropian i njerëzimit, Homeri. Ai i privuar edhe nga të parët, nuk u mjaftua me vëzhgimin e rëndomtë të karaktereve njerëzore që haste përditë, por ishte aftësia e syve të mendjes së tij, që na ushqen edhe sot, nëpërmjet dijeve, njohjes historike të tij, natyrën e karakteret njerëzore, ku secili nga ne mund të gjeje me siguri edhe veten.
Po sipas Bernard Shoë-t, – me Homerin, lindi “bardolatria”, – që jo vetëm na shpjegon ne si njerëz, por edhe na krijon si të tillë. Ngjan se asnjë shkrimtar shqiptar deri më sot, nuk ka hedhur dritë realisht mbi natyrën dhe karakterin historiko-shoqëror të shqiptarit, për të parë se, tek shqiptari kryqëzohen, e mund të zbulohen të gjitha tiparet e personazheve shekspiriane. Kjo ka justifikimin e vet; shkrimtaret tanë nuk mund të kapërcenin kufijtë e letërsisë që bënin, duke filluar nga ajo rilindase komb-shtet-formuese, duke vazhduar me realizmin socialist, – figura utopiste ikonoklaste, falco, pa cene në dukje e “njeriut të ri”, – apo në veçanti, ajo kadarejane, në të shumtën, – një letërsi nacional socialiste mitike-hulumtuese, detyrimisht e sigurisht brënda kornizës sociorealiste. Letërsia e bërë nga shkrimtarët shqiptare, edhe kjo bashkëkohëse, nuk ka mundur të depërtojë në thellësinë e sferës të thelbit njerëzor; shpikjet e krijimet njerëzore të letërsisë shqiptare, nuk kanë mundur të rikrijojnë, aq më tepër, të ndikojnë në ndryshimin, transformimin e tekstilit të natyrës njerëzore të vet shqiptarëve.
Të gjitha arritjet aestetike të letërsisë shqiptare, nuk janë shoqëruar krah për krah, edhe me një forcë e thellësi njohëse të vet qenies njerëzore, të asaj qenie, jo fort të ndryshme nga çdo qënie tjetër jashtë etnisë shqiptare. Kjo duket të jetë arsyeja që tek shqiptarët, nuk u vu në lëvizje ajo që quhet “ndërgjegje moderne”, sepse shkrimtarët e kritikët shqiptarë, të imponuar nga rrethanat historike të pjesës me të madhe të dy shekujve të XIX-XX, mbetën te stacioni i nevojës për ndergjegjësim kombëtar; rilindja shqiptare, nuk i ngjau rilindjes europiane, një lëvizje që kontriboi në transformimin e ndërgjegjes shoqërore, duke krijuar në thelb, njeriun modern.

Te mbetur te stacioni i nevojës për ndergjegjësim kombëtar...
“Te mbetur te stacioni i nevojës për ndergjegjësim kombëtar…”

Kjo ngjan të jetë edhe arsyeja, që shkrimtarin dhe kritikun shqiptar, nuk e kemi parë deri më sot, në konflikt me shoqërinë shqiptare. Nga do të lindte ky konflikt, nëse shkrimtari shqiptar, deri tani, nuk ka mundur t’i shihte shqiptarët me syte e mendjes së tij si tepër “njerëzore”? Po të kishte ndodhur kjo, ndoshta Shqipëria me shqiptarët, do të kishte qenë një vend krejtësisht ndryshe. Ndoshta, të gjithë ne shqiptarët do të kishim ndjerë e folur krejt ndryshe. Idetë e pritshmëritë tona për përkatësinë tonë në universin njerëzor përreth, do të kishin qenë shumë më të ndryshme, e me këmbët në tokë.
Po të kishin qenë shkrimtarët e kritikët shqiptarë të aftë, observues të qëmtuar, e largpamës, për të krijuar, për t’i përqasur aestikisht, për t’i bërë të njohur shqiptarëve në harkun e këtyre shekujve, se ata fare mirë mund të shndrrohen, apo thjesht të jenë edhe krijesa të fuqishme, të frikëshme tiranike, egoiste, kriminele, abuzuese, intrigante, pa karakter e burrni, krahas cilësive më të moralshme njerëzore, a mos ndoshta Shqipëria do të ishte një vend më ndryshe?!
Shkrimtarët shqiptarë nuk kanë mundur të sjellin me mjetet dramatike e figurative të artit të tyre, spektrin e plotë njerëzor, si në kahun e të mirës, ashtu edhe në atë të keqes. Për hir të së vërtetës, nuk kanë qenë në gjendje që duke depërtuar në thellësinë e tyre njerëzore, të mund t’i bëjnë radiografinë shoqërisë shqiptare. Kjo është arsyeja që bota shqiptare sot, e zhveshur lakuriq, para vetes e para botës, totalisht e traumatizuar nga kolapset sociale, politike dhe ekonomike, nuk na duket “si dikur”, një vend i mirë, më njerëzor, ku të mbizotërojë pasja, harmonia, bashkëpunimi, barazia, oportunitetet, etj, një vend i pëlqyeshëm, i këndshëm për të jetuar.
Krijimi i figurës së shqiptarit nga letërsia e arti shqiptar i deritashëm, ka justifikim e vet utilitar-historik. Bëhet pyetja: A është pra shqiptari i sjellur, i prezantuar nga letërsia apo kritika shqiptare e derisotme, ai aktuali, ai i vërteti? Duke u përpjekur, e duke luftuar të gjitha ndikimet, paragjykimet politike, fetare, etnocentriste, kulturore-nacionaliste intelektuale, sociale, etj, duke gërmuar para së gjithash, çdo njeri nga ne, në thellësi të (vet)vetes, të asaj qënie kaq eterike, fluide, nuk është e vështirë të përgjigjesh me një jo të sinqertë.
Letërsia shqiptare deri tani krijoi personazhe, por nuk mundi të zhvilloi personalitetin e tyre me vërtetësi, të zhvilloje idenë e karakterit perëndimor, ku vetvetja, jo shoqëria, të jetë udhëheqja morale, agjenti transformues për secilin nga ne. Utopisë rilindase apo enveriste, i ka rënë perdja; ajo kishte fshehur edhe shumë gjëra të shëmtuara, tiranizuese, hipokrite të qenies njerëzore…

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.