back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

“Në emën të dialektit”! Ligjëratë nga Ilirjana Stankaj

Gazeta

Ilirjana Stankaj
Ilirjana Stankaj

“Në emën të dialektit”!

Ligjëratë nga Ilirjana Stankaj

Ligjërata e maposhtme e Ilirjana Stankajt
asht punim i disa viteve ma parë.
Leximi i saj jo vetëm na dha kënaqësinë
e nji kandshikimi ma të hapun mbi dialektet e shqipes
po edhe për trajtimin tejet vlerësues të prespektivës së tyne.
Në mundëm me e shkëputë këtë ligjëratë të saj nga botimi
“Mbrojtja e Dialekteve të Shqipes në kushtet e Globalizmit”
dhe gjejmë rast edhe me i shprehë përgëzime për kët punim te sajin… j. r.
.
Gegnishtja e Sotme - Chris Hughes
Gegnishtja e Sotme – Chris Hughes

Të nderuem të pranishëm, të dashtun miq!

Prezantimi im sot këtu, asht për nji arsye të thjeshtë, faktin që e dua fort dialektin tim, të cilin e thërras “gjuhë shpirtit” e në të cilin më pëlqen t’i përjetësoj krijimet e mia në vargje…
Falenderoj nismëtarët e Projektit “Mbrojtja e Dialekteve të Shqipes në kushtet e Globalizmit”, mbështetë nga Ministria e Kulturës, të cilët më kërkuen mendimin tim për dialektin geg, si krijuese dhe të gjithëve Ju, ju falenderoj për vëmendjen!
Me shkruejtë për gegnishten, nuk asht aspak e thjeshtë, përkundrazi, asht shumë ma e vështirë sesa me shkruejtë gegnisht (ndonëse edhe kjo, ka vështirësitë e veta, që dihen tashma)!
Nuk due me iu kthye diskutimit që aq shumë asht lakue kohët e fundit mbi padrejtësinë që u ba ndaj dialektit gegë në Kongresin e Drejtshkrimit të 1972, sepse e kemi trajtue aq shumë, sa rrezikon me humbë seriozitetin me të cilin duhet pà, por edhe s’mundem me folë në pozicionin e nji studiueseje të gegnishtes, sepse ky dialekt, fatkeqësisht nuk asht studiue gjatë këtyne 42 viteve post-Kongres (po e quej), ndonëse vazhdimisht asht tentue shkrimi në dialekt prej disa autorëve, brenda dhe jashtë kufijve shqiptarë.
Ligjëratën time, në mbrojtje të dialekteve, përfundimisht, e kam ndërtue mbi dy pika:
1.Komoditeti që i jep dialekti nji krijuesi
2.Horizonti i pritjes.
Atëherë: Pse mendoj se nji krijues duhet me u shprehë në dialekt?!
Shprehja: “Gjithsekush lind në një gjuhë, e cila flitet para se ky ta flasë, duke ia hapë dyert e socializimit”, duhet t’na mjaftojë për me e kuptue ma mirë randësinë që ka gjuha në të cilën lind njeriu (aq ma tepër krijuesi) për shprehjen e mendimit të tij, apo krijimit.
Asnji e folme nuk përkon me standardin, ose shqipen publike të njesueme. Megjithatë, disa të folme janë ma afër standardit, të tjera ma larg…
Duhet pranue se të folmet nuk shkruhen; po edhe nëse shkruhen, nuk shkruhen sipas ndonji sistemi të kodifikuem, me përjashtim të sistemit që përdorin foneticienët për me transkriptue të folmet (alfabeti fonetik).
Kur shkruhen, të folmet shkruhen zakonisht me teknika që nuk janë mendue për ato të folme, por, a asht e drejtë me ia modifikue mendimin nji krijuesi, cilido qoftë ai, duke “e detyrue” me shkrue sipas nji parimi, të sanksionuem në 1972-in?!
Çdo shkrues i shqipes standard i shkruen fjalët sikurse ka mësue me i shkruejtë, jo siç i shqipton, sepse shkolla asht e para që ia ka krijue kët lloj vartësie.
Standardi drejtshkrimor tregon si duhen shkrue fjalët, kurse lidhja midis të folmeve gege dhe varianteve letrare të gegnishtes (shkodranishtes, elbasanishtes, kosovarishtes),asht po aq e ndërmjetësueme sa edhe lidhja midis të folmeve toske dhe variantit letrar të tosknishtes,ose shqipes standard që erdhi ma vonë, duke ia mohue kështu natyrshmëninë e shprehjes së mendimit të gjithsecilit krijues e të gjithsecilit dialekt.
Kemi ndjekë vazhdimisht debate të tipit: “Ky dialekt asht shkrue ma parë, apo ky tjetri asht gjuha e x autori të vjetër”, por harrojmë se shkrimet e para shqipe u përkasin autorëve që kishin mësue me shkrue në të tjera gjuhë. Nuk ka ndonji mënyrë të natyrshme me e shkrue gjuhën; shkrimi asht gjithnji konvencional, artificial dhe relativisht i mvetësishëm prej gjuhës, pikërisht për kët arsye ndikon dukshëm në veprat (cilatdo qofshin) e nji krijuesi.
Unë besoj që nëse nji shqiptar flet gegnisht rrjedhshëm, kjo nuk do me thanë se edhe mundet me e shkruejtë të folmen e vet gegnishte natyrshëm, pa e pasë mësue në shkollë nji variant letrar të gegnishtes, ose pa zhvillue vetë ma parë nji sistem shkrimor konvencional të vetin, qoftë edhe duke marrë nji sistem të ngjashëm për model (sepse edhe vetë alfabeti ynë u ndërtue mbi modele të huazueme).
E megjithatë, në shkollë mësojmë me shkruejtë veç variantin standard të shqipes (ma parë si ta shkruejmë dhe mandej si ta shqiptojmë drejt). Shkolla nuk u mëson nxanësve si me e shkruejtë at çka flasin, por si me e shkruejtë ma parë, dhe si me e folë atë çka shkruejnë dhe lexojnë. Dihet tashma se Shqipja e folun publike, në stadin e sotëm, asht nji sistem heterogjen, ku bashkëjetojnë: norma drejtshqiptimore, norma gramatikore si dhe trajta rudimentare të folmesh. Të folmet ruhen ma mirë në gojën e atyne, të cilëve shumë rrallë u qëllon me ra në kontakt me standardin: analfabetët dhe gjysë-analfabetët, shqiptarët që jetojnë në zona tejet të veçueme, etj.
Provoni me hy paksa në botën e nji krijuesi (sepse botë më vete asht ajo gurrë që rrjedh mbrenda mendjes e zemrës së krijuesit letrar), për me e kuptue ma mirë këtë që po them;
E foluna e gjithsecilit prej nesh, rrjedh natyrshëm, ndaj po kaq natyrshëm do ishte e mira të shkruhej!
Fakti që disa folës publikë e ngjyrosin me dialekt ligjëratën e tyne, nuk asht problem drejtshkrimor, por ka të bajë me marrdhaniet sociale të folësit me auditorin e vet.
Gegnishtja e përdorun në ligjërimin e folun publik të mediave nuk duhet pà si ndonji sfidë ndaj standardit, por thjesht si regjistër bisedor i shqipes, biles, ajo duhet me u trajtue si dukuri shoqnore, jo veç si çështje gjuhësore, sepse mbi gjithçka gjuha (çdo dialekt i saj) asht komunikim, kurse vetë komunikimi asht nji fenomen social kyç në marrdhanien ndërnjerëzore.
Mbrenda çdo shoqnie njerzore krijohen raporte, apo ndasi (sa i domosdoshëm asht theksi hundor mbi “a-në” te kjo fjalë)!
Çdo krijim letrar buron pikësëpari prej mbrendësisë së krijuesit të vet, si shkëndijë, si ide, si grimcë shpirtit, prandej asht shumë e randsishme që të jetë sa ma original, sa ma i natyrshëm e spontan.
Këtë mundësi ia jep krijuesit veç gjuha e shpirtit, ajo në të cilën mendon e ndjen, pra e folmja e tij, dialekti i tij.
“Shkodra flet e shkruen me ekselencë njenën prej të folmeve urbane metropolitane ma shprehëse e ma endemike të të gjithë arealit shqiptar” – shkruen profesor Primo Shllaku, në nji artikull, ndaj si shkodrane e gjej mjaft domethanëse kët shprehje, madje të mirëpritun.
Filologu amerikan Viktor Fridman, në nji shkrim të botuem me titull “Shqipja standarde në Amerikë”, botue në revistën “Gjuha jonë” (Nr. 3-4, 2002), ven në dukje se para Luftës së Dytë Botnore pjesa ma e madhe e shqiptarëve në Amerikë flisnin tosknisht. Figurat kryesore ishin Fan Noli dhe Faik Konica. Mbas vitit 1981, kemi edhe ma tepër gegnishtfolës, ku veçon Arshi Pipën në Amerikë dhe Martin Camajn në Gjermani (por me shumë lidhje me Amerikën) edhe mbas vitit 1972.
Gjuha Shqipe dhe Nënndrajet e sajë Dialektale
Gjuha Shqipe dhe Nënndarjet e sajë Dialektale
Në qoftë se lëmë mënjanë politikën, – shkruen autori, – dhe mendojmë vetëm për estetikën dhe shkencën, tradita e pasur dydialektore e gjuhës shqipe ka një vend në kulturën e botës.” Dhe Fridmani përfundon: “Sfida për shqipen në Amerikë në shek. XXI do të jetë të ruajë arritjet e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, së bashku me zhvillimet moderne…”
Ne sot jemi në nji stad ma të ngritun dhe ma të zhvilluem të gjuhës letrare shqipe, në stadin e modernizimit të saj, kur ajo po kërkon me plotësue gjithnji e ma shumë nevojat e shkencës, kulturës, arsimit etj. duke pasqyrue krejt bagazhin e shoqnisë së sotme shqiptare në fusha të ndryshme të jetës. Ky modernizim nuk duhet kuptue si pasqyrim në fjalorin aktiv të shqipes vetëm të disa fjalëve me burim vendas, por duhet me e zgjanue ma tej kët koncept, duke përfshi edhe pasuninë gjuhësore të autorëve gegë, pra asht e domosdoshme të mos mbesim në disa korniza të vjetërueme, por at që asht e mirë ta konsiderojmë pasuni të gjuhës sonë.
Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, thekson: “Ka ardhur koha të marrim parasysh më mirë e më shumë marrëdhëniet e normës së kodifikuar dhe të “goditjeve” që vijnë në dyert e saj nga krahinat, apo thënë ndryshe, t’ua vëmë veshin më shumë “thyerjeve” që po shtohen e që synojnë të fitojnë statusin e normës…”
Personalisht, unë mendoj se asht nji e drejtë që nuk i duhet mohue evolucionit gjuhësor të shqipes në të mirë të unitetit gjuhësor shqip (sepse unitet do thotë “bashkim në Nji të vetëm”, jo “nji i vetëm kundër dikujt tjetër”, mendoj unë). Rishikimi, përkujdesja, kultivimi dhe mandej ecja krah për krah e dy dialekteve, nuk e damton standartin, përkundrazi e pasunon atë ma fort!
Gegnishtja asht shumë e pasun (nuk po u hyj në hak studiuesve që i dinë përparësitë e këtij dialekt përkundrejt standartit), mjafton me i kujtue këto përparësi…
Por, si krijuese kam bindjen se nji vepër (e vogël, apo e madhe) përcjell ma bukur emocionin që t’fal krijimi nëse shkruhet njashtu si ndjehet dhe jo t’i imponohet nji faktor i jashtëm (siç asht të shkruemit), ndjesisë, kësaj gurre të mbrendëshme t’autorit.
Unë shkruej fillimisht në shkodranisht, mandej përpiqem me ia ba redaktimin vargjeve në gegnisht, por asht e vshtirë, sepse gegnishtja, kjo “gjymtyrë” nyje e gjuhës shqipe, që përmban 2/3 e saj, asht e pakultivueme në kohë, megjithëse zgjanohet dita-ditës në hapsinë…
.
Joachimi Stulli - Lexicon Latino - Italico -Illyricum
Joachimi Stulli – Lexicon Latino – Italico -Illyricum
.
E folmja asht gjuha e shpirtit! Si mundet me u pretendue kufizimi i saj nën “pranga”?!
Nuk pretendoj të shkatërrohet standarti, tue i vendos atij të folmet krahinore si “mina me sahat”, që herët a vonë do e nxirrnin jashtë përdorimi, absolutisht, sepse nuk ndërtohet asgja e qëndrueshme mbi gërmadha, pa e pastrue mirë e kjo asht jashtë çdo logjike, sepse do ishte vetëm humbje kohe (e koha asht flori që duhet t’i shërbejë gjuhës, si gjithçkaje tjetër për me e forcue, jo me e dobësue)!
Unë pretendoj të mundem me shkrue njashtu siç ndjej, pa u paragjykue nga kushdo që nuk e flet gjuhën time, aq ma tepër pa u nënvlerësue.
Kët pretendim, që s’asht tjetër veçse nji e drejtë dhe liri individuale, që nuk synon (jo “syron”) me cënue asnji liri e të drejtë të tjetrit, duhet me ma dhanë “Kushtetuta e fjalës mbarëshqipe”, drejtshkrimi e drejtshqiptimi! Ka ardhë koha që standarti me u rishikue, me qëllim zgjanimi, si gjithçka që rritet dhe evulon, duke mbajtë fort mbas vedit dy dialektet, me qëllim integrimin e tyne natyrshëm e ambël, përmirsimin krah për krah, në mënyrë që gjuha shqipe të bahet ma e fortë, ma e konsolidueme, ma largpamëse, ma tolerante, njashtu si nji nanë e mirë, që bijtë e vet i do barabar!
Përpjekja e çdo autori geg, si në aspektin drejtshkrimor, ashtu edhe në at gramatikor, në mënyrë që të kemi nji gegnishte letrare me prirje afrimi ndërdialektor duhet të shërbejë për me shfrytëzue ato potenciale që ka gegnishtja, për me e pasunue gjuhën standarde.
Nuk asht zgjidhje e mospërputhshmënisë së gegënishtes me standartin, rrëzimi i këtij standardi dhe ndërtimi i nji standardi tjetër me bazë gegnishten. Askush që mendon seriozisht për nevojën e ndryshimit të standardit nuk kërkon ndryshimin rranjësor të tij. Kërkohet thjesht me u kapërcye parimi diktatorial me të cilin u krijue standardi dhe vendosja e parimeve demokratike për kët çështje. Standardi duhet me gjetë zgjidhje që i vijnë për shtat jo veç nji pjese të gjuhës shqipe, por krejt gjuhës. Së pari nevojitet heqja e tabusë ndaj gegnishtes. Duhet me u pranue publikimi i materialeve në gegnisht. Duhet që njerzit që flasin gegnisht të lejohen me punue në media, biles, mediat lokale duhet ta kishin pasë moto të tynen prezantimin në dialektin e zonës, si mënyrë për me i qëndrue ma afër popullatës që sensibilizon e informon me lajmin e vet.
Kështu “horizonti i pritjes”,me prezantimin nji krijuesi, a informuesi, do ishte në harmoni në plotë.
Për me e mbyllë: “Fjala asht veshja e mendimit. Le të jetë kjo veshje sa ma e përshtatshme ndaj tij! Mendime të bukura paçim të tanë, bashkëshqipfolës”!
Falem’nderit për vëmendjen!
Shkodër, më 07.06.2014
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.