back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Nën zulmën historike të dhjetoristëve – Revolucioni i kadiftë – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Dhjetor 1990 - Fitore dhe Zhgënjim
Dhjetor 1990 – Fitore dhe Zhgënjim

Nën zulmën historike të dhjetoristëve – Revolucioni i kadiftë

nga Artan Kafexhiu 

Shqipëria e vogël, ngjan krejt e pamundur të shfaqet si origjinale. Precedentët e jashtëm, shembujt ndërkombëtare, kanë qenë dhe janë “blueprints”, që elita e vendit përpiqet të imitojë e të adoptojë. “Perestrojka” ramiziane mbeti deri në fund një lloj thashethemnaje. U përhap mjeshtërisht për të ruajtur imazhin e njeriut, që “për fat të keq i kishte duart e lidhura”, pavarsisht dëshirës për hapje e shpirtin liberal të këtij udhëheqësi post-enverian. Dhjetor 1990, – tamam një vit pas “revolucionit te kadiftë” çekosllovak, u ndoq e njejta skemë edhe në Shqipëri. Në analogji, siç kishte ndodhur një vit më parë, 1989, në Çekosllovaki, edhe ne dhjetorin shqiptar të ’90-s, në ballë për të kërkuar reforma u vunë studentët. Filluan të qarkullojnë thashethemet se, mbrapa gjithë kësaj skeme, qëndronte “perestrojka” shqiptare, Ramiz Alia (me të besuarit e tij politikë), i cili kërkonte reforma, për të larguar nga skena të gjithë ata, – “të pakorigjueshmit”, enveristët, stalinistët, – që ia kishin mbajtur të lidhur duart deri atëhere. 
Autorësia për një terminologji të tillë, – revolucion i kadiftë, – si një metaforë për një “revolucion” të papërgjakur, i atribohet një gazetari perëndimor. Por njerëzit e dhjetorit shqiptar, morën përsipër ta quanin veten nismëtarë, themeluesit e atij konglomerati, grupi heterogjen, që shpejt mori formën e një formacioni politik me emrin Partia Demokratike. Ata parapëlqejnë që këtë “revolucion të kadiftë” shqiptar, ta quajne “ngjarjet e dhjetorit”, ose ta identifikojnë me atë çfarë ndodhi atëkohë, thjesht me “dhjetor (1990)”, dhe veten si: “dhjetoristë”. Pyetjet që bëhen sot pas 30 vjetëve janë të njëjta me ato që janë bërë po ato ditë: – “Kush ishin/janë këta njerëz? A shkuan më tej se “bluprints”; si shembëlltyra të shpërdoruara, të shpërfytyruara keqazi të atij revolucioni prej kadifeje që u importua nga jashtë? Apo më tej, një “bluprint” inskenim, – kjo sipas teorive konspirative që polli ai mali i madh i thashethemnajës shqiptare,- sipas direktivave të lëshuara nga vetë ai: Ramiz Alia?!
Përgjat gjithë këtyre viteve i jemi kthyer vazhdimisht atij dhjetori 1990. Do të vazhdojmë t’i kthehemi herë pas here, sepse vazhdimisht ndjesitë e gjykimet tona gravitojnë në drejtime të kundërta; herë drejt “dhjetorit çlirimtar”, e herë drejt “dhjetorit kurthimtar”. Krizën tonë nuk mund ta zgjidhim lehtë, sepse gjithçka përsëri mbetet në botën e hamendjeve. Komunizmi la mbrapa një shoqëri moralisht e fizikisht të deformuar, të shpërfytyruar, në një degradim të paimagjinueshëm. Dhjetori 1990, e gjeti popullsinë e Shqiperisë, mendërisht dhe biologjikisht të tejlodhur, një drobitje të tanësishme të qenies shqiptare. 
Frika e parashikuar e Havelit, për një shoqëri post-totalitare, që e ka humbur aftësinë për të gjykuar, është tepër e dukëshme në Shqipëri. Indoktrinimi, dhuna dhe shtypja e gjatë, kishte sjellë ngrirjen e historise shqiptare. Njeriut shqiptar, i ishte mohuar e drejta me elementare, – të jetonte jetën e tij në mënyrë të natyrëshme, – për pasojë shqiptarët patjetër do të bënin gjykime të gabuara. Situata ishte e ngjashme, me euforinë e haluçinacionet të njeriut të paushqyer, të cilin e kanë lënë të uritur, në një agoni të gjatë, për ta vdekur. Në gjak krijohen e lëshohen ato trupëzat e vogla, që ushqejne trurin duke e mbajtur në gjendje euforike drejt një vdekje padhimbje. Pikërisht në këtë gjendje, i gjeti shqiptarët “dhjetori 1990”; gjykimi i tyre, ishte gjykimi i mpirë i njerëzve në euforinë e agonisë te urisë së gjatë që po i çonte drejt vdekjes. 
Njerëzit e dhjetorit është leitmotivi që i kthehen herë pas here shqiptarët. Kjo sepse edhe pas 30 vjetëve, kemi mbetur padyshim pengje, viktimat e tyre. Në thelb, asgjë nuk ka ndryshuar. Për të kuptuar Shqipërinë e 30 vjetëve të fundit, duhet të merret në analizë elita e saj, sjellja e intelektualëve në kohë krizash. Nëse elita ndryshon, edhe vendi do të ndryshojë. Përderisa kemi të njëjtën elitë politike të 30 viteve më parë, analizën e kësaj elite, duhet ta drejtojmë në aspektin e konvertimit të mundshëm të saj. 
.
8 Dhjetor 1990 - Takimi i Ramiz Alisë me Studentët
8 Dhjetor 1990 – Takimi i Ramiz Alisë me Studentët

Kultura e viktimizimit, – bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës 

Pjesa e “dhjetoristëve” që i dha tonin e emrin “Lëvizjes te dhjetorit”, grupi tashmë i vetlakuar si nismëtarë, themelues të PD-së, vinin me një ngarkesë politike tejet të pasur e të trumpetuar. Në rrethet elitare ishin fort të njohur si marksistë, me një kulturë të saturuar militante social-komuniste. Viktimizimi dhe shpërndarja e fajit nga pak tek të gjithë, nën parrullën “bashkëfajtorë e bashkëvuajtës”, ishte një nga hapat e parë, djallëzisht të zgjuar. E paramenduar mjaft mirë më parë, kjo parrullë iu injektua shqiptarëve në tubime, pikërisht nga kjo lloj elite. Nën efektin e euforisë eutanazike të njeriut të lënë kaq gjatë të uritur, pa ushqim, retorika e viktimës, si pakuptuar, rikonsolidoi edhe një herë avantazhin, monopolin politik të elitës ekzistuese, mbi shqiptarët e trullosur. 
Statusi i viktimës dhe bashkëfajesisë, u shpall në emër të një drejtësie abstrakte post-totalitare, duke i trajtuar të gjithë shqiptarët, pa perjashtim, si “viktima të komunizmit”. Duke e futur edhe veten nën ombrellën e viktimizimit, e kaluara komuniste e kësaj elite, akoma edhe sot nuk përmendet. Duke e barazuar edhe veten me statusin e një bashkëviktime, e kaluara komuniste fshihet në mënyrë të ndërgjegjshme, por edhe në vetë subkoshiencën e tyre, nën emrin e një totalitarizmi, utopie komuniste abstrakte. Nën një ombrelle të tillë, nuk ishte (e sot nuk është e vështirë) të bëhej kapërcimi i kësaj elite edhe në rolin e çlirimtarit. Kujtesa kolektive eutanazike thirret në mënyrë selektive. Totalitarizmi paraqitet si një periudhë epokale moralisht e gabuar, e mbushur me terror e dhunë, por gjithmonë duke shmangur e mos përmendur kërkund kulturën e bindjet marksiste e komuniste, militantizmin e tyre në atë kohë, e pikërisht, të kësaj elite. 
Përmendja e të kaluarës totalitare bëhet në një mënyrë të tillë, pa emra të përveçem. Shmanget përmendja e roli i spikatur i dikurshëm i individëve të veçantë, me qëllim që të shtrëmbërohet realiteti. Roli i individëve që mbeten gjithmonë pa emër, përzihet kështu me lehtë, me turmën e madhe, paemër. Për ata, ajo kohë nuk ka shpjegim racional, nuk ka emra, nuk ka individë. Në këtë mënyrë shmangen dosjet, shqyrtimi i biografive të tyre prej militantësh dhe kontribuesish aktive në jetën e totalitarizmit. Në këtë mënyrë shmangen përgjegjësitë e aktivitetit të tyre në regjimin ku ato milituan e morën pjesë aktive. Ata vazhdojnë të prezantohen si viktima të komunizmit e të utopisë totalitare, para të cilit ata ishin të pafuqishëm e pa zë. Viktimizimi total i shoqërisë shqiptare dhe bashkëfajësia totale e saj, i shërben shtrembërimit dhe të pamundësisë të një perspektive që të mund të mësojmë të vërtetat, të njohim e demaskojmë autorët, kontributorët e vërtetë, e për t’i ndarë ata, nga viktimat e vërteta. Patjetër që e kaluara demonizohet, flitet për venien në vend të drejtësisë, por gjithçka në emër të një drejtësie krejtësisht abstrakte. 
Në Shqipërinë pa kulturë demokratike, pa tradita të kulturës të vërtetë konstitucionale, predikues të tillë, nuk e kanë aspak të vështire të mbajnë përsëri bajrakun dhe monopolin e pushtetit e të bërjes të politikës së vendit. Përballë, kanë masën e njerëzve, – votuesit potencialë prej të cilëve ata kërkojnë të marrin votat, – një popullatë përsëri edhe pas 30 vjetëve, të mpirë, të demoralizuar e të çorientuar. Një popull i tillë, është i pasofistikuar dhe krejt e pafuqishëm, për të qenë në gjendje të demaskojë kamuflimin nën karizmën masovike të shtirë të kësaj udhëheqje. Përballë një elektorati të tillë, kjo lloj elite ka ditur të mbijetojë mjeshtërisht edhe në mungesë totale të vetkritikës e të konvertimit të vërtetë ideologjik. Një nga arsyet që politikanët “dhjetorista”, përsëri i kanë sytë te pushteti dhe politika, është edhe një fakt thelbësor ballkanas; për ta, politika dhe pushteti është stacioni i fundit dhe i vetëm i jetës së tyre. Në kontrast me mentalitetin perëndimor, ku në një periudhë të caktuar të jetës, çdokush mund të aspirojë të futet në politikë e të punësohet përkohësisht në të, politikanët shqiptare mplaken në të, si disa lloj dinosaurësh të moçëm. E shohin veten të përjetshëm në politikë, nuk e kuptojnë ndryshe angazhimin e tyre në të. Marrja me politike dhe mbetja në instikamet e saj, shihet si një lloj martirizimi, heroizmi, që në sytë e tyre fiton përmasa biblike, ku statusi i tyre si politikan mbetet i përjetshëm. 
Në odisenë e tyre politike, i ndihmon kthimi vazhdimisht tek teoria e viktimizimit. Në periudha të krizave akute, kur paketa e kontributit të tyre politik dhe ekonomik është diskretituar, e janë vetë ata që kanë sjellë kolapse politike apo ekonomike, viktimizimi përsëri i shpëton. Ky lloj viktimizimi i tyre, për të qenë, është mjaft absurd, por tepër efektiv në ambjentin shqiptar. Duke e paraqitur përsëri veten si viktimë, e duke e lënë fajin jetim, ata mbajnë hapur dyert e rihyrjes në politikë e për t’u ngjitur përsëri në pushtet. Ndërsa me viktimat e vërteta, vepron psikologjia e vetfrenimit; nuk është në natyrën e tyre të kërkojnë dëmshpërblim, të reklamojnë e monopolizojnë sakrificën e tyre. Kurse për politikanët “dhjetoristë”, viktimizimin si kulturë, përdoret për të monopolizuar e siguruar rolin e çlirimtarit, që ka gjithmonë një mision për të kryer. 
.
Dhjetor 1990 - Mitingu i Madh në Qytetin Studenti
Dhjetor 1990 – Mitingu i Madh në Qytetin Studenti

Boshllëku ideologjik i misionit të “dhjetoristëve” 

Frazologjia antitotalitare fillimisht e mekur e atij dhjetori, u rrit përgjat 30 viteve që ndoqën, në një kreshendo të padurueshme. Notat e larta e të paharmonishme së retorikës antikomuniste vazhdojnë të na shurdhojnë e të na vrasin veshin. Për ish-militantët e teoricienët e dikurshëm të doktrinës politike-ekonomike të Marksit, kjo duket se mjafton për të mohuar babain e tyre ideologjik. Ndërkaq, për observuesin e qëmtuar, kjo nuk ështe veçse një vetpërkëdhelì, një lloj marrje me të mirë e vetes. Në një situatë të tillë, ku mungon ura e vazhdimësisë ideologjike dhe përkushtimit për transformimin socio-ekonomik të një shoqërie të tërë, “misioni” i tyre, thjesht mbetet një frazeologji boshe. Ata nuk mund t’i largohen dot kësaj retorike, si pjesë e brymosjes të tyre ideologjike të trashëguar nga e kaluara e tyre marksiste. Por, të dalësh përsëri në tribunë para turmave jo si mëkatar, por si mbajtës i një bajraku që quhet “mision”, duhet të kesh një farë respekti për veten. Çfarë e mban të patundur ndjenjën e respektit për veten? Në këtë rast, e vetmja ndihmë që futet në kategorinë e mekanizmit të vetëmbrojtjes, është ekzistenca e një ndergjegje falso. Boshllëkun ideologjik e mbush me frazeologjizma të llojit: “mision i ndërprerë në mes”, “nder e detyrë”, “besim i patundur”, “demokraci e ekonomi liberale”, etj. 
Për të evituar një përplasje direkte me perceptimin që kanë njerëzit për ta e për të kaluarën e tyre komuniste, dështimet e tyre politike-ekonomike, ata vazhdimisht shfaqen në publik me një gjuhë pa bosht ideologjik, nën emrin e një patriotizmi, atdhedashurie, demokracie abstrakte, luftë kundër korrupsionit, etj. Si fillim, kjo frazeologji, shfaqja e saj, i ndihmoi për të treguar për shpirtin e tyre “disident”, një disidencë “e brendëshme”, por e pashfaqur në totalitarizëm; një disidencë në fakt, joekzistuese. Nëse do t’i bëhej radiografia ndërgjegjes së tyre, do të vërehej një ndërgjegje e shpërfytyruar, e reflektuar kokëposhtë, një lloj “fanti” letrash bixhozi. Është e njëjta figurë, thyerje virtuale e dritës, i njejti “fant”, por kokëposhtë. Ndoshta me të vetmin ndryshim, ka ndryshuar ngjyrat dhe kostumin. Është i njejti personalitet, por i ndarë në mes si me thikë, që mbahet bashkë nga një ndërgjegje falso. Boshllëku ideologjik është zëvendësuar me një lloj konformizmi politik, ku retorika e interesave kombëtare dhe antitotalitarizmit është aksiomatike. Të debatosh aksiomat e tyre në detin e konformizmit politik të bën krejt të padenjë për çdo iniciativë të re politike. Duke deduktuar me tej për boshllëkun e tyre ideologjik, nuk është vështirë të vërehet mungesa e vazhdimësisë në idetë e tyre; shto këtu edhe paaftësinë për të bërë ndyshimet që kërkon koha. Përkushtimi ndaj “demokracisë dhe ekonomisë liberale” e “luftës kundër korrupsionit”, është i llojit etik, kërkon të legjitimizojë të tashmen, ambicjen për të marrë e mbajtur përsëri pushtetin, duke përligjur njëkohësisht të kaluarën e tyre. Etika e tyre është etika e mosmarrjes përsipër të trashëgimisë së tyre, dhe jo etika për të analizuar e mbajtur qëndrim ndaj bindjeve apo ndrrimit të tyre, konvertimit të (pa)mundshëm ideologjik të tyre.
Ish-marksistë të tillë, të kthyer demokratë në vitet ’90 e me pas, nuk e ndjejne të nevojshme të japin shpjegim për të kaluarën e tyre, për më tepër, ta rishikojnë atë. Ata veçse duan të reklamojnë zgjidhjet që shtrojnë për të sotmen e të ardhmen, pra për “misionin” e tyre, term i trashëguar nga gjuha marksiste për një të ardhme abstrakte. Kur konkludojmë për ndërgjegjen e tyre si një falsitet, as terminologjinë e tyre demokratike e antitotalitare, nuk mundemi ta marrim më seriozisht. Lakimi i termit liberal është interesant, sepse i shërben strategjise të këtyre “dhjetoristave”. Përveç se është konveniencë e së tashmes, i shërben etikës të gjykimit nga ana e votuesit shqiptar, që të mos marrë parasysh mëkatet dhe dështimet e së kaluarës së tyre, qoftë edhe “demokratike”. Fjalori i përdorur nga ana e tyre përballe masës të shqiptarëve, jo vetëm është superinflacion i fjalëve “demokrat” dhe “demokraci liberale”, “demokraci funksionale”, por ndërkohë, nuk mund të kapërcejë paradikmat e formimit të tyre. Ndërkohë, kur termat liberal e demokraci liberale, përzihen me antikomunizmin e ndezur nga fishekzjarret frazeologjike, termi “kapitalizëm” është krejt joekzistues në gjuhën e tyre. Përdorimi i “kapitalizmit” në misionin e tyre qëllimisht evitohet; misioni i tyre ka mbetur akoma tek “tranzicioni” apo ndërtimi i “shoqërisë civile” dhe “demokracisë liberale”. Ku ishin këto terma më parë, përse nuk u zbuluan e na u servirën me kaq vonesë? Kapitalizmi, si koncept e term, i bie ndesh, është në kontrast tepër të dukshëm me të kaluarën e tyre marksiste, anti-kapitaliste. Është një përplasje kokë më kokë, ata kurrsesi nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë kapërcim, kaq të dallueshëm e publik. 
.
Dhjetor 1990 - Mitingu i Madh në Qytetin Studenti
Dhjetor 1990 – Mitingu i Madh në Qytetin Studenti

Konvertimi i elitës shqiptare 

Konvertimin e mundshëm të elitës shqiptare, nuk mund ta përqasim me asgjë që njohim ne në lidhje me konvertimin në përgjithësi. Konvertimi relixhioz, si kuptimi më i vjetër i konvertimit, kupton një ndryshim, shndërrim nga të qenurit pafe, ose i një feje tjetër, në përqafimin me vullnetin e lirë të një besimi. Duke iu shmangur konceptit origjinal të konvertimit relixhioz, sidomos për masën ateiste, siç ishte inteligjenca shqiptare e para ’90-s, hulumtimi jonë duhet të drejtohet tek motivet dhe faktorët që mund të kenë ndikuar e ndikojnë në konvertimin politik të elitës shqiptare. Për të formalizuar e sanksionuar vazhdimësinë e qëndrimit të tyre aktiv në politikë, çfarë vihet re më shumë, është një lloj i veçantë konvertimi politik, përderisa edhe motivet janë të karakterit utilitar. Nëse ka ndodhur që ndonjë intelektual joaktiv në politikë, ka ndryshuar edhe bindjet e tij (deri tani nuk njohim ndonjërin që të ketë folur publikisht për një konvertim të tillë ideologjik), nuk ngjan të konvertohet për motive utilitare. Konvertimi i tij vjen si pasojë e një krize të përgjithëshme të brendëshme, e të një procesi të gjatë ndryshimi. Konvertimi ideologjik, nuk ndodh brenda natës, si një mrekulli relixhioze, por është një proces që shtrihet në kohë. Është një evolucion natyral i mendimit dhe një përkushtim racional ndaj një epoke të re në bindjet ideologjike të personit. Është një ndryshim epokal i ndërgjegjes, një kthesë radikale si pasojë e një eksperience dhe vëzhgimi të gjatë. 
Retorika e të ashtuquajturve “dhjetoristë” në përgjithësi, por sidomos në periudha zgjedhjesh, rritet në tonalitet, duke folur me pathosin e nevojshëm elektoral për premtime e ndryshime radikale. Por kjo paraqitje, sjellje në publik, “kaq radikale”, nuk na ka rezultuar kurrë të ketë qenë reale. Pathosi i retorikes anti-komuniste, demokratike, nacional-liberale, gjithmonë ka kërkuar përgjigje për pyetjet të tilla si: “Sa seriozisht duhet ta marrim këtë retorikë? Nëse pathosi, pasioni për diçka është zëvendësuar në mënyrë të papritur, të menjëhershme për një tjetër, për sa kohë do të zgjasë?” Një shprehje e vjetër, e cila i ka rrënjët në konvertimin relixhioz, pak a shumë thotë se, “është e vështirë të konvertohesh në një fe tjetër, vetëm herën e parë”. Konvertimet e tjera, të mëvonëshmet, janë krejtësisht të paparashikuara dhe konjukturale. 
Marksizmi shqiptar, në ndryshim nga e gjithë Lindja post-staliniste ishte më fanatiku. Stalini ishte shembulli dhe idhulli që në ndoqëm, partia ishte e vërteta supreme, kritika dhe mendimi alternativ ishin herezi totale. Kurse “dhjetori 1990”, na shfaqi “dhjetoristat”, si anti-marksistët e rinj, ku konvertimi tyre ndodhi brenda natës. Ata donin duartrokitjet dhe brohoritjet tona, dhe ne ua dhuruam. Përfaqësuesit më prominentë të grupit themelues të PD-së, deri një natë me parë, i kishin treguar besnikërinë e tyre sistemit stalinist të Hoxhës me shfaqje nga më aktivet, parasëgjithash si zëdhënësit e tij. Asnjëri prej tyre nuk bëri përpjekjen autokritike më të vogël, për ta shkëputur publikisht veten nga e kaluara e tij, qofte si militant apo si mbartës titujsh akademikë për studime e punime që sot përpiqen t’i heqin nga referencat akademike dhe bibliografitë e studimeve të tyre. 
Retorika e “dhjetoristëve” përgjat 30 viteve ka kaluar në disa faza të ndryshme. Po t’i analizosh ato me kujdes, gjithmonë i kanë shërbyer nevojës për “konvertimin e tyre politik” para publikut, si për mbajtjen e pushtetit, qoftë edhe për rimarrjen e tij. Retorika e një konvertimi të tillë politik, në thelb s’ka ndonjë përmbajtje ideologjike. Nëse sot lakohet liberalizmi, demokracia social-liberale, konservatorizmi, lufta kundër korrupsionit, pra në përgjithësi, “kryerja e misionit te tyre” të nisur atë dhjetor 1990, frazologjia është një reflektim, mimetizim nën prizmin e ngjyrave të pasioneve e etheve elektorale. Në të gjitha fazat, ata nuk kanë harruar për të përdorur në mënyrë fleksibël frazeologjinë antitotalitare, për të ruajtuar atë lidhje të domosdoshme me ngarkesën emocionale të publikut, të krijuar në momentet e atij dhjetori 1990, kur morën duartrokitjet dhe brohoritjet e para prej tij. 
Është e pritëshme, që mendimet tona edhe pas 30 viteve, rreken që të kuptojnë misterin e jetëgjatësisë gjysmëshekullore të periudhës totalitare. Përderisa paska patur intelektualë të tillë si “dhjetoristat”, me një ideologji e pikëpamje kaq antimarksiste, antitotalitare, e me një “mision” për të vendosur demokracinë liberale, komunizmi shqiptar e paska patur vërtet pisk gjatë jetës së tij kaq të gjatë. Vetëm terrori e dhuna e paska mbajtur atë sistem në këmbë e kaq gjatë. Konvertimi i tyre politik, kaq shumë i propoganduar nëpërmjet retorikës të tubimeve, vetëm ve në lëvizje mekanizmin e një kujtese selektive, ku e kaluara e tyre komuniste, ngjan si diçka që nuk ka ndodhur kurrë. Siç ngjan edhe të jetë, ata e projektojnë veten në një retro-perspektivë të një retorike të tillë. Çfarë qëndrimi duhet të mbajnë intelektualë të tillë, një elitë e tillë, karshi titujve akademikë, tezave me të cilat mbrojtën doktoraturat, librat e artikujt që botuan në atë kohë për të propoganduar supremacinë e sistemit socialist karshi atij kapitalist, dështimeve e paaftësinë për të udhëhequr Shqipërinë postkomuniste? Kë do të bëjnë fajtor, iluzionet e rinisë, apo të qenurit të detyruar nga totalitarizmi për të lënë një trashëgimi të tillë dështimesh, pavarsisht nga vija e drejtë e Partisë së tyre? Nëse nuk përballesh me të kaluarën dhe vetveten, nuk mund të jeshë kritik i një sistemi, dikur një militant i tij, e për më shumë, të flasish për misionin e madh të vendosjes së një demokracie liberale. 
Një personalitet sovjetik i spikatur i propogandës staliniste, Ilia Ehrenburg, në fund të jetës së tij duket se kishte zbuluar diçka nga e vërteta, që e kishte mbajtur të ndrydhur, për një pjesë të madhe të jetës së tij. Ai shkruante: “Shpresa ime qëndron tek të rinjtë, që nuk u rriten në një kohë të tillë (indoktrinimi)… Sigurisht ata mund të bëjnë shumë gjëra të papjekura, por ata dallohen për një shpirt kritik, një shpirt mendimi të pavarur. Ata nuk shohin për direktiva, por shohin nga vetja duke kërkuar të zbulojnë të vërtetën vetë, e në fund ata do ta gjejnë atë.”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.