back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Në gjurmët e një ditari të djegur… Lazër Radi – (Fragment nga libri i II i Kujtimeve)

Gazeta

Lazer Radi - Klasa e e Trete Prizren 1928
Lazer Radi – Klasa e e Trete Prizren 1928

Përsëri për rrugë…

nga Lazer Radi

Marrë nga libri Në gjurmët e një ditari të djegur

Libri i Dytë i Kujtimeve (1929-1938)

Qiraxhinjtë na trokitën në derë pak ma herët.
Kur dolëm jashtë ishte ende terr dhe bënte ftohtë. Vetëm nji fashë e hollë kaltërsie dukej në qiell ku përvijoheshin konturet e maleve. U ngritëm dhe pa humbë kohë filluam t’i dengosim plaçkat. Baba u vesh e doli përjashta ku e priste Prenush Gega. Të dy u ulën mbi nji stom dhe po bisedonin me za të ulët. Unë u afrohesha ngadalë, por s’kuptoja asnji fjalë. Ndërkohë teshat ishin gati mbi mushka dhe ne po prisnin babën t’i hipte mushkës së vet, e të niseshim për rrugë. Doli të na përcjellë edhe Hajredini. Mbasi u falën me shnet u përqafuan me dhimbje me babën, dhe e ndihmuen të ngjitej e të rehatohej mbi mushkë…
Përcjellja nga Hani i Fushë-Arrëzit qe e dhimbshme, krejt ndryshe nga ajo e Va-spasit. Të gjithë bujtësit e asaj nate në han me flakadanë në dorë kishin dalë në oborr për të na përcjellë. Baba, i shihte nji për nji me përmallim ata njerëz, ata miq të rastësishëm të asaj nate që po e përshëndesnin në heshtje. Ai nuk bëri asnji gjest, as me dorë e as me kokë! Vetëm shihte me sy andrrimtari, dhe me kokë të mënjanuar, nxirrte nji buzëqeshje të lehtë e të ëmbël, nji buzëqeshje mirësie e falënderimi që mund të zhdavariste çdo re të zezë që mund t’i shfaqej qiellit të atij mëngjesi.
 
U nisëm ndërsa drita pak nga pak po u jepte formë maleve. Edhe rruga e asaj dite vazhdonte ndër pyje pishash e ahesh. Dikur u futëm nëpër nji terren të thyer e plot kthesa. Përpiqeshim t’u shmangeshim përrojeve me mungesa urash. Kalonim buzë honesh marramendëse, futeshim përsëri mes pyjesh me bredha e pisha, zhdukeshim mes gjetheve të verdhat vjeshtës derisa nisën të dallohen nga larg çatitë e Pukës.
Asaj qendre banimi – as katund e as qytet – i ramë tej përtej përmes të vetmes rrugë që zinte fill në kodër dhe mbaronte, gjithnjë në zbritje, deri jashtë Pukës, në një shesh me një lëndine të zhveshur.
Në at rrugë zhvillohej krejt jeta e atij katundi, që funksiononte si nënprefekturë. Dyqanet ishin të njësojta me ato të Kukësit. Po ato eksponate të varura përpara dyerve, po ato qepena! Qepeni i poshtëm mbështetej mbi dy kamalecë druri? Mbi qepen uleshin teneqexhinjtë, samarxhinjtë, qeleshexhinjtë, kovaçët, nallbanët dhe merreshin me punët që kishin ndër duar.
Edhe aty kishte fare pak lëvizje dhe nji tregti të varfër! Në fund të rrugës dukesh nji varg godinash të ulëta njëkatëshe, të gjitha të mbyllura me qepena hekuri që hapeshin e mbylleshin duke i mbështjellë e çmbështjellë. Nji nga shoqëruesit na tha se ato ishin depot e Shtetit ku vendosej misri, bereqeti dhe mallrat që shteti ua shiste ose ua blinte malësorëve të rraskapitur të asaj zone të varfër…
Kaluam nëpër nji ultësirë dhe dolëm përskaj Qerretit. Qiraxhinjtë vendosën ta shmangnin malin, duke i rënë përreth për të zbritur në Gomsiqe, ku qe vendosur ta kalonim natën e tretë të udhëtimit.
S’e di për të tjerët, po mua tash rruga po më dukej monotone dhe s’po gjeja asgjë të veçantë atyre anëve… Mbas çdo hapi të mushkave e kuptoja se qyteti im ishte gjithnji e më larg, gjithnji e më i domosdoshëm për t’u harruar. Kishin kaluar tri ditë që veç ecnim dhe nuk kisha gjetur asnji qytet që ta krahasoja me qytetit tim… Gjithçka më bëhej humbëtirë, dhe ajo ndjenja e tokës amë s’di pse po më zbehej brenda meje…
Pas disa orë udhëtimi, diku në thellësi u shfaq sërish Drini, i cili së largu dukej si nji përrua që shkumëzonte. Ashtu vazhduam nji copë rruge, duke ndjekur shfaqjen e zhdukjen e tij, për të na u shfaqur përsëri pas ndonji luginë apo në të përpjetat i ndonji mali.
Drini ishte gjithkund në rrugën tonë dhe m’u fiksua në mendje si lumi që u “vërdalle” gjithkah tokave shqiptare…
 
Ajo rruga, prej fillimit në fund, kish qenë plot me të përpjeta e me teposhta, si dallgët e detit të jetës: plot lodhje e mundime…
Dikur mbërritëm në Gomsiqe!
Kahun nga ecnim, nga krahu ku ndodheshin hanet, i ndante “lumi” i Gomsiqes. S’di pse e quanin “lum”, kur në të vërtetë s’ishte tjetër veç nji përrua, i cili vetëm në kohë shirash e kur shkrinte bora e maleve “fryhet e bëhej i qametshëm” na tha nji prej përcjellësve.
Kështu, u detyruam të ecnim në thellësi deri ku shtrati i lumit ngushtohej e ku dukej nji urë e vogël druri. Mbasi kaluam urën, vazhduam edhe nji copë rrugë për të mbërritur tek hani.
Lumi i Gomsiqes ishte degëz e Drinit dhe prej aty ku u vendosëm e shihnim vendin ku “lumi” takohej me Drinin.
Ende s’qe errur mirë kur mbrritëm, megjithëse në luginë dielli kish perënduar kaherë. Nga majat e maleve përkarshi me plisat e bardhë të borës në krye ende shihej përflakja e shuar e ditës që po jepte shpirt.
Hani, si gjithë hanet që kishim lënë pas, s’kishte ndonji ndryshim që të binte në sy. Kishte njerëz më shumë, dhe e patëm më të vështirë për të gjetur vend të rehatshëm për ta kaluar at natë vjeshte, që ishte si parathënie e dimrit që zakonisht atyre anëve vinte shpejt. Qiraxhinjtë biseduan pak si gjatë me të zotin e hanit dhe nga fytyra e me shprehjen e ngushëllimit e keqardhjes morëm vesh se me t’vërtetë s’kishte asnji dhomë për me bujtë at natë. Megjithatë, mbasi u largua për do kohë, erdhi e lajmoi se na kish lëshuar dhomën e vet.
Ndër bujtinarët e asaj nate në han, më ra në sy nji burrë i pashëm me shtat mesatar, pak i shëndoshë, i veshur me çizme lëkure, kilota oficeri dhe nji xhaketë të zezë treçerekëshe. Pranë kishte nji grua e bukur leshverdhë, diçka e pazakontë ndër ato vende. Si i shoqi edhe ajo mbante çizme lëkurë, kilota dhe xhaketë të zezë lëkure. Ma tërhoqi vëmendjen ajo ngjashmëri në veshje e tyre. Burri, rreth të dyzetave, mbante nji kamxhik të bukur në dorë, si për të shtuar diçka ma autoritare pamjes së tij. Vura re ishte se ai çift s’po tërhiqte veç vëmendjen time prej fëmije, por edhe gjithë bujtësve të atij hani. Hanxhiu, u sillej sa para mbrapa duke u munduar t’i shpjegonte e t’ua plotësonte çdo dëshirë që ishte s’e mundur. Burri nuk fliste shqip, çka të linte të kuptoje se nuk ishin shqiptarë. Po çfarë ishin ata njerëz që kishin lënë vendin dhe rehatin, çka dukej nga veshjet dhe fytyrat e tyre vezulluese, nga nji bardhësi ku s’shihej as gjurma ma e vogël e mundimeve, e shqetësimeve, apo e mungesave që në Shqipëri asokohe mund t’i ndeshje ngado që t’i hidhje sytë.
Në mbrëmje hani u mbush plot.
Ishin disa dibranë që ndërtonin shtëpi guri në Pukë, e që të nesërmen duhej të zbrisnin në Shkodër, me shpresë se mund të gjenin ndonji punë re. Ishin dy mësues që shërbenin katundeve të Pukës e ktheheshin në Shkodër për pushimet e dimrit, sepse atyre anëve shkollat funksiononin vetëm prej marsit në tetor. Kishte mjaft malësorë që shkonin në Pukë për hallet e tyre, e që nga pamja e veshja dukeshin se jeta kish shkelë pa mëshirë mbi ta. Kishte plot të tjerë, për të cilët nuk shfaqa interes, sepse qenë zhytur në muhabete e në diskutime që s’më tërhiqshin. Herë pas here ndiqja në bisht të syrit çiftin e të huajve të veshur me çizme vizlluese, deri sa u zhdukën e askush si pa ma. Zhdukja e tyre sikur na rehatoi të gjithëve, mua të parin.
Aty në han ndesha për së pari skamjen e banorëve të atyre maleve, jo pse andej nga vija unë s’kishte varfëri të tillë, por pse pikërisht aty, në at sfond epik e tragjik, e ballafaqova për të parën herë në mendjen time, skamjen e vendasve, me luksin e të ardhurve; e kjo më zgjoi dhimbje…
Ndërkohë erdhi koha me fjetë.
Për nji çast mendova bukurinë e natës së shkuar. Eh sa do të kisha dashtë që ajo natë e papërsëritshme të mos kish të sosur. Por si gjitha gjanat e bukura të kësaj jete edhe ajo natë s’mund të qe ndryshe. Baba u shtri i lodhun dhe shpejt e zuri gjumi. Nana dhe motra po përgatisnin diçka për darkë dhe për rrugëtimin e së nesërmes. Unë bëra miqësi me nji djalë të ri shkodran, rrogëtar tek hanxhiu. Prej tij mora vesh se zotnia i veshun “shik”, ishte nji major italian që punonte si “organizator” në Kukës. Kurse ajo gruaja e shoqja e tij. Për ta shoqëruar kishte me vete tre xhandarë të qeverisë. Ai zakonisht, rrugën Tiranë-Kukës e bënte me aeroplan, por kësaj here kishte vendosë ta bënin me kuaj për t’i njohur nga afër ato vende po njëkohësisht t’i tregonte gruas së tij bukuroshe mrekullitë epike të atij vendi të “egër” – më sqaroi rrogëtari me fytyrën e rrumbullakët si poçe, ku herë mbas here shpërthente humori karakteristik shkodran. Ai më tha se i njihte edhe dy mësuesit nga Shkodra, bile kishte muhabet me ta. Si natyrë e zhdërvjellët dhe komunikuese më ftoi edhe mua të njihem me ta. Në bisedë u shpjegova se nga isha, kush isha dhe ku shkoja. U përpoqa të isha i sigurt në ato çka thoja dhe pse disa gjëra s’i dija as vetë. Ata shfaqën shumë interes për Prizrenin, për Gjakovën dhe për Kosovën në përgjithësi. Prej gojës së tyre mora vesh se në Shqipëri kishte pllakosë nji varfëri e madhe, sidomos në malësi, gjë të cilën e kisha pa edhe vetë nëpër hane. Punë, qe e vështirë të gjeje. Ahmet Zogu qe “vetëshpallë mbret”, dhe “më shumë kujdesej për vetveten sesa për t’i gjetur punë popullit”. Aty dëgjova për të parën herë fjalët “krizë”, “shtypje”, “hatëre”, “tarafe”, “ryshfete” e plot fjalë, për të cilat shpjegimet e dy mësuesve më qenë të bollshme.
Bëja çudi me vete dhe më vinte keq, kur dëgjoja nga goja e “nëpunësve të shtetit” të shahej “mbreti”, kur në vendin prej nga vija unë, të gjithë ata që flisnin në gjuhën e mbretit të atjeshëm e adhuronin dhe ishin gati të vdisnin për fjalën e tij. Si ishte e mundur? A ishte mbret shqiptar dhe mbret i shqiptarëve? Pse të flitej keq për të? Bëja habi, po s’kisha dëshirë t’i kundërshtoja mësuesit, doja vetëm të dëgjoja prej tyre. Mos vallë kisha hyrë në “botën e çudirave” dhe tash e mbrapa do të dëgjoja e shikoja shumë “çudira” si këto.
Me biseda e me shëtitje erdh koha e darkës. E lamë të shiheheshim te oda e zjarrit, ku mblidhesh pjesa ma e madhe e bujtinarëve.
Aq u lidha me dy mësuesit, sa edhe bukën e hëngra me nji frymë, aq sa nanën e zuni habia, se pa i mbaru kafshatat e fundit bukës, zbrita turravrap shkallëve drejt e te oda e zjarrit. Dy mësuesit edhe pse ishin të rinj, si njerëz me shkollë, kishin vendosur të sakrifikonin disa vite nga rinia e tyre në përhapje të dijes dhe kulturës atyre skutave të harruara. Hanxhiu për respekt i kishte vendosë në krye të vendit. Edhe unë, si bisht mbas tyre, u shkova afër dhe i dëgjoja me vëmendje bisedat e tyre që më dhuruan mrekullinë e të folurit shqip, në mënyrë të veçantë të shkodrançes që aq për zemër e kisha prej nanës.
Edhe pse shqipja e tyre më dukej e vështirë e hasja pengesa, e kur flisnin shpejt mezi i kuptoja, kënaqesha veç t’i dëgjoja. Gjuha e tyre më dukej si gjuhë e huaj, gjuhë të cilën e kisha besuar se e dija mirë, por s’di pse për dreq kishte plot gjëra s’i merrja vesh. Ata bisedonin rrjedhshëm e shpejt dhe humori i tyre e mbushte plot jetë odën e zjarrit.
Nji prej ustallarëve, ai ma plaku, me nji qeleshe të përgjysmuar në kokë, me mustaqe të gjata që i vareshin në dy krahët e buzëve, kishte qëlluar muhabetqar i madh. Tregonte histori të çuditshme nga jeta në Dibër e Gollobordë, aq sa unë u thitha nga rrëfimet e tij.
– Hajt burrë, se këto janë bestytni – tha njëri prej mësuesve.
Unë s’e kuptova fjalën “bestytni” dhe e pyeta tjetrin.
– Asht besimi në diçka të kotë, në diçka të pa qenë – më shpjegoi mësuesi tjetër.
– Xhebraili – vazhdonte ustai plak – dikur ishte sheshit. I kapte njerëzit, pa pritë e pa kujtuar dhe i vdiste në vend. Rastisi nji herë dhe i shkoi në shtëpi Muhametit. Po Muhameti ishte burrë i mençëm dhe ia kuptoi menjëherë hilet e tij. Kështu nuk është mirë i tha – ti do të shkosh tek ai që të ka nisë këtu, dhe do t’i thuash se nuk bën mirë, që të dërgon papritmas. Xhebraili pasi u mendua pak iku, po nuk vonoi të kthehet përsëri.
– Lutja jote u mor parasysh – i tha – tash e tutje nuk do të dal sheshit, do të dal msheftas, dhe “tak” ja mori shpirtin Muhametit dhe u zhduk pa e pa kush.
– Këto janë përralla, or bacë! – ia ktheu njëri prej mësuesve – Kush ka lindë edhe do të vdesë nji ditë, si njerëzit, si kafshët edhe bimët. Ti, s’u thua të paktën që janë përralla, por përpiqesh me ua mbushë mendjen njerëzve se këto janë t’vërteta!
Ustait plak i kërceu nji damar mes për mes ballit, dhe shfryu i zemëruar.
– Pse e keni lanë rrugën e Zotit, ai i Lumi, na e ka çue peshqesh gjithë kët të keqe t’madhe e gjith kët fukarallëk. A i ke sytë n’ballë me pa, se veç nga veremi vdesin qindra e qindra të rinj në lule të moshës, e ti na shet të trasha s’paska xhebrail e s’paska mortje… Po kësaj që ka ndodhë në fshatin tonë, e ka njerëz të fshatit që e kanë pa me sytë e tyne dhe ne që e kemi dëgjuar me veshët tanë, si thua ti hë asht e vërtetë – dhe plaku gjithë nervozizëm e dëshirë për ta bindur mësuesin ia hyni nji rrëfimi tjetër:
– Katundi jonë asht i vendosur në nji shpat të butë kodre, zhytun në blerim pemësh gjithkah. Veç tymi i ndonji oxhaku aty këtu tregon se n’at vend ka jetë dhe njerëz të gjallë. Jetohet qetë, dhe s’ka ndodhë kurrë ndonji bidat që ta prishë monotoninë e jetës tonë. Poshtë fshatit ndodhet nji luginë, dy anët e së cilës janë plot shkozë e ahishte. Kjo luginë thirret “Lugina e Keqe” sepse thonë: se n’ato pyje në dyja krahët e saj jetojnë shpirtra të kqinj a si i thoni shaurete a lugetër. Në të hyme të fshatit asht nji shkëmb, jo fort i madh, po i çuditshëm në formën e vet. Hymja e shkëmbit ka formën e nji porte, të mbushun krejt me katrorë, duket sikur ndokush e ka gdhendë me dorë. Poshtë kësaj hymje të çuditshme hapet nji livadh i vogël, i blertë e i bukur. Në të djathtë, asht nji lulishte me trëndafila të ndezun, që askush s’i ka mbjellë e askush s’kujdeset për to, po për çudi, gja ma të bukur s’ta shef syni n’dynja. Trëndafilat janë me të gjitha ngjyrat e ylberit dhe aroma e tyre ndjehet disa kilometra larg prej atij vendi. Nji bukuri të tillë s’e ka pa hala bota…
– Veç në përralla mund t’jetë ndigju… – foli dikush
Dy arsimtarët u panë sy më sy, dhe njëri prej tyre si për tallje u koll e me nji buzëqeshje të lehtë panë nga muratori plak… Atij vërtet i erdhi inat për sjelljet e mësuesve, po s’e dha veten, vazhdoi të rrëfente duke besuar se shumë prej të pranishmëve po e dëgjonin me vëmendje dhe s’po merreshin me ndonjë muhabet tjetër.
– Në gjithë katundin u hap fjala, se te lëndina para shkëmbit dilte nji vajzë e bukur perri, dhe ulej diku mes lëndinës nën aromën dehëse të trëndafilave dhe krihte me kujdes flokët e gjatë me një prarim diellor, që të mrekullonte veç t’i shihje e jo ma t’i prekje. Bukuroshja e Shkëmbit, kështu e quante katundi… Ajo kish zakon të shfaqej në kohën e Shënkollit të Verës, sepse Shënkollin e kemi edhe si festën e fshatit, siç e ka dikush tjetër ditën e Shëngjergjit. At ditë, gjithë vajzat dhe gratë e reja të fshatit dalin herët n’sabah dhe shkojnë e lahen në përroskat ujëftohta e liqenet e vogla që mbushin pyllin e Luginës së Keqe. Ato thoshin se herët pa zbardhë drita, u kishte ndodhë ta shihnin me sytë e tyre Bukuroshen e Shkëmbit… Ajo krihte flokët para hyrjes, diku mbas trëndafilave…
Jo veç fshati jonë, por edhe katundet përreth, filluan të flasin për këtë ndodhi të çuditshme. Njerëz nga ana e anës filluan të vinin me shpresë ta shihnin at mrekulli. Ishin krejt të pakët ata që mbeteshin gojëhapët prej asaj bukurie, pasi Bukuroshja e Shkëmbit nuk shfaqej vazhdimisht. Ajo shfaqej rrallë, fare rrallë, bile kishte raste që nuk shfaqej për shumë vite, kështu që kureshtarët e zakonshëm edhe pse mundoheshin ta shihnin s’qëllonin. Atë e shihnin vetëm ata ose ato që ndodhnin rastësisht aty pari. Kush e shihte Bukuroshen, i printe e mira.
Në katundin tonë jetonte nji fis i quejtun Botajt. Njerëz të urtë që shihnin punën e tyne. Nji djalë i këtij fisi vendosi ta përgjonte. Gjersa ta prekte me duart e veta Bukuroshen e Shkëmbit, s’do të luante prej skutës ku rrinte fshehun. Ngaqë thuhej, se pak a shumë ajo dilte ditët para Shënkollit të Verës, e shfaqej vetëm për pak çaste herët sapo fekste drita, ai e ndau mendjen me e pritë. Për këtë ai përgatiti nji duvak të bukur me nji lloj cope që vezullonte n’dritë të diellit. E kishte lidhë në krye, kurse në fund e kish lanë hapë nji formë rrethi, që posa t’i shfaqej Bukuroshja e Shkëmbit t’ia hidhte mbi krye e të mos e linte t’i ikte. Me durim priti te ajo skutë përmbi shkëmb me shpresë se dikur Bukuroshja do të shfaqej. Priti nji ditë, priti dy, tri, katër, pesë ditë, po asgja… Bukuroshja s’po dukej kund… Dikur filloi ta humbasë durimin e gjithë kjo punë po i dukej nji marrëzi. Megjithatë sa herë lodhesh në pritje i kujtonte vetes betimin që kish ba se s’do të shkulesh prej aty pa ia hedhë mbi krye at duvak të bardhë, e kështu i jepte karar vetes me pritë. Si ai, edhe i gjithë fshati ishin të bindun se Bukuroshja ishte aty nën shkëmb, dhe s’kish çajre pa dalë. Pritja zgjati e zgjati aq sa ai s’mbante mend sa ditë kishte i ngujuar aty mbi shkëmb. Dikur, në të shterrë të durimit mbas netësh e netësh pafund, kur sapo niste me feksë dita dhe sytë e tij i kish lodhë gjumi, për nji çast iu duk sikur u drodh shkëmbi. I hapi sytë i trembur. Ishte ma shumë natë se ditë, kur poshtë vetes ndjeu nji krakëllimë të lehtë, si zhurmë dere e randë dhe e ndryshkun. Kur ja… nji dorë e kujdesshme u duk nëpër at agshol ku ende s’dalloheshin qartë pemët, veç konturet malet përreth. Papritmas gjithçka nisi me marrë nji dritë të çuditshme. Nji qartësi e kristaltë e mbuloj krejt lëndinën para shkëmbit. U deshën veç pak çaste dhe shfaq gjelbërimi i pemëve, kaltërsia e qiellit, bora e majave, gurgullima e krojeve, ngjyrat e luleve, kanga e zogjve, aroma e trëndafilave, ylberi shumëngjyrësh, fëshfërima e gjetheve… Sa hap e mbyll sytë gjithë bota u mbush me dritë. Befas kërkëllima e derës u ndal dhe u duk sikur krejt natyra mbet shtangë. Me nji kujdes të frikshëm nisi të shfaqej prej shkëmbit nji krijesë e kristaltë, që nuk ecte veç rrëshqiste ngadalë drejt livadhit me nji hijeshi solemne prej mjelme
.
O Zot! – mërmëriti djaloshi i Botajve, duke fërkuar sytë – Mos më thuaj se jam në ëndërr!
Nji mrekulli e kish fshikur paksa në at vallzim magjepës sa ai s’pati guxim ta prekte. Nji fustan i gjerë e i bardhë mëndafshi e mbështillte trupin e saj të mrekullueshëm. Gjithçka rreth saj tash fliste në emër të dritës. Flokët që zbrisnin deri në mes të belit me at prarim ari; nji kunorë lulesh të freskëta i pikonte si vesë mbi flokë. Ajo ul mes livadhit, la kurorën mbi bar dhe me nji kangë të ambël nën zë nisi t’i krehë flokët e saj që i derdheshin si ujëvara ari supeve…
Djaloshi i Botajve, qe shtangë e përhumbë i gjithi prej asaj mrekullie dhe për nji çast ju duk se kish ardhë veç për ta kundruar dhe jo për ta rrëmbyer at hyjni. Për pak u harrua mbas asaj mrekullie, po kur i ra ndërmend se për tjetër qëllim kishte pritur aty s’di sa kohë, brofi në çast prej shkëmbit dhe si shigjetë u lëshua mbi livadh… ia hodhi duvakun-lak Bukuroshen mbi supe, e cila e kapur befas u ndje si nji zog fatkeq brenda atij duvaku dhe krahëve të fuqishëm të atij djaloshi. Kur e ndjeu që përpëlitej në krahët e tij, djaloshit të Botajve iu dhimbs, por ai e kish pritë me aq durim at çast, dhe ishte betuar se s’do të largohej prej aty pa e marrë Bukuroshen e Shkëmbit. Me gjithë përpëlitjet e saj për ta lëshuar ai e mbajti fort ndër krahë derisa e çoi te shtëpia e vet…
Prej asaj dite ata jetuan bashkë, nën strehë të shtëpisë së tij, si burrë e grua.
E Bukura e Shkëmbit, e pranoi në heshtje at martesë-rrëmbimi. I shërbeu me përvujtësi Djaloshit të Botajve, i bënte punët e shtëpisë, ia lante e ia pastronte rrobat, i gatuante si nji amvisë e mrekullueshme, kujdesej për shtëpinë, për lulet, për kafshët dhe për gjithçka kishte nevojë shtëpia; e në mënyrë të veçantë për burrin e saj, por gjithmonë në heshtje, vetëm në heshtje, pa e thënë qoftë edhe nji fjalë të vetme. Para se të mbushej viti atyre u lindi nji djalë i bukur si yll-drite. Ai i dha edhe ma shumë dritë dhe jetë asaj shtëpie. Por tashma Djaloshin e Botajve, po e shkatërronte heshtja e Bukuroshes së Shkëmbit. Nuk i hynte në sy as bukuria e djalit përpara heshtjes së saj. Qindra herë qe përpjekur t’ia shkulte qoftë edhe nji fjalë të vetme, por ishte e pamundur. Ajo vetëm heshtte. Kështu ai nisi me e humbë qetësinë. S’mund ta shtynte ma jetën kështu. Edhe pse djali rritej e zbukurohej përditë shtëpia po i bëhej si varr.
Nji ditë i Djaloshi Botajve vendosi o ta bënte të fliste, o të plastë bashku me të. Ai e mori djalin e vogël që sa kish nisur të ecte dhe i thotë:
– O e Bukura e Shkëmbit! Të kam pritë nën gur, e do të bëhesha gur po mos të gjeja. Tash kam dy vjet që çmendem prej heshtjes tënde, kam dy vjet që kam bërë gjithçka që ti të flasësh nji fjalë, jam sjell me ty si me askënd në botë, kurse ti hesht… vetëm hesht. Kërko ç’ka të duesh prej meje dhe unë do ta bëj për ty… Vetëm kështu s’mund të jetoj ma? Më thuaj çfarë do dhe unë prej qielli do ta shkul e do ta sjell, veç ti të mos heshtësh! Të lutem, mos hesht, mos hesht se s’mundem të duroj ma! Më beso, s’mundem ma!
Bukuroshja e Shkëmbit e pa me nji shikim plot dhimbje e keqardhje, nji shikim që kishte lutje brenda, por s’foli, e as kishte ndërmend të fliste.
– O ti do flasësh sot, o unë e thera djalin! – dhe vrik nxori nji thikë të mprehtë dhe ia vu foshnjës në fyt.
E Bukura e Shkëmbit u zgurdullua sysh, dhe u turr si e çmendur drejt djalit, por i shoqi vazhdonte të ulërinte.
– Fol, fol qoftë edhe nji fjalë të vetme përndryshe e thera djalin! Foool… Fooooooool se më çmende!
Ajo u kap mbas krahëve të tij të fuqishëm të shpëtonte djalin. Edhe pse vazhdonte të heshtte. Sytë e saj të mëdhenj ishin përplot me frikë dhe tmerr, pse e ndjente se ajo s’ishte shaka, as lodër.
– Fol të lutem! Fooool! Për të fundit herë po të lutem foool! A nuk e ndjen se gjithçka po merr fund! Fooool… – klithi dhe me gjithë fuqi u lëshoi dorën mbi trupin e fëmijës që ulërinte nga frika. Nëpër trup ndjeu nji lëng të nxehtë që po e digjte të gjithin. Gjithçka kish marrë fund, kur nji klithmë mallkimi shpërtheu nga buzët që vetëm kishin heshtur në jetë.
– Oh, Zoti të vraftë! Oh Zoti të vraftë! Po si e bëre, si e bëre këtë gjë? Po unë s’mund të flisja pa i mbushë tri vjetët. E kisha urdhër prej Kryezanës! Po si ma vrave djalit, hej ty të vraftë Zoti! Po të kishe duruar veç tri vjet në fisin tuaj do të hynte aq begati sa s’do të dinin me i dhanë kah. Po ti je i mallkuar! Pse ma vrave djalin! O të vraftë Zoti, po çfarë të bani djali ty! Pse s’më vrave mua, po vrave at krijesë të pafajshme… Pse? Kurrë fisi juaj dy shpi mos u baftë! As ditën për diell, as natën për hanë mos e shijofshi bukurinë e trëndafilave të mi! Në gurë e dru u kthefshin ata edhe ti!
Kaq tha e mbytur në lot, dhe doli prej shtëpisë, si të kish qenë zog. Djali i Botajve u çmend dhe pas pak kohe e gjetën të bërë copë e çikë te Honi i Zi…
Kaluan vite, kaluan breza, dhe fisi i Botajve kurrë s’u ba dy shpi, kurrë s’u zunë kambët dhe. Ngado që shkuan, e ngado që shkojnë mallkimi i Bukuroshes së Shkëmbit i ndjek si hije pas…
Bukuroshja i kish mallkuar me fjalët: “As ditën për diell, as natën për hanë mos e shijofshi bukurinë e trëndafilave të mi!”. Në mallkim e sipër ajo harroi muzgjet dhe mbrëmjet domethënë kohën midis lindjes dhe perëndimit, kohë në të cilën edhe pse e shkurtër, midis ditës dhe natës lulëzonin ashtu vetëtimthi trëndafilat e shkretë, për të cilët nuk kujdesesh ma askush. Shkëmbi i Vashës është edhe sot e kësaj dite në fshatin tonë. Ditën e Shënkollit të Verës, shkojnë vajzat për ndonji fat të mirë, shkojnë gratë dhe nuset që s’bëjnë fëmijë me shpresë se e Bukura e Shkëmbit e ka bekuar jetën…
Nuk e di sa mund të kishte shkuar ora at natë, kur muratori plak i dha fund rrëfimit të tij. Të gjithëve na kish mbetë në mendje mënyra e kandshme e rrëfimit të atij plaku. Ai na kishte detyruar të gjithëve të rrinim në heshtje e ta dëgjonim me vëmendje të madhe. Biseda do të kish zgjatë edhe ma, po të mos ishin folur arsimtarët, se të nesërmen qysh herët të gjithë duhej të viheshin për rrugë. Edhe pse ata e kishin vënë paksa në lojë plakun, kur u ndanë e falënderuan e gjithkush e kuptoj se ishte e kotë të vazhdohej ajo bisedë, që ishte bë shkak i atij rrëfimi që pa e kuptuar na kish rrëmbyer të gjithëve gjer vonë në mesnatë…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.