back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Nga ishte Prof. Aleks Buda? nga Prof. Dr. Luan Malltezi

Gazeta

Profesor Aleks Buda
Profesor Aleks Buda

Nga ishte Prof. Aleks Buda?

nga Prof. Dr. Luan Malltezi

Në biseda me miq, me njerëz të shkencës dhe të kulturës, bie shumë herë fjala për prof. Budën, dhe kjo është e kuptueshme po të kemi parasysh se prof. Buda, (1911-1993), ka qenë Kryetari i parë i Akademisë së Shkencave në Shqipëri në vitet 1972-1993.
Në këto biseda, ne, ish-studentë të tij (dhe më pas, punonjës shkencorë të sektorit të historisë së mesjetës, që drejtonte prof. Buda), flasim me respekt dhe nderim të veçantë për aftësitë e tij të shquara në drejtimin e veprimtarisë shkencore të sektorit dhe të Institutit, si edhe për kulturën, formimin e thellë profesional, ndershmërinë dhe thjeshtësinë e tij.
Në këto biseda, edhe miqtë tanë bëjnë vlerësime për të si historian dhe intelektual i shquar, por kësaj radhe, duke pirë një kafe me prof. Pandeli Çinën, mësuam edhe diçka interesante për “origjinën” e prof. Budës. Deri më sot dinim se prof. Buda ka qenë nga Elbasani, i biri i Taq Budës, i cili kishte kryer studimet e larta në Athinë për farmaci. Burimet historike të kohës dëshmojnë se Taq Buda ka luajtur rol të rëndësishëm në Lëvizjen tonë Kombëtare, në ngritjen e klubeve dhe hapjen e shkollave shqipe në Elbasan, ka qenë delegat i Elbasanit në Kongresin e Manastirit (1908), delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës, deputet në dy legjislatura të parlamentit të parë shqiptar. Por prof. Çina foli për gjyshin e prof. Budës, dhe për këtë nuk dinim gjë…
Prof. Çina e kishte takuar përsëri prof. Budën në një mbrëmje festive në Tiranë me rastin e përfundimit me sukses të punimeve të Kuvendit të Parë të Studimeve Albanologjike. “Prof. Buda, – tha dr. Çina, – u ul rastësisht pranë meje”, dhe në bisedë e sipër, duke ditur se prof. Çina ishte nga Berati, i tha se edhe ai vetë nuk ishte nga Elbasani me origjinë, por nga Berati.
.
Profesor Aleks Buda (1910-1993)
Profesor Aleks Buda (1910-1993)

“Nga Berati, – i tha ai, – kam pasur gjyshin tim, i cili ka pasur edhe shtëpinë e tij diku në kala, por nuk e di tamam se ku”. Prof. Çina, që siç duket e dinte këtë gjë, iu përgjigj duke qeshur: “Shtëpinë ta tregoj unë, profesor, se edhe unë nga nëna Buda jam”. “Ashtu! – i tha prof. Buda i çuditur, – pse, edhe ju Buda jeni!?” Kështu filloi edhe biseda midis tyre. “Gjyshi im, – filloi të tregojë prof. Buda, – njihte disa gjuhë të huaja dhe ka punuar ca kohë në Berat me një doktor nga Napoli; atëherë ishin vite të vështira për shëndetin e popullit dhe doktori bënte vizita dhe u rekomandonte ilaçe njerëzve të sëmurë. Këto ilaçe ishin barna popullore dhe këto i mblidhte gjyshi im”. “Më pas, – vijoi dr. Çina, – doktori e tërhoqi në Napoli gjyshin e Budës dhe atje ai kreu studimet e larta në mjekësi. Kur do të kthehej në Shqipëri, doktori e pyeti:

-Ku do të shkosh tani?
Gjyshi i Budës i tha se do të kthehej në Berat.
-Jo, – i tha ai, – në Berat njerëzit të njohin si ‘njeriu që u jepte barna nga doktori’, prandaj bën mirë të shkosh në Elbasan; atje njerëzit do të të njohin si doktor dhe kjo ka shumë rëndësi për një mjek të ri. Dhe kështu ndodhi; gjyshi i prof. Budës nga Berati filloi punë si doktor në Elbasan. Duke qenë në fushën e mjekësisë, dërgoi edhe të birin, Taq Budën, në Greqi për të kryer studimet në farmaci”.
Pas këtij informacioni interesant, biseda për Budën u hap më tepër midis nesh. Unë ndërhyra për të thënë se Aleks Buda kishte lindur në Elbasan; për këtë qytet, ku kishte kaluar fëmijërinë, ai kishte mall dhe dashuri të veçantë. Buda vlerësonte në Elbasan figurën e Kostandin Kristoforidhit, Shkollën Pedagogjike ku u formua kuadri i gjerë i mësuesve të shkollave shqipe. Buda kishte miq të shumtë në këtë qytet. Si në gjithë qytetet e tjera, edhe në Elbasan kishte myslimanë e të krishterë ortodoksë, këta të fundit kishin shtëpitë e tyre në kala. Elbasanasit i quanin të krishterët e kalasë “urume” ose “kalajsit”. Prof. Buda ruante kujtime të mira për tolerancën midis besimeve fetare në Elbasan….
Miqësia e Budave me Mahmud Pashën, të atin e Aqif Pashë Biçakut, ishte e njohur në Elbasan…
Marre nga Muri i FB i Simon Vrushos, 6 qershor 2017
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.