back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Një ëndër e përçudur fëminie… dhe arti i Salvador Dalisë – nga Avis Gjyshja

Gazeta

Salvador Dalì - “Karavan”
Salvador Dalì – “Karavan”

Një ëndër re përçudur fëminie dhe arti i Salvador Dalisë

nga Avis Gjyshja

Dua t’ju tregoj për një ëndërr të çuditëshme që kam parë në netët e largëta të fëmijërisë time, kur so duket gjatë ndonjë nate ethesh të atyre viteve me varfëri të thellë e pa ilaçe… Një ëndërr kllapie, e panatyrshme si të gjitha kllapitë, me një diell të kuqtë; një diell absurd jo vetëm në ngjyrë por edhe në pozicion. Një diell i varur diku në qiellin e veriut, gati rrafsh me horizontin e një hapësire të paanë, me ca drunj të drejtë, të tharë e të rrallë, të ngulur si gozhdë gjigande e majëpërpjeta mbi atë hapësirë që largohej duke u ulur sikur ikte të fshihej tutje pas atij horizonti të panjohur…
Nuk e kam harruar dot asnjëherë atë ëndërr me atë dritë si të një bote tjetër, me ato hije pafundësisht të gjata e me atë ndjenjë të paniktë disorientimi.
Përafërsisht po në ato vite të largëta, ndodhi njëherë që humba rrugën në fushë-kënetën akoma të patharë mirë të Tërbufit. Një fushë si baltinë e rrafshët, pa fund as fillim, pa jug e pa veri, pa lindje e pa perëndim! Mbaj mend krakëritjet e trishtuara të kurilave që iknin tutje drejt atij horizonti të verdhë të asaj mbasditeje me diell të mekur dimri. Dukej sikur gjithkça ikte dhe largohej nga unë. Andej dukej kishin ikur dhe njerëzit që ishin me mua, andej po ikte dhe dielli, andej po iknin dhe kurilat ndërsa mua me kish kapur paniku i një fëmije të humbur në një vend të panjohur.
Do ta kujtoja ëndrrën e fëmijërisë edhe kur isha oficer nëndetseje e dilja në urën e komandimit me leje për të pirë një cigare. Përsëri po ai ankth disorientimi dhe po ashtu edhe hija e gjatë e urës së komandimit mbi atë faqe të heshtur e anonime deti… Hijet e gjata do t’i shihja edhe tani vonë kur vizitoja Alaskën…
…Në kohën e asaj ëndërre unë ishja një djalë i vogël e i paditur fshati dhe as që e dija se në botë kishte edhe njerëz që quheshin piktorë. As që e dija se ekzistonte dhe një artist gjeni me emrin Salvador Dalì, dhe po ashtu nuk dija asgjë për veprën e tij. Nuk e kisha parë “Karavan-in” e tij, as “The Temptation of Saint Anthony” dhe as që e mendoja se një ditë përballë këtyre veprave do të ngelesha pa fjalë e pa frymë… e do t’më dukej sikur po humbisja përsëri në një fushë pa emër të një bote tjetër që vinte nga subkoshienca e ëndrrave të mija të fëmijërisë…
.
Salvador Dalì - “The Temptation of Saint Anthony”
Salvador Dalì – “The Temptation of Saint Anthony”

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.