back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Në vend të Homazhit për 22 Martirët e 26 Shkurtit 1951! – nga Milaim Nela

Gazeta

Milaim Nela & Osman Kaceli
Milaim Nela & Osman Kaceli

Në vend të Homazhit për 22 Martirët e 26 Shkurtit 1951!

nga Milaim Nela

72 vjet më parë më 26 Shkurt 1951 do të pushkatoheshin pa gjyq nga ‘egërsinat e pyllit’ si i quan me të drejtë Osmon Kaceli 22 figura intelektuale, njerëz nga më të diturit e ndër më të vlefshëmit që kishte Shqipëria e cila kishte vetëm pak vite që kishte dalë nga lufta.
Zonja Sabiha Kasimati dhe 21 burrat e tjerë të cilëve pabesisht e barbarisht ju ndërpre jeta në atë mesnatë të ftohtë shkurti kishin përveç të tjerave dy tipare që (Q)enverit i kallnin datën edhe në gjumë;
-Të gjithë ishin njerëz të ditur, të ardhur nga familje të fisme e të kamura…dhe
-E donin Shqipërinë pa kushte si Sabiha Kasimati shkencëtarja më e spikatur shqiptare e asaj kohe që ishte kthyer nga Amerika për të ja kushtuar dijen e bagazhin intelektual vendit të saj.

***
Kësaj Vere unë pata fatin dhe privilegjin të takohem në Durrës me Zotni Osman Kacelin të birin e Jonuz Kacelit një nga të pushkatuarit e asaj nate të zezë të Shkurtit 51. Ai më dhuroi librin e tij ’22 MARTIRËT E 26 SHKURTIT 1951′

22 martiret e 26 Shkurti - Osman Jonuz Kaceli
22 martiret e 26 Shkurti – Osman Jonuz Kaceli

Unë kam pasur copëza njohurish për këtë masakër të pakrahasueshme e të padëgjuar as në vende të tjera të botës por të dëgjosh Osmanin apo lexosh përjetimin e tij dhe kalvarin e vuajtjeve të gulagut enverist asht një ndjesi dhe energji krejt tjetër.
Ashtu si edhe librin e At Zef Pllumit “Rrno vetëm me tregue” edhe librin e Zotit Kacelit duhet ta ketë çdo familje shqiptare.
Me 19 Shkurt nga agjentët e sigurimit në oborrin e Legatës Sovjetike ishin hedhur dy ‘llokume’ dinamiti që nuk kishin ba asnjë dëm!
Krimineli Mehmet Shehu në prani të Qenverit do tu bënte byroistëve propozimin: “Të arrestojmë mbrenda natës 100 a 150 individë nga intelektualët e tipit Qemal Kasoruho e nja 10 a 15 prej tyre ti pushkatojmë, kurse familjet e tyre ti internojmë brenda 30 ditëve”.
Nga data 20 deri 23 Shkurt u arrestuan 220 vetë!
I njëjti skenar u perdor në arrestimin e secilit prej tyre, hyrje brutale në mes të natës në dhomat e gjumit në prani të fëmijëve me brutalitetin që vetëm serbët mund ta bënin!
Më 26 Shkurt pas torturave barbare u pushkatuan 22 prej tyre.
Vendimi gjyqësor për pushkatimin e tyre u mor me 27 Shkurt 1 ditë pasi i kishin ekzekutuar.
Familjet e tyre u internuan brenda 3 ditëve!
Të vrasësh në një ditë 22 Intelektualë, qindra vite shkollë e dije nga më të vlefshmet për vendin nuk është thjesht marrje e 22 jetëve apo kalvar vuajtjesh të familjarëve dhe pasardhësve të tyre por është një damblla e trunit të një kombi nëse këtë të fundit do ta krahasonim me një njeri të vetëm.
Mosha e tyre varionte nga 30 vjeç (Zyhdi Herri)64 vjeç (Thoma Katundi) shumica prej tyre në të 40tat e jetës së tyre apo në kulmin e pjekurisë intelektuale.
Për një popull pak më shumë se 1 milion banorë të asaj kohe me një arsimim shumë tē kufizuar ti marrësh brenda natës pesha kaq të rënda është tejet e rëndë është shumë tragjike.
Duke shfletuar librin e lexuar historitë e 21 martirëve (pasi Zotni Kaceli ka vendosur të mos shkruaj për Sabiha Kasimatin në këtë mënyrë duke nxitur edhe kureshtjen e lexuesit për të kërkuar informacion diku tjeter) ndeshesh me mbiemra persekutorësh që janë jo të padëgjuar në ditët e sotme.
Të njëjtat mënyra si arrestime të paligjshme, shpronësime e zhvatje të pasurisë, gjyqe dhe letra të kopsitura pas akteve që vetëm soji i tyre mund ti bëjë!
I vetmi ndryshim sot është se nuk ka pushkatim dhe në vend të internimit ata që plotësojnë dy kriteret që unë përmenda më sipër detyrohen të largohen nga vendi pasi ju bëhet jetesa e pamundur në tokën e tyre.
Duke lexuar librin me erdhi në mendje ndërtesa e Vëllazën Kaceli  që me sa di nuk ekziston më dhe në vitin 1987 kur unë erdha në Tiranë shërbente si dyqan veshmbathjesh e më bënte përshtypje ajo pasqyra e madhe me përthyerje me siguri e sjellë nga Italia nga Kacelët e shumica e shqiptarëve e mban mend për atë skenën e filmit ku Kastriot Çaushi provon kostumin e tij në rolin e Vasil Laçit.
Unë në atë kohë nuk e dija se ajo ndërtesë ishte e Kacelëve.
Osmon Kaceli me këtë libër dëshmi i ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm publikut duke sjellë dëshmi autentike dhe në vetë të parë rreth asaj ngjarje për të cilën është folur shumë pak.
Libri nuk është voluminoz por peshën e ngjarjeve dhe të dhimbjeve e ka shumë të madhe. Ka sinqeritet, thjeshtësi që i jep madhështi librit ashtu siç janë personazhet të cilëve ju kushtohet.
Libri po ashtu ka një parathënie briliante të botuesit Jozef Radi.
Për atë ngjarje është shkruar pak, e për të cilën duhet të bëheshin disa dokumentarë për të ju treguar brezave se çfarë është bërë me shqiptarët e në emër të kujt!?
33 vjet pas heqjes së kufizimit të fjalës së lirë jo vetëm se liria nuk është fituar akoma plotësisht por kemi bërë hapa prapa duke ja lënë vendin në dorë bash pinjollëve të atyre që mes shumë krimeve të tjera kryen edhe monstuozitetin e të ashtquajturës Bombë e Legatës Sovjetike.

Arben Shira - Pushkatimi
Arben Shira – Pushkatimi

Një komb nuk e zhvillon vegjëlia që vjen nga shtresat e varfëra por atë e zhvillojnë të kamunit, të diturit dhe ata që e duan vendin pa interes siç ishin 22 martirët e 26 Shkurtit.
Me keqardhje duhet ta pranoj se atë që ja ka bërë komunizmi dhe metamorfozat e tij Shqipërisë nuk ja ka bërë asnjë pushtues.
Asnjë i vetëm!
Lavdi emrit dhe gjakut të tyre të pafajshëm!
Le të shërbejë ky përvjetor i 72-të për ti parë gjërat ndryshe si shoqëri, për ta parë historinë ashtu siç ka qenë e jo të fallsifikuar e mbi të gjitha të reflektojmë si duhet sepse ju jemi BORXH atyre që nuk i tret dheu.
Kemi bërë shumë pak për rehabilitimin e Ajkes së sojme që u shkërmoq për 45 vjet nga regjimi barbar e shumë pak ose aspak u bë për të në periudhën post regjim apo siç rëndom e quajmë tranzicioni i stërgjatur.
Pa vendosur historinë në vendin që i takon ne nuk do mundemi të ecim përpara e që të bëhet kjo duhen themele solide e pa të cilat nuk mund të ndërtohet e ardhmja.
Të paktën të mos harrojmë!
©️Milaim Nela,  26 Shkurt 2023

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.