back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Një foto… dhe disa rreshta për Profesor Ramadan Sokoli – nga Qerim Vrioni

Gazeta

Profesor Ramadan Sokoli në një çast të paqëm - (foto Qerim Vrioni)
Profesor Ramadan Sokoli në një çast të paqëm – (foto Qerim Vrioni)

Një foto… dhe disa rreshta për Profesor Ramadan Sokoli

nga Qerim Vrioni

Profesor Ramadan Sokoli, miku im i vyer, në vizitat e shpeshta që i bëja në shtëpinë ku banonte (kati -1, ose ndryshe bodrum), pas pyetjes time, më kishte thënë se nuk e shqetësoja nëse, do ta fotografoja edhe duke biseduar. Ashtu dhe kisha vepruar disa herë, duke vërejtur se aparati dhe zhurmërima e shkrepjes së tij nuk i bënin ndonjë përshtypje. Natyrisht, fotot e tij nga objektivi im përbëjnë një nga faqet e zgjedhura të arshivës time fotografike. Rëndom kafen e pinim në studion e tij, e cila me pikturat, librat, fotografitë, skulpturat, armët në mure, objektet historike etj, ishte vetvetiu një muze.
Atë ditë vere të vitit 2006, biseda me Profesorin qëndroi edhe në kohëra disi të turbullta për të, ato nisnin fill pas përfundimit të L2B e, një tis trishtimi i ra mbi fytyre. E, kur erdhën kafetë, ai ishte ende nën ato përshtypje dhe kujtime. E shkrepa aparatin ndërsa ai, me filxhanin ndër duar, po vështronte diku, veçse jo me sy, por me mendje. Kishte shumë për të kujtuar, mbase plagë të vogla dhe të mëdha, mbase edhe ndonjë mbështetës në kohë kritike (psh. Llazar Siliqi). Dallgët e ashpra të fatit, vetjake dhe familjare (ndër to dhe privimi i lirisë për të dhe dy vëllezërit) ai i kishte përballuar me nder dhe dinjitet.
Sidoqoftë, prof. Ramadani, matanë filxhanit të kafesë, mund të shikonte mjaft gjera. Kështu, me gjithë vështirësitë para tij për më shumë se gjysmë shekulli (veçanërisht ato psikologjike), ai arriti të zbulojë nëpër mjegullat e dendura të historisë tonë figura të shquara, por fare të panjohura arbërore (psh. Niket Dardani), duke kryer kësisoj një shërbim shumë të veçantë ndaj Botës Shqiptare, sidomos etnomuzikologjisë së vendit tonë, një nga themeluesit kryesor të së cilës ishte. Po ashtu ai, është autor i mbi 20 botimeve të vlefshme, të natyrës shkencore (psh. “Figura e Skënderbeut në muzikë“), divulgative (si, “Përtej 16 shekujve”) dhe mësimore (“20 Miniatura pianistike”), drejtues ekspeditash eksploruese ndërkombëtare nëpër Shqipëri (psh. me shkencëtarë gjermanë dhe rumunë) për muzikën folklorike, pjesëmarrës në kongrese dhe simpoziume ndërkombëtare për çështje të kulturës popullore shqiptare duke folur në to me një zë krejt original. Po ashtu, prof. Ramadani ka drejtuar edhe festivale kombëtare folklorike në vend (Berat e Gjirokastër) dhe ka dhënë leksione në disa universitete të huaja (Romë, Stamboll. Athinë, Bolonjë, Bratislavë etj.). Këto dy të fundit kanë ndodhur pas vitit 1990. Kompozimi ishte një nga veprimtaritë krijuese mjaft origjinale të profesorit, shënojmë, psh. këngën e njohur “Turtulleshë“, të cilës për shumë kohë nuk i përmendej autori. I vyer mbetet edhe kontributi i tij në vite si mësues muzike, çka bënte që shpesh të ngazëllehej ndërkohë që dëgjonte ndonjë ish-nxënës i tij instrumentist, të shkëlqente në skena të vendit dhe të huaja.
Me këtë foto dhe këto rreshta i bëhet homazh figurës emblematike dhe të paharruar të muzikologut të shquar, prof. Ramadan Sokoli i ndarë nga jeta 13 vite më parë, më 11 mars 2008.
.
Marrë nga muri i fb i Qerim Vrionit, 12 mars 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.