Në emër, të atij brezi që edukoi Mirash Ivanaj… – nga Jakov Milaj (1993)

Mirash Ivanaj (1891-1953)

Mirash Ivanaj (1891-1953)

Në emër, të atij brezi që edukoi Mirash Ivanaj…*

nga Jakov Milaj

Kjo fjalë u mbajt me rastin e 40-vjetorit të vdekjes
Prof. Dr. Mirash Ivanaj, më 22 shtator 1993,
në Pallatin e Kongreseve, Tiranë
.
…Sot rasti është i veçantë. Bashkë me urimet e përzemërta duhet të kujtojmë edhe diçka të hidhur: jemi mbledhur që të nderojmë edhe 40-vjetorin e vdekjes të mësuesit tonë të shkëlqyer Dr. Mirash Ivanajt, njërit nga pedagogët më të mirë, e nga patriotët më të mëdhenj që ka nxjerrë Arbëria jonë. Ky është ungji i zojushës Drita që na ka nderuar sot. Unë kam patur fatin të kem qenë për 5 vjet nxënës i tij. Jam edhe një nga nxënësit më të vjetër që Ai ka nxjerrë (po mbush afër 83 vjeç). Dhe prandaj ju lutem të mos mërziteni nga ky fjalim, ndofta pak i gjatë, që ka të bëjë me kujtimet që unë kam për të përmendur.
Kanë kaluar plot 62 vjet nga koha kur kam marrë maturën e Gjimnazit të Shtetit në Shkodër.
Përshtypja e parë që të lë një njeri kur e sheh në fillim është paraqitja e jashtme. Drejtorit të cilit iu paraqita në shtator të vitit 1926, ishte madhështor. Të linte përshtypjen e malësorit nga e kishte origjinën. Megjithëse i ri, dukej pak i kërrusur, ndofta pse të shumtën e kohës e kalonte mbi libra, duke studiuar.
Ishte tepër i thjeshtë në sjellje e në veshje. Dukej sikur ishte i ashpër me nxënësit, kurrë, përkundrazi ishte shumë i dashur. Ndiqte me interes përparimin e tyre i qortonte ndonjë herë të dobëtit, por nuk përtonte të afronte e të këshillonte edhe të aftit dhe t’i nxiste këta që të ndihmonin, por siç e thonë tashti, “t’i merrnin në patronazh”, ata që ishin më mbrapa.
Në vitet e para të krijimit të Gjimnazit Shtetëror të Shkodrës, shumica e pedagogëve nuk ishin aq të aftë, pse disa vetëm shkolla të mesme në gjuhë të huaja kishin mbaruar. Ndonjëherë mungonin edhe mësuesit e përgatitur qoftë edhe gjysmakërisht për ndonjë lëndë. Atëhere mësimin e tyre e merrte përsipër, vetë Drejtori. Sado që në fakultet kishte studiuar filologji e jurisprudence, në klasa të ndryshme Ai jepte, ku filozofi, ku histori, ku latinisht ose greqishte të vjetër, ku fizikë e matematikë…
Një profesor matematike Anton Deda (më vonë drejtor), thoshte se: “Drejtori është më i aftë se unë, për të dhënë edhe lëndë të ndryshme matematike, në të cilat unë kosiderohesha kompetent…”
Kishte pak miq në Shkodër, dhe rrallë e shikoje nëpër kafe, vetëm kur i vinte nga Tirana i vëllai, juristi Dr. Martin Ivanaj ose zbriste nga mali e motra, një grua trupmadhe si vëllezërit, e veshur me kostum karakteristik të Mbishkodrës, Ai me këta shetiste në rrugë të madhe dhe pinte birrë ose ndonjë pije tjetër në Kafen Adriatik, (Kafja Madhe) që ishte në atë kohë kafja më e mirë e qytetit.
Përjashtim bënin ditët e garave sportive, në të cilat Gjimnazi i Shtetit rregullisht fitonte ndaj shkollave të tjera. Këta gara i kushtonin shumë drejtorit tonë, pse ky do të shpenzonte nga xhepi i tij për të blerë disa nga veglat sportive më të nevojshme, si litarë, topa etj. për të cilat deri në mbarim të vitit shkollor 1927-’28, nuk sigurohej asnjë fond nga shteti; më pas në mbarim të garave, nga gëzimi ai do të shtronte një darkë për gjithë profesorët dhe do të paguante vetë për të gjithë.
.
Mirash Ivanaj dhe gjimnazistat demonstrues - Shkoder 1927

Mirash Ivanaj dhe gjimnazistat demonstrues – Shkoder 1927

.

Pengesë e madhe për zgjerimin e shpejtë të shkollës tonë ishte fanatizmi fetar që ndrydhte shpirtërat e myslimanëve dhe të katolikëve. Ndërsa për katolikët u desh kohë që të afrohen me shkollën laike, për muhamedanët puna qe më e lehtë. Këtë e ndihmoi një koinçidenë që unë e pata dëgjuar edhe kur isha nxënës në Shkodër, edhe nga goja e një miku serioz të drejtorit, nga goja e Demir Vilës, me të cilin kishim qenë bashkënxënës në Romë.
Në qershor të vitit 1924, kur kryengritësit u futën në Shkodër, Ivanaj si kundërshtar i tyre, la shtëpi e katandi dhe iku rrëmbimthi vetëm me rrobat e trupit, në Mal të Zi, u vendos në Podgoricë. Mbas disa ditësh, një komision i ngarkuar nga prefektura erdhën për të sekuestruar mallin e të arratisurve politikë, hynë në dhomën e tij dhe, për çudi gjetën te krevati, Kuranin.
Anëtarët myslimanë të komisionit mbetën të shtangur nga kjo e papritur dhe ngulën këmbë që teshat e tij të mos preken. Nga kjo u detyruan të tërhiqen edhe anëtarët e tjerë. Dolën nga dhoma, e vulosën derën me dyll, kur u kthye Mirashi pas gjashtë muajsh, i gjeti të paprekura teshat e pakta, librat si dhe Kuranin nën jastëk me një fletë që kishte përkthyer vetë kur u largua nga Shtëpia. Shënimet që mbante nga leximi i Kuranit ishin për të parë ndikesën që kishte patur e drejta romake në sheriatin.
Kjo ngjarje bëri bujë në gjithë Shkodrën, dhe të gjithë myslimanët filluan ta adhurojnë. Kur Mirash Ivanaj mori drejtimin e Gjimnazit të Shtetit, shumica e tyre i dërguan fëmijët me dëshirë të madhe për t’u edukuar nga ky dijetar që “kishte lexuar edhe Kuranin…” Dhe filluan të zbatojnë pa nguruar porositë e tij.
Kur unë shkova për herë të pare në Gjimnazin e Shkodrës (1926), nxënësit mbanin në kokë, edhe gjatë orës së mësimit fesa të zes.
Në shtator të vitit 1927, Drejtoria para fillimit të regjistrimeve ngjiti në hyrje të shkollës një urdhër me këte përmbajtje: “Të gjithë nxënësit që dëshirojnë të regjistrohen në Gjimnazin e Shtetit duhet të kenë parasysh se në klasë do të qëndrojnë pa kësulë në kokë!”
Asnjë nuk e kundërshtoi këtë kusht!
Pushimet javore ishin të gjata në shkollën tonë.
Veç së dielës, ditën e mërkurë dhe ditën e premte bëheshin vetëm nga tri orë mësim, për arsye të ditës së pazarit dhe të festës javore myslimane. Për të kufizuar pushimet, në fillim të vitit shkollor 1928-‘29, varet një shpallje tjetër në derën e shkollës: “Nxënësit që dëshirojnë të ndjekin Gjimnazin e Shtetit duhet të kenë parasysh se të premten mësimet do të zgjasin gjithë ditën. Si për çudi asnjë nxënës nuk nguroi të regjistrohej. Natyrisht, evolucioni i mendjes ndaj kulturës bënte punën e vet, por besimi në ndershmërinë, seriozitetin e patriotizmin e udhëheqësit të këtij institucioni, pati shumë rëndësi për të bindur popullatën se rruga që ndiqte ai ishte e vetmja rrugë për përparimin e njerëzve.
E gjithë puna që ka kryer Mirash Ivanaj në shkollë ka qenë punë patriotike, dhe për patriotizmin e tij, flasin edhe këto dy fakte:
Me 28 Nëntor 1927, nga nxënësit e Gjimnazit tone, u bë demostrata kundër Bankës Kombëtare, pse në ballkonin e saj Flamuri ynë ishte vendosur në krahun e majtë, kurse flamuri i huaj në të djathtë. Ky gjest përbuzës i të huajit ndaj nesh, ngriti peshë zemrat e gjithë të rinjve. Policia, sa pa studentët që filluan demostratën, njofton menjëherë drejtorin që të marri masa. Drejtori na thërret që të hyjmë në shkollë. Kur ne mbushëm korridorin e katit përdhes Ai u ngjit në këmbën e parë të shkallës dhe na flet me butësi. Tregon se autoritetet e kishin njoftuar se ne kishim filluar një demonstratë kundër bankës. Drejtori na thotë: “Se detyra e parë e nxënësve ishte që të shikojnë mësimet… – dhe përfundoi me këto fjalë të buta, – Ju tani jeni të rritur, e kuptoni vetë të mirën e të keqën e vetës e të Atdheut, ju këshilloj, që të shihni mësimet. Ju e dini vetë si të veproni…” Këto këshilla na u dukën më shumë se aprovim, shtytje për veprimin tonë. Nga shkolla dolëm më të vendosur. Mbasdreke demostrata vazhdoi më e ashpër si dhe në mbarim të saj, policia arrestoi nja 20 vetë nga shokët tanë më të rritur. Të nesërmen shumica u liruan dhe mbetën në burg vetëm 6 gjashtë vetë, të gjithë pa përkrahje. Për ushqimin dhe fjetjen e tyre drejtori interesohesh shumë. Merrte ushqime dhe shtresa nga konvikti, megjithëse vetëm dy prej të arrestuarve ishin konviktorë, shkonte përnatë në qeli ku ishin vendosur ata dhe i këshillonte të hanin mirë, të mos ftoheshin e të mbanin gjakftohtësinë.
Një javë më vonë, në mbrëmje, kur kishim mbaruar mësimet e pasdrekës, drejtori i zymtë në fytyrë, na mbledh në korridorin e shkollës dhe na liron, pa bërë asnjë koment, për telegramin e ministrit të Arsimit, me të cilin njoftohej se gjashtë nxënësit e arrestuar përjashtoheshin nga shkolla përgjithmonë. Të përjashtuarit i mblodhi në drejtori dhe u komunikoi urdhërin epror. Sipas fjalëve që na treguan gjashtë shokët midis të tjerash, Ai u tha: “Demostrata vërtetoi se ju dhe shokët tuaj nuk jeni vetëm nxënës të mirë, por edhe patriotë të gatshëm për sakrifica!”
Me këmbënguljen e Drejtorit, të dënuarit mbas disa kohe u falën dhe me përjashtim të njerit të tjerët rifilluan mësimet. Një fakt tjetër ishte ky:
Në pranverën e vitit 1929, me urdhër të drejtorit, Prof. Gabriel Meksi na mblodhi ne, 5-6 nxënës ortodoks të gjimnazit dhe na këshilloi që të përgatisim një kor të vogël për të psallur shqip të Premten e Madhe dhe ditën e Pashkës në kishën e qytetit, e cila ishte kishë sllave. Ne nuk dinim, por dy shokë që i dinin mirë këto punë, na ndihmuan të përgatiteshim dhe vajtimet e përmbivarrshme nuk shkuan keq. Mesha e Pashkëve bëhej në mesnatën e të nesërmes. Për të dalë natën nga konvikti duhej leja e drejtorit. Për fat, të shtunave ai vinte në internat dhe unë si më i madhi, i kërkova autorizimin për të shkuar në kishë. E aprovoi me gjysmë zëri kërkesën time; por pak më vonë më nxori nga salla e studimit dhe vetëm për vetëm më tha me zë të ulët: “Po të flas ty se je më i madhi dhe mund të më kuptosh, ku do të arrijmë ne, nëqoftëse ortodoksët, katolikët, myslimanët do të shkojnë secili më vete, në kishë e xhami për Pashkë e Bajram. A mund të ndërtohet Shqipëria kur edhe ju të rinjtë, që jeni shpresë e të ardhmes, mendoni dallimin fetar e jo bashkimin?!
Kur unë iu përgjigja se asnjëherë nuk i kishim kërkuar leje për të shkuar në kishë, por sonte e bënim këte pse ishte rasti i korit të vajit që do të thoshte ato pak lutje shqip gjatë meshës sllavishte, Atij i qeshën sytë dhe ma ktheu menjëherë: Ah, po, po! Më kishte dalë fare mendsh kjo çështje. Të shkoni, të shkoni! Dhe në qoftë se keni nevojë, më thërrisni edhe mua, se jam gati t’ju ndihmoj…
Drejtori ka qenë vetë nismëtari për formimin e shoqërisë “Besa”. Ai e shihte se si ishin organizuar françekanët e jezuitët. E kuptonte se nxënësit e Gjimnazit të Shtetit të përbërë prej fesh e krahinash të ndryshme, kishin nevojë për një organizatë të rinjsh ku të mirreshin me kulturën, me sportin, me problemet e kohës, mbi të gjitha të forconin bashkimin. Për t’ia arritur qëllimit ftoi në drejtori disa nxënës të cilët hartuan statutin e shoqërisë dhe kësaj i vunë emrin “Besa Shqiptare”. Drejtori u kënaq shumë me këte emër dhe, midis tjerash na tha: Besa është karakteristikë vetëm për popullin tonë. Të huajt nuk gjejnë fjalë të sakta për të përkthyer këte nocion në gjuhën e tyre, prandaj edhe ata janë të detyruar të shënojnë në vokabulin “Besa” në fjalorët e tyre. Ne e zgjodhëm Drejtorin Ivanaj Kryetar Nderi.
U largua nga Shkodra e shkoi në Tiranë për të jetuar me të vëllanë, Martinin, por gjurmët e Mirashit mbetën të pashlyeshme. Ai linte një shkollë shumë më të madhe nga ajo që e gjeti dhe me personel më të aftë. Brenda 6-7 vjetësh numri i nxënësve ishte katërfishuar dhe përbërja kishte ndryshuar si nata me ditën. Më pare thuajse të gjithë nxënësit ishin myslimanë; tashti ishin shtuar dhe vazhdonin të shtoheshin edhe katolikët të cilët vazhdonin të braktisnin shkollat e vjetra. Gjatë kohës që punonte Ai në Shkodër, dolën nga shkolla tri matura të degës pedagogjike dhe dy matura të gjimnazit. Kjo ishte kënaqësi e madhe për të.
Unë pata fatin ta shoh drejtorin disa here edhe në Kryeqytet vetëm ose me bashkënxënës të tjerë. E thërrisnim Zoti Drejtor, megjithëse kur u largua nga Shkodra, Ai pati poste më të rëndësishme: më pas profesor, ministër arsimi, deputet dhe Kryetar i Këshillit të Shtetit.
Mirash Ivanaj  - shtëpia që po ndërtonte 1937

Mirash Ivanaj – shtëpia që po ndërtonte 1937

.

Ai na priste me shumë përzemërsi në një dhomë të madhe, mbushur me libra të sistemuara mirë. Na pat bërë përshtypje biseda e tij. Ne kujtonim se Ai nuk dinte të qeshte kurrë, përkundrazi, Ai ishte gjithnjë buzagas sidomos kur fliste për ndonjë ngjarje të kaluar ose na kallzonte ndonjë anekdotë.
Me 1936, pat rënë disa herë fjala me te për Kryengritjen e Fierit. Ai më pyeste për hollësira rreth saj, dhe i vinte mirë që pati mjaft arsimtarë pjesëmarrës. Sipas mendimit të tij, edukimi i brezit të ri kishte rënë në duar patriotësh. Veç më shumë se një herë pat shtuar: “Po ku u gjetën ata pleq për të drejtuar një kryengritje që kërkonte udhëheqës të rinj e të vendosur?”
Kur bisedoja me këte njeri, unë pyesja veten: Si është e mundur që një personalitet i regjimit të Zogut, pak muaj më parë ministër arsimi, e tani Kryetar I Këshillit të shtetit, të shfaqi mendime të këtilla? Dhe përgjigjja më dukej e qartë. Mirash Ivanaj nuk ka qenë asnjëherë njeriu i Zogut. Ai i njihte mirë të metat e tij, por bashkëpunoi me të për të realizuar ëndrrën e tij të vjetër, laicizmin e arsimit.
Shokët që e patën parë me sytë e tyre më patën thënë: “Para 7 Prill 1939, Mirashi pat braktisur zyrën e bibliotekën dhe qe bashkuar me turmat e popullit që demonstronin kundër fashistëve dhe bashkë me ta patën thirrur “Duam pushkë, duam pushkë!”
Këtu del sheshit patriotizmi i drejtorit tonë.
E megjithë këto ndjenja e dëshira, ai qe i detyruar të ndiqte karvanin mbretëror dhe të arratiset në Turqi, sepse e njohu më mirë si bashkëpunonjës që kishte drejtuar regjimin e Zogut. Ndërsa Mbreti vetë u largua nga Stambolli dhe shkoi nepër Evropë, ata që mbeten morën arin nga valixhet për të blerë çifligje nëpër Anadoll dhe për të bërë tregti. Mirashi mbeti pa dhjete pare në xhep. Kur iu sëmur i vëllai, qe i detyruar të shesë një dhëmballë ari për t’i blerë ilaçet. Për funeralin e të vëllait, meqenëse asnjë nga bashkëpunëtorët nuk e ndihmoi. Ai qe i detyruar t’i drejtohej Bashkisë së Stambollit dhe kjo e çoi në varr Martinin si të gjithë varfanjakët.
Kthimi i Mirash Ivanajt në Shqipëri ishte një tjetër akt i tij patriotik. Ai sërish dëshiroi t’i shërbente Atdheut. Por Atdheu i tij i udhëhequr tashi nga komunistët nuk e ndjente nevojën e tij. Prandaj e burgosën, e torturuan sipas zakonit, dhe Ai mbaroi në dorë të operativit, gjithmonë i burgosur.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.
.
*Titulli Redaksional nga Radiandradi.com 
 
 
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook