back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Një përjetim që më frymëzoi… – nga Pertefe Leka

Gazeta

Pertefe Leka
Pertefe Leka

I dashur Jozef
Kishe kohë që më kishe kërkuar shkrime për 100 vjetorin e Gjimnazit të Shtetit në Shkodër.
Tashti po afron data 5 Tetor 1922-2022, me kët rast unë do të dërgoj radhazi
çfarë kam shkrue edhe fotot përkatëse. Shkrimin që po nis
asht për gjimnazistën Olimbi Baruti, të cilën e kam takuar 30 vjet ma parë
me rastin e 70 vjetorit të Gjimnazit, ishte një nga studentet e dënuara
në një Gjyq me Alfons Rodavanin, Et’hem Bakallin
Përshëndetje të përzemërta
Respekt Pertefe

Gjimnazi i Shkodrës
Gjimnazi i Shkodrës (1922-2022)

Një përjetim që më frymëzoi…

nga Pertefe Leka

E ftuar si ish-nxënëse e Gjimnazit 28 Nëntori Shkodër, kam marrë pjesë në një sesion shkencor, që u zhvillue me rastin e shtatëdhjetë vjetorit të hapjes së “Gjimnazit Shtetit” (Tetor 1922 – Tetor 1992) Momenti më emocionues ishte, kur në fund të mbledhjes, thërriteshin emrat e ish-mësuesve dhe ish- nxënësve të gjimnazit të martirizuar nga diktatura, për veprimtari të shquar ndaj Atdheut dhe Kombit Shqiptar. Të vlerësuar pas rënies së komunizmit, u ishte akorduar dekorata “Martir i Demokracisë” pas vdekjes. Këto dekorata I merrnin familjarët. Vetëm për emrat, Mirash Ivanaj dhe Asim Rusi, edhe pse shumë të mirënjohur nga auditori, ku ishin pjesëmarrës, shumë bashkëvuajtës të tyre, nuk patën të afërm aty në sallë për të tërhequr dekoratën e tyre.
Pas shumë përsëritjesh të emrit tyre nga drejtuesi i mbledhjes,u ngrit nga salla një Zonjë, të cilës, emri i Asim Rusit, i zgjoi kujtesën e tha: “Kjo Dekoratë më takon mua që ta ruaj” dhe foli…
Artikulli shkruar 30 vjet më parë në gazetën “Liria” 1992

Gaspër Ljarja në personelin profesorëve të Gjimnazit të Shkodrës
Gaspër Ljarja në personelin profesorëve të Gjimnazit të Shkodrës

Kjo dekoratë më takon mua që ta ruaj…

Me rastin e 70-vjetorit të Gjimnazit të Shtetit në Shkodër, u zhvillua një sesion shkencor, i cili u mbyll me ndarjen e dekoratave të mësuesve dhe nxënësve martirë të kësaj shkolle. Shumicën e dekoratave i morën të afërmit e familjeve përkatëse, ndërsa për dekoratën e Asim Rusit në fillim nuk doli njeri për ta tërhequr. Pasi u mbyll programi, nga salla u shkëput një zonjë e cila u paraqit për para të pranishmëve që drejtonte këtë sesion jubilar duke thënë këto fjalë: -Dekorata e Asimit më takon mua për ta ruajtur, sepse kur ai vdiq e kam mbuluar vetë me duart e mia, gjithashtu kërkoi të fliste para auditorit dhe të komunikonte haptazi me bashkëvuajtësit e saj që ishin në sallë se vetëm ata mund t’ia aprovonin atë çka kishte ruajtur në zemër.
Foli pak: “Nuk është vendi këtu që të flas për vuajtjet e mija, se kam shumë për të thënë, por më lejoni të përshëndes ata që më ftuan në këtë përvjetor të gëzuar të shkollës sonë, sepse kemi 50 vjet që nuk i njohim nderimet dhe respektet njerëzore nga ish-pushtetmbajtësit.”
Folësja ishte Olimbi (Baruti) Gavoçi të cilës i kërkova të m’i thotë disa hollësira nga jeta e saj, sepse ato pak fjalë që tha, ishin sintezë e torturave fizike e shpirtërore që kishte kaluar.
Olimbija ishte e bija e Ali Riza Barutit (Prishtina), i cili është i njohur si patriot dhe si oficer epror në Ushtrinë Shqiptare. Ai vdiq shpejt, më 1941, dhe pas tre vjetëve edhe e shoqja. Si mbetën jetim motër e vëlla u dëbuan nga Tirana në Shkodër, sepse duhet të vuanin për prejardhjen e pasur. Vëllai i saj, Ismail Baruti, ishte ndër të rinjtë më aktivë të gjimnazit të Shkodrës. Edhe Olimbija, ndonëse shumë e re, vazhdoi po atë rrugë të rinisë shkodrane antikomuniste. Duke parë rrezikun që po u kanosej, pas shumë burgosjeve dhe pushkatimeve të të rinjve shkodranë, vendosën të arratisen me të vëllanë dhe me dy shokët e tij, Asim Rusin dhe Dedë Pjetrin. Në fillim qëndruan të fshehur në familjet shkodrane te
Xhelo Oroshit (Dudas), të Hysni Alija, në Perash, dhe më vonë të Zei Rexha në Serreq, të cilët vunë në rrezik veten dhe familjet e tyre për t’iu siguruar largimin drejt kufirit.
Nisja nga Postriba deri në Selcë të Tropojës zgjati 3 muaj, ecje në këmbë, lodhje rraskapitëse, luftë me egërsirat dhe luftë për fshehtësi. Pa mbërritur në kufi u mbetet në dëborë shoku i tyre Asimi, i cili nga fizionomia vinte i imët dhe i dobët. Duket nuk e përballoi mundimin e udhëtimit dhe tejlodhjen edhe pse e mbajtën për krahu, me rradhë njëri pas tjetrit për ta shpëtuar. Asimit i mbaruan fuqitë dhe mbylli sytë përgjithmonë. Si u siguruan se vdiq, hapën dëborën dhe tokën me duar e shkopinj dhe e shtrinë trupin e ngrirë në vendin e pushimit të përjetshëm.
E vetmja ceremoni mortore që iu bë shokut të dashur, ishte kryqi që bëri Dedë Pjetri para gurit që vendosën mbi varr. Ecja vazhdoi sepse ishin të bindur se kufiri ishte afër dhe do ta kalonin shpejt, por gabimisht u gjendën para postës shqiptare duke kujtuar se ishin para postës së huaj.
Aty filloi arresti, hetuesia, dënimi burgu.
Gjatë kthimit nga Tropoja në Kukës u strehuan në familjen e Mujo Mujecit, punonjës i sigurimit, ku gjetën mbështetje, sepse gjatë bisedave doli se babai i Mujos e njihte mirë atin e Olimbisë. Përkrahja që i dha ky djalë azgan të rinjëve të arrestuar, nuk mbeti pa rënë në sy, ndaj edhe fati i tij qe më i rëndë se i tyre. Me sa di, – tregonte Olimbija, – ai vdiq në burg për të na shpëtuar ne. Ndërsa gjatë rrugës Kukës-Shkodër patëm përsëri ndihmën e një gruaje kosovare Xhevrije Spahiu, e cila kur na pa në kamion, ku na kishin lënë në të ftohtë, hoqi pallton e saj dhe na e hodhi sipër trupit tonë. I vinte mirë Olimbisë që në mes të atij rrethimi të hekurt takonin edhe njerëz me zemër të bardhë që i ndihmonin, por edhe vritej shpirtërisht, kur mendonte se ç’fat do të kishin ata, po të diktoheshin.
Hetuesia në Shkodër qe e gjatë, 13 muaj rresht, biruca, tortura, qëndresë:
Me të vëllanë u pa vetëm natën e gjyqit, se ashtu u caktua gjykimi i tyre, ora 8 të darkës. Kur e pa të vëllanë verdhë e të kërrusur nga dobësia, donte t’i jepte zemër, por ç’e do se nuk mund të fliste me te. I vetmi komunikim me të vëllanë ishin vetëm sytë, sepse e tërë jeta e tyre ishte mbledhur edhe pasqyruar në to. Me ata sy shprehnin dashuri dhe urrejtje, forcë dhe kurajo, mbrojtje dhe shpresë.
Natën e gjyqit, bashkë me të vëllanë, u pa edhe me 5 gjimnastët e rinj, Refik Bushati, Ethem Bakalli, Alfons Radovani, Pjerin Vata dhe Nexhip Osmani, me të cilët u bë gjyqi i përbashkët. Momenti më kulmor i gjithë vuajtjeve të saj ishte, kur prokurori Nonda Papuli dha pretencën – dënim me vdekje të Ismail Barutit.
Vendimi u dha mbas tre ditëve. Këto tre ditë e net ishin pa gjumë për Olimbinë; shpirti i vlonte, goja fjalë s’i nxirrte, sytë iu thanë nga lotët. Donte ta qante vëllanë e vetëm, por zemra s’ia thoshte. Në ato momente turbulluese thërriste në ndihmë prindërit e vdekur, t’i jepnin një këshillë apo t’i thonin një fjalë, por edhe ëndërrat ishin shuar në sytë e pafjetur. Vetëm sahati i madh i Shkodrës dhe kumbonet e kishës, ia përcillnin mendimet e saj jashtë mureve të qelisë për të kërkuar ndihmë për vëllanë, por desh zoti të mos e shihte motra atë mënxyrë. Pas tre ditëve, u dha vendimi me 101 vjet burg. E kështu jeta e saj u rrokullis pa gëzime, se guri i luftës së klasave i rëndoi në zverk e nuk e la të çante atë rrethim të ftohtë me antinjerëz.
Nuk e meritoi Olimbija këtë jetë. Babai i saj, kur ajo lindi, u gëzua pa masë dhe thirri “O Lum Bija!” Me këtë emër u rrit duke u dhënë kënaqësi prindërve, po me këtë emër u fut në lista të zeza e në dosje të veçanta, deri edhe në gazeta, ku vet prokurori që i gjykoi, shkroi artikull për këta të rinj te “Zëri i Popullit”.
Më mirë i ati ta kishte quajtur me emërin “O Mjerë Bija” sepse do ta kishte përgatitur shpirtërisht për të përballuar tmerret që i diktoi jeta nga përbindëshët komunistë.
Por falë ditëve që solli demokracia që Olimbija po ecën krenare dhe po flet pa frikë për të kaluarën. Nëse gjithçka u shkatërrua në jetën e saj, ajo mbeti e fortë në karakter, ndaj u gëzohet ndryshimeve të mëdha që po i ndjek ato, sikur të jetë në moshën e fëmijëve të vet, me dëshiren, për t’i parë pasardhësit të lumtur me aspiratat e saj.
Pertefe Leka – Dhjetor 1992 “Gazeta Liria”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.