back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Nikollë Dakaj – Vlera të një autori të rizbuluar – Prof. Dr. Klara Kodra – Nikollë Dakaj, përkthyes i poetëve italianë

Gazeta

Nikoll Daka
Nikoll Daka

Nikollë Dakaj – Vlera të një autori të rizbuluar 

Prof. Dr. Klara Kodra

Nikollë Dakaj, përkthyes i poetëve italianë

Qendra e Studimeve Albanologjike – Sesion Shkencor – Vepra postum
Akademia e Shkencave, më 16.12.2009

Përkthimi si mjeshtëri është aq i vështirë sa edhe i nënvlerësuar. Ekziston një prirje për ta parë atë si dytësor ndaj krijimtarisë letrare e megjithatë përkthimi s’është thjeshtë një zanat, një kalim mekanik nga një gjuhë në një tjetër, në mos qoftë krijim, është sigurisht rikrijim. Natyrisht përkthyesi nuk mund të fluturojë lirisht në hapësirën e formës si shkrimtari, është i kufizuar nga modeli që ka përpara, por ka detyrën tepër të rëndë ta bëjë të jetojë sërish këtë model në një gjuhë tjetër, në mënyrë që të komunikojë me bartësit e një kulture tjetër; duhet të marrë parasysh lëndën e re fjalësore, veçoritë e ndryshme gramatikore, sintaktike e tingullore; të rijapë frymën e origjinalit, atë forcë krijuese që buron nga mesazhi dhe nga mishërimi i tij konkret aq sa ekziston edhe një mendim për papërkthyeshmërinë e poezisë. Po përkthyesit e talentuar e kanë sfiduar përherë këtë mendim me vepra konkrete.

Sot do të shkundim pluhurin e harrimit që ka mbuluar padrejtësisht emrin e njerit prej përkthyesve të tillë të guximshëm e të talentuar, Nikollë Dakaj. Ky përkthyes ka qenë një figurë poliedrike e kulturës shqiptare, një nga ato figura që diktatura e dënoi me dënimin e tmerrshëm të heshtjes. Ai shkëlqeu edhe në fusha të tjera, po tani do të shohim vetëm njërin prej aspekteve në të cilat u shfaq talenti i tij, në fushën e përkthimit, një fushë në të cilën ai mund të qëndrojë denjësisht krahas me përkthyes të tjerë të shquar, si: Koliqi ose Gjeçi dhe konkretisht në një zonë të caktuar të kësaj fushe, në përkthimet e tij nga italishtja.

Nikollë Dakaj zgjodhi me shije të mprehtë estetike, por edhe në mënyrë sfiduese, mjeshtra viganë të poezisë italiane si Dante, Petrarka, Leopardi, Karduçi e Manzoni, ndër të cilët disa arritën përmasa botërore, për t’i bërë të këndonin në shqip. Kjo dëshmonte për guxim, por nuk ishte fjala për një guxim të çmendur prej kërkuesi aventurash letrare, ishte guximi i një njeriu të përgatitur, të talentuar e të sigurt në forcat e veta. Duke u matur me viganë të tillë, ai provoi forcat e veta dhe mundi në shumicën e rasteve të ruante forcën shprehëse dhe emocionuese të këtyre autorëve, madje edhe figuracionin, strukturën e vargut dhe rimën, si edhe muzikalitetin e veçantë.

Nikollë Dakaj i ri
Nikollë Dakaj i ri

Nikollë Dakaj, edhe pse nuk i përktheu të plota as “Komedinë Hyjnore” të Dantes, as “Këngëtoren” e Petrarkës, diti të zgjidhte me zotësi disa nga margaritarët e këtyre kurorave si këngën e Françeska da Riminit, këtë dramë të një dashurie tragjike, këngën e Ugolinit, këtë tragjedi të një krimi të ushtruar mbi krijesa të pafajshme dhe dashurisë atërore të fyer, këngën në Purgator dhe himnin e pakrahasueshëm për Shën Mërinë në Parajsë.

Në këngën e Françeska da Riminit, përkthyesi ka mundur të ruajë ëmbëlsinë dhe finesën e fjalëve të protagonistes si dëshmojnë vargjet “Dashnia që n’shpirt fisnik njifilli ngjet/ flakë e pat ndezë këtë mbas bukurisë/ që mua ma thanë n’at fe, që ende më vret” që japin vargjet e origjinalit “Amor che a cor gentil ratto s’apprende/ Prese costui della bella persona/ Che mi tolta, il modo, ancor m’offende…” Përkthyesi ka marrë njëfarë lirie duke përkthyer “bella persona” (trupin e bukur) me “bukuri”, po ruan theksimin e tiparit të çmueshëm dhe kobsjellës, bukurisë, dhe në vargun e fundit madje folja e përdorur është më e fuqishme, “ma thanë” siç thahet një lule, po jo nga vetja e saj, nga egërsia njerëzore. Në këngën e Ugolinit përkthyesi ka ditur të rijapë ashpërsinë, që rëndon nga urrejtja, të vargjeve të fillimit dhe të mbylljes së rrëfimit që në italisht janë përkatësisht këto: “La bocca sollevo dal fiero pasto/ quel peccator, forbendola a’capelli/ del capo ch’elli avea di retro guasto”: Quand’ebbe detto cio, con li occhi torti/ riprese l’teschio misero co’denti,/ che furo a l’osso, come d’un can, forti”, që në shqip jepen kështu: “Gojën por e largoi prej gjellës s’egër/ ai mëkatari, siç e fshiu për flokë/ të kresë, që ai kish bâ përmrapa flegër. Sá i tha këto, dy sytë iu shtrëmbëruan/ e t’shkretën rrashtë prap e mbërtheu me dhâmbë/ që fort si t’qenit, mbi rrashtë trokëlluan”.

Vdekja e llahtarshme e fëmijëve jepet me një shprehje popullore shqipe “i pashë tre tjerët ke u këputet fija” (në origjinal jepet akti fizik i rrëzimit për tokë një nga një), ndërsa dëshpërimi i atit që s’do të pranojë vdekjen e fëmijëve jepet me vargjet “…syshë verbua,/ nisa me i lypë at’herë me duart e mia/ dhe dý ditë rresht u thirra mbasi u shuan…” Të verbuarit, si pasojë e urisë, vihet në fund si për t’u theksuar, ndërsa në origjinal ndodhet brenda vargut (io mi diedi/ gia cieco a brancolar sovra ciascuno). Ruhet kumbimi si klithmë i vargut. Te kënga e Pier delle Vingne fjalët protagonistit janë përkthyer bukur me shprehje tipikisht shqipe: “Pasha kët trung e këto rranjë të reja/ kurrë besën, jù betohem s’ia kam prishë/ timzoti…”

Lirikat nga “Kanconieri” i Petrarkës, para dhe pas vdekjes së Laurës janë zgjedhw me kujdes ndër më të bukurat. Ato janë përkthyer me rrjedhshmëri e natyrshmëri duke riprodhuar muzikalitetin e tyre të veçantë.

Te “Pesë Maj”, e zgjedhur si lirika më e fuqishme e Manzonit, elegjia dinjitoze për Napoleonin, vihet re se fraza koncize e vargut të parë “Ei fu” jepet në shqip me shprehjen e barasvlershme “S’â mâ”, kurse vargjet, kurse vargjet me antitezë të fuqishme: “Due volte nella polvere/ Due volte sugli altar…” janë dhënë duke u plotësuar me dy ndajfolje që u përshtaten, duke ua ruajtë ritmin dhe theksat ritmikë: “Dy her’ në pluhën prujtasi, Dy her’ mbi ltér madhnisht”.

Në përkthimin e “Silvjes” së Leopardit është për t’u vënë re epiteti “bishtnojsa” për të dhënë italishten “fuggitivi” që karakterizon sytë e vajzës së ndrojtur, po ndofta edhe me një koketëri të pavetëdijshme që herë-herë të hedhin një vështrim dhe në çast larghen. Përkthyesi ka ditur të gjejë fjalën e bukur shqipe “njomza” për italishten “tenerella” dhe foljen “u shove” që thekson tragjizmin e fjalës italishte pak letrareske “perivi”, ndërsa në mbyllje në mënyrë të goditur togfjalëshin italisht tomba ignuda (fj. për fj. varr të lakuriqtë) e jep me shprehjen e kulluar shqipe “nji vorr të zi”.

Kështu elegjia “Silvjes”, një nga poezitë më të fuqishme të Leopardit e të poezisë italiane, madje një kryevepër e poezisë europiane, ka gjetur një përkthim të denjë nga Nikollë Dakaj që e bën Leopardin “të këndojë shqip”. Përkthyesi ka ndjekur ritmin e çlirët të vargjeve të poetit italian dhe madje rimat e rralla që nënvizojnë fjalët çelsa. S’ka mundur të rijapë anagramën e origjinalit me foljen “salivi” (ngjitje) meqënëse ky është një element i poezisë tepër fin dhe tepër i lidhur me gjuhën e origjinës, po fryma dhe ritmi janë rikrijuar me efektshmëri. Po ta krahasojmë me variantet që janë dhënë më vonë për poezi leopardiane nga përkthyes të tjerë duhet të pranojmë që përkthimi i lartpërmendur është nga më të realizuarit. Mjaft të goditura janë edhe variantet shqip të lirikave të tjera të famshme leopardiane “Pambarimi”, “Hanës” dhe “Trumcaku vetmitar”. Në këtë të fundit është për t’u përmendur përkthimi i vargjeve të mrekullueshme “Primavera dintorno/ brilla nell’aria e per li campi esulta/ si che a mirarla intenerisce il cuore…” me vargjet “Pranverë gjith rreth e rrotull/ shkëlqen n’ajrí e lumënon ndër fusha/ saqë m’e kqyrë të njomësitë zemra/, ku besnikëria në leksik, në strukturën e frazës dhe në ritëm shkon përkrah me rrjedhshmërinë dhe forcën shprehëse të fjalës në shqip. Gjithashtu dhe vargu konçiz e kuptimplotë “non compagni, non voli” është dhënë me vargun besnik e shprehës “as shokë, as fluturime”. Pasthirrma italisht “ahime” është dhënë me shprehjen e bukur të gegërishtes “heu vaj” dhe shprehja italisht “quanto somiglia” përforcohet në shqip nga habitorja “po i ngjaka”, që jep edhe ndjenjën e çudisë me këtë ngjashmëri të madhe shpend – njeri dhe që një përkthim i saktë me të tashmen “i ngjan” s’do ta jepte këtë ndjenjë që në origjinal nënkuptohet. Vargu “Passo del viver mio la primavera” përforcohet edhe ky në shqip me të kryerën e thjeshtë që shton ankthin për kohën që kalon: “jetës pothuaj ia kreva unë pranverën”. Një përforcim i tillë gjendet edhe në fundin tepër të rrjedhshëm dhe me ton të thekshëm: “Ahi, kam me pëlsitë/ e shpesh do t’prapem, ngushëllim pa gjetë!” Nikollë Dakaj i drejtohet gjithashtu për përkthim poetit energjik dhe dinamik Karduçi, këtij romantiku që s’e pranon që është i tillë, po zgjedh lirikat më të buta të tij, elegjinë për të birin foshnjë: “Vaj i vjetër” (Pianto antico) dhe sonetin për Kaun që shpreh dëshirën e poetit për strehim në gji të natyrës.

Në vjershën e parë është ndryshuar struktura e frazës. Në rast se në origjinal vihej në plan të parë doçka e vogël e fëmijës, mandej shega e lulëzuar “L’albero a cui tenderi/ la pargoletta mano/ il verde melograno/ dai bei ridenti fior/ në përkthim paralelizmi rijepet duke vënë në plan të parë shegën dhe madje duke shtuar një pasthirrmë (“Oh”), një imtësi, ngjyra e kuqe e luleve dhe një ndajfolje “me gëzim” që s’janë në origjinal: “Oh, ajo shega e gjelbër/ plot lule/ që dorën vogëloshe/ ia shtrije me gëzim.” Po ruhet fryma e origjinalit, paralelizmi midis njomësisë dhe pamjes së qeshur të shegës së lulëzuar dhe njomësisë e gëzimit naiv të fëmijës dhe ruhet edhe ritmi dhe muzikaliteti i strofës. Kurse në mbyllje ruhet forca e antitezës midis diellit dhe dashurisë dhe dheut të zi që ka mbuluar përgjithmonë fëmijën dhe anafora që e thekson: “tash je nën dhenë e ftohur,/ tash je nën dhenë zezë,/ dhe dielli mâ s’të ndezë/ as dashuri s’të zgjon…” Me shumë kujdes dhe në mënyrë goditur është përkthyer edhe vjersha “Kaut” që e rikrijon portretin e humanizuar të kaut dhe sfondin e pejsazhit. Por përkthyesi nuk e ka përfshirë në variantin shqip sinestezinë tepër origjinale të vargut të fundit “il divin del pian silenzio verde” duke e dhënë fjalën “e blertë”, në përkthim: “s’blerë”, si një epitet të zakonshëm: “heshtësia hyjnore e fushës s’blerë…” Vargu i fundit ruan, pra, shtrirjen dhe muzikalitetin, po humbet figurën e guximshme të origjinalit, një figurë që lidhej me prirjen e romantikëve për të shkrirë anën vizive me anën tingullore (në rastin e dhënë mungesën e tingujve, heshtjen) dhe njëkohësisht paralajmëronte hermetikët që e parapëlqenin.

Nga sa thamë, mund të nxjerrim përfundimin që Nikollë Dakaj ka qënë një përkthyes i zoti dhe i përkushtuar, nga ata që e kapërcejnë antinominë bukuri – besnikëri, që nuk e “tradhtojnë” origjinalin, as nuk e dëmtojnë me besnikërinë e tepruar. Një përkthyes që shfrytëzoi gjithashtu mundësitë shprehëse të gegërishtes. Poetëve që përkthen ai u ka falur një jetë të dytë në një mjedis tjetër kulturor e gjuhësor.

Shënim: Dorëshkrimin origjinal të “Silvjes” së Leopardit e kemi pasë gjetë me vonesë, e për pasojë, nga nxitimi, titulli: “Silvjas” në Antologjinë (në fjalë ) âsht vû gabimisht “Silvjas”, duhet të jetë: “Silvjes” edhe në rreshtin e parë në vend të “ Silvja” duhet “Silvje”.

 

Marrw nga muri i Fb i Anton Dakaj, 30 tetor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.