back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Nikollë Dakaj, personalitet i shquar i letrave shqipe nga Perikli Jorgoni

Gazeta

Nikoll Dakaj e Pashko Çoba (Tiranë 1942 - B. Çoba)
Nikoll Dakaj e Pashko Çoba (Tiranë 1942 – B. Çoba)

Nikollë Dakaj,

personalitet i shquar i letrave shqipe

nga Perikli Jorgoni

Udhëtim në veprën letrare e studimore të Prof. Nikollë Dakajt.

Ndihmesa e çmuar e Nikoll Dakajt përfshin lamije të ndryshme të dijes e të artit të fjalës. Ai gjatë jetës u shqua edhe si poet i mirëfilltë, dhe si estet, dhe si historian dhe mbledhës folklori, dhe si gjuhëtar e dramaturg. Ai botoi në shtypin e kohës me pseudonime të ndryshme, më të shumtën e herëve Basho Jona, por edhe Melibeu, NI, N.D. Etj
Norbert Jokli rendiste Nikollën, aso kohe 21 vjeç, në krye të shkrimtarëve dhe përkthyesve

Perikli Jorgoni (1936-2012)
Perikli Jorgoni (1936-2012)

I shquar në radhët e intelektualëve, poetëve dhe studiuesve të viteve ’40: Guljelm Dedës, Gaspër Palit, Arshi Pipës, Kolë Ashtës, Pashko Gjeçit e mjaft krijuesve të tjerë nga të katër anët e vendit, Nikollë Dakaj, hynte në panteonin poetik shqiptar e po dallohej si djalë me energji e me formim intelektual e dituror. Ai hynte në botën e letrave shqipe e të diturisë si nxënës i Gjergj Fishtës në bankat e liceut “Ilirikum” dhe pasi kishte kryer dy vjet studime në Universitetin Antonianum të Romës me rezultate mjaft të mira. Atje thelloi më tepër njohuritë për filozofinë e letërsinë botërore, për veprat e letërsisë antike greko-romake dhe të letërsisë italiane e franceze, klasike e moderne.
Djaloshi universitar nga Hoti i ndërpreu studimet e larta aq fort të dëshiruara, për t’iu përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Arsimit, për të ndihmuar arsimin në gjuhën shqipe dhe çështjen kombëtare. Ai nuk iu bind këmbënguljes së dekanatit, për të mos ikur në Shqipëri dhe, pse donin ta mbanin, pas mbarimit të shkollës me një detyrë të rëndësishme. Martin Camaj, tregon se Ernest Koliqi si Ministër i Arsimit, më 1941-1942 dërgoi në Kosovë nga Shqipëria përmbi 200 mësues shqiptarë, ndër ta dhe plot kosovarë që pas mbarimit të luftës vunë themelet e arsimit e të gjuhës shqipe në këto treva.
I biri i profesorit, Antoni e kujton me përmallim një letër të çuditshme, prej dyfletësh, tip kartoline, nënshkruar nga Lazgush Poradeci. Ajo niste me fjalën abstrakte e të pakuptueshme për mendjen e një fëmije, “Shkëlqesi”. Nga tërë ato fjalë të shkruara me një shkrim të bukur dhe elegant, Antonit i mbeti në mendje vetëm fjala “Shkëlqesi” dhe mbiemri Poradeci (dhe jo Pogradeci): “Të gjitha fjalët e tjera i kam harruar, por këtë fjalë që s’e kisha dëgjuar asnjëherë më parë, dhe aq më tepër që i drejtohej tim eti, nuk e harrova kurrë. E pyeta babain çdo të thotë kjo fjala “Shkëlqesi”. Ai më tha se kështu u thuhet njerëzve të mëdhenj, mbretërve dhe princave! Unë e pyeta përsëri, pse kaq i madh je ti, o babai im?!”

Vepra e Fishtës "Lahuta e Malcis"
Vepra e Fishtës “Lahuta e Malcis”

Antonit i vjen keq për humbjen e kësaj letre të rrallë, ashtu si i vjen keq për humbjen e kryeveprës “Lahuta e Malcis” të nënshkruar me stilograf dhe të dhuruar nga Fishta. Por për fat të mirë, u gjet letra e Prof. Dr. Norbert Joklit dërguar Karl Gurakuqit. Ajo e rendiste Nikollën, aso kohe 21 vjeç, në krye të shkrimtarëve dhe përkthyesve. Jokli vinte në dukje aftësinë e rrallë në përkthimin e letërsisë antike greko-latine, përdorimin me zhdërvjelltësi të masave më të ndryshme metrike, bukurinë dhe gjallërinë e gjuhës shqipe, me të cilën përkthyesi Nikollë Dakaj na i jep në shqip poetët e mjeshtrit e mëdhenj.
Dallgët e trazuara të ngjarjeve që erdhën në fund të atij viti, që duhej të ishte viti i rilindjes së jetës dhe për fatin tonë të zi, për shqiptarët, sollën vendosjen e një shteti autokrat, shtet i cili persekutoi, dënoi me burgime e internime të gjithë ata njerëz të shquar e mendjendritur, që nuk i nënshtroheshin ligjeve të vendosura me gjak e dhunë. Nikolla u fut nëpër burgje, u persekutua dhe hoqi së bashku me familjen dhe fisin e vet mundime të njëpasnjëshme. Nëpër këto vuajtje, rravgime, burgime e internime, Nikollës i humbën e iu dogjën mjaft nga dorëshkrimet e pabotuara dhe korrespodencat me figurat më të shquara të kohës.
Autorë të mëdhenj botërorë të letërsisë antike greko-latine e asaj italiane që nga Homeri, Virgjili, Horaci, Tibuli, Katuli, Dante, Petrarka, Leopardi, Karduçi e Manzoni, në përkthimin mjeshtëror të Nikollë Dakajt kanë ardhur në shqip me forcë shprehëse, me një gjuhë të pastër e të gjallë e me atë tingullin akustik që kanë në origjinal, u është ruajtur forma, struktura e vargut, rima dhe figuracioni i pasur, intonacioni i brendshëm dhe ngarkesa emocionale.
Përmes këtyre përkthimeve mjeshtërore, Nikollë Dakaj na shfaqet si përkthyesi i parë me format të madh i poezisë botërore, një mjeshtër që do ta kishin zili breza të tërë përkthyesish dhe autorësh të talentuar, që i erdhën letërsisë shqipe herë pas here në mënyrë të pashtershme.

Pushimi nga puna, djegia e shtëpisë dhe veprave

Ndoshta madhështia e cilësia e lartë artistike e këtyre poezive nga më të bukurat e më të vështirat për t’u përkthyer, e nxiti dhe Lazgushin, që zakonisht ishte mjaft i përmbajtur e tepër i stërholluar në shijen artistike, të lëshojë në dallgën e dehjes e të ngazëllimit shpirtëror e estetik ato fjalë aq të çuditshme, “Shkëlqesi!”
Por ndihmesa e çmuar e Nikollë Dakajt përfshin lamije të ndryshme të dijes e të artit të fjalës. Ai gjatë jetës u shqua edhe si poet i mirëfilltë, dhe si estet, dhe si historian dhe mbledhës folklori, dhe si gjuhëtar e dramaturg.
Ai botoi në shtypin e kohës me pseudonime të ndryshme, më të shumtën e herëve Basho Jona, por edhe Melibeu, NI, N.D. etj. Në veprën e tij letrare, shkrime kritike sidomos për poezinë, debatoi me autorë të shquar të letrave shqipe dhe dha mendime me vlerë për letërsinë tonë dhe atë botërore.
Drama që përfshiu tërë Europën Lindore dhe Ballkanin, solli ndryshime të thella politike, vendosi me dhunë pushtetin e një shteti totalitar dhe një çensurë të egër, gjuetinë e shtrigave, përndjekjen e vazhdueshme dhe të përbindshme të njerëzve me shpirt të lirë dhe të inteligjencës krijuese, që nuk i nënshtrohej diktaturës dhe kërkesave zyrtare për një art dhe filozofi të përcaktuar nga kanunet e realizmit socialist e nga parimet e ideologjisë të shtetit autokrat. Ato u ndien edhe në familjen e profesorit erudit Nikollë Dakaj e të fisit të tij.
Ai u pushua nga puna si profesor gjimnazi, u burgos dy herë dhe për fat të keq iu dogj edhe shtëpia, aty ku sot është “Klubi Vllaznia” në Shkodër. Iu dogjën e i humbën gjatë rravgimeve të endjeve të detyruara nga policia sekrete shumë dorëshkrime të çmuara.
Siç shprehet përkthyesi i shquar i Iliadës së Homerit, Prof. Gjon Shllaku në intervistën Dy fjalë për prof. Nikollë Dakajn, N.Dakaj ishte autor mjaft i kërkuar nga shtëpitë botuese më me zë në Shqipëri, edhe pse në fillimet e tij të vrullshme e mjaft shpresëdhënëse nuk ishte më tepër se 22 vjeç.
Profesor Gjon Shllaku thekson se: “Kisha kënaqësi të rrija me të me orë të tëra, të dëgjoja bisedën e tij të qetë e të rrjedhshme me nji za depërtues, që më kujtonte rapsodët e Eposit të Mujit e të Halilit.
Mahnitesha për njohuritë që kishte për autorët klasikë grekë e latinë, për kujtesën e kthjellët të vargjeve të plota të Iliadës, të Safos etj, në origjialin grek; të Horacit, Ovidit, Virgjilit, Katulit etj., në origjinalin latin. Por e admiroja ma tepër për skandimin e ekzametrave, pentametrave, anapestave, të vargjeve jambike etj, etj, që i interpretonte me harmoni dhe muzikalitet, që edhe një që s’e njihte gjuhën mund të emocionohej tue imagjinue akte heroizmi, vepra fisnike, apo shfaqje erotike të pastër. Në nji vend tjetër të lirë ai burrë intelektual do të kishte ndrit e do të ishte nderue, dhe do të kishte lanë vepra të rëndësishme. Por me gjithë humbjet e shkrimeve nga konfiskimet gjatë dy burgimeve, me gjithë djegien e banesës, ku ma vonë u ba “Klubi Vllaznia” dhe me kushtet e vështira mbas lirimit, prapëseprapë ka lanë punime me vlera, me të cilat do të mbetet modelisti “par excellence” i autorëve të mëdhenj klasikë”
Shkodër, më 24 mars 1999 Prof. Gjon Shllaku

Prof. Gjon Shllaku (1920-2003)
Prof. Gjon Shllaku (1920-2003)

Veprat postume

Një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e bollshme e shumëplanëshe të profesor N.Dakaj ze dhe publiçistika e artikujt kritikë, polemikat, esetë dhe reçencat për vepra të ndryshme të letërsisë shqipe dhe botërore. Në këto shkrime bie në sy erudicioni, njohja e thellë dhe e gjithanshme e problemeve që merr përsipër t’i shtjellojë apo t’u kundërvihet me guxim e aftësi profesionale.
Prof. Nikollë Dakaj mundi që në fillimet e veta ta përvijojë staturën, të skalisë portretin e një njeriu me synime fisnike, e një njeriu që do t’i kushtohej çështjes kombëtare e letërsisë sonë e asaj botërore me gjithë vrullin e shpirtit e zjarrin e pasionit që i përndizej nëpër rrembat e gjakut deri në momentet e fundit të jetës.
Deri në çastet më të fundit të një jetese të vështirë, të mundimshme e heroike, Nikollë Dakaj mbeti nën pushtetin e magjisë së fjalës së bukur arbërore e në shtjellat e fuqishme të veprave krijuese e studimore, të cilave u kushtoi të gjitha çastet më fatlume e të mundimshme të jetës. Në veprat e lëna postume, të mbetura të panjohura për shkak të përndjekjeve politike barbare e mospranimit për t’u futur në vathën e shkrimtarëve dhe studiuesve oborrtarë, puthadorë të pushtetit e të diktaturës më tinëzare e të përbindshme që ka provuar ndonjëherë njerëzimi, gjejmë gjurmët e punës edhe në vitet më të rënda të jetës së tij.
Shpirti kryengritës dhe liridashës i Nikollës nuk u thye as nga varfëria e as nga përndjekjet e burgimet e njëpasnjëshme. Ai mbeti i dashuruar çmendurisht pas të bukurës dhe pas dijes njerëzore.
Në vrullin e pasionit e të krijimit u shkrua dhe libreti (Idil baritor në tre akte)
“Sokoli e Mirja” më 1953, dhe poema fshikulluese ndaj veprimeve të Kongresit të Drejtshkrimit “Koineja” më 1972, melodramma “Troje heronjsh”, poema madhore epike që mbeti në fillesën e saj dhe studimi për fisin e Hotit.
Në mes të krijimeve të Nikollë Dakajt, shquhet mbi të gjitha poezitë, poemat e libretet operistike, poema aq e frymëzuar kushtuar Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe; kongres që e hidhëroi së tepërmi zemrën fisnike e trime të Nikollës sepse ky tubim kombëtar i gjuhëtarëve e lëvrimtarëve të shqipes, gjuhës më të lashtë e më të veçantë të Europës e të Ballkanit u bë me dekrete qeveritare. Në të u vendosën normat e njësimit të gjuhës, por ky njësim nuk ndoqi udhën e vet të natyrshme e të lirë; por iu nënshtrua përdhunimit dhe diktatit të vrazhdë e tiranik të pushtetarëve autokratë e kokëgdhënj, që s’njihnin asnjë lloj ligjësie e rrjedhën e natyrshme të zhvillimit të gjuhës e të dialekteve. Poema “Koineja e gjuhës shqipe”, është shkruar me një frymë, me ngrohtësi e çiltërsi, me vrulle të brendshme, me dashuri e nderim për gjuhën tonë arbërore, një gjuhë hyjnore, që e flasin vetë perënditë, siç shprehej Naimi i madh, apostulli i shqiptarizmës dhe farkëtonjësi i gjuhës letrare moderne shqipe:

Nuk ecën para gjuha me ligje e dekrete,
as me vendime gjuhëtarësh gjysmakë,
që vetë të zbehtë fjalën e kanë të pakë
e s’u shkon as proza, as vargu nuk u vete.
Mjeshtria e fjalës, zotësi më vete,
thithet në vogëli nga gjyshja plakë,
merr turr e rritet, digjet zjarr e flakë
e n’gojë të poetit buron si mjaltë blete.
Poeti lule më lule porsi bleta
fjalët qëmton e shprehjet e vetvetishme,
që nëpër popull tingëllojnë ma bukur
e thur me to kangët e madhërishme
përmbi atdhenë e anët që ka jeta
me një gjuhë flakë, që fluturon si flutur.

U detyrua të punojë disa vite në fshat, për të ndihmuar prindwt, të cilët i gjeti në gjendje të mjeruar dhe pastaj u kthye në Shkodër, ku mundi të gjejë një dhomë të ndarë me të tjerë banorë, u rimartua dhe filloi punën si punëtor krahu.
Por gjallëria e shpirtit nuk i humbi, buzëqeshja dhe humori nuk iu shuan nga buzët, dëshira për t’u marrë me hulumtime shkencore e me letërsi i rrëmbente të gjithë pjesën tjetër të kohës. Për këto vite të zymta të jetës më kanë folur miqtë e tij shkrimtarë e artistë shkodranë, që e kanë njohur e i kanë ndenjur afër.
Ndër ta dhe profesori i paharruar Jup Kastrati, me të cilin kam patur letërkëmbim e miqësi, por dhe shkrimtari Nikollë Spathari, etj.
Në kujtimet e veta përkthyesi dhe eruditi i njohur Gjon Shllaku, i vëllai i regjizorit dhe aktorit të shquar Lec Shllaku, me të cilin Nikolla ka qënë shok, thotë: “Nikolla asnjëherë nuk të jepte as ma të voglën shenjë mërzitie, por si stoik i pamposhtun përballonte vuajtjet dhe lodhjet ma sfilitëse në fabrikën e tullave me krenari edhe ndershmëri…”
Vepra, vlerë e ndihmesë jo e zakonshme në thesarin e kulturës sonë
Nikoll Dakaj është një personalitet poliedrik. Ai ishte pedagog, poet, përkthyes i shquar, historian, etnograf, folklorist, kritik letrar e publicist. Në të gjitha këto fusha të artit të fjalës e të dijes njerëzore, dha ndihmesën e vet, ndërsa në përkthimin e poezisë botërore, të poetëve të mëdhenj të letërsisë antike greko-romake e të poezisë italiane, klasike e moderne arriti nivele të larta, sa edhe pas
afërsisht një shekulli nga përkthimet e para, autorët e mëdhenj që iu dha trajtën e strukturën e gjuhës sonë, tingëllojnë të freskët e me gjallëri.
At Zef Pllumbi, autori i veprës “Rrno vetëm për me tregue”, më rrëfen i biri i Nikollës, i ka thënë se At Gjergj Fishta, pasi kishte lexuar poezinë “5 Maj” të A. Manzonit të përkthyer nga nxënësi i tij i apasionuar pas arteve të bukura e pas dijes, në mencë gjatë marrjes së mëngjezit i është drejtuar para të gjithëve i entuziazmuar: “O Nikollë, ma ke kalue!”
Bardi i Veriut e kishte fjalën për përkthimin e odes “5 Maj”, të cilën e kishte përkthyer e botuar edhe ai vetë.
Emri i Nikoll Dakajt nisi të duket e të tërheqë vëmendjen nëpër faqet e shtypit të kohës, kryesisht nëpër faqet e revistave “Shkëndia”, “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Jeta Kristjane”, “Aurora Consurgen”, “Balli i Rinisë”, “Tomorri i Vogël”, etj. duke nënshkruar shpesh me pseudonime, sepse kishte raste që kishte më shumë se dy shkrime në një numër.
Në veprën që i paraqitet lexonjësit, nuk janë përfshirë shkrimet që i janë bërë shkrumb e hi, kur iu dogj shtëpia apo humbën udhëve të mundimeve, nëpër kthinat e ftohta të qelive të burgjeve të hetuesisë a në bimca kasollesh e ahurësh.
Në këtë pjesë të rëndësishme të krijimtarisë letrare e shkencore përfshiheshin veprat në fazën e pjekurisë së plotë, dhe përveç atyre kënga e parë, që mund të ishte dhe libër më vete, e epopesë “Lahuta Shqiptare” prej 24 këngësh si eposet homerike, e cila na jepte një pasqyrë poetike, psikologjike e filozofike të të gjithë historisë së botës shqiptare, që nga Iliria e lashtë e deri në kohët e sotme, e cila tani për tani ngjason e humbur.
Duke gjykuar për atë që është botuar e shkruar më parë dhe asaj çka mundi të shpëtojë, kemi mendimin se krijimtaria artistike e shkencore e Nikollë Dakaj meriton të studiohet e të lexohet, sepse përbën një vlerë e ndihmesë jo të zakonshme e rutinore në thesarin e kulturës sonë. Nderim e vëmendje meritojnë jo vetëm përkthimet nga Homeri, Virgjili, Horaci, Katuli, Fedri, Dante, Petrarka, Manzoni, Karduçi e Leopardi, në të cilat spikat talenti i përkthyesit, por edhe poezi të veçanta, artikuj kritikë, publiçistikë dhe vepra studimore historike për lashtësinë e fisit të Hotit.
“Në dekë të At Gjergj Fishtës”
Në poezinë e shkruar për vdekjen e poetit At Gjergj Fishta e të botuar në faqet e revistës “Shkëndia” në vitin 1941, në numrin e prillit, në faqet 46-48 të nënshkruar me pseudonimin BA-JO (Basho Jona), poezia e Nikollës brof në një trajektore ngjitjeje të dukshme. Kjo poezi është një elegji e shkruar me nerv e përjetim, me elegancë e vështrim filozofik. Lënda është e begatë, e ngjeshur, e mbrujtur me dashuri e finesë. Ajo ka frymën epiko-lirike të Eposit të Kreshnikëve, por me një tingull më bashkëkohor, është më afër shqetësimeve të kohës e të botës së sotme shqiptare. Poeti me virtuozitet e fuqi shprehëse na e skalit të gjallë para syve portretizimin e Fishtës. Ai na pasqyron përmes sintezës dhe përfytyrimeve të larmishme portretin dhe botën shpirtërore të bardit të madh të Veriut:

Por, pse, moj zemër, hovin pa nevojë
Larg m’e marrun po don përmaje reve?
Retë veçse shi dikojn’e borë të shumtën
Kur tjetër na nuk meritojmë. Lahutën
Çile nji herë, e hapin theke’i hera
Ndër bjeshkë të nalta mriz ku zanat ngrehin:
Nji za njaty ke me veshtrue të ambël
E t’ri gjithmonë, që ligjëron si shpatë;
Ai vllazën do t’i mbajë shqiptar’t gjithmotin,
-Sa Osja bashkë e Marash Ucit t’kndohen –
Gjithmon Atmes do t’i rrijë parzmore,
Gjithmotin FISHTËN gjallë e ruen ndër ne,
Valët e Drinit sa t’dynden rrotullore. (Në dekë të At Gjergj Fishtës)
Poezia më e arrirë e Nikollë Dakajt është konkrete, e çiltër, e çliruar nga euforizmi e figuracioni klasikegjiant, me huazime nga mitologjia greko-romake. Të frymëzuara, të ngrohta e jetësore janë dhe vjershat “Motërzo”, “Kanga e Dedë Gjo Lulit”, “Kanga e Norës”, “Dy xixëllonjat”, e ndonjë tjetër. Poezia për Dedë Gjo Lulin ka ritmikë të gjallë, frymë burrërore dhe epike, ndërsa poezia “Dy xixëllonjat” ka tone të buta lirike, një lloj fluiditeti e joshje drejt të panjohurës, drejt një dashurie që të thërret gjithnjë pranë saj.

Nikoll Dakaj - Shkrimi dhe firma (e fotos)
Nikoll Dakaj – Shkrimi dhe firma (e fotos)

Ndihmesa në kritikën letrare

Një çështje tjetër që duhet trajtuar, kur bëhet fjalë për veprën e Nikoll Dakajt, është dhe ndihmesa në kritikën letrare, në studimet historike e në publiçistikë. Pa këtë trajtesë figura e personalitetit të tij të spikatur, do të dilte e mangët.
Duke gjykuar nga arritjet e këtyre zhanreve letrare e diturore, në kohën që Nikolla bënte përpjekje, për të dhënë ndihmesën e vet, kemi mendimin se dhe në këto zhanre të letërsisë, të publiçistikës e të studimeve historike, autori i këtyre artikujve, të botuara në shtypin e kohës dhe të studimit të pabotuar të plotë deri më sot, mbi lashtësinë e fisit të Hotit, paraqet interes nga këndi i vështrimit, nga aftësia për të zbuluar dukuri të qenësishme e thelbësore, nga erudizioni i gjerë e forca e analizës dhe sintezës; nga fakti se nuk përqëndrohet vetëm në veprën e një poeti, por e sheh dhe e gjykon atë në harmoni dhe në ballafaqim me veprat e autorëve të tjerë, për të nxjerrë ato veçanti estetike e filozofike që e dallojnë aksh vepër apo aksh autor nga aksh vepër e aksh autor tjetër.
Nga hetimi e studimi i artikujve kritikë që mundi të botojë bien në sy artikujt kritikë të shkruar për veprën e Fishtës ”Nji titull i merituem” (Tomorri i Vogël, Nr.1, fq.6, 1 Kallnuer 1943); “Nji botim i ri” (Shkëndia, Nr.10, fq.45-46, gusht 1943). (Mendime për veprën e Gjergj Komninos me titullin “Naim Frashëri – Poeti – Njeri!”) etj.
Në këta artikuj kritikë trajtohen me vështrimin e mprehtë të një studiuesi dhe esteti çështje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me poezinë, me kriteret e gjykimit dhe vlerësimit të veprave letrare, mbi përcaktimin e vlerave të autorëve dhe zbulimin e veçantive estetike, mbi kërkesat dhe detyrat e përkthimit të një vepre letrare dhe mbi lëvrimin e një gjuhe më të mesme për dy krahinat kryesore të vendit, duke kritikuar mendimet e pasakta të Mark Harapit në polemikën me Prof. Kolë Ashtën; mbi gjykimin e tragjedisë “Naim Frashëri” të Gjergj Komninos, për mangësitë dhe të metat e mëdha të kësaj vepre dramatike në vargje, e cila nuk arrin të realizojë kërkesat kryesore estetike e ideore për një vepër që vihet në skenë. Asaj i mungon dramaciteti, boshti filozofik dhe thellësia psikologjike.
Përgjithësisht në të gjithë këta artikuj mendimi kritik dhe estetik, vërejtjet e sugjerimet e kritikut Nikoll Dakaj janë të drejta dhe i përmbahen ligjësive estetike universale. Kritiku ynë është me shije të hollë, di të përzgjedhë e të bëjë përcaktimin e vlerave letrare, të vejë në dukje veçantitë estetike e ideore të veprave e të autorëve që merr në shqyrtim, duke i studiuar ato jo si vepra e dukuri të ngujuara brenda lëkurës së një autori, por duke i gjykuar e analizuar lidhur me të gjithë historinë dhe letërsinë e vendit e me kriteret universale ideore dhe estetike të vlerësimit.
Në rastin e artikujve kushtuar Fishtës, Nikoll Dakaj ve në dukje fuqinë lirike të veprës së Fishtës, të cilin autori e quan poetin lirik më të madh të poezisë sonë.
Lirizmi i Fishtës – thekson autori – shfaqet në forma të ndryshme. Atë e gjen në pjesë të veçanta dhe tek poema “Lahuta e Malcis”, duke zbutur ashpërsinë e tonet burrërore që zotërojnë në këtë poemë epike dhe heroike, por dhe në veprën “Mrizi i zanave” lirizmi merr ngjyrime për të ngritur lart çështjet kombëtare dhe problemet e mprehta dhe të ndërlikuara, që shqetësonin lëvizjen patriotike dhe luftën e popullit tonë për çlirim nga zgjedha shekullore e Turqisë, ndërsa në përmbledhjen poetike “Vallja e Parrizit” autori i saj merret me shtjellimin e çështjeve fetare, me Trinitetin e Shenjtë duke i ngritur një himn të madhërishëm e të zjarrtë Jezus Krishtit.
Vepra letrare dhe shkencore e Nikoll Dakajt është një vepër që e pasuron fondin e letërsisë sonë me arritjet e veta kulmore. Ajo është vepra e një njeriu mëndjethellë e zemërgjërë, e një luftëtari të vendosur deri në frymën e fundit të jetës për ngadhnjimin e dritës e të lirisë së vërtetë, për të cilat hoqi kaq mundime, por nuk u nënshtrua, nuk u përjarg, por qëndroi në këmbë, si njerëzit trima të fisit të tij të lashtë e heroik; pa njollë e dangë turpi, krenar e me ballin lart.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.