back to top
14.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Në zemër, një vend mirënjohje…” – Pertefe Leka mbi librin e Meri Lalaj: Instituti Mbretnor “Nana Mbretneshe”

Gazeta

Meri Lalaj - Instituti "Nana Mbretneshe"
Meri Lalaj – Instituti “Nana Mbretneshe”

Në zemër, një vend mirënjohje…”

Pertefe Leka mbi librin Instituti Mbretnor “Nana Mbretneshe”

 
Ky libër i kushtohet Prof. Mirash Ivanajt
dhe profesorëve e nxënseve të Institutit Femnor
“Nana Mbretneshë” për emancipimin e vajzave shqiptare.
Meri Lalaj
Meri Lalaj
Meri Lalaj
Me të drejtë zonja Lalaj ia dedikon posaçërisht Ministrit reformator Ivanaj i cili me zotimin solemn përpara eprorëve dhe popullit të tij për emancipimin e shoqërisë shqiptare nëpërmjet shkollës së shtetit vë theksin në edukimin dhe zhvillimin kulturor të femrës shqiptare.
Qarkorja që qarkulloi në të gjitha shkollat, kur M. Ivanaj ishte Ministër Arsimi, shtronte problemin që veprimtaria mësimore të shërbente për edukimin e vajzës shqiptare me virtyte të larta morale dhe me kulturë të gjerë, për të ndikuar me shembullin e saj në emancipimin dhe përparimin e gjithë shoqërisë.
Nuk ishte i pari M. Ivanaj që mori vendimin që shkolla shqiptare të ishte laike dhe shtetërore. Edhe paraardhësit e tij e kishin ngritur më të madhe këtë shqetësim. Ishte edhe vendimi i Kongresit të Lushnjes me 1920, që e sanksionoi një vendim të tillë. Por vendimet me ligj të Ministrit Ivanaj, kërkesa e vazhdueshme, këmbëngulëse dhe e argumentuar për ta bërë realitet merr vlera jetësore në shërbim të së ardhmes.
.
Instituti Femnor "Nana Mbretneshë" u hap në vitin 1933
Instituti Femnor “Nana Mbretneshë” u hap në vitin 1933
Ivanaj nuk punonte nga pozitat e akademizmit pedagogjik po nga këndvështrime të një mësuesi dhe edukatori shqiptar dhe mbi situatën e Shqipërisë, e cila gjindej në mes të Evropës universitare por që nuk kishte një universitet.
Nuk ishte e rastit këshilla që u jepte mësuesve që të qëndrojnë indiferent ndaj ndjenjës së besimit, duke mbajtur secili arsimtar lirinë e plotë të ndërgjegjës dhe të mendimit. “Në shkollën shqiptare (me tri besime fetare) që ishte tempull bashkimi e vëllazërimi për hedhjen e themeleve të njësisë kombëtare nuk duhej në asnjë mënyrë të përgojohej besimi fetar, sepse acaroheshin marrëdhëniet e popullit me mësuesit, me shkollën, dhe në fund të fundit me vetë shtetin” M. Ivanaj nuk donte nga mësuesit moralizime, por punë me ndërgjegje dhe përkushtim, sepse shkolla kishte një qëllim shumë më të lartë se dhënien e kulturës: edukimin e rinisë. “Arsimtarët të dominojnë vetveten dhe të mos lanë të shfaqen ato prirje të unjëta që kërkohet me shkule të nxanësit, shembulli asht faktori ma me randësi në punën e edukatës morale.
.
Mirash Ivanaj (1891-1953)
Mirash Ivanaj (1891-1953)
Edhe ministri Hilë Mosi e kishte kërkuar me insistim që të kontrollohej mësimi i fesë për t’u siguruar që të mos cënohet Bashkimi Kombëtar, nga influencat e huaja.
Prandaj në funksion të këtyre kërkesave Ministri Ivanaj, udhëzonte drejtoritë arsimore të vendit, që jeta nëpër shkolla të gjallërohej me veprimtari të ndryshme artistike, kulturore, sportive e në mënyrë të veçantë në Institutin Femëror të vendit.
Kaq shumë i dha prioritet, degës normale për vajzat, që nxirrte mësuese, sa filloi të emëronte shumë vajza të reja në shkollat shqipe me besim të plotë se ata do ta kryenin punën me dashuri dhe përkushtim si atdhetare të vërteta. Një ish-nxënësi i tij, J. D. të cilin e përfshiu në refomën arsimore, e emëroi në Vlorë, pasi shkolla në Lagjen Zogu i Parë kishte shumë anomali. Drejtori i emëruar e filloi me shumë seriozitet dhe vendosmëri për të realizuar deri në një detyrat që kërkonte sistemi shkollor i reformuar. I ndodhur përpara vështirësive sepse po merrte në shkollë edhe fëmijët e portit që nuk kishin frekuentuar asnjëhere, i drejtohej ministrit që të dërgonte mësues, “Dorë e Fortë” për të vendosur disiplinën në shkollë. Ministri strikt në kërkesat e tij i dërgonte vetëm mësuese që kishin mbaruar shkollën Normale. Zotësia e drejtorit dhe respekti që kishte për mësuesin e tij, Ivanaj, mundi t’i harmonizojë detyrat edhe me mësueset e reja, të cilat realizuan, jo vetëm orët e mësimit, por plotësuan dhe detyrat që shtronte sistemi i ri shkollor, për të drejtuar kurset kundër analfabetizmit pas orëve të mësimit. Një shembull ky i suksesit të Reformës Ivanaj.
Me bindje të plotë, Ivanaj, se këto kërkesa do të zbatoheshin, sepse eksperienca e tij si drejtor në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër i kishte dhënë provat, kur atë shkollë e ngriti dhe e barazoi me shkollat e mesme të Europës.
Udhëzimet e Ministrit Ivanaj që nga parashkollorët, ku prej aty do të rritesh e zgjerohesh dituria si një spirale, ishin te mirëmenduara dhe të praktikuara me mjeshtëri nga mësuesi, metodisti, pedagogu, juristi, poligloti, historiani, atdhetari, Mirash Ivanaj. Të gjitha këto, mësime praktika dhe udhëzime për ngritjen e sistemit shkollor në nivele sa më te larta, kanë vlera edhe për sot kur programi shkollor ka shumë mangësi.
Në Institutin Femnor përveç ngritjes së nivelit mësimor-edukativ, vajzat shfaqen talentet e tyre në shumë fusha duke marrë pjesë aktive në veprimtarinë kulturore të vendit. Me këtë formim ata u shfaqën dhe u bënë pararojë në protestat kundër pushtonjësve fashistë.
.
Vajza të Institutin Nana Mbretneshë
Vajza të Institutin Nana Mbretneshë
Edhe pse Ivanaj nuk qe prezent në ngarjet e këtij konfrontimi masiv të rinisë shqiptare, e ndjeu dhe i ndoqi ngjarjet duke u shprehur me entuziazëm për rininë shqiptare, për vajzat e veshura me uniformën shkollore, për shpirtin luftarak të tyre për liri dhe drejtësi. “Në mes kalbësirash të gjithfarshme rinia mujti me u ruejtë e dlirtë edhe sot, si ujë malesh, që rri në mbrojtje të kësaj toke.”
Miku i Ivanajt, Gjergj Kokoshi, kur drejtoi kongresin e parë të arsimit që u mbajt në Korçë në Tetor 1944, në një foto pranë luftëtarit kombëtar, pjesa më e madhe e mësuesve delegatë, ishin gra, ish-nxënëse të Institutit Femnor.
Me të drejtë për këtë punë gjeniale të Prof. Dr. Mirash Ivanaj shkrimtari i mirënjohur me rrënjët në Çamëri Mitrush Kuteli, e vlerëson “Dr. Mirash Ivanaj, emër i bardhë si Dëbora, të cilit rinija shqiptare i mban në zemër një vend mirënjohje, një predistinacion them, për të vojtur në emër e për emrin e Kombit.”

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.