back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Nënat e Kullëve të Zëmblakut nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

Ju lexoj nji foto… që vlen si model…

Fotot mbeten nji ndër pasionet e hershme të miat… ato janë nji çaste jete pa fort pretendime që “ngrijnë” dhe shtyhet qetësisht në përjetsi… pra këto çaste jete së gjithsecilit prej nesh flejnë ndër albume o ndër kutija si nji heshtje që pret po… dikur flet… dhe gjuha e fotografisë asht e veçantë, s’ka shumë fjalë, por flet shumë e të zhyt ndër mendime e kujtime, dhe mundet që edhe nji foto e vetme, nji ditë të flasë njiherit edhe si dëshmi, edhe si kujtesë, edhe si dhimbje, edhe si histori, po edhe si nji film mbrenda nesh që ringjall njerëz, kohra dhe hapsina tashma të ikuna… Me e dashtë fotografinë për mua asht si me e dashtë të vërtetën, me e dashtë kohën e ikun po edhe kohën që vjen, me e dashtë vehten tande po edhe vendin tand ku je lind dhe je rritë, dhe sado hipokrite që mund të jetë nji foto, ajo mbetet nji e vërtetë e madhe, që s’ka asnji ngutje me u shfaqë… Sot, mundem me e thanë pa droje dhe ma merr mendja se janë të paktë ata që mund ta kundërshtojnë, se fotot janë historia jonë e vërtetë,  sepse ka filma, ka dokumentarë, ka libra, ka histori dhe historianë, por ne kemi brenda vetes nji mashtrim aq të madh, prej të cilit po e kemi të vështirë të ndahemi, kemi nji fallsitet njerzor dhe historik aq të frikshëm, dhe s’po mundemi me ia dëshmue të vërtetën tonë as vetes dhe as botës, prandaj e vlersoj çdo foto e dalë nga sepetet dhe albumet e atyne që i kanë ruejtë, ma shumë se nji dokumentar, ma shumë se nji film, ma shumë se nji libër… Gjuha e fotove të vjetra sot asht e vetmja gjuhë komunikimi mes nesh, asht e vetmja e vërtetë edhe e atyne që s’janë ma mes nesh… fotot janë i vetmi amanet që duhet ruejtë dhe përhapë me kujdes… pse ato janë kultura jonë, janë shpirti jonë, janë historia jonë, janë e ardhmja jonë…
Jozef Radi, 14 prill 2014   

Nënat e Kullajve
Nënat e Kullajve

Nënat e Kullëve të Zëmblakut nga Jozef Radi

Sot, kam marr përsipër me ju lexue nji foto! Nji foto të thjeshtë… Do të përpiqem ta lexoj në 3D, duke i mëshue sa ma fort kujtesës sime, i bindun se kjo foto i thotë të gjitha, pa thanë unë qoftë edhe nji fjalë të vetme. Ashtu thjeshtë e shfaqun, kjo foto mund të flasë sa njimijë njerëz së bashku, por me pak shpjegim, simbas meje, mundet që njimijë njerzit të flasin e të vazhdojnë me rrëfye edhe atë çka unë s’e di o çka unë sot s’e kujtoj…
Në kët foto, janë tri gra me nga nji djalë pëpara. Janë tri të reja të Gani Kullës së nga Kullët e Zëmblakut, deputet dhe personalitet mjaft i njohun i asaj kohe… Në fakt, në foto duhet të ishin katër gra, nuk e di pse njena prej tyne mungon, por unë do të flas gjithnji për katër, pra edhe për atë që i mungon kësaj fotoje…
Edhe pse kam jetuar për më shumë se 30 vjet me këto gra që e kaluan gjithë jetën pa burrat e tyre pranë, sinqerisht, unë asnjenës prej tyne nuk ia kujtoj emrin… sepse unë dhe gjithë ne fëmijët e kampit të Savrës, u thërrisnim thjesht Nëna… Njena ishte Nëna e Aliut, tjetra Nëna e Mentalit, ajo ma e reja Nëna e Gëzimit dhe ajo që mungon në kët foto quhej Nëna e Irfanit… Për gjithë ne fëmijët e Kampit, ato ishin Nëna, gjithnji me N të madhe… Fakti që jetuan nji jetë pa burra, duke punuar e rropatur përditë fushave të Myzeqesë, dhe duke qenë shembuj sjelljeje, për mua mbetet nji nga dëshmitë ma prekëse, të nji të vërtetë që duhet t’mos harrohet kurrë. Myneveri, ose Nëna e Gëzimit, kishte Gëzimin djalë të vetëm; Havaja, ose Nëna e Mentalit, kishte dy djem: Mirdashin dhe Mentalin; Nëna e Aliut kishte dy djem dhe nji vajzë: Aliun, Myzaferin dhe Virgjinushin; kurse Dedeja, ose Nëna e Irfanit kishte tri vajza, Meribanin, Alijen dhe Ferziletin dhe Irfanin, djalë të vetëm…

Sarajet e Gani Bej Kullës në Zëmblak
Sarajet e Gani Bej Kullës në Zëmblak

Po ta kqyrësh kët foto me vëmendje, sheh në pamjen e këtyne Nënave edhe dhimbjen, edhe krenarinë, edhe rininë e humbun rrugave, ku pjesën ma të madhe të jetës e kaluan kampeve të interrnimit… për nji fakt, në dukje ndoshta i randomtë: vetëm pse me 6 prill 1939, suita mbretnore që po nisej në ezil, pak para kalimit në kufirin grek, ndaloi në sarajet e Gani Bej Zëmblakut… thuhet se mbretnesha Geraldinë, ndrroi veç pelenat e foshnjes njiditshe, kurse Mbreti Zog piu ndrroi pak bisedv dhe piu veç nji kafe…!! Po, kaq mjaftoi për t’u zbrazë mbi gjithë pjestarët e kësaj familje të nderueme zëmblakase, Irinitë e Zeusit të Kuq, i cili mbasi pushkatoi të parin e kësaj dere, Gani bej Kullën, përndoqi me skëterrë gjithë të tjerët: me gra, fëmijë e pleq, dhe midis tyne edhe këto tri gra që shifen në kët foto…
Simbas meje, fotoja duhet të jetë e vitit 1958-1959, kur kampi i Savrës kishte pak ma shumë se nji pesvjeçar që ishte në kambë. Të tre djemtë, kanë ndër fytyra krahas pafajsisë së moshës dhe dhimbjes ka mjaft krenari, e në veçanti te Mentali në mes… Dy prej këtyre djemve, Mentali dhe Gëzimi në andrrën e tyne të thyeme, nji ditë u banë edhe mundësa të “Traktorit” të Lushnjes, sigurisht për nji kohë të shkurtë, kur “lufta e kllasave” qe çmprehur ca, duke qenë njiherësh edhe sportistë shembullorë ku krahas emrave të shquar lushnjarë të Sportit të Mundjes si: Skënder Gjyla, Dashamir Angoni, ishin edhe tre djem nga Kampi i Savrës: Gëzim Kulla, Mental Kulla dhe nji pogonas minoritar Kosta Krongo… por që shpejt, do të përjashtoheshin e do të harroheshin… si të padenjë për Partinë…

Sarajet e Ndëshkuara sot...
Sarajet e Ndëshkuara sot…

Këto katër gra, së bashku me nji listë të gjatë prej gjashtëdhjetë të tjerash, jetuan gjithë jetën kampeve të interrnimit pa burrat e tyne (të arratisun, të vramë o të zhdukun),  këta tre fëmijë, (po edhe qindra të tjerë) babë e nanë patën këto gra, që flisnin gjithnji më zà të ulët, që nuk u dëgjohej zëri, që shihnin veç hallet dhe fatin e tyre, e që respektoheshin nga kushdo që i njihte apo i takonte pvr të parën herë… Ishin gra-burra shembullore, që i rritën, i edukuan dhe i martuan me nderin, dinjitetin dhe sakrificat e tyne të epërme, jo veç fëmijët e tyne, po rritën, edukuan dhe martuan edhe nipat e mbesat e tyne të shumtë, duke lanë kështu të katërta sëbashku një emën dhe një nder që pakkush mund t’ia ketë lënë nji dere me emën, si ajo e Kullëve të Zëmblakut…
Ato nuk janë ma asnjena… Edhe ajo listë e gjatë Nënash, e përfaqsueme sot nga nji grua 101 vjeçe, s’ka as nji përkujtimore, as nji nderim, asnji vlersim… Po, ndër ne asht e bukur shprehja “Si s’të vjen turp nga vetja?!”… E pra, nji shteti, që nuk i vjen turp nga vetja, nuk ka se si ti nderojë e ti respektojë këto gra…
Po asht nji dashni ma e madhe që i nderon e i respekton këto Nëna, ajo që asht mbrenda nesh…!
Jua lexova kët foto, ashtu si e pashë dhe ashtu si e ndjeva…

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.