back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Në pasigurinë e Kohës – Bedra Kaba (pjesa e VII)

Gazeta

Bedra Kaba
Bedra Kaba

Në pasigurinë e Kohës

nga Bedra Kaba (pjesa e VII)

nga cikli Rrëfej jetën time… dhe tuajën bashkë!

Të jetosh në pasigurinë e kohës


Ndoshta ishte viti 1965…
Një dorë e ngrohtë ma ledhtoi kokën megjithëse isha në kokërr të gjumit… hapa sytë dhe ndjeva dorën e nënës sime.
-Bedra, ngriu se do nisemi tani, se bëhet vonë… – dhe unë ashtu e përgjumur ngrihem vishem dhe të dyja përdore nisemi në katër të natës drejt qytetit të Lushnjes.
Oh, sa e vogël isha athere, s’e di a e kisha filluar shkollën a jo, pse kanë kaluar kaq shumë vite, por ashtu si nëpërtë mbaj mend atë rrugë të drejtë me ekualipse shumë të mëdhenj anës rrugës… Një rrugë e drejtë dhe shumë e bukur nga Savra në Lushnje. Por në terrin e atij mëngjesi të ftohtë, ashtu të dyja kapur përdore ecnim duke u përpjekur të sfidonim kohën dhe lodhjen e asaj largësie.
Nëna ime mbante një shall leshi të bardhë të të punuar vetë rreth qafës. Ecnim në heshtje dhe ndonjëherë këmbenim ndonjë fjalë.
Me vite, ajo e bënte atë rrugë… ndonjëherë me mua, ndonjëherë me motrat e mia, o me ndonjë shoqe tjetër. Kur mbrritëm në Lushnje u afruam te një dyqan që shiste mish dhe prisnim aty deri sa zbardhte dita dhe të fillonte shitja e mishit. Ndonjëri mund të kishte ndezur ndonjë zjarr dhe ne afroheshim  që të ngroheshim pak…
Mbasi merrnim mishin niseshim prap në këmbë, për gati një orë në kthim drejt shtëpisë në atë rrugë të bukur, por mjaft të lodheshme
për mua si fëmijë, po edhe për nënën time që duhej ta mbante mbi shpinë peshën e atij mishi, mbas aq orësh pritje nëpër natë…
2 janar, 2014

Tri motrat Kaba...
Tri motrat Kaba…

Dilema e nje jete…

Ishte viti 1976…
Kisha punuar me vite, qysh në klasë të katërt në punët e buqësisë… behareve dhe jo vetëm unë, por pothuaj gjithë fëmijët e sektorit të Savrës, ku banoja… Vinin edhe fëmijë nga qyteti i Lushnjes.
Punonim për të blerë diçka për të veshur për vete, në ato punët e shumta të stinës si: mbledhje kallinjsh gruri, prashitje misri apo pambku, mbjellje lakrash, etje. Punët vërtet të lodhshme ishin, shpesh edhe mjaft larg… dhe herë ngeleshim edhe pa ujë të pijshëm mes zhegut, kur s’na vinte karroca e ujit, mbasi ajo shishe që mernim me vete na mbarohej shpejt.
Ishte verë dhe temperatura arrinte deri në dyzet gradë. Shumë herë futeshim nëpër kanalet vaditse me gjithë rroba dhe ashtu të lagur prashitnim derisa na thaheshimn rrobat në trup, për ta përballuar vapën e madhe të verës.
Mbasi mbarova të mesmen edhe pse me diplomë, e drejta e studimit s’mu dha, kështu që u detyrova të filloj punë në bujqësi.
E ku tjetër mund të shkoja, mbasi rrugët tona ishin të këputura. Asgjë s’mund të ndryshoja me atë bigrafi që na përndiqte gjithë jetën. Askush s’vinte dorë mbi ne… Posa t’i thoshe që: “Jam nga Savra…!” – menjëherë të shihnin shtrembër.
E pata brengë që s’munda të vazhdoj shkollën më tej, mbasi shumë prej shoqeve të mia u bënë dikushi… ndërsa unë jo… Atëhere iu nënshtrova fatit dhe fillova të punoj për gati një vit në buqësi. Punoja me një komshijen time… Ajo kishte dy vjet që punonte në buqësi, menjëherë sa kishte mbaruar tetëvjeçaren. Punës ia dinte anën më mirë se unë, por s’kishte fort qejf të punonte… Sa herë vinim nga ndonjë punë e lodhshme ajo më thoshte: “Eh Bedra, po pse me vjelje pambuku do e bëjmë pajën ne…?!” Epo, thosha me vete, ndoshta ndonjë punë tjetër do të jetë më e lehtë… “Po mirë, – i thosha shoqes sime – s’është punë paje, po çfarë lekësh do çojmë në shtëpi!” “Rri – më thoshte ajo – shif ti kur të fillojë korrja e misrit, se atje po është më mirë.”
Erdhi edhe korrja e misrit… O zot, ajo ishte punë akoma më e rëndë… Dhe ajo prap më thoshte… “Pse me korrje misri do e bëjmë pajën ne?!”. Sepse atëhere ajo pajë për ne vajzat (e fshatit) kishte shumë rëndësi… (Vlerësoheshe se çfarë do çoje te burri…)
Ndoshta ajo kishte të drejtë, sepse puna ishte tepër e rëndë dhe ne ishim mjaft të reja, me ëndrra dhe shpresa në shpirt, por që mbetën edhe sot e kësaj dite veç ëndrra, asgjë më shumë…

Dëshpërim...
Dëshpërim…

Fuqija e një lutje…

Ishte viti 1976… vazhdoja shkollën e mesme, në vitin e dytë… Ishte verë siç e kam përsëritur edhe më parë, dhe çdo behar unë punoja tre muajt e tij.
Atë ditë ishim tepër larg… në një fshat që quhej Goriçaj, diku më tej mbasi kishe kaluar Klubin e Shoferit… Punonim në prashitje misri. Gjithë ditën me kurrizin ulur mbi kazëm… Norma ishte tepër e madhe dhe unë atë ditë punoja me një grua nga Tropoja. që quhej S…
Pushuam në drekë veç sa hëngrëm bukën dhe u ngritëm menjeherë duke prashitur për të bërë normën. Nga ora katër, kur ishin shpërdarë gjithandej në punë, shohim se në parcelë po vinin drejt nesh përgjegjsi i sektorit, drejtori, agronomi, brigadieri dhe ca të tjerë.
I shohim edhe ne dhe shqetësohemi se ata për një barishte që mund të gjenin, të ikte kot gjithë dita e punës, gjithë ajo lodhje. Me thënë të drejtën, kur vinin ashtu grup të krijonin edhe një gjendje të rëndë ankthi…
Gruaja që punoja me të, dhe jetonim në të njejtën barrakë, filloj të lutej në Zot me gjithë shpirt… E pashë që u shqetësua shumë. Ndërsa ata vinin edhe drejt nesh, pothuaj shumicës nuk ia kishin marrë punën në dorëzim. Në një çast, i them “çfarë po thua ashtu…?” Ajo e vuri buzën në gaz dhe më tha: “Bedra, jam duke u lutur në Zot, se veç ai në na ndihmoftë ne!!” “Po mirë, – i them – Atherë, Zoti na ndihmoftë…!”
Për çudi, ata u futën në skolinën tonë dhe nuk na thanë asgjë… ikën pa na folur. Atëhere gjaku na shkriu, po mua më ngeli në mendje lutja e asaj gruaje, të cilën edhe sot kur e kujtoj me tingllon në shpirt…
Mbas një punë të rëndë që herë herë s’të merrej as në dorzim, ne u kthyem në shtëpi në mbrëmjë vonë, mbasi në këmbë nga klubi i shoferit deri në Savër ishte më shumë se katër kilometra…
6 janar
2014


Bedra Kaba - Saver
Bedra Kaba – Savër

Ndryshimi i kohrave

Ishin vite të vështira… jo vetëm pse ishim të varfër, por edhe pesha e interrnimit mbi jetën tonë po rëndonte gjithnjë e më tepër.
Në shkollën tetëvjeçare aty në Savër, nuk është se bëhesh fort diferencim, por prap ti e ndjeje në shpirt atë. Ndonjëherë kur të thërrisnin edhe “o cariste” (se ç’lidhje Carin kisha, nuk e di!!!) ndjehesha shumë keq.
Një rrugë e gjatë guri, e ndante Savrën në dy pjesë: nga një anë “të lirët” dhe në anën tjetër “të internuarit”… në një anët ato shtatë barrakat e gjata prj pupuliti ku jetonin qindra familje… dhe nga ana tjetër shtëpitë prej guri, si për t’u dalluar  nga pjesa tjetër.
Ne jetonim në ato barka të ngritura enkas për ne.
Në shkolla, sa vinte pushimi i gjatë, ne me vrap shkonim nëpër shtëpira për të xhvatur ndonjë copë buke dhe e hanim rrugës deri te shkolla… Ajo copë bukë e lyer me vaj e me sheqer, me ujë e me sheqer, ose thjesht me vaj, e ndonjëherë kur gjenim ndonjë copë djathi na shijonte sa s’thuhet. Ndonjëherë shkoja në shtëpi dhe i kërkoja nënës edhe ndonjë copë bukë për A… nji vajzë e varfër nga Kadija, që s’kishte mundësi të shkonte në shtëpinë e saj. Dhe nëna ma jepte me kënaqsi, megjithëse edhe ne nuk është se kishim… Pastaj me vrap hynim të gjithë me nxitim nëpër klasa dhe mundoheshim të mësonim me aq sa mundnim.
Shpesh një djalë të klasës e zinte gjumi në orën e mësimit dhe ne e shtynim me brryl që ai të ngrinte kokën, pse i binte mbi tavolinë nga pagjumësia. Një ditë në orën e biologjisë ai po flinte… kur mësuesja e pa… i bërtiti aq fort sa ne u trembëm pse ishim të përqendruar në mësim. “Përjashta ti B. se nuk ke ardhur në shkollë për të flejtur gjumë…” – i tha ajo.
Ai mezi u ngrit nga banga, diçka mërmëriti nëpër dhëmbë dhe doli i ndjekur nga vështrimi i të gjithëve ne. Për një çast klasa mbeti në heshtje varri…
Këtë heshtje, që na vrau në shpirt të gjithëve e theu një shok, i cili u ngrit dhe tha: “Mësuese, ai shkon herë mbas here dhe ndihmon babanë e tij roje-nate te lopët, prandaj e zë gjumi në mësim!” Atëhere të gjithë ne, ulën kokat aq sa edhe mësuesja u ndje në faj…
Të gjithëve na erdhi keq për atë fëmijë… mbasi ishim vetëm 13 vjeçarë…
7 janar
2014

Related Images:

More articles

4 KOMENTET

  1. Sinqerisht më vjen keq që keni vuajtur dhe ju janë mohuar disa gjëra në sistemin që lamë pas. Por problemi qëndron me sa kam dëgjuar se ju ketë vuajtje e keni dhuratë nga vëllai juaj që u arratis… se nuk donte të punonte në kooperativë. Në kooperativa dhe ferma kanë punuar mbi 60 % e popullsisë shqiptare dhe nuk besoj se ai vëllai yt do ketë qenë i përveçëm. Ai ishte vetëm 18 vjeç dhe le të fillonte njëherë në kooperativë dhe më vonë mund të rregullohej në punë tjetër. Sa për punën e rëndë që thua ti ajo nuk ishte vetëm për ty, por edhe për ata që gjoja kishin biografi të mirë. Pra në njëfarë mënyre të gjithë kanë qenë të persekutuar dhe jo vetëm ju. Unë kam patur shumë shokë brigade të internuar në sektorin Rrapëz Lushnje, dhe punonim në një front. Norma njëlloj për të gjithë, pagesa njëlloj për të gjithë dhe trajtimi njëlloj për të gjithë. Bukën dhe ushqimet i merrnim në një dyqan dhe racionet ishin njëlloj.
    Atëhere unë mendoj se dallimi midis të persekutuarit dhe atij të “papersekutuarit” ishte pothuajse i barabartë…

    • Flm Demokrat, që edhe pse i paemër, e kundërta e ime, më keni lexuar dhe komentuar në shënimet e mia. Nuk ju njoh, po ruaj respekt për të gjithë ata që më lexojne e mundohen edhe të më komentojnë. Veç doja të thoja se nuk mund të vihen shenja të barazisë midis të persekutuarëve dhe atyre që nuk ishin të tillë, edhe pse e gjithë Shqipëria në të vërtetë ishte nji burg i madh… Kur flas për familjen time, kur tregoj për vëllanë që u arratis pse nuk u lejua të punonte as në fermë, flas për një njeri mjaft të mençur që e kuptoj se në kët vend liri nuk kishte… dhe iku pa pyetur askënd. Sigurisht, si pasojë vuajti krejt familja ime, që Shteti e shkuli nga Dibra dhe e interrnoj në Thanë, vëllait të madh që ishte në shkollën e lartë Skënderbeg në Tiranë përjashtohet nga shkolla. Unë mbarova shkollën e mesme me nota mjaft të larta në Dibër dhe m’u mohua e drejta e studimeve të larta, as zbor ushtarak siç bënin “të lirët” unë s’mund të bëja. Mund të isha më aftë se të tjerët…? Nuk e di, po mezi punova te lopët si një mjelse e thjeshtë dhe duke m’u thënë pothuaj përditë që s’e meritoja. Po të doje një njeri me biografi të mirë as ai s’të merrte dot, sepse duhej të pyeste në Degën e Brendshme për familjen… dhe ti e di mirë si ishte pergjigja… Familje shumë e mirë… por e ka një djalë të arratisur dhe fëmijët e djalit tënd duhet ta shkruajnë në biografi se e kanë dajën të arratisur… Ti nuk e di se çdo të thotë të jetosh me ankthin e asaj biografie për një fëmijë… thjesht pse dikush u arratis se s’e donte pushtetin por donte lirinë. Të duronte… thoni ju, por çtë duronte kur vetë ata pushtetarë i thanë në kooperativë do vdesësh ti… Dhe ai u tha: Do mëë shihni se ku do të vdes… dhe iku. Babai pesë vjet partizan, po asnjihere se mori atë njëmijlekshen e partizanllëkut. Jetoj dhe vdiq aty në ato baraka e Kampit. A mund të vesh një shenjë barazimi ti… Vëre, është e drejta jote, unë nuk mund ta bëj kët gjë…. Kjo është e vërteta e shkruar ashtu si e jetova dhe përjetova unë atë sistem… ndoshta të tjerë kanë vuajtur një skëterrë komuniste që veç shpirti i tyre e di. Mbase edhe ata duhet të shkruajnë me fakte jetën e asaj kohe që u munduan të na e mohojnë.
      Uroj të më kesh kuptuar…

  2. Si gjithnji, edhe kësaj here Bedra Kaba në pjesën e saj të shtatë, sjell grimca nga jeta e saj… grimca në dukje pa ndonji peshë të madhe, po nëse ti ndalesh dhe i kqyr me qetësi… ato janë brilante të vogla… vërtet ajo mund të mos e ketë zbukuruar edhe aq mirë pamjen e saj, veçse në shpirtin e saj, ku të gjitha këto rrëfime të sinqerta janë të ruajtura me aq dhimbje e kujdes, sigurisht kanë vlerë brilantesh, sepse vijnë prej nji kohe, të cilën nji pjesë e madhe njerzish ende s’e kanë kuptuar se ç’ishte ajo… duke ia lënë gjithnji hapur portat rikthimit…

    • Faleminderit shumë Jozef, për vlerësimin e shënimeve të mia… në dukje të vogla, por që në të vërtetë paraqesin një të vërtetë të një jete, të një kohe që s’ja uroj askujt…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.