back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Në rrëfyestore për “Ditën e Rrogës” dhe “Kufomat e Dritës – nga Elona Caslli

Gazeta

Elona Caslli
Elona Caslli

Në rrëfyestore për “Ditën e Rrogës” dhe “Kufomat e Dritës”*

nga Elona Caslli

Kët shkrim të Elona Casllit, e lexova natën e ndrrimviteve, dhe m’u përplas si nji dallge klithmash të thekshme njerëzore. Gjeta n’atë lexim të shpejtë copa të thyeme të vetvetes tretë ndër kohna, ku e Keqja e rrëfyeme edhe sot aq bukur, thuaj si nji përrallë, duket se s’trazon askënd, e askush s’ka dëshirë me e besue! Mjeshtrisht më derdhej ajo klithmë grueje që nuk stepet përballë Pushtetit, që gjithnji e ma qartë po identifikohet me të Keqen… Mjerisht m’u desh ta përgëzoj autoren, natën e ndrrimviteve ku nji shumicë e jona i ka gotat e mbushuna dhe urimet ndër buzë!
M’u desh me e rilexue dhe me pa përtej asaj çka shkruhej, n’atë rrjedhshmëni vrastare, me vrasës dhe të vrarë, shkrue me aq kulturë e ndjeshmëni të mprehun hollë si me shpirt grueje…
Si mjeshtre e trajtimit artistik të problemeve, ajo më rrëmbeu me at rrëshqitje ndër dhimbje, me butësi, humanizëm e shpirt reflektiv, pa i ba lëshime askujt, bile as vedit… E konsideroj fat, që në kët kohë të mekjes së shpirtit kundërshtues ndaj kësaj që ndodh ndër ne, ka edhe Elona, që simbas meje do të mbesin pasqyra të kulturës, të dhimbjes, të kundërshtimit, të arsyes, të kokfortësisë, të shpresës, të njerëzores, të kujtesës, të mosepjes, të besimit… është fat i madh! Prej kohësh e lexoj Elona Casllin, dhe i jam mbështetje modeste, me konsideratën e nattë ndaj saj… pse rrallë më ndodh të lexoj shpirtra ku fjala brenda tyne të ketë kaq shumë dritën e së vërtetës dhe shpirtin e rebelimit.
Të përulem Elonë…
jozef radi, 1 janar 2019
.
Nji dritë... në natën pafund... (foto e. caslli)
Nji dritë… në natën pafund… (foto e. caslli)
Në të vërtetë kishte shumë kohë që përplasej në muret e kafkës sime ky rrëfim. Bënte atë zhurmën tipike që bën një mendim i ngulët në kokën e një njeriu. E përditshmja e rrëmujshme, e turbullt dhe plot me ngjarje, ka bërë që ky mendim të ishte pa zë deri tash. E do të ishte pikërisht dita e fundit e këtij viti, në të cilën, e përditshmja do të dorëzohej dhe mendimi do të fliste.
Me fjalën rrëfyestore jam njohur në një pasdite të ftohtë dimri, gjatë të cilës, dikush do të më fliste rreth temës së Doktoraturës. I ishin dashur disa të dhëna nga Kisha dhe atje në një bisedë të gjatë me Priftin e Kishës, kish kuptuar se ishin të shumtë njerëzit që shkonin në rrëfyestore. Njerëzit duan të dëgjohen. U duket se kur e ndajnë hallin që ka pushtuar shtëpitë e tyre, ai hall peshon më pak. Prifti kish thënë se jo të gjithë njerëzit kishin mundësi të përballonin tarifat e psikologut dhe për këtë arsye dyndeshin drejt rrëfyestores.
E teksa e dëgjoja këtë fakt, ndërmend më ra një tregim lexuar kohë më parë, në të cilin, një psikolog pas tridhjetë viteve karrierë, teksa gjendej përballë një pacienti në studion e tij, u ngrit në këmbë krejt papritur dhe ulëriti duke thënë: “Po muaaaaaaa, kush do të më dëgjojë?!”
Vallë, kujt i hakërrehet Prifti?! I hakërrehet vallë, atij zëri lart në qiell që nuk përgjigjet kurrë?!
Në vitin 2013, do të isha unë, që me vullnet të plotë do të besoja në figurën tënde. Madje bëra edhe një mini-fushatë në familjen time për ty. Më duhet të bindja dy njerëz. Në fillim pandeha se binda njërin prej tyre, por më vonë kuptova se nuk kisha bindur askënd.
Në fillim iu drejtova tim eti, duke i thënë se nuk duhet të mbeteshim peng i së shkuarës, se Partia Demokratike, tashmë kish dhënë çdo provë të sajën. Nuk e pata të lehtë të bëja fushatë, duke qenë se në familjen time është votuar gjithmonë djathtas dhe ngjyra e kuqe tolerohet vetëm tek vera.
Im atë më pa shtrembër dhe me një ton aspak miqësor më tha prerë: Harroje!
Ndërkohë ime më, tundi kokën lehtë dhe qetësisht më tha: – Ke të drejtë! Edhe unë mendoj se Rama do të bëjë diçka ndryshe.
Dhe kështu shkoi ajo ditë. E gjendur përballë kutisë së votimit, unë shenjova emrin tënd, duke besuar se ime më kish bërë të njëjtën gjë.
Pas pak kohësh, pas formimit të Kabinetit tënd qeveritar dhe pas shumë ngjarjeve që dilnin në sipërfaqe, e zhgënjyer iu drejtova përsëri sime mëje duke i thënë: Dhe të mendosh që të binda edhe ty të votoje për Ramën.
Ajo nënqeshi dhe tha: E dashur, unë të thashë atë që ti doje të dëgjoje, por jo detyrimisht bëra atë që ti doje.
Dhe kish të drejtë. Shpesh herë njerëzve duhet t’u thuash atë çka duan të dëgjojnë derisa, një ditë të mbërrijnë vetë tek e vërteta dhe ta shohin kthjellët atë.
Në paradhomën e të vërtetës, unë besova se tetë vite në Krye të Bashkisë, do të kishin shërbyer për të kuptuar se pushteti është trajta më e lartë, përmes së cilës ti mund të formësosh drejtë të përditshmen e njerëzve.
Dhe besova se duke qenë se, fenomenin e “Ditës së Rrogës” kishe vite që e kishe harruar, do të ndikoje sadopak tek populli yt, jo për ta harruar “Ditën e Rrogës”, por për të mos ta pritur me ankth atë.
Ah, se m’u kujtua një detaj i bukur rreth “Ditës së Rrogës” Në një roman të Heinrich Boll, rrëfehet një histori rreth kësaj dite. Një djalë i një familjeje të pasur, shoqërohej me një djalë të një familjeje punëtore. Shkonte shpesh në shtëpinë e tij dhe kalonte pasdite të gjata atje.
Një ditë djali i familjes së pasur, kthehet në shtëpinë e tij, hyn në studion e babait dhe i thotë:
-Baba, kur e merr rrogën ti?!
I ati, i shqyer nga habia pyet të birin: – Nga lindi kjo pyetje?! Ty nuk të mungon asgjë. Ti ke gjithçka.
Dhe i biri, me sinqeritetin e pacipë të një fëmije, i përgjigjet: -Në shtëpinë e shokut tim, dita e rrogës është një ditë feste, Baba. Të gjithë qeshin në atë shtëpi ditën e rrogës. Është e vërtetë, që pastaj nuk qeshin më, por ama “Ditën e rrogës” festojnë.
Në shtëpinë tonë, Baba, askush nuk e feston ditën e rrogës. Pse nuk qesh ti Baba, kur e merr rrogën?!
E kështu pra, populli yt qesh vetëm një ditë në muaj dhe gjithsej dymbëdhjetë ditë në vit.
.
Edvard Munch - Britma
Edvard Munch – Britma
Në pesë vite të qeverisjes tënde u krijuan të ashtuquajturat “Kufomat e Dritës”. Kurrë nuk kish prodhuar “Drita” kufoma në këtë vend.
Është abuzuar shumë me energjinë elektrike në këtë vend dhe duhej vënë një rregull, që të ndërgjegjësonte qytetarin, që përveç të drejtave ka edhe detyrime. Por, a duhet të prodhonte kufoma ky proces? Unë mendoj se jo.
Nuk i kam numëruar “Kufomat e Dritës”, por di që janë shumë. Nuk do të shqitet kurrë nga mendja ime, historia e një nëne, me dy binjakë, e cila nuk kish paguar energjinë elektrike dhe ia kishin prerë. Burri i kish vdekur dhe fëmijët ishin foshnje.
Duke qenë se bënte ftohtë, e zhytur në terrin e skamjes, do të ketë marrë guximin të ketë shkuar vetë atje tek kabina. Dhe jam e sigurt që me vete ka thënë: I pashë ata që e prenë energjinë. Prenë këtë telin këtu dhe atë telin atje. Unë do t’i bashkoj. Dhe jam po aq e sigurt që para se të ketë bashkuar telat e këputur do të ketë ngritur sytë nga qielli dhe do të jetë lutur duke thënë: Në dorën tënde Zot!
Por, Zoti kish dalë për peshkim atë ditë dhe në grepin e tij do të binte një Kufomë Drite e prodhuar në Shqipëri.
Ndërkohë që Drita prodhonte Kufoma, Kryebashkiaku organizonte ceremoninë martesore. Kjo dalldi kolektive disa milonëshe, do të përligjej me kursimet e nënës së Kryebashkiakut.
Ndërkohë që Kryebashkiaku dehej nga avujt e pushtetit, në Kodrinën e Vdekjes prodhoheshin ende Kufoma.
Ardit Gjoklaj, kufoma e prodhuar në Kodrinën e Vdekjes, kërkon drejtësi.
Vëllai i Ardit Gjoklajt, një djalë 17 – vjeçar , në Sheshin e Teatrit Kombëtar do të jepte mesazhin më kuptimplotë për të gjithë kastën politike në vend:
-Në urën e Beshirit ka patur një stallë lopësh. Pati një përmbytje dhe ata shkuan për të parë sa lopë ishin mbytur. Në shtëpinë tonë vdiq një njeri dhe askush nuk erdhi!
Në krahun e tij të djathë, ky djalë kish bërë një tatuazh. Në të gdhendej fytyra e Arditit.
Vallë pse e ka bërë?! Që të kujtojë ndoshta gjithmonë nga ka ardhur apo ku duhet të shkojë?!
Në pesë vite të qeverisjes tënde, u prek e paprekshmja. U përmbyt Biblioteka Kombëtare dhe Arkivi i Bashkisë. Askush nuk u dënua. Askush.
Gjithçka vazhdoi si më parë, ndërkohë që Librat ndeheshin jashtë dritareve të Bibliotekës Kombëtare, a thua se ishin plaçka.
Në pesë vite të qeverisjes tënde, Parlamenti u shndërrua në një skedar kriminelësh. Individë që në të shkuarën e tyre, nuk numëronin arritje akademike, por krime.
Mund të hartosh një enciklopedi me të gjitha ngjarjet e pazakonshme gjatë këtyre pesë viteve.
Por unë dua të të bëj një pyetje: – Po pastaj?! Çfarë ndodh pastaj?!
.
Vetmitarët e pushtetit pakufi
Vetmitarët e pushtetit pakufi
Në një novelë të Cvajgut, të titulluar “Pështjellim ndjenjash” jam përballur me këtë qëndrim. Ka mbetur i shenjuar në mendjen time, pasi është një qëndrim atipik. Historia është shumë e thjeshtë.
Një prind kish dërguar me studime jashtë vendit të birin. Pas disa muajsh shkon ta vizitojë. Kur takohet me të, kupton se i biri mund të kish bërë gjithçka, veçse studime jo.
Krejt i qetë, ulet përballë të birit dhe e pyet; Po pastaj?! Çfarë ndodh pastaj?!
Të kam dëgjuar shpesh herë të thuash: – Nuk keni parë gjë akoma!
Çfarë duhet të shohim akoma?! A ka mbetur më për t’u parë, për t’u bërë dhe për t’u dëgjuar?!
Unë besoj se jo.
Nuk jam joshur kurrë nga pushteti, por nëse hipotetikisht do të isha në pushtet do të synoja vetëm një gjë: Të shndërrohesha në një ditë pushimi. Emri im të ishte në kalendarin akademik të një Universiteti, të ishte i shënuar me ngjyrë në kalendarin e një celulari. Njerëzit të pushonin nën emrin tim, ashtu siç pushojnë më datë 5 shtator, në ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.
Por kjo mund të arrihet vetëm me një kusht: – Ta duash Popullin tënd. Të dëshmosh vazhdimisht akte dashurie kundrejt tij. Vetëm përmes virtytit bota ka prekur zhvillimin.
A e di si u zbulua penicilina, ose më saktë a e di historinë e jetës së Aleksandër Fleming?
Një ditë një fshatar po punonte tokën dhe dëgjon ulërimën e një fëmije që kish rënë në pus. Shkon tek pusi, e shpëton dhe vazhdon të punojë token.
Të nesërmen, i ati i fëmijës së shpëtuar vjen ta takojë. Ishte një Zotëri i pasur, i cili kërkonte ta shpërblente fshatarin për aktin e kryer.
Fshatari nuk pranoi dhe i tha se do ta kish kryer atë veprim për çdo fëmijë. Atëherë, Babai i fëmijës së shpëtuar u zotua se të njëjtin shkollim që do të kish i biri do të kish edhe i biri i fshatarit.
Dhe Aleksandër Fleming, i biri i fshatarit, bëri zbulimin e penicilinës.
E pra, gjithçka lind, zhvillohet dhe kulmon, vetëm nga një akt dashurie, mirënjohjeje dhe respekti.
Për fat të keq, askush në atë Parlament, nuk do të shndërrohet kurrë në një ditë pushimi.
Të gjithë do të jenë të pranishëm në historinë zyrtare të vendit, që nuk e di cili do të jetë ai historian që do ta shkruajë. Nuk di se cilat fjalë mund të përdoren për të përshkruar metamorfozën e frikshme të këtij vendi. Ndoshta duhet krijuar një gjuhë tjetër se fjalët në të gjitha gjuhët e botës nuk mjaftojnë.
Të dëgjoj shpesh teksa thua: Kur të plakem. Vallë kaq i sigurt je se do të plakesh?! Unë personalisht gjithmonë shprehem përmes formulimit: po të plakem. Mos ndoshta ke lidhur kontratë me të Plotfuqishmin për t’u plakur?!
Nëse është kështu, lidhe edhe Kontratën për Popullin tënd të mos plaket. Do të ishin jetë të çuara dëm. Është më e bukur vdekja se një jetë e çuar dëm.
Populli yt nuk po jeton. Populli yt po mbijeton. Vetëm një i marrë ose një i dehur mund të thotë të kundërtën.
31 dhjetor 2018
.
*Titulli i shkrimit ne origjinal ishte: “Në rrëfyestore për Ed Ramen”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.