back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Një përshëndetje… dhe pak nostalgji nga koha e fitorjeve… Edmond Hasani

Gazeta

Mond Hasani
Mond Hasani – Varianti doktor

Një përshëndetje… dhe pak nostalgji nga koha e fitorjeve… Edmond Hasani

Me sa shihet po ikën pa lejen tonë dhe ky vit rrugaç, i padisiplinuar, që s’pyet fare për dëshirat tona, që s’na respekton… por me vrap na i merr ditët tona duke na lënë të shpresojmë të dëshpëruar se viti që vjen do jetë më i mirë!
Me kot, e kemi, njësoj do të jetë!
Të gjithë derrat një turi kanë, fundja po hajt mo po bëj sikur po shpresoj!!!Çfare ke? Të dukem cinik apo pesimist që përçoj rreth e rrotull energji negative dhe shpresa të rreme? Jo, mor jo… jam thjesht një pesimist që me optimizëm besoj se asgjë e mirë nuk na pret, por që veç t’Ju respektoj po ju them: Gëzuar 2014!
31 dhjetor 2013

Duke kujtuar hartimet e mia shkollore, ku malet e pamposhtur, mëngjeset punëtore, fushat me grurë e kombajnat e papërtuara, qeni i kufirit dhe kufitari syshqiponjë, qielli i pilotëve dhe deti i marinarëve, këngët e vogëlushëve të kopshteve dhe gjaku i kuq i dëshmorëve, përbënin thagmën e dyfjalëshit “Parti-Enver…”, mendja më shkoi në Kala të Dodës ku ”mbroja” ca kohë Atdheun nga armiqtë që nuk i pashë kurrë me sy, (siç dukej ishin dh… prej meje)!
Ishte vera e nxehtë e ’83-it, dhe atje në kufi nuk kisha aspak dëshirë ta jepja jetën për Atdheun, (siç isha betuar në hartimet e mia ku gjithnjë u merrja 10, mësuesve të letërsisë!
Shijoja asokohe bashkë me patatet e pjekura që s’di pse m’shijonin kur i haja me duar palarë edhe groshën dalë nga një kusi që ishte prodhuar e shtrembër, po edhe bukuritë e Sorokolit dhe Fushës së Korabit…!
Kalova një verë të mrekullueshme majëmalesh, ku idili romantik m’u shfaq veç një herë në kroin e Radomirës në formë nimfe me dy sy të zinj mbështjellë me një shall të zbukuruar nga monedha floriri!
Po e gjithë kjo periudhë rehatije përballë ”armikut” dhe nimfës radomirase, m’u prish kur një dizanteri akute i detyroi eprorët e mi të më hiqnin prej andej! Mbas shërimit më dërguan përsëri lart në male bashkë me një kalë, të cilin meqë s’dija ta ngisja e mbaja përdore gjatë gjithë rrugës për në repart!
Dhe si i lindur fatkeq… në Sllatinë, e humba kalin, i cili përfitoi nga mjegulla e dendur e mëngjesit dhe m’u zhduk! Bëra si bëra dhe arrita në repartin e Sllatinës, i cili ishte vendosur mu në mes të arave me të mbjella! Ky repart ishte si vend internimi për ca ushtarë nga Tirana, të cilët ishin të gjithë me biografi të keqe!
Kur u afrova aty, pashë një pamje sureale: ata ushtarë me mbiemra të çuditshëm si Djathi, Hekuri, Metali, Mjekra etjerë ishin zhveshur lakuriq fare, bile edhe pa brekë dhe po luanin me zar në oborrin e rrethuar me tela me gjemba, pas të cilave kooperativistet po punonin tokën!!!
Kur me panë mua, të habitur u afruan dhe meqë njiheshim paksa, hymë në një bisedë të ngrohtë… dhe kur morën vesh se më kishte humbur kali i repartit më ngushëlluan… duke më kujtuar se “veç 15 ditë burg garnizoni…” do të më takonin të bëja!!!
Ehhhhhh, ishin djem të mirë, qytetarë tironas, të persekutum, gallataxhinj dhe fatkeqë!
Mbas rrëzimit të komunizmit, kam takuar Metalin, i cili me tregoj se “Mjekra u mbyt në Bari… ditën e parë që mbrriti në Perëndim… Djathi është paralizuar dhe ecën me karrocë, ndersa Hekuri vdiq te një kabinë elektrike, ndërsa tentonte të vidhte pak energji… se i duhej të lahej!
E pra, ne ishim ai kontingjenti i atyre që do “mbronim” atdheun nga “armiqtë”… pa i ditur aspak n’atë kohë vargjet: “Mora pushkën dola malit… të luftoja për atdhe… ku e dija unë i gjori… se armiku ish me ne!!!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.