back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Një kujtim për Lasgush Poradecin – nga Rudolf Marku

Gazeta

Gjergj Fishta dhe Lasgush Poradeci - 1936asgushi-dhe-fishta
Gjergj Fishta dhe Lasgush Poradeci – 1936
Një postim mbresëlenës nga Prof. Gëzim Basha rreth figurës së Lasgushit
u bë shtysë që të kujtohem për këtë që shkrojta më poshtë.
Flm e mia për të gjithë shkrimet e Zotit Gëzim Basha –
për dritën e pozitivitetit dhe erudicionin e gjerë!
.
Rudolf Marku (1952)
Rudolf Marku (1952)

Një kujtim për Lasgush Poradecin

nga Rudolf Marku

Është një ditë e butë Tetori, me një diell që të mbështjellë me rrezet e tij vjeshtore. Gjethet janë mbuluar me atë përskuqje, që i ndihmon aq shumë poetët e rinj për të gjetur pa ndonjë zor të madh metaforat e para të poezive të tyre. Takoj në shkallët e Godinës së Lidhjes Natasha Lakon.
-Pse të mos i bëjmë një vizitë Lazgushit në shtëpi? – më thotë ajo, me atë shkujdesjen e saj karakteristike gjithë përkujdesje.
-Po si? – e pyes i çuditur – a nuk jeton Lazgushi në Pogradec?
-Jo, – më siguron Natasha, – është në shtëpinë e tij, këtu, në Tiranë. E di me afërsi se ku jeton. Le të vemi të dy që ta takojmë. Që t’ia shprehim admirimin tonë për poezinë e tij. Fundja a nuk është dhe Tetori Muaji i Poezisë? – shtoi, me një vështrim sarkastik!
Ideja e Natashës me entuziazmoi. Lazgush Poradeci ishte një Poet aq i vetë-mërguar dhe aq i izoluar zyrtarisht, sa shumëkush nuk ish i sigurt nëse jetonte, a kishte ndërruar jetë shumë e shumë vite më parë. Kishte kohë që jetonte më tepër si një Mit se si një njeri real. Edhe gjatë viteve studentore, ne, studentët e letërsisë, dëgjonin me kureshtje historitë mitike që qarkullonin rreth tij. Atë historinë me një shef të fuqishëm të Kritikës dhe të Studimeve zyrtare të Letërsisë, i cili, për fatin e tij të keq, çalonte keqas. Dhe ja një ditë Lazgushi ndodhet përballë tij. Nuk e kishte parë ndonjëherë dhe as nuk e njihte. Shefi i Kritikës, duke çaluar, i afrohet Lazgushit dhe i thotë se kush është. Pret reagimin e Poetit. I thotë Lazgushi:
-Aha, tani po e marr vesh për herë të parë përse kritika shqiptare çalon!
Apo dhe takimin tjetër të tij me një shkrimtar ndër më të njohurit zyrtarisht të asaj kohe, i cili i flet Lazgushit që nga trotuari (Lazgushi qe poshtë, në nivelin e rrugës) -Dëgjo, Lasgush. Do të bëj një vërejtje. Ti shkruan: “Drini e nis udhën…” nga Shën Naumi, mespërmes Shqipërisë…” Një lajthitje gjeografike. Si qënka Shën Naumi mesi i Shqipërisë? Ju poetët nuk jeni dhe aq të fortë në gjeografi!
Ja kthen Lazgushi, duke e arritur ta kapë nga jaka e xhaketës:
-Që të flasim së bashku, duhesh të jeshë në një nivel me mua! – dhe, për t’i dhënë iluzionin se nuk e kishte fjalën për nivelet e personaliteteve, e tërheq në nivelin e rrugës ku po qëndrone ai vetë – dhe vazhdoi – Ti më akuzon se poetët nuk dinë gjeografi, kurse ju prozatorët e shquar nuk dini Histori. Me vërejtjen tënde harron se Shqipëria nuk është veç ky 28 mijë kilometra katrorë që ke ti në atë kokën tënde bosh!
.
Lasgush Poradeci (portret)
Lasgush Poradeci (portret)
Letërsia zyrtare kishte menduar të hakmerrej me Poetin hyjnor të yjeve. Lidhja e Shkrimtareve ia kishte mohuar deri dhe të drejtën e Pensionit! E kishte braktisur për turpin e vet. Dhe vetë kolegët ia kishin kthyer shpinën. Një poet i njohur pat botuar një pseudo-studim për poezinë lazgushjane, në të cilin ai shpjegonte mangësitë e poezisë së tij me anë të origjinës se Poetit – një zhdanovizëm i artikuluar si akademizëm fratern!
Po i kujtonim të gjitha këto, e plot historira të tjera të Lasgushit, tek ecnim në drejtimin e Rrugës “Bardhyl”, pranë Ministrisë së Jashtme, atje ku afërsisht Natasha mendonte se e kishte shtëpinë Lazgushi. U futëm pas Ministrisë së Jashtëme, në një labyrinth rrugicash dhe shtëpish përdhese, shpërndarë në kaosin urbanistik të periferive të Tiranës. Natasha u dorëzua – Duhet të pyesin njerëzit përreth se ku është shtëpia e Lazgushit – Ramë dakort të dy. Por ajo që na u duk më e lehta “e kush nuk e di se ku jeton Lazgushi, Liriku më i madh i gjuhës shqipe, na pëshpëriste ana optimiste jona!” shumë shpejt u bë e qartë se qenkësh dhe pjesa më e vështirë. Nuk e di. Nuk e kam dëgjuar. Ku di unë, mor v’lla, shko pyet shitësen e bukës!
Sugjerimi i fundit na u duk me vend. Shkuam me të shpejt te dyqani i bukës. Por dhe Shitësja e Bukës tha se nuk e njihte Lazgush Poradecin. Na kapi një dëshpërim i thellë! Tek po i humbnim të gjitha shpresat se do ta gjenim shtëpinë e Poetit, papritur na afrohet një fëmijë nja dymbëdhjetë vjeç, me dhëmbë të rënë a të thyer, me rroba githë pluhur dhe me një palë llastiqe të vënë si tejkqyrëse në qafë. Figura e vagabondit të Lagjes, Gavroshi i rrugicave, ai që me siguri i linte pa gjumë veteranët e nderuar dhe mësuesit e respektuar… Erdhi pranë nesh dhe tha:
-Atë plakun që shkruan libra? Për atë po pyesni? Ja ku është shtëpia e tij!.. dhe na udhëhoqi drejt një shtëpie përdhese, fare pranë. Natasha dhe unë mbetëm të mahnitur. Ai, rrugaçi i Lagjes, me dhëmbë të rënë dhe me kërrabë llastiqesh në qafë ishte i vetmi që dinte atë që asnjëri nga intelektualët e nderuar, asnjë nga veteranët a profesorët a diplomatët e shquar (sepse ishim fare pranë Ministrisë së Jashtme) – duke përfshire dhe shitesën e dyqanit të bukës – që kishim pyetur, nuk e kishin ditur: që shtëpia e Lazgushit kishte qenë fare pranë tyre. Kureshtar, e pyes:
-Po si e di shtëpinë e tij…? Sytë e tij shkëlqyen nga një djallëzi fëminore. – Ai m’i ka thyer një herë llastiqet, kur pata vrarë një zog! Më tha “Mos vrit zogj, dhe nuk t’i thyej kurrë llastiqet!” Dritaret nuk quhen! Dhe as dhe ndonjë kokë e goditur pa dashje! – kështu më ka thënë. Dhe nga ajo ditë nuk kam vra më zogj!
.
Lasgush Poradeci - Foto e Dokumente
Lasgush Poradeci – Foto e Dokumente
Ngjitëm shkallët e pakta të verandës dhe trokitëm në derë. Asnjë përgjigje. Duhet të trokasim më fort, më thotë Natasha. Trokitëm prapë. E nderpremë duke menduar se kishim qenë pa fat, sepse në shtëpi dukesh se nuk kishte njeri. Papritur dëgjuam ca hapa përtej derës, nga ana e brendshme. U afruam – Kush ështëëëëë! – Një zë i thellë, si një zë fantazme, një zë misterioz, që dukej se vinte nga larg, shumë e shumë larg (dhe kjo largësi nuk ishte gjeografike) vazhdonte të thosh – Kuuush ëëëështëëë! U afruam edhe më dhe Natasha tha – Zoti Lazgush, jemi dy admirues tuaj. Kemi ardhur veç t’Ju përshendesim! Ju lutemi, a mund të na hapni derën!
Për një çast asnjë përgjigje. Dukej se Lazgushi po mblidhte forcat që të fliste. Më së fundi tha: – Nuk mund ta hap. Nuk kam çelës. Çelësin e shtëpisë ma ka marrë Nafia! Po, po, ajo ma ka marrë. Ka harruar dhe e ka marrë me vete!
Pashë nga Natasha. I pëshpëris – Kush është Nafia? Më thotë nën zë – E shoqja. Ka pak ditë që ka vdekur!
Që prapa derës, dëgjuam hapat e lehtë që largoheshin deri në zhdukje. E kuptuam se Lasgushi kishte filluar të vdiste nga pak (shkoi të vdiste pak… – thotë Soresku për Shekspirin në poezinë e vet të famshme). Kishte filluar atë fazën, kur njeriu, sapo ndjen vdekjen, fillon të apelojë të vdekurit më të afërm të vet, që t’i dalin përpara në rrugën e vështirë të përjetësisë. Dhe Lazgushi, Poeti i Yjeve, kishte filluar të komunikonte me të vdekurit, me gruan e vet, me Homerin, Eskilin, me Getën, Emineskun, La Martinin, Pushkinin, Asdrenin dhe Naimin, me Fishtën dhe mikun e vet, Mitrush Kutelin… Natasha Lako dhe unë, për një koinçidencë fatlume, kishim qenë dy njerëzit e fundit që kishim dëgjuar zërin e Lazgushit për se gjalli.
U larguam. Dy ditë më vonë Aurel Plasari, me lotë në sy, më thotë i tronditur se sapo ka dëgjuar lajmin e trishë të vdekjes së Lazgush Poradecit!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.