Një letër vërtet e hapur për gjeneralin Pinoçet – nga Ariel Dorfman

Monumenti i të Zhdukurve në Kili

Monumenti i të Zhdukurve në Kili

Në vitin 1973, Salvador Aljende, Presidenti i Kilit, i zgjedhur demokratikisht, u vra gjatë një grushti shteti ushtarak, të drejtuar nga gjenerali Pinoçet, pak kohë pasi vetë Presidenti e kishte emëruar kryekomandant të ushtrisë. Shkrimtari Ariel Dorfman ishte këshilltar i Presidentit Aljende dhe mbijetoi vetëm sepse nuk ndodhej në pallatin presidencial La Moneda, kur ndodhi sulmi. Dorfman u arratis në SHBA, ku jeton edhe sot.
Për 17 vjet me radhë, Pinoçeti e sundoi vendin me grusht të hekurt. Mbi tre mijë kilianë u vranë, ose u zhdukën gjatë diktaturës, të “justifikuar” me Kushtetutën e vitit 1980.
Në vitin 1988, 56% e kilianëve votuan në plebishit kundër vazhdimit të presidencës së Pinoçetit. Sidoqoftë, Pinoçeti u detyrua të jepte dorëheqjen si president vetëm në 1990, por qëndroi në postin e kryekomandantit të ushtrisë deri në vitin 1998, duke bllokuar çdo nismë ligjore që mund të kërcënonte atë vetë.
Në vitin 1998, Pinoçeti doli në pension dhe, në bazë të Kushtetutës së 1980-s, mori statusin e senatorit të përjetshëm, duke ruajtur imunitetin. Por gjatë vizitës së tij në Londër, ai u arrestua pas kërkesës për ekstradim nga Spanja. Pikërisht në këtë kohë është shkruar letra e mëposhtme.
Pinoçeti vdiq më 2006, pa u gjykuar kurrë për krimet e tij të shumta.
.
Augusto Pinochet (kilian)

Augusto Pinochet (kilian)

Një letër vërtet e hapur për gjeneralin Pinoçet

nga Ariel Dorfman

Më beso, gjeneral, kjo është gjëja më e mirë, që mund të të ndodhte. E kuptoj se nuk është e këndshme të arrestohesh pa paralajmërim, të mos lejohesh të dalësh dhe të shetisësh nëpër rrugët e Çelsit (lagje e Londrës), për qejfin tënd, të mos e dish ç’e ardhme të pret. Pa shkuar më tej, ti mund të pyesësh ata kilianë të shumtë, të cilëve ti vetë ua hoqe lirinë, në kushte shumë më të pakëndshme se ato, që ofrohen në një klinikë londineze me pesë yje.
Por, nëse ke frikë e ndihesh i vetmuar dhe nëse ndihesh sikur të kanë ngulur thikën pas shpine, gjeneral, ki parasysh, se fati të ka dhënë, në këtë kapitull të fundit të jetës sate, një mundësi qiellore për të shpëtuar shpirtin tënd.
Që pas grushtit të shtetit të 1973-shit, ti ke jetuar një gënjeshtër, një vetëglorifikim skrupuloz, një arratisje nga sjellja që ndërtove, pikërisht si rezultat i vrasjes monstruoze dhe të patolerueshme të Salvador Aljendes, njeriut që të emëroi në post dhe të cilin ti e tradhëtove. Ajo tradhëti e parë, u pasua nga një ortek i pashmangshëm të tjerash, meqë krimi fillestar duhet të mbulohet gjithmonë me krime të tjerë.
Diktatorët synojnë pushtet absolut, për t’u shpëtuar djajve, që kanë shprangosur. Me shpresën e heshtimit të fantazmave të tyre, ata ngulin këmbë të jenë të rrethuar nga një mur miklues, pasqyrash dhe njerëzish, që thonë vetëm “po”, që të sigurojnë se po, ti je më i miri dhe më i bukuri, ti je më i mençuri. Dhe ti përfundove duke e besuar këtë, gjeneral.
Ti mbrojte atë që kishe bërë, atë që po bëje, prapa një muri pathyeshmërie, pas të cilit askush nuk do të të sfidonte. Kishte një ligj për ty dhe një tjetër për bashkëqytetarët e tu. Kur kilianët të refuzuan, më 1988 dhe të shtrënguan të jepje dorëheqjen si president, më 1990, ti ishe i zoti t’i imponoje, me një kokëfortësi të pabesueshme, të gjithë vendit, një tranzicion, në të cilin ty nuk do të duhej të përgjigjeshe për ndonjë gjë, që kishe thënë ose bërë, një tranzicion, në të cilin ti ishe i vetmi njeri vërtet i lirë, për të thënë dhe bërë ç’të të donte qejfi. I lejove vetes dorëheqjen e shkujdesur, ndërsa e ripërsërisje veten me mjeshtëri, ndërkohë që bashkatdhetarëve të tu u duhej gjithmonë të kafshonin gjuhën dhe t’i masnin fjalët që nxirrnin nga goja. Ne nuk mundeshim, në atë tranzicion të nevojshëm, në atë pakt, t’ia lejonim vetes, t’u dorëzoheshim emocioneve, nga frika se ti, do të hidheshe në kundërsulm, sepse nuk të kishte pëlqyer lëvizja jonë e fundit: një shah-mat, ndaj të cilit, nuk kishim asnjë të drejtë. Në fakt, gjeneral, ti mendove se mund të vazhdoje të gëzoje pandëshkueshmërinë e diktatorit, midis një procesi, përndryshe demokratik.
Dhe ti ngatërrove vendin tënd me botën. Ti mendove se mund të udhëtoje për në Angli, një vend që e ke shpallur si kuintesenca e civilizimit; mendove se mund të shetisje buzë Tejmzit, si të ishte Mapoço (lumi që kalon mespërmes kryeqytetit të Kilit, Santiago); mendove se anglezët duhej të respektonin dhe mbronin rregullat, marrëveshjet dhe ligjet e Kilit, sikur të ishin të tyret.
Është dyfish e këndshme të mendosh se ti re vetë në rrjetë, gjeneral: se ishte e njëjta arrogancë me të cilën ti sundove, që më në fund të verboi dhe të mori mendjen, fantazia se ti do të ishe gjithmonë në gjendje t’u imponoje të tjerëve vullnetin tënd, duke të garantuar se në izolimin tënd, nuk do të të duhej kurrë të shikoje, as së afërmi e as së largu, dhimbjen që u ke shkaktuar të barabartëve të tu.
Ja pse arrestimi yt është kaq i shëndetshëm për ty!
.
Muzeu i Desaparesidos në Kili

Muzeu i Desaparesidos në Kili

Dua që ta dish, gjeneral, se unë nuk besoj në dënimin kapital. Ajo në të cilën unë besoj, është shpagimi njerëzor. Edhe në tëndin, gjeneral. Për këtë arsye, ajo çka kam dashur të shoh, që prej 25 vjetësh tashmë dhe ende e kam të vështirë ta besoj, se mund të ketë gjasa të ndodhë, është se përpara vdekjes, ti do të jesh i detyruar të shohësh, me sytë e tu blu, në sytë e errët e të çelët të grave, djemtë, burrat, etërit dhe vëllezërit e të cilave ti i zhduke. Të secilës grua, njëra pas tjetrës. Unë dua që ato të kenë një shans të të tregojnë, se si u thyen jetët e tyre dhe shqyen copash, nga një urdhër që dhe ti, ose nga një “aksion” i policisë sekrete, që ti zgjodhe të mos e ndaloje. E kam pyetur veten se çfarë do të të ndodhte ty, nëse do të ishe i detyruar të dëgjoje, ditë për ditë, historitë e shumta të viktima të tua dhe të pranoje ekzistencën e tyre.
Ti që beson në Zot, gjeneral, merr në konsideratë bekimin, që Zoti yt i mençur, i dhembshur dhe i rreptë, të ka dërguar, në këto ditë të fundit për ty: mundësinë e pendesës. Që ti të mund ta çash këtë qark të tmerrshëm të krimeve të tua dhe të kërkosh ndjesë dhe të na tregosh se ku janë të vdekurit tanë? E di, Don Augusto? Për mua, personalisht, kjo do të ishte mjaft. Do të ishte një dënim i mjaftueshëm. Ki parasysh se çfarë ndihmese të madhe do t’i jepje vendit, që ti e do aq shumë. Ti mund të ndihmosh kombin tonë të përbashkët, të hedhë një hap tjetër, në këtë rrugë të vështirë të pajtimit, që është i mundur vetëm nëse e vërteta e tmerrshme, e asaj që na ndodhi, pranohet; nëse ti merr pjesë në këtë kërkim të dhimbshëm të së vërtetës dhe nuk gënjen as veten, as ne.
Unë besoj se ti as nuk do t’i lexosh, as nuk do t’u kushtosh vëmendje këtyre fjalëve. Nuk mendoj se do të hiqje dorë vullnetarisht, as nga imuniteti që nuk e ke, as nga pandëshkueshmëria, që ke besuar gjithmonë se ke pasur. Unë dyshoj se, edhe pse i burgosur me trup, ti mund të gjesh forcën shpirtërore të veprosh si një njeri vërtet i lirë, të mposhtësh frikën dhe të kuptosh enigmën e jetës sate, se mund ta shohësh veten si shumica dërrmuese e njerëzimit dhe të kuptosh pse duam të çlirohemi nga e keqja që përfaqëson ti, ti dhe shumë tiranë të tjerë, të këtij shekulli, që tani po i afrohet fundit.
Nuk është kurrë tepër vonë, gjeneral.
.
Përktheu: Kastriot çipi
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook