Ndjesia e shkëputjes së përkohshme nga realiteti… nga Flutura Açka

Valle burrërore malësoreshh

Valle burrërore malësoresh

Ndjesia e shkëputjes së përkohshme nga toka…

nga Flutura Açka

Këtë foto e shoh shpesh dhe gjatë. Dhe kam gjithnjë të njëjtën ndjesi: atë të shkëputjes së përkohshme nga toka, nga realiteti. Por shumë më shpesh, ndjesinë e largimit nga përdita, nga ethja e pangimjes, nga baltovina ku mësohesh, nga vesi ku përshtatesh.
Nuk di përse ajo më kujton të shkuarën shqiptare, ditë të harruara, virtyte të bjerra. Ndonjëherë e lexoj si protestë ndaj vegjetimit, dhe po aq si thirrje për t’u ngritur, edhe nga vetvetja e fjetur, edhe nga bataku ku na çon rutina.
Befta këtij çasti vibrant të fiksuar në këtë foto, mund të ketë ngjyrime folklorike për ca modernë në një shoqëri si e jona – që risolli gate community (blloqet) në demokraci, gjëja më e urryer në diktaturë, që duron picirin e trafikut shqiptar nga ngulfatja që i është bërë Tiranës e qyteteve, që është mësuar me ajrin e ndotur mbi ballkone, me ujin erëkalbur që ua grin organet, që sehiros shkatërrimin e oborreve të shkollave të vjetra për një metër beton më shumë që përkthehet në para, që duron shembjen selektive të kioskave në bregdet për të shpërblyer bandat e votave të blera në zgjedhje, që pranon legalizimin e shumëpritur në prag zgjedhje me 600 euro shpërblim nën dorë, që ndërtoi një shtet të urryeshëm, që mbylli kioskat e gazetave për t’i kthyer në bukurane patatinash, që i sërdisi shitësit e fushave të periferive nga tregu për t’i liruar vendin trusit të bananeve, që nuk la të dërguar nga Europa pa dorovitur me çanta të mbushura e vajza të hajthshme, që solli e çfarë nuk solli në vitrinën e pallokracisë sonë – por ajo ka kuptimin e një pastërtie që do të mbetet përjetë, edhe pse e padukshme, në helikat e ADN-së shqiptare.
Më ngjajnë si zogj që bëhen bashkë një çast në ajër dhe kam mërzi se si as me këmbë në tokë ne nuk mundemi të jemi bashkë kundër së keqes që na e ka zënë kokën në derën e Europës.
Miqtë e mi, po jua sjell në vëmendje këtë foto, duke ju uruar një javë të mbarë!
.
Marre nga muri i FB i Flutura Açka, 14 qershor 2021
.
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook