back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Një faqe e pashkruar në historinë e arsimit të Nikaj-Mërturit nga Ylli Prebibaj

Gazeta

Shkolla në Nikaj-Mërtur
Shkolla në Nikaj-Mërtur

Një faqe e pashkruar në historinë e arsimit të Nikaj-Mërturit

nga Ylli Prebibaj

“Çashtja e shkollave nëpër malci,
asht nji çashtje ner ma themeloret e me randësi për përparim të kombit.
Askund ma mirë e ma me dobi s’kishte m’u shpenzue kujdesi,
mundi e të hollat e Shqypnisë, sa ktu…
Shqypnija kishte me pasë atdhetarë ma të vjefshëm,
ushtarë ma të shtruem e sundimtarë vendit ma të pangaterresa;
Feja kishte me njehë besimtarë ma të drejtë…”
P. Justin Rrota O.F.M, (Posta e Shqypnisë, 1918; 4)

Historia e arsimit në Krahinën e Nikaj-Mërturit përfshihet në turrën e çështjeve të pandriçuara sa dhe si duhet. Arsyet janë disa. Së pari fondet dokumentare të klerit katolik, ku gjenden shumica e dokumenteve për çeshtjen në fjalë kanë qenë të kufizuara për studiuesit deri në fillim të viteve ’90. Së dyti arsimi në këtë krahinë në vitet 1918-1940, ishte i lidhur si me klerin katolik ashtu edhe parinë e zonës që ndihmuan për ngritjen e shkollave; disa prej famulltarëve u përfshinë në stafet mësimdhënëse, kurse krentë e zonës ishin të parët që i dërguan fëmijtë në shkollat e krahinës dhe jashtë saj. Të dy këto kategori shoqërore u stigmatizuan dhe u përndoqën përgjatë viteve 1947-1990, e për rrjedhojë roli i tyre ka mbetur i pa pasqyruar në shkallën e duhur.
Së treti mungesa e ekspertizës profesionale në çështjet arsimore. Problematike mbetet prirja e çdo shkollari të zonës, pavarësisht profesionit të imponuar me bursa të planifikuara para viteve 90-të, për të marrë përsipër barrën e rëndë të shkrimit të historisë. Ky zanat vështirësohet edhe më shumë kur në fakt duhet shkruar një histori “Kurrë e shkrueme”, siç do t’i cilësonte At Zef Pllumi ngjarjet e lëna në harresë.
Punimi ka për qëllim t’i paraqesë lexuesit nikajmërturas dhe jo vetëm, disa aspekte të arsimit të dekadës së dytë, tretë dhe të katërt të shekullit XX, në dritën e burimeve arkivore.

Nikaj Mertur
Nikaj-Mertur

I. Arsimi në Nikaj Mërtur në vitet 1918-1937
Në vitet e Luftës së Parë Botërore në viset shqiptare u vendosën ushtri të huaja, megjithatë në Shkodër, pjesë e administratës ishin disa prej shqiptarëve më të kulturuar të kohës. Ata u orvatën të shfrytëzojnë rrethanat për lëvrimin e arsimit në zonat verilindore, përfshi Nikaj-Mërturin. Luigj Gurakuqi në cilësinë funksionarit të lartë të arsimit, kërkoi nga Dom Ndoc Nikaj të botojë kopje të mjaftueshme të abetareve të përgatitura nga ai, me qëllim shpërndarjen e tyre nëpër shkolla. Dom Nikaj nxorri nga botimi mijra abetare (Nikaj; 2003; 143). Kjo nismë me shumë rëndësi u pasua nga një ngjarje historike për Krahinën e Nikaj-Mërturit, atë të hapjes së shkollës së parë në zonë.
Gazeta “Posta e Shqypnisë” më 29 maj 1918, përshkruan hollësisht këtë zhvillim me rëndësi në lëmin arsimor. Sipas saj “Me të parën ditë të majit kje çilë në Gjonpepaj ma e para shkollë që mbahet mend në Nikaj e Mërtur. Populli i Nikaj-Mërturit asht tuj diftue interesë të madhe për ndërtimin e shkollës e për të çuem të fmive për me u dhanë mësim”, (Posta e Shqypnisë; 1918; 4)
Shkolla u inaugurua në prani të autoriteteve austriake siç ishte Majori Verubi, famulltarit të Palçit At Loro Mileta, O.F.M, famulltarit të Currajve At Ejell Vjerdha, O.F.M, parisë së zonës me në krye Sokol Bashën, Myftar Alinë, Bek Selimin, etj. Numri i nxënësve që filluan frekuentimin e mësimit mësohet të ishte rreth 50 të tillë. Në evidencat e personelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit për vitin 1918, përfshihen edhe klerikët At Ejell Vjerdha, O.F.M në Palç dhe At Nikollë Kolaj O.F.M në Curraj të Epërm, (AQSH, F. 195; V.1918; D. 6; 37).
Lufta e përbotshme mori përmasa problematike, zhvillime që ndikuan në rënien e interesit për hapjen e shkollave të tjera, madje edhe për zhvillimin normal të mësimit në shkollat ekzistuese, përfshi Shkollën e Gjonpepajve në Nikaj. Një tjetër pengesë ishte largësia e madhe e disa fshatrave me Shkollën e Gjonpepajve, siç ishte rasti i Currajve të Epër, Brisës, Salcës, etj.
Në vitet 20, të shekullit të kaluar, Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjes së Kombeve dhe ndërmjet viteve 1921-1923 u njoh nga një varg shtetesh evropiane, krahas këtyre zhvillimeve Qeveria e Tiranës shtriu autoritetin administrativ brenda kufijve politikë. Nga ana tjetër u krijuan kushte të reja për ngritjen e shkollave në krahina të ndryshme. Mirëpo ndërmarrja e një reformë rrënjësore, që në vetvete kërkonte ndërtimin e qindra shkollave kushtëzohej shumë nga buxheti tepër modest i qeverisë shqiptare, kësisoj zbatimi i një politike të tillë në rrafsh kombëtar ishte një misioni i pamundur.

Peisazh nga Curraj i Epërm
Peisazh nga Curraj i Epërm

Ministria e Arsimit u përqendrua në ngritjen e shkollave të ciklit fillor dhe të mesëm në qendrat kryesore urbane si dhe në disa nënprefektura, përfshirë Malësinë e Gjakovës. Ngritja e Internatit të Kolgecajve ishte një ngjarje me shumë interes në lëmin arsimor. Personeli i kësaj shkolle më 1926, përbëhej nga Drejtori Sali Morina dhe mësuesit Tafik Oruçi, Ismet Garanci, Qazim Araçiu dhe Besim Mustafa Hamza. Në organikën e saj figurojnë edhe At Nikolla Kolej, O.F.M në Nikaj, At Zef Gici, O.F.M në Mërtur, At Lorenc Mileta, O.F.M në Palç dhe Mikel Bytyçi në Shëngjergj, (AQSH, F. 195; V.1926; D, 72; 10). Sidoqoftë arsimimi i fëmijëve ishte në përqindje të ulët, si për shkak të largësisë së vendbanimeve të tyre me shkollat, po ashtu edhe pamundësisë ekonomike, kuotave të limituara, personelit të pakët në numër, etj.
Konstatimi i mungesës së arsimimit masiv pranohet gjerësisht në rrethet administrative të kohës, pra nuk kishte fryrje propagandistike. Më 28 shtator të vitit 1931, hartohet një raport 4 mujor i inspektimit mbi problematikën e arsimit në Tropojë. Në raport konstatohet se vitin e kaluar u mbyllën shkollat e Bujanit e Degës së Krasniqes dhe ajo e Shëngjergjit në Nikaj-Mërtur, pasi mësuesit e dy shkollave të para ishin larguar për kryerjen e shërbimit ushtarak, kurse ai i Shkollës së Shëngjergjit ishte shkarkuar. Evidentohet me shqetësim se moszëvendësimi i tyre i ka lënë rrugëve nxënësit dhe domosdo do të ndikojë në bjerrjen e mësimeve që kishin marrë për disa vjet. Hartuesit e këtij raporti realist, kërkojnë emërimin e mësuesve për të tre shkollat, përfshi Shkollën e Shëngjergjit. Nga ana tjetër parashtrohet si nevojë e ngutshme rihapja e shkollave të mbyllura në Curraj të Epër dhe Nikaj, (AQSH, F. 345; V. 1931; D. 99; 5-6).
Mosfunksionimi i shkollave në Nikaj-Mërtur, shfaqet si një fenomen shqetësues edhe më vonë.
Më 1933, Prefektura e Kosovës i drejton një letër Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku këmbëngulet për domosdoshmërinë e funksionimit të shkollës së Currajve të Epër, ku 92 fëmijë prisnin fillimin e mësimeve dhe të shkollës së Nikajve ku mendohej të shkolloheshin 139 fëmijë, (AQSH, F. 345; V. 1933; D. 146; 4).
Nevoja e ndërtimit të shkollave të reja për të përmbushur nevojat e popullsisë së Nikaj-Mërturit, ndeshet gjithashtu edhe në aktet administrative të Komunës Nikaj-Mërtur, e cila në maj të vitit 1936, hartoi një plan pesëvjeçar të ndërtimeve në zonë, ku përfshihej ngritja e dy shkollave, një në Curraj të Epër dhe tjetra për katundet Shëngjergj e Btoshë, (AQSH, F. 345; V. 1936; D. 99; 1).
Të dhëna me interes na janë transmetuar nga një kontroll shëndetësor që zhvillohet në Shkollat e Nikaj-Mërturit më 1937. Shkolla Fillore Lekbibaj më 18 qershor 1937, njofton Agjentin e Shëndetësisë Tropojë mbi vaksinimin e nxënësve të kësaj shkolle, njëkohësisht informohet autoriteti i shëndetësisë për Tropojën që pjesa tjetër e nxënësve ishte vaksinuar më 1934. Në këtë periudhë mësues i kësaj shkolle figuron Shaqir Hoti, (AQSH, F. 345; V. 1937; D. 224; 1). Vaksinimi kryhet edhe në shkollën fillore të Salcës ku jepte mësim Nikollë Preka. Sipas këtyre dokumenteve provohet se mësimi në këto shkolla funksiononte, si dhe ndaj nxënësve të tyre ishin kryer edhe ekzaminime mjekësore në vitin 1934 dhe 1937.

Curraj i Epërm
Curraj i Epërm

II.Bursistët e Internatit “Kosova”
Internatet ishin institucione të profilizuara arsimore, stafi i tyre ishte i përzgjedhur kujdesshëm, po ashtu edhe kurrikula ishte cilësore për atë nivel arsimor, pranë tyre ishin ngritur edhe konvikte për strehimin e nxënësve të rregjistruar.
Internati i Hasit është një ndër shkollat më elitare, në këtë votër arsimi u shkolluan disa të rinj nga Nikaj-Mërturi. Rregjistimi i tyre në këtë shkollë provohen nëpërmjet dokumenteve të kohës, dokumenti i parë titullohet “List emnore e bursistëve të vjetër t’Interantit “Kosova” viti shkolluer 1938-39”. Në këtë listë janë renditur kujdesshëm të gjithë nxënësit, ndërkohë në kolonat e saj, jepen këto të dhëna, emri e mbiemri i secilit nxënës, numri i matrikullës, klasa përkatëse, kurse në kolonën e fundit janë shënuar vërejtjet, etj. Nxënësit e krahinës së Nikaj-Mërturit, janë:
1.Marash Lepur Gjoklaj, nga Tetajt e Mërturit, ai figuron i katërmbëdhjeti në listë. Ministria e Arsimit i kishte akorduar bursë dhe sipas dokumentit të sipërpërmendur figuron në klasë të katërt.
2.Ukë Hamëz Kukaj, nga Raja e Mërturit, Ukës i ishte akorduar bursë gjithashtu dhe ishte në klasë të tretë.
3.Zef Isuf Prebibaj, nga Curraj Epër të Nikajve, Zefi është i tridhjetë e gjashti në listë, në dokument jepet numri i matrikullës, etj. Ai figuron në klasë të dytë.
Dokumenti i dytë titullohet “List emnore e bursistëve të ri t’Internatit “Kosova”, viti shkolluer 1938-39”, (AQSH, F. 345; V. 1938; D. 63;1). Në listën e dytë figurojnë dy nxënës të tjerë nga Nikaj-Mërturi.
1.Prelë Mark Vatnikaj, nga Shëngjergji i Mërturit, Prela ishte në këtë kohë në klasë të parë, atij i është akorduar bursë nëpërmjet një shkrese zyrtare të Ministrisë së Arsimit.
2.Sokol Met Meshi, nga Lekbibaj e Nikajve, Sokolit po ashtu i është akorduar bursë ai renditet i njëzet e treti në listë.( AQSH, F. 345; V. 1939;D. 63;1). Nga dyert e kësaj shkolle kishin dalë edhe Zef Doda (Dedndreaj), etj.
Informacione të tjera me interes rreth arsimimit të nikajmërturasve në këtë kohë, na përcillen nëpërmjet një korrespondence të Drejtorisë së Liceut të Shkodrës, më 1 dhjetor 1939. Sipas tyre aty arsimoheshin Pashko Papleka, nxënës i kursit të katërt dhe Fran Sokol Kukaj i rregjistruar në kursin e parë të lartë, (AQSH, F. 195; V. 1939;D. 222; 62-104).
Arsimimi i të rinjve në Internatin e Hasit dhe në Gjimnazin e Shkodrës, ishte një ogur i mirë për zonën, kësisoj u hap rruga për krijimin e një grupi shkollarësh të Nikaj-Mërturit. Zhvillimet shqiptare në gjysmën e shekullit XX-të e në vijim, diktuan një kurs tjetër politik dhe social në Shqipëri, për rrjedhojë nikajmërturasit e lartpërmendur patën histori të ndryshme, ndaj mbetet për t’u trajtuar në të ardhmen profili i secilit syresh.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.