back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Në Festa Krishtlindjesh me Lazër Radin – nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Lazër Radi 1995
Lazër Radi 1995

Në Festa Krishtlindjesh me Lazër Radin

nga Thanas L. Gjika

(Në vend të portretit për kosovarin e pamposhtshëm Lazër Prend Radi)
Në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare në vitin 1992-’93 më ra në sy një fytyrë e re. Ishte një burrë trupmadh me kokë si të skalitur në lis. Kishte tipare të një njeriu me karakter të fortë që të ngjallte respekt. Ai ulej te tavolina e qoshes së majtë në rreshtin e fundit, pra kur hyje në sallë mund ta shikoje po të ktheje kokën nga e majta. Lexonte dhe shkruante me një përqendrim që binte në sy. Ndonëse e kishte sallën të gjithë përpara, ai nuk e ngrinte kokën për të parë kush punonte, kush hynte e delte e as për t’ua tërhequr vëmendjen atyre që ndalonin e bisedonin në këmbë gjatë hyrjeve e daljeve. Nuk i afrohej askujt. Asnjëherë nuk e pashë të pinte kafe me dikë. Kuptohej se kishte shumë mendime dhe vepra për të hedhur në letër…
Një ditë, kur po delja nga salla për të bërë pushim me shokun tim Iliaz Gogaj, i sugjerova ta ftonim burrin e qoshes për kafe, por Iliazi më bëri me shenjë se mund ta takonim një herë tjetër. Pastaj gjatë bisedës kur po pinim kafen, më sqaroi se ai burri i qoshes quhej Lazër Radi, një ish i burgosur që kishte kaluar shumë vite nëpër burgje dhe internime. Dinte disa gjuhë, ishte diplomuar në Itali për Jurisprudencë. Gjatë viteve të burgut e kishin futur në grupin e punës për përkthimin e veprave të ndryshme për të ndihmuar kuadrot e Partisë e të Sigurimit. Dikush i kishte thënë Iliazit, se gjatë viteve të burgut këtë zotëri mund ta kishin rekrutuar si informator të Sigurimit, prandaj afrimi me të mund të na sillte ngatërresa.
Një thashethem të tillë për një intelektual si Lazër Radi, që ishte burgosur në nëntor të vitit 1944 me akuzën armik i popullit, dhe pastaj humbur nëpër internime larg Tiranës, nuk mund ta kuptonim atëhere as unë as Iliazi. Mungonte informacioni dhe kuzhina komuniste e mbiquajtur socialiste vijonte të sajonte shpifje për të gjithë demokratët e vërtetë si Lazër Radi me shokë. Por sot, pasi është zbuluar ecuria e zbatimit të Planit Katovica në shoqërinë shqiptare, e kuptoj fare mirë. E kuptoj sepse tashmë kam njohur biografinë dhe jetën e tij, si do ta tregoj më poshtë. E si të mos e kuptoj sot, pasi kam lexuar mjaft shpifje të çuditshme të pushtetarëve tanë për intelektualë e krijues të dënuar prej partisë shtet, sikur ata kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit. Po përmend për ilustrim rastin e z. Bujar Nishani, me detyrën e Presidentit të R. SH., që hodhi poshtë propozimin e zotit Edi Rama, Kryeministrit, për emërimin e shkrimtarit të shquar Visar Zhiti Ambasador pranë selisë së Vatikanit. Zoti Nishani dha si sqarim se kishte marrë një mesazh në facebook nga një person i panjohur me incialet P. V., ku shkruhej se z. Visar Zhiti, paskej qenë informator i Sigurimit të Shtetit gjatë viteve kur vuante dënimin si i burgosur i ndërgjegjes në burgun e Spaçit…!! (Gazeta Dita, Tiranë 22 mars 2017).
.
Migjeni, Lazër Radi dhe Hajdar Delvina - Pukë 1936
Migjeni, Lazër Radi dhe Hajdar Delvina – Pukë 1936
Pas ndërrimit të regjimit, Lazër Radi filloi të botonte shkrimet e para te gazeta Rilindja Demokratike, por shumë shpejt iu tha se nuk ishte mirë që kjo gazetë të botonte shkrime të një të dënuari si ai, sepse njollosej Partia Demokratike si parti që po mbështetej tek ish armiqtë e popullit. Me të njëjtin pretekst u organizua më vonë dhe një farë fushate për mënjanimin e atyre deputetëve të PD-së që i përkisnin shtresës së të përndjekurve. Nga 26 deputetë të tillë që pati kjo parti në vitet 1992-’96, pas disa vjetësh mbajti vetëm nja dy prej tyre, kurse të tjerët i zëvendësoi me disa shërbëtorë besnikë të Sali Berishës, ose ish komunistë e ish sigurimsa.
Thënë shkurt, Lazër Radi me përgatitjen, talentin dhe të kaluarën e tij, i bënte hije çdo pushtetari demokrat, madje dhe vetë kryetarit të Partisë Demokratike. Po të shkruante shpesh në atë gazetë, ai do të fitonte popullaritet dhe nesër mund të zgjidhej deputet dhe mund të arrinte në poste të larta të qeverisë pluraliste.
Lazri, ashtu si Iliazi dhe unë, gjetëm një përkrahje të ngrohtë për botimin e shkrimeve tona te gazetën Rilindja e Prishtinës, që asokohe publikohej në Tiranë për shkak të përndjekjes që i bëri Millosheviçi. Vështrimet tona ishin të njëjta ndaj historisë dhe kulturës sonë. Ishim demokratë të ndershëm, por thashethemet e përhapura jo pa qëllim nga shtabi i Planit Katovica, na penguan të afroheshim e të bëheshim miq.
Pas largimit tim në SHBA, më 1996, disa vjet u shkëputa nga shtypi i Tiranës dhe nuk munda të lexoja gjë nga shkrimet e Lazër Radit. Vite më vonë, kur Lazri ishte larguar nga jeta, u njoha përmes internetit me një mikun e tij, me ish të përndjekurin Lek Pervizi, piktorin dhe rapsodin e burgjeve të kohës së diktaturës, i cili publikonte në Bruksel revistën internetike Kuq e Zi. Ky më sugjeroi të publikoja shkrime të mia edhe në revistën simotër Radiandradi.com që publikonte në Itali Jozef Radi, djali i Lazrit. Në këtë fletore lexova artikuj e pjesë nga veprat e Lazrit, si dhe studimin kronologjik në dy pjesë Krejt Jeta si një film, paraqitur në këtë revistë prej Jozefit me rastin e 100-vjetorit të lindjes së të atit 29 janar 1916 – 29 janar 2016, ku u njoha me bëmat kryesore të Lazër Radit, shoqëruar me shumë fotografi e kopertina ilustruese.
Sot, më vjen keq që e njoha jetën e veprën e këtij prizrenasi madhështor mbas vdekjes. Lufta e tij këmbëngulëse për t’u shkolluar e për të fituar kulturë e dije, fitorja ndaj përndjekjeve që i bëri diktatura komuniste, pasioni atdhetar e demokrat për të shkruar artikuj e vepra, bashkë me krijimin dhe gëzimin e një familjeje të shëndoshë në kushte çnjerëzore, janë frymëzuese për çdo shqiptar të ndershëm.
Këtë shkrim e hartova mbasi e ndjej për detyrë t’i kërkoj të falur këtij intelektuali e demokrati të vërtetë, këtij krijuesi të përndjekur për faktin se nuk iu afrova për ta njohur nga afër në vitet 1992-’95, kur mund të kisha përfituar nga bisedat e drejtpërdrejta me të…
 
Familja Radi - Prizren1922 - Anton-Bartolomeo-Gjuliana-Lazer-File
Familja Radi – Prizren 1922
Anton-Bartolomeo-Gjuliana-Lazer-File

Prizren, 24 dhjetor 1924

Më 24 dhjetor 1924 afër mesnatës, nënë Gonxhja i zgjoi nga gjumi tre djemtë Antonin, Balton e Lazrin dhe vajzën Gjyliana. Pasi u veshën të gjithë me rrobat më të mira dolën jashtë shtëpisë. Me babain përpara u drejtuan drejt Kishës së Madhe në qendër të Prizrenit. Aty do të festohej lindja e Zotit Krisht. Bora kishte mbuluar anë e kënd mbi një metër. Rruga në mes të borës dukej si kanal i thellë, si transhe lufte, këpucët kërcisnin krap-krup, duke shkelur bardhësinë e mielltë. Baca Prend mbante përdore më të voglin, Lazrin gati 9-vjeçar, të cilin po e merrte në një ceremoni të tillë për të parën herë…
Kishte disa ditë që ushtarë të shumtë serbë me bajonetat ngritur përpjetë ecnin andej këtej, sidomos drejt kufirit me Shqipërinë. Shkuan të rrëzonin Qeverinë e Fan Nolit atje, për të nënshtruar pastaj në Kosovë çetën e Azem e Shote Galicës. Këta me luftimet e tyre e kishin kthyer Drenicën në një zonë jashtë kontrollit. Drenica po quhej Shqipni e Vogël.
Besimtarët katolikë po ecnin drejt kishës nga shumë drejtime në grupe familjare. Kumbimi i kambanave ndihmonte ecjen e tyre. Brenda në kishë sundonte paqja. Dritat e shandanëve e të qirinjve i jepnin ambjentit një shkëlqim që fëmija nuk e kishte parë asnjëherë në atë kishë gjatë ceremonive të meshës të djelave paradite. Këngët për Jezusin e për të shenjtën Mari tingëllonin ëmbël. Të gjithë besimtarët e ndjenin praninë e Zotit Krisht në ajrin e katedrales. Një ngushëllim i madh, një optimizëm e siguri ndjehej në zemrën e të gjithëve, sidomos te fëmijët. Sytë e tyre shkëlqenin me një dritë më të fortë se në orët e mësimit.
Lazri do t’i kujtonte emocionet e asaj nate gjatë gjithë jetës. Ato këngë, ata qirinj e shandanë të ndezur, ato këngë e psalme të ëmbla, ajo fryma hyjnore që zotëronte sallën e mbushën me ndjenja mirësie e dashurie. Kujtimi i emocioneve të asaj nate do ta ndihmonin në të ardhmen të bëhej më i sjellshëm, më i dashur me familjarët, shokët e me këdo që do të njihte. Ndikimi moral e shpirtëror i asaj ceremonie do të ishte ndoshta po aq i madh sa ndikimi i gjithë orëve mësimore që do të merrte gjatë shkollimit të tij dhe leximi i qindra librave që do të thithte gjatë jetës së ardhshme.
Nga shpirti i tij i dlirë lindi atë natë lutja: T’falem nders’ o Zot, që m’linde katolik e ma ndriçon rrugën me mësimet e Jezu Krishtit! – lutje, të cilën ai do ta rithoshte më vonë sa herë do të ndodhej në situata të vështira, ose të gëzuara.
.
Lazër Radi mes nji grupi shokësh e IV B në Fushë të Shtojit - Shkodër 19 shkurt 1935
Lazër Radi mes nji grupi shokësh e IV B në Fushë të Shtojit – Shkodër 19 shkurt 1935
Në vitin 1929, si shumë familje të tjera shqiptare të Kosovës edhe familja e Prend Radit u shpërngul e u vendos në Shqipëri, në qytetin e Durrësit. Në fund të tetorit Lazri u regjistrua në shkollë në klasën e tretë. Deri në atë kohë shkollimi i tij ishte kryer në Prizren, në sërbisht. Kishte mësuar pak shkrim e lexim shqip në kishën shqiptare. Vitin tjetër shkollor shkoi e vijoi në Tiranë, kurse në vitet 1931-38 ai ndoqi mësimet në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, ku për shtatë vite jetoi në konviktin “Malet Tona”. Aty pati fatin të ishte nxënës i disa mësuesve atdhetarë e intelektualë të përkushtuar si Ernest Koliqi, Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Simon Rrota, Paul Guzhoni, Filip Llupi, Kolë Kamsi, etj. intelektualë të përkushtuar, të cilët ndikuan në formimin e tij. Përpiqej të ishte ndër nxënësit më të dalluar. Filloi të shkruante në shtypin e kohës me inicialet L.R., ose me pseudonimet Lara, Lapredi, Ladi, etj.
Në vitin 1936, motra e tij Gjuliana, shërben si mësuese bashkë me Migjenin në shkollën e Pukës. Për shkak të dimrit të ashpër, shkolla e asaj qyteze ishte verore. Gjyliana, e ftoi vëllanë në verë të atij viti, të shkonte në Pukë e të njihej me poetin. Pasi shkoi dhe jetoi në ambjentet e asaj shkolle gjatë muajve qershor-gusht, ai e njohu nga afër poetin e tij të adhuruar, përjetoi momente të rëndësishme nga procesi i tij krijues. Për këto ai do të shkruante në të ardhmen artikuj të shumtë, po edhe librin me kujtime “Një verë me Migjenin”.
Në Shkodër, gjimnazisti Radi në vitet 1934-’37, krijon miqësi me Arshi Pipën, Kolë Ashtën, Pashko Gjeçin, Qemal Draçinin, Gaspër Palin, po edhe me Qemal Stafën, Vasil Llazarin, Xhemal Brojën, Elez Brahën etj, të cilët, nën ndikimin e Zef Malës, filluan të merrnin pjesë në lëvizjen komuniste të atij qyteti. Si njohës i serbishtes, ai u ngarkua me përkthimin në shqip të broshurave propagandistike që vinin nga Partia Komuniste Jugosllave, dega e Malit të Zi. Djaloshit i pëlqente fryma revolucionare, ideja e çlirimit, e vllazërisë dhe e barazisë midis popujve, ruajtja e konspiracionit të grupit, disa aksione për të ndihmuar qytetarët e Shkodrës nga përmbytjet e Kirit, etj. Mirëpo si prizrenas i ra në sy fakti se agjitatorët malazezë flisnin me shumë pasion për nevojën e sabotimeve, për vrasjet politike që duhej të kryenin anëtarët e grupit komunist të Shkodrës dhe mbi të gjitha i tingëlluan shumë keq vargjet e këngës sërbe: “O car Llazar, kurorë e artë e Sërbisë…” që komunistët malazezë ia këndonin serbisht për t’ia lëvduar punën, kur ai u përkthente broshurat, ose fjalimet e tyre.
I lindur e i rritur në Kosovë, ai i kishte përjetuar nga afër mizoritë e ushtrisë mbretërore të shtetit Sërbo-Kroato-Slloven, ndaj popullit shqiptar të atjeshëm. Kënga e këtyre komunistëve për mbretin Llazar dhe shkëlqimi i syve kur flisnin për nevojën e sabotimeve e të vrasjeve që duhej të kryenin komunistët shqiptarë, shkëndijuan në mendjen e idenë që nuk thuhej hapur: Komunistët serbë e malazesë mbas propagandës për çlirimin e popujve nga shtypja, mbas internacionalizmit proletar, fshihnin synimet e lashta për ekspansion. Ai pati kurajon dhe ua tha shokëve hapur në mbledhje, se e ndjente veten të huaj në atë grup dhe u largua, pa i bërë keq askujt dhe duke e ruajtur konspiracionin e celulave. Përvoja e tij e fëmijërisë e ndihmoi të shkëputej prej Grupit Komunist të Shkodrës.
.
Në anijen “Augustus” drejt Libisë Prill 1939 Musine Kokalari ne qender me Liber Lazer Radi anash me te bardha.
Në anijen “Augustus” drejt Libisë Prill 1939
Musine Kokalari ne qender me Liber Lazer Radi anash me te bardha.

Në Romë te Katedralja e Shën Pjetrit

Në vitin 1938, mbasi mbaroi gjimnazin, Lazri mundi të fitonte, jo prej shtetit shqiptar e as prej Mbretit, por me përpjekjet e veta, një gjysëmbursë për të ndjekur studimet për Jurisprudencë në Univeritetin famoz La Sapienza të Romës. Mbas gëzimit të shpërnguljes nga Kosova në Shqipëri, kjo ishte shpërngulja e dytë edhe më e gëzueshme se e para. Vizitat në qytetin madhështor të Romës, ku gati në çdo rrugë ai sodiste monumente të ndryshëm nga Antikiteti, Mesjeta, ose Rilindja, vizitat në kopshtin zoologjik të qytetit, frekuentimi i pallatit të Operas, ku takonte dhe të rinj të tjerë shqiptarë, e mbushnin Lazrin e ri me gëzim, por dhe me një trishtim për Shqipërinë e përgjysmuar e të ndarë në dysh, për Shqipërinë e varfër e të shkatërruar, ku pushtuesit osmanë nuk kishin lënë në këmbë asnjë monument të lashtë a mesjetar dhe më e keqja kishin lënë një mendësi turkoshake.
Në Romë, krahas miqësive të shumta, u afrua e u miqësua me disa vajza të bukura italiane si Lili Bandini, Claudia Carnavali, etj. I shtoi marrëdhëniet me njërën prej tyre, me zonjushën Lidia Barberini, dhe më 1941, Lazri u bë për të parën herë baba, me djalin Alfredo.
Në gusht të vitit 1941, ndodhi një ngjarje tjetër e gëzueshme: Gjermania, pasi e mposhti shtetin Serbo-Kroato-Slloven e ndau në disa shtete të pavarur, kurse pjesën jugore të Serbisë e ndau midis Bullgarisë dhe Shqipërisë. Shqipërisë iu bashkua një territor prej gati 12.000 km katrore me popullsi mbi 820.000 banorë. Shumë shqiptarë, ndonëse atdheu ishte i pushtuar prej ushtrisë fashiste italiane, filluan të ndjeheshin optimistë për të ardhmen. Ata arsyetonin se atdheu duke pasur tani edhe pjesën më të madhe të Kosovës, disa pjesë shqiptare të Malit të Zi dhe Strugën, Kërçovën, Tetovën, Gostivarin e Dibrën, mund të realizonte në të ardhmen e afërt çlirimin e tij prej pushtuesit italian. Lufta e Vlorës e 1920-ës, ishte shembull konkret që e frymëzonte këtë ëndërr për mundësinë e lirisë së ardhshme.
Në një situatë të tillë, studenti Lazër Radi, nuk mund të mos ngazëllehej! Ishte realizuar ëndrra e bashkimit kombëtar, të cilën populli shqiptar nuk mund ta realizonte dot vetë. Ishin ndërprerë masakrat e popullsisë shqiptare prej pushtuesve gjakatarë serbë. Ai fluturoi nga gëzimi kur mësoi se ish mësuesi i tij Ernest Koliqi, në funksionin e Ministrit të Arsimit, vendosi të hapte shkollat shqipe në trevat e bashkuara ku pushtuesit serbë nuk kishin lejuar popullin shqiptar të hapte shkolla në gjuhën amëtare. Ishte gati të shkonte dhe vetë mësues në Prizrenin e dashur, por shumë shpejt mësoi se qeveria shqiptare kishte dërguar shumë mësues anë e mbanë trojeve të bashkuara, prandaj vijoi i qetë studimet…
Shqiptarët e rinj që ndodheshin në Romë për të kryer shërbimin ushtarak, ose për studime, e kishin bërë zakon që ditën e Pashkëve të Mëdha, që festoheshin në pranverë, kur celebrohej ringjallja e Jezu Krishtit dhe në mbrëmjen e 24 dhjetorit, kur celebrohej lindja e Jezu Krishtit (Krishtlindjet), shkonin në Katedren madhështore të Shën Pjetrit. Këta shqiptarë nuk kishin përjetuar festa më të bukura se këto në ambjentet aq të këndshëm dhe madhështore. Ndonëse shumica e tyre ishin nga familje myslimane e orthodkse, ata shkonin te katedralja më shumë për kuriozitet dhe respekt të qeverisë italiane, e cila po sillej edhe më mirë me shqiptarët pas disfatës që pësoi në luftën Italo-Greke, në tetor-nëntorin e 1940.
Brenda sallës së madhe të katedrales së mbushur plot e për plot, ndihej vetëm kënga e korit. Llampadarët dhe qirinjtë ishin të panumërt. Në fund secili kryente lutjen e tij në heshtje.
Lazri mërmëriste me vete: “T’falem nderit o Zot për bashkimn e popullit shqiptar. T’lutem o Zot ndihmom ta kryj shkollën sa ma mir e t’shkoj n’Shqipni me ndihmue shqiptart!”
.

Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special

Në Tiranën e pasluftës, 24 dhjetor 1944 dhe 24 dhjetor 1953

Pas diplomimit Doctor Juris, Lazrit iu propozua punë në Universitetin La Sapienza si asistent i Profesorit Vidar Casarini – Sforza, në Katedrën e Filozofisë e së Drejtës, por ai vendosi të kthehej në atdhe për t’i shërbyer popullit të tij. Në verë të vitit 1942, Lazri u vendos pranë famijes në Durrës. Aty filloi punën si stazhier në studion e Avokat Golgothas. Dëshira për të ndihmuar në emancipimin e shoqërisë shqiptare e shtyu të rifillonte bashkëpunimin me shtypin shqiptar të kohës me pseudonimet e hershëm dhe me pseudonimet e rinj Ushtima e Sharrit dhe Gjergj Komneni. Në dhjetor 1942, nis bashkëpunimi me Dr. Gulielm Dedën për botimin e gazetës Balli i Rinisë, organ i grupit Bashkimi i Rinisë Universitare Fashiste Shqiptare (BRUFSh). Në verën e vitit 1943, pasi kishte ndarë me zonjushën italiane, Lazri solli në Shqipëri djalin 3-vjeçar, Alfredin. Kurse më 21 tetor 1943, u martua me zonjushën Vitore Vushmaqi, me origjinë nga Vermoshi, e cila jetonte në Tiranë. Ajo ndiqte studimet në shkollën e mesme Nana Mbretneshë. Në fillim të majit 1944, mori titullin avokat, ndërkohë që punonte si drejtor i zyrës së Strehimit në Tiranë. Në këtë kohë bashkëpunoi dhe për rregullimin e disa kodeve e ligjeve shqiptare. Në verë të vitit 1944, familjes së tij iu shtua dhe vajza, Veronika.
Pasi forcat partizane hynë në Tiranë, kur ende ushtria gjermane nuk kishte arritur në Shkodër, që në mbrëmjen e 17 nëntorit e në vijim, udhëheqja e forcave partizane filloi në kryeqytet një proces arrestimesh të atyre që mendohej se ishin kundërshtarë të Partisë Komuniste Shqiptare edhe pse ata nuk kishin asnjë aktivitet kundër kësaj partie. Midis tyre Lazër Radi u ftua prej disa partizanëve të armatosur “për një punë në komandë…!”, ashtu si u ftuan dhe Bahri Omari, Xhevat Korça, Kol Tromara, Aqif Përmeti e 60 intelektualë e nacionalistë të tjerë. Këta, pasi u mblodhën në komandë, nuk u lëshuan më. Nga data 1 mars deri 13 prill 1945, për dënimin e tyre u organizua Gjyqi Special, me kryetar Koçi Xoxen dhe prokuror Bedri Spahiun, si dhe disa gjyqtarë ish partizanë, shumica të pashkolluar. Pa fakte konkrete për ndonjë punë armiqësore ose kriminale, disa u dënuan me vdekje, disa me burgim të përjetshëm, disa si Lazri me burgim të rëndë 30 vjet, kurse të tjerë me 25 vjet burg e disa me më pak…
Për të krijuar idenë se Partia Komuniste respektonte të drejtat e njeriut, më 24 dhjetor 1944, në burgun e ri të Tiranës u dërgua Dom Shtjefën Kurti për të kryer shërbimin e meshës së Krishtlindjeve. Të burgosurit i mblodhën në sallën e ngrënies të gjithë bashkë: katolikë, orthodoksë e myslimanë.
Komanda e burgut dëshironte që të burgosurit myslimanë të mos pranonin, kurse të krishterët othodoksë të kërkonin priftin e tyre, ose të krijonin zhurmë e rrëmujë nga mosnjohja e ritit katolik. Me një fjalë komanda dëshironte që mesha të mos mbahej, ose të dështonte duke u kthyer në një farsë komike. Mirëpo të burgosurit, pavarësisht nga bindjet e ndryshme fetare, u treguan solidarë. Solidariteti i tyre buroi prej urrejtjes që ndjenin ndaj regjimit të ri komunist që i mblodhi me djallëzi gjoja për një punë në komandë dhe po i mbante për t’i dënuar pa pasur asnjë faj.
Pavarësisht nga qirinjtë e pakët dhe mungesa e korit, serioziteti me të cilin e organizoi ceremoninë Dom Shtjefni, heshtja e të pranishmëve, kënga Lavdi Zotit ndër qiej! Paqe në tokë për njerzit me vullnet të mirë, që nisi të këndohej prej disa zërave të paktë e pastaj u forcua me pjesëmarrjen e shumicës, i dhanë ambientit një frymë shenjtërimi. Zemrat e të pranishmëve u mbushën me dashuri për njeri-tjetrin. Lotë ngazëllimi rrodhën deri poshtë mjekrave dhe pikuan në dysheme. Kur mbaroi mesha e të burgosurit u larguan, në dysheme dukeshin njolla lotësh.
Dom Shtjefën Kurtin, disa vjet më vonë, diktatura komuniste e burgosi dhe ekzekutoi, por mesha e Krishtlindjeve nuk u përsërit më prej tij sepse ishte e ndaluar dhe Dom Kurtin e ruanin fort. Gjatë një pushimi, në intimitet ai i tha Lazrit: Vlla Lazër, nuk kam mbajtë mesh’ ma emocionale e ma t’devotshme se mesha e 24 dhjetorit ’44.
Lazri iu afrua dhe me zë të ulët, i tregoi se që nga ajo natë, kur shkon te shtrati, i drejtohet Zotit me lutjen: T’falem nderit o Zot qi dhe n’burg po je me na t’përvujtnit e na ngushllon. T’lutem o Zot, mbroji njerzit tanë nga tundimet e dreqit! T’lutem o Zot, zbuti zemrat e komunistave!
Dom Shtjefni psherëtiu: Kto zemrat e komunistave veç po egërsohen. Zoti na ndimoftë!
Vite më vonë, më 24 dhjetor 1953, kur Lazri punonte në kampin e të burgosurve për ndërtimin e aeroportit të Rinasit, pati rast të merrte pjesë në meshën që organizoi në fshehtësi i burgosuri Padër Pjetër Mëshkalla, në kapanonin e ushqimit. Edhe pse u organizua në fshehtësi e me shumë drojtje, populli u mbush gjatë asaj meshe po ashtu me ngushëllim, shenjtërim e shpresë. Lazri e përsëriti lutjen e tij: T’falem nderit o Zot qi dhe n’burg po je me na t’përvujtnit e na ngushllon. T’lutem o Zot, mbroji njerzit tanë nga tundimet e dreqit! T’lutem o Zot, zbuti zemrat e komunistave!
Besimi tek Zoti dhe bashkë me të edhe shpresa për shëmbjen e atij regjimi nuk vdiqën. Vërtet shumë të burgosur dhanë shpirt gjatë torturave nëpër qelitë e hetuesisë, nëpër burgjet e Burelit, Spaçit, etj; nëpër kampet e punës në Tepelenë, Maliq, Vloçisht, Turan, etj dhe nëpër fshatra internimi. Mirëpo të përndjekurit e ndërgjegjes nuk u mbaruan kurrë, sepse ishin të ndërgjegjshëm se një ditë diktatura komuniste do të kapitullonte ashtu si diktaturat fashiste e ajo naziste. Madje të përndjekurit e ndërgjegjes, jo që nuk u mbaruan, por u shtuan dhe dolën fitimtarë mbi diktaturën komuniste.
Ashtu si pasardhësit e Gjon Markagjonit, Abas Kupit, Mustafa Merlika-Kruja, Preng Pervizit, etj edhe familja e Lazër Radit nuk u shua gjatë përndjekjes komuniste. Kur Lazri u lirua prej burgu më 1954, gruan ia kishin burgosur dhe vajza, Veronika, i kishte vdekur, ndërsa djalin Alfredo e kishte marrë për ta rritur vëllai i madh. E internuan në fshatin Kuç, më vonë edhe nëpër kampe të tjera si Gradishtë, Çermë e Savër të Lushnjës. Në 12 mars 1956, ia liruan gruan dhe jetuan së bashku në internim, ku rifilluan jetën familjare plot mungesa, por me një bekim prej Zotit. Vitorja para se të shkonte për t’u bashkuar me Lazrin, bëri një vizitë tek Vendi i Shenjtë i Shna Ndout në Laç. Manastiri i lashtë ishte shembur e kthyer në gërmadha, por besimi i popullit në mrekullitë që mund të bënte shenjti nuk ishte shuar. Vitorja e ngjiti të përpjetën duke ecur gjunjazi e duke u lutur Zotit dhe Shnandoit (Shën Antonit) që mbas bashkimit me Lazrin t’i falte një djalë, që të mos shuhej familja Radi.
Zoti dhe Shna Ndoi ia dëgjuan lutjen që kjo grua e përvuajtur ua drejtoi me gjithë shpirt. Ia plotësuan kërkesën, ashtu si dijnë ata me më shumë sesa u kërkon besimtari i devotshëm…
Kapitullimi i diktaturës komuniste i gjeti Lazër e Vitore Radin me familje të përtërirë me dy djem e një vajzë të martuar dhe me fëmijë, pra me familje të bekuar e të shtuar. Familja Radi u kthye dalngadalë e gjitha në Tiranë me dy djemtë Jozefin dhe Luçianin dhe vajzën Adriana, si dhe me shtatë nipër e mbesa. Të gjithë të pashëm, vullnetmirë dhe të moralshëm. Nënë Vitorja shumë shpejt shkoi te gërmadhat e Shna Ndoit e vetme për shkak të vështirësive të transportit dhe ngushticës ekonomike. Atje ajo dhuroi disa sende dhe bëri lutjen e falenderimit për bekimin që i dha Zoti dhe Shna Ndoi.
Bekimi i Lazër Radit ishte me dy krahë: nga njëra anë familja si koshere e plotë dhe nga ana tjetër krijimtaria e bollshme letrare e studimore. Ky adhurues dhe pasues i Migjenit shkruan në një gegnishte të ëmbël, si vetë Migjeni, me fjali të shkurtra, me gjuhë të pasur plot figura letrare, gjithmonë i qartë e pa ekuivoke. Veprat e tij të shkruara gjatë viteve të internimit i plotësoi e i botoi në Tiranë në vitet 1993-1998, kur dhe shkroi shumë artikuj e vepra të reja.
.
Kampi i Çermes - 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Vitore Radi ne Kampin e Çermes – 1958
Në krye Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X,
Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi,
Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi

Nga ana zyrtare, si për shumicën e krijuesve që bëjnë pjesë në radhët e të përndjekurve të ndërgjegjes, nuk është treguar asnjë interes dhe vlerësim i rëndësishëm. Por disa intelektualë, miq të tij dhe familjarët e tij, në tetor 1996 mbajtën një simpozium shkencor te Muzeu Historik Kombëtar, ku u vunë në dukje vlerat e tij intelektuale, shkencore e morale të këtij Njeriu që nuk u mposht prej diktaturës komuniste. Për të si shkrimtar kanë dhënë vlerësime dhe njerëz të shquar e të talentuar si poeti Visar Zhiti, Gjovalin Kola, Robert Martiko, etj. Studiuesi Robert Elsie në veprën dinjitoze Histori e Letërsisë Shqiptare, (Dukagjini 1997, f. 414-415), është i pari që ka dhënë vlerësime për jetën dhe veprën e tij.

Qeveritë shqiptare të tranzicionit nuk i krijuan kushte jetese as Lazër Radit e as pasardhësve të tij, prandaj ata i gjen sot të shpërndarë nëpër botë, sepse Ramiz Alia me klanin e tij punuan që Shqipërinë dhe pasuritë e saj t’i trashëgojnë të bijtë dhe pasardhësit e kupolës komuniste, sipas planit Katovica të formuluar para se të shpallej kapitullimi i diktaturës komuniste.
Sot djali i madh Alfredi (nga martesa e parë) dhe dy djemtë e tjerë, Jozefi e Luçiani, jetojnë në Itali me gjithë familjet e tyre, kurse vajza Adriana jeton në SHBA me bashkëshortin dhe fëmijët.
Jozefi i ngjan babait për nga talenti e përkushtimi atdhetar, politik e shoqëror. Ai ka pesë vjet që publikon në Itali revistën internetike Radiandradi. Aty ai boton përveç shkrimeve të bashkëpunëtorëve dhe krijime të babait e të veta. Jeta dhe krijimtaria letrare dhe ajo shkencore e Jozefit meritojnë një shkrim analitik, të cilin mund ta bëj unë ose dikush tjetër më vonë. Përkushtimi i tij për ta mbledhur, redaktuar e botuar veprën e plotë të babait, është i ngjashëm me përkushtimin e Eugjen Merlikës për mbledhjen, redaktimin dhe botimin e veprës së gjyshërve të tij Mustafa Merlika dhe Sotir Gjika. Kjo punë shkencore filologjike meriton vlerësim si prej shoqërisë dhe prej institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës…
Sivjet Jozefi arriti t’i grumbullojë gjithë shkrimet e babait në një korpus me 17 vëllime, prej të cilëve këto javë arriti të botojë dy vëllime Mjegullnaja e nji kohe të largët -I- Prizreni dhe Ministri i hekurt – Mirash Ivanaj. Këto dy vëllime të Lazër Radit u paraqitën në panairin e librit në Prizren, ku intelektualët e atij qyteti e pritën me dashuri e vlerësime të ngrohta rikthimin e bashkëqytetarit të tyre.
Nga ana e saj vajza Adriana i ngjan nënës për nga përkushtimi familjar e fetar. Ashtu si Alfredi, Luçiani dhe Jozefi edhe Adriana kanë ndihmuar dhe ndihmojnë financiarisht për përgatitjen dhe botimin e korpusit të veprave të babait të tyre të talentuar.
Jeta dhe vepra e Lazër Radit do të studiohet e vlerësohet si meriton pasi të realizohen Vetingu dhe Reforma në Drejtësi, kur shoqëria jonë të ketë shporrur nga pushteti pushtetarët pseudodemokratë e pseudosocialistë. Në jetën e veprën e tij të mbledhur në këto 17 vëllime shqiptarët do të gjejnë burrin e qëndresës, shkrimtarin dhe intelektualin shumëdimensional të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare dhe shoqërore, që ia kushtoi gjithë energjitë dhe njohuritë e veta luftës për emancipimin e popullit shqiptar pa u stepur nga pengesat dhe vuajtjet çnjerëzore të panumërta…
.
Wiliam Rayerson me te shoqen dhe Lazer dhe Tefta Rad
Wiliam Rayerson me te shoqen dhe Lazer dhe Tefta Radi
Mirëdita Thanas,
I lexova me shumë vëmëndje faqet e shkruara prej teje rreth Dr.Lazër Radit, ish i burgosur me t’im Atë, që më 17 Nëntor 1944, dhe i dënuar edhe Ai që me Gjyqin Special famëkeq të Prillit 1945.
Nga ana tjetër unë kam patur fatin, ndonëse me diferencë të theksuar moshe, ta njifja Dr. Lazrin personalisht pa lé që shumë dëndur shkëmbeheshim rrugës tek unë shkoja në S.M.T.-në e Lushnjes e ai, me biçikletë shkonte në punë.
Sa e si kishe shkruar ti rreth tij më tërhoqi por edhe, nga ana tjetër më pëlqeu mjaft se kishe vënë në dukje cilësít’e Tija duke e ngritur lart figurën e Tij!
Ndonëse nuk kam piksynim t’i a bëj një kritikë eventuale sa e si ke shkruar ti, nuk qëndroj dot pa t’i vënë në dukje nja dy gabime që kollaj fare mund t’i korrigjosh… Me gjithë këto vrejtje pa asnjë rëndësí, por vetëm sqaruese, i gjithë shkrimi për Dr. Lazër Radin jo që më pëlqeu por, nga ana tjetër mbeta edhe i prekur nga fakti se si ti, Thanasi, i kërkon ndjesë Lazër Radit, që nuk je njohur me Të!
Qofsh mirë, Mërgimi
Mërgim Korça, (Chicago)
 
Përshëndetje Thanas,
Urime për shkrimin. E lexova me një frymë. Ishte shume i çiltër, si një novelë e pambaruar,
e mbetur e hapur… A e botoi Dielli, se nuk e pashë?
Ndërtimi i aeroportit të Rinasit nga të përndjekurit më kujtoi Jusuf Vrionin. Ishte e tmerrshme! Në çfarë kushtesh punonin për të realizuar e tejkaluar normën ditore! Për të fituar sa më shumë ditë, tejkalimi i saj u zbritej nga afati i dënimit!!
Kemi këtu një mizori më shumë të regjimit çnjerëzor alla komunisto-shqiptar, që nuk kishte asgjë shqiptare, asgjë komuniste a socialiste, siç me ka pohuar me gojën e tij, kokë më kokë, vetë Jusuf vrioni…
Përgëzime e përqafime
Fotaq Andrea (Strazburg)
 
I nderuemi Prof. Gjika
Falenderimet e mia që ndani me mue kujtimet dhe shënimet për të ndjerin Lazër Radi.
Po, e kam njohë të ndjerin Lazër në kampin e Rinasit kur ndërtojshim aerodromin e sotshëm, Nëna Tereza. Nuk e di se ç’bante, sepse në punë nuk vinte. Ka shkrue disa çfaqje teatrale nji aktshe dhe shfaqeshin në kamp për dëfrimin e punëtorëve të lodhun, që ne nuk shkojshin me i pa. Ma vonë filluen të vijnë filma sovjetikë, që na nuk kuptojshim për dëfrimin e reckamanëve që ishim na në atë ditë. Më kujtohet se rrinte i vetmuem, por flitshin për cilësitë e tija letrare… Me nji pikë të zezë. Ishte mendimi i atyne që e kishin njohë ma parë, se kishte pasw tendenca fashiste, prandej ishte dënue. Nuk jam interesue me dijtë ma shumë, sepse kishe hallet e mia n’atë vorbull mjerimi që ishte burgu i jonë.
Më vjen keq për atë, sepse nuk e meritonte burgun, si dhe për familjen e pafajshme që vuejti pa asnji faj. Kjo asht nji pikë që mue më prek shumë sepse edhe familja e ime ka pasë të njajtin fat, në kampin e Beratit dhe ma vonë në Veliqot të Tepelenës. Ideja se familja asht në internim më ka shkaktue dhimbje ma të mëdha se puna e randë në kamp.
Gëzohem që keni vue në dukje këtë episod, sepse shumë të kalueme të hidhuna po vdesin pa u njohë… Asht nji lloj “tradhëtie” e jona që nuk bajmë ma shumë për këto viktima.
Ju dëshiroj shumë shëndet e të mira.
Sami Repishti

.

I dashur Nasi,
shkrimin mbi Lazër Radin e lexova me shumë kujdes dhe duket qartë që ke bërë një pumë shumë të mirë e me vlera të shquara njohëse. Të presekutuarit e të ndjekurit e regjimit komunist, kanë mbetur edhe sot e kësaj dite po aq të persekutuar e të refuzuar nga shoqëria për arsyet që ve në pah edhe ti se kështu ishin udhëzimet e Katovicës.
Një histori po aq të dhimbshme ka pasur edhe familja Popa që hyri në ambasadën Italine në kohën e Ramiz Alisë, e cila u përndoq më pas nga Sigurimi i Shtetit edhe në Itali, e hoqi një jetë në mjerim të plotë edhe pse ligjet ndërkombëtre duhej t’u njihnin të drejtën e refugjatit politik. Italianë komunistë, me Kraksin në krye u treguan palaço.
Çudija më e madhe është se statusin e refugjatit politik e fituan jo të persekutuarit por persekutorët e diktaturës dhe jo vetëm në Itali por edhe në ShBA e gjetkë. Ambsada Amerikane qysh në fillim dhe është edhe sot e kësaj dite plot e përplot me të bijtë e kuadrove të diktaturës. Ja pra pse ai vend mbetet më keq nga gjithë vendet e tjera të ish kampit socialist.
Të uroj shëndet e gjithë të mirat familisht!
Ilia Karanxha
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.